Prof. Dr. Salajdin Mehmeti | Shkrimtari i njohur rumun Marin Soresku në një fjalim rasti thotë se është i lumtur që i është dhënë rasti të flasë për “letërsinë më të madhe në botë, për letërsinë për fëmijë, për atë letërsi të butë të brishtë si copa e ngrohtë e bukës”. Nga kjo thënie del dhe rëndësia që ka letërsia për fëmijë jo vetëm në qarkun letrar shqiptar, por edhe më gjerë. Ndonëse edhe sot letërsia për fëmijë siç duket ka mbetur jashtë interesimeve të studiuesve dhe të kritikëve letrarë, me përjashtim të dy-tre vetave që herë pas here shkruajnë në lidhje me veprat që u dedikohen fëmijëve të grupmoshave të ndryshme, edhe pse produksioni i veprave për fëmijë s’është i vogël dhe s’është për t’u përçmuar, sepse edhe fëmijët janë lexues të veçantë i veprave që u dedikohen atyre, por ata interesohen dhe lexojnë edhe vepra që nuk shkruhen për ta. Por kjo nuk ndodh me veprat dhe krijimet e letërsisë për fëmijë në vendet e tjera evroperëndimore. Kështu, për shembull, produksioni i veprave për fëmijë në Britani ka një përkrahje të madhe në mjetet e komunikimit publik e sidomos në shtyp, s’ka gazetë që nuk e ka edhe kronikën e përhershme për letërsinë që u kushtohet fëmijëve dhe lexuesve të rinj. Botohen libra me tirazh të madh thuajse për të gjitha grupmoshat e fëmijëve. Veç kësaj rëndësi e madhe i është dhënë edhe rrjetit bibliotekar shkollor për popullarizimin e kësaj letërsie. Në këtë aspekt rol të rëndësishëm luajnë edhe shoqatat e caktuara të profesorëve që botojnë buletine të shumtë me vështrime kritike. Atëherë ç’ndodh me letërsinë tonë për fëmijë? Te ne ndodh e kundërta. Me përjashtim të ndonjë reviste për fëmijë prezantimi i kësaj është shumë i vogël. Në revistat për fëmijë si Pionieri (Tiranë, Prishtinë), pastaj Fatosi, Gëzimi (Shkup) etj. të themeluar në kushte shumë të vështira menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore (aty nga viti 1945-46) u afirmua letërsia për fëmijë si pjesë integrale e letërsisë së përgjithshme kombëtare. Në to ndeshim në vështrime kritike, shkrime të shkrimtarëve të dalluar etj.
Po t’i ndjekim me radhë botimet e këtyre revistave do vërejmë se në to janë paraqitur shkrimet më të bukura të letërsisë sonë për fëmijë, kurse autorët që shkruanin në këto revista formuan qarkun shpirtëror të mbledhur rreth tyre dhe vlerave që krijonin ata, të cilat më vonë ndoshta do t’i ndërrojnë në drejtime letrare, shkolla letrare, lëvizje letrare etj. Ndoshta pa këto revista do të mbeteshim vetëm si gjurmues, kërkues. Me revistat për fëmijë ata ndërtuan kulturën tonë letrare të cilën është e pamundur ta mendojmë pa krijuesit tanë të parë, si: Hivzi Sulejmani, Mehmedali Hoxha, Abdylazis Islami, Nuhi Vinca, Bedri Dedja, Odhise Grillo, Qamil Batalli, Ali Guruglica, Mark Krasniqi, Anton Çeta, Agim Deva, Rifat Kukaj e shumë krijues të tjerë të cilët i krijuan këto revista, i mbajtën gjallë, e krijuan dhe e afirmuan veten si individualitete krijuesish në to. Thuajse nuk ka krijues të mos ketë publikuar shkrimet e veta, qofshin ato, prozë apo poezi dhe shkrime të tjera. Në këto revista të letërsisë për fëmijë mund të gjejmë shkrime jo vetëm nga letërsia shqipe për fëmijë, edhe nga ajo e huaja, pastaj shkrime nga thesari i pasur i krijimtarisë për më të rinjtë nga e kaluara, ose ese të shkurtër, artikuj dhe shqyrtime mbi autorë të ndryshëm, pastaj pjesë nga lektura shkollore, shkrime nga letërsia popullore etj. Nga kjo, revistat për fëmijë kanë luajtur rol afirmues të letërsisë për fëmijë që krijohet anekënd rruzullit tonë. Kështu ato (revistat) krijuan fizionominë e tyre duke tubuar rreth vetes bashkëpunëtorë të shumtë, admirues dhe lexues të kësaj letërsie. Veç kësaj ata kanë luajtur rolin e tyre në gjykimin kritik, në vlerësimin dhe zhvillimin e letërsisë për fëmijë me çka kanë afirmuar vlerat e mirëfillta në opinioni publik letrar, duke veçuar vlerat nga jo-vlerat, rrjedhat dytësore, rrugët e drejta nga të gabuarat, mendimet e drejta nga llafazanit (fjalamanit), që kjo letërsi të shkarkohet nga lëmishtet (fundrinat) dhe shtrembërimet dhe kështu e spastruar dhe e kulluar të drejtohet në drejtim të duhur. Përmes tyre janë zgjedhur një varg problemesh në mësimin e letërsisë në të gjitha shkallët e shkollimit duke filluar nga kopshtet fëmijërore, shkollat fillore dhe të mesme e deri te shkollat e larta. Të gjithë këtyre u është dashur një prijës, një këshilltar, një partner për dialog, një ekspert me të cilin kanë mundur të bisedojnë mbi fenomenin e çuditshëm të letërsisë për fëmijë, aq i thjeshtë për t’u përjetuar, por aq i ndërlikuar dhe delikat për t’u shpjeguar, analizuar dhe vlerësuar. Shtrohet pyetja se ç’ndodhi me këto revista e shumë të tjera? Ku tretën këto? Pse u mbyllën dhe kush i mbylli dhe për çfarë qëllimesh? Mbyllja e tyre do të thotë mbyllje e krijimtarisë për fëmijë dhe humbje e madhe jo vetëm për letërsinë për fëmijë dhe atë fëmijërore, por humbje e madhe edhe për letërsinë shqipe në përgjithësi e atë për fëmijë në veçanti, pjesë integrale e së cilës është kjo e fundit.
Derisa në botë kësaj letërsie i kushtohet një rëndësi e madhe tek ne ndodh e kundërta. Prezantimi i kësaj letërsie është shumë i vogël. Nëse jo revistat për fëmijë (që janë mbyllur) nuk mund ta bëjnë këtë, atëherë mund ta bëjnë mjetet e komunikimit publik, sidomos radio dhe televizioni, të cilat përveç disa emisioneve me karakter të përgjithshëm fare pak i kanë dhënë hapësirë prezantimit të letërsisë për fëmijë. Deri dje krijimet letrare qofshin për të rritur, qofshin për fëmijë, nuk janë njohur nga lexuesit tanë për shkak të barrierave midis shteteve fqinje. Kjo nuk ka ndodhur vetëm me letërsinë tonë. Rast të tillë kemi edhe në dy Gjermanitë ku pas Luftës së Dytë Botërore janë krijuar dy letërsi të veçuara nga njëra-tjetra. Një pakujdesi tregohet edhe në prezantimin e vlerave letrare të letërsisë për fëmijë të krijuara në gjuhët e huaja. Derisa më parë letërsisë përkthimore i është kushtuar kujdes më i madh tash kësaj pjese të letërsisë s’i kushtohet ndonjë rëndësi e veçantë gjë që s’ndodh te popujt e tjerë. Pse të mos përkthehen veprat e autorëve më të mirë të letërsisë për fëmijë dhe të rinj ose së paku që veprat e kësaj letërsie sidomos ato më voluminoze të rikrijohen për fëmijë ashtu siç veprohet në disa vende më të zhvilluara në aspektin e arsimit e të kulturës. Një punë të mirë e pati nisur shkrimtari ynë i madh Odhise Grillo, por vdekja e hershme ia ndërpreu punën. Jo se s’kemi përkthyes të mirë, por Ministria e kulturës nuk jep mjete të mjaftueshme për një veprimtari të tillë. Kohëve të fundit një punë të mirë e ka fillua përkthyesi i ri e me shumë talent, njohës i mirë i gjuhës shqipe dhe i gjuhëve të huaja, sidomos i asaj gjermane, profesor në USHT, Arbër Çeliku.
Edhe pse fëmijët i duan lodrat e thjeshta, videolodrat, dhuratë e tyre më e mirë dhe më e vlefshme për ta mbetet libri. Mirëpo, ndërkaq, në një vend ku (besohet) se çdo i dyti është analfabet (gjysma me shkollë fillore e gjysma analfabet, pa shkollë) libri mbetet një objekt i dorës së dytë.
Një mangësi që e përcjell prej kohësh letërsinë tonë për fëmijë është mungesa e kritikës sistematike, e cila do ta përcillte me vështrime kritike botimin e veprave që ngërthejnë në vete vlera të mirëfillta letrare Edhe pse nuk mund të mohohet ekzistimi i saj, megjithatë, ajo nuk është e mjaftueshme. Edhe në këtë aspekt janë bërë përpjekje, por këto janë individuale, spontane. Shkrimet kritike mbi letërsinë për fëmijë më së shpeshti shfaqen në format e saj më të vogla, siç janë artikulli, shënimi, parathënia, shqyrtimi, trajtesa, eseja ose edhe tekste më të gjera kritike. Në këtë aspekt kontribut të çmuar kanë dhënë vetë krijuesit letrarë për fëmijë, të cilët janë marrë dhe merren më për së afërmi me këtë letërsi. Në lidhje me këtë disa teoricienë francezë, duke folur mbi kritikën e letërsisë për fëmijë theksojnë se “e tërë kritika letrare kërkon një shikim të gjerë të letërsisë dhe jo një fushë të ngushtë. Duhet njohur lëvizjet letrare, të sotmet dhe të kaluarat, t’i njohë kontekstet e këtyre lëvizjeve, ta njohë veprën e shkrimtarit që është kritikuar. Dhe është e sigurt se askush s’është profesionist (specialist) për çdo gjë. Kjo presupozon, pra, ekipet multidiciplinare të afta të trajtojnë aspekte të shumëfishta të letërsisë për fëmijë dhe të rinj”. Kritika letrare duhet të zbulojë, të interpretojë, të vlerësojë, të arsyetojë dhe t’i shpjegojë kualitetet e veprës letrare. Andaj teoricieni objekt i të cilit është meditimi mbi letërsinë për fëmijë, përveç përgatitjeve letrare-kritike dhe letrare-teorike dhe njohjes së artit në përgjithësi duhet të posedojë edhe specializimin teorik-kritik. Për dallim nga kritika e cila merret me veprat për të rriturit, tekstet letrare-kritike nuk u drejtohen direkt fëmijëve si lexues, ndonëse është e logjikshme që kritika mbi literaturën për fëmijë duhet t’i drejtohet drejtpërdrejt fëmijës si adresat i natyrshëm, por nuk ndodh kështu, sepse tekstet e tilla më parë u dedikohen lexuesve të rritur – edukatorëve, mësuesve, prindërve etj. Ideja mbi letërsinë për fëmijë niset prej vetë fëmijëve dhe pikërisht u drejtohet atyre. Vendi i lexuesit të vogël, kuptimi fjalëve të mira, horizonti i tij i pritjes dhe pjekuria e tij kushtëzojnë edhe kritikën e letërsisë për fëmijë andaj edhe kritika mbi të duhet t’i marrë parasysh gjatë analizës së veprës
faktorët psikologjikë, pedagogjikë dhe edukativë etj. Prandaj kritiku që merret me këtë fushë të letërsisë duhet të ketë dije edhe nga fushat e tjera të dijes. Ajo, (kritika), duhet t’i përfshijë të gjitha elementet e veprës letrare nga përmbajtja, përmes formës e deri te porosia, pa të cilat asnjë vepër letrare artistike nuk mund të ekzistojë. Ajo ka qenë gjithnjë dhe është edhe sot një katalizator midis shkrimtarit, veprës letrare dhe lexuesit. Me gjithë shkrimet e shumta të kritikës për fëmijë, ne nuk mund të kënaqemi me trajtimin dhe statusin e kritikës së letërsisë për fëmijë dhe të rinj, para së gjithash për shkak të pamundësisë që ajo të jetë më e pranishme dhe autoritative në periodikun vendor. Ndodh që librat e vlefshme për fëmijë të lihen pas dore dhe të heshtin. Ndodh që në shtypin tonë më shpesh në atë gazetaresk që të lexojmë shkrime “kritike” pa një përgatitje të mjaftueshme profesionale dhe teorike, respektivisht shkencore dhe metodologjike të autorëve të ndryshëm që me këto shkrime më shumë zhvlerësohet kritika për letërsinë për fëmijë dhe të rinj. Andaj kritikën nuk mund ta shkruajë gjithkush pa përgatitje paraprake. Nga kjo dhe përsosmëria permanente e aparaturës dhe e metodologjisë dhe i qasjes më ndryshe veprës letrare, sepse është e natyrshme që koha e sotme kërkon interpretime të reja, në përputhje me lëvizjet bashkëkohore teorik-letrare. Kështu secili që synon të shkruajë kritikë për ndonjë vepër të letërsisë për fëmijë duhet të kontribuojë që ajo të jetë më objektive dhe më bindëse, e argumentuar dhe e dokumentuar. Duhet përpjekur që kritika e këtillë të zërë vendin e saj të merituar, gjegjësisht të luftojë për identitetin e saj, si një mjet i veçantë i komunikimit, jo tashmë për fëmijë, por siç theksuam më sipër ajo nuk u kushtohet fëmijëve, por lexuesve të rritur, dhe më shumë, për edukatorët dhe mësimdhënësit, bibliotekarët dhe pedagogët, të cilët janë të lidhur drejtpërdrejtë me fëmijët dhe të rinjtë. Me gjithë mungesën e kësaj kritike, të cilën e pohojnë edhe vetë shkrimtarët që shkruajnë për fëmijë, në letërsinë tonë janë bërë përpjekje për afirmimin e kësaj letërsie te fëmijët dhe të rinjtë. Në këtë aspekt shquhet Agim Deva me studimet e tij të mirëfillta dhe profesionale në fushën e letërsisë për fëmijë dhe të rinj me veprat Romani ynë për fëmijë, 1977, Poezia shqipe për fëmijë, 1872–1982” etj., Bedri Dedja me veprat Burimete e letërsisë shqipe për fëmijë, Tradita dhe probleme të letërsisë shqipe për fëmijë etj., Odhise Grillo me veprat: Lexikon: Shkrimtarët shqiptarë për fëmijë (1872-1995), Panoramë letrare 1, 2, 3 (Nëpër faqet e letërsisë sonë për fëmijë) etj. Vështrime kritike kanë shkruar edhe autorë të tjerë si: Muzafer Xhaxhiu, Hamit Boriqi, Astrit Bishqemi, Tasim Gjokutaj, Anton N. Berisha. Nuk mund e të mos i përmendim edhe disa studiues nga Maqedonia të cilët janë marrë me problematikën e kësaj letërsie shkrimet e të cilëve kryesisht në gazetat dhe revistat që dikur publikoheshin në Maqedoni e tashmë të harruara e të zhdukura. Në mesin e këtyre po përmendim studiuesin e njohur dhe të mirëfilltë të letërsisë shqipe gjithandej në trojet tona, Ali Aliun, Nuhi Vinca, Agim Vinca, Xhevat Gega, Mustafa Spahiu, Ahmet Hajdari, Kalosh Çeliku e të tjerë. Me gjithë shkrimet kritike mbi letërsinë për fëmijë dhe të rinj, prapëseprapë mbetet për t’u thënë edhe më shumë. Para studiuesve tanë të letërsisë shqipe për fëmijë dhe të rinj mbetet të bëhet një punë e madhe. Atyre u mbetet për borxh t’i analizojnë veprat e shkrimtarëve më të vjetër, ndikimet e ndërsjella të shkrimtarëve për fëmijë qofshin ato tanët apo botërorë, ndikimet e shkrimtarëve të huaj për fëmijë në letërsinë tonë, pastaj sa është e pranishme letërsia për fëmijë në shkollat tona, sa dhe çfarë lexojnë fëmijët tanë, sa lexojnë arsimtarët tanë dhe sa i stimulojnë dhe i inkurajojnë të vegjlit dhe të rinjtë në leximin e veprave për fëmijë dhe të rinj, cilat vepra për fëmijë janë dedikuar për lexime artistike dhe cilat vepra për fëmijë janë të obligueshme brenda një viti shkollor, sa janë në gjendje që fëmijët të bëjnë analizën e veprave letrare të lexuara etj. Mendimi kritik në letërsinë tonë për fëmijë në përgjithësi është i varfër çka ka ndikuar në mos afirmimin e kësaj fushe shumë të rëndësishme të letërsisë. Nëse kritika nuk e ka bërë punën e saj, këtë e bëjnë vetë shkrimtarët për fëmijë. Meqë kjo letërsi me vlerat e saj letrare-artistike ka gjetur vendin e saj në mesin e lexuesve të vegjël, por edhe të rritur, ajo duhet të jetë aq tërheqëse dhe për kritikët letrarë dhe për botuesit si dhe për lexuesit e të gjitha fushave kulturore, për sociologët, pedagogët, psikologët, etnologët, antropologët, për lexuesit e profileve të ndryshme të cilët na kanë njohur me një nga frytet më të vlefshme të kulturës sonë duke filluar nga themeluesit e saj, duke filluar nga Naimi etj., duke ia prezantuar opinionit tonë dhe atij botëror, dhe që është më e rëndësishme, duhet ruajtur dhe përkrahur në zhvillimin e saj të mëtejshëm. Këtë shkrim modest po e përfundoj po me thënien e shkrimtarit rumun me të cilin e fillova ku mes tjerash thotë: “Nuk jam admirues i parullave, por me kënaqësi do të bërtitja: Rroftë letërsia për fëmijë!”
Letërsia e bashkëkohore shqipe për fëmijë sot ka hyrë në rrjedhat e letërsisë moderne evropiane dhe botërore. Me nocionin “moderne”kuptojmë letërsinë bashkëkohore , letërsinë që krijohet sot, e cila paraqet një unitet të formave letrare, stilistike dhe tematike. Ajo, pra, letërsia bashkëkohore shqipe për fëmijë, ndryshon nga ajo paraprake, sidomos nga ajo e decenieve të fundit të shekullit të 20-të si nga tematika që shkrimtarët për fëmijë trajtojnë në veprat e tyre, ashtu edhe nga ana përmbajtjesore. Ajo sot ecën me kohën dhe në veprat për fëmijë trajtohen probleme për të cilit interesohen fëmijët. Fëmija përbën boshtin (strumbullarin) kryesor përmbajtjesor të krijimeve për fëmijë. Thuajse në të gjitha krijimet për fëmijë, qofshin ato poezi a prozë dominon figura e fëmijës. Këtë e dëshmojnë edhe krijimet e traditës edhe ata bashkëkohorë. Që nga Naimi, me të cilin edhe fillon letërsia artistike shqipe për fëmijë, ajo vazhdon me autorë të tjerë të cilët në qendër të krijimeve të tyre letrare i kanë fëmijët dhe preokupimet e tyre. Lexuesit e vegjël në krijimet dedikuar atyre kërkojnë ta gjejnë veten, ata i tërheq bota e lojërave, mrekullitë, dëshira për të pamundshmen, vizioni simbolik i botës, kontaktet e para me botën, kureshtja, dëfrimi, miqësia, dashuria prindore etj. (atyre u intereson, për shembull, loja e maces me topthin prej leshi, shkarravitja e lepurit nëpër bar etj.). Me një fjalë, atyre u intereson çdo gjë që ndodh rreth tyre, pra, tematika interesante dhe bota e zbukuruar me anë të imagjinatës, sepse mosha e tyre vogël s’është e përgatitur ta pranojë të vërtetën si të tillë. Ata i tërheq realiteti i poetizuar, realiteti metaforik i pikturuar me ngjyra të kulluara dhe të qarta. Fëmijëve u intereson përmbajtja humanitare, njerëzore e veprës letrare, tematika e privuar nga çdo vulgarizëm, nga çdo ekzagjerim i tepruar, nga çdo teprim, përqeshje, përçmim, nga instinktet e ulëta etj. Vepra letrare duhet të zgjojë te fëmijët ndjenjën e së bukurës, të nxitë tek ata disponimin poetik, të mos i trazojë mahnitjet fëmijërore, të mos ua turbullojë atyre optimizmin jetësor. Fëmijët duhet të jenë të gëzueshëm dhe të pa brenga dhe nga jeta t’i shfrytëzojnë të gjitha kënaqësitë. Duke i pasur parasysh të gjitha këto, letërsia bashkëkohore shqipe për fëmijë sot u shmanget qenieve demoniake, të mbinatyrshme dhe të gjitha qenieve të frikshme nga bota e ëndrrave të pavetëdijshme dhe të vetëdijshme. Fryma e re në letërsinë për fëmijë u shmanget fantazmave dhe dragonjve dhe të gjitha shpirtrave të këqij me të cilët dënohen nga rreptësia inkuzicionale duke lënë trauma në psikën e tyre. Me një fjalë në krijimet poetike për fëmijë janë flakur mallkimet, hakmarrjet e tmerrshme dhe shëmtimet e trupit të cilat nuk është në gjendje t’i bluajë shpirti i pastër dhe i dëlirë i tij. Nga kjo edhe evoluimi i letërsisë shqipe për fëmijë në aspektin tematik. Kështu mendon edhe shkrimtari i madh danez Hans Kristian Andersen për të cilin s’ka rrëfime më të bukura se nga ato që i krijon vetë jeta. Me fjalë të tjera, arti letrar lëndën duhet ta marrë nga jeta, ta plotësojë atë dhe ta zgjerojë, në të kundërtën ajo, pra, vepra letrare që nuk do të mbështet në realitetin jetësor del e pajetë, anemike, e varfër. Pjesa më e madhe e autorëve tanë që shkruajnë për fëmijë janë orientuar në tematikën humane dhe morale-instruktive, por pa kaluar në moralizime të thata. Lexuesit e rinj i intrigon edhe tematika sociale dhe literatura e cila u ofron përgjigje në shumë pyetje për të cilat janë të interesuar ata. Lufta, konfliktet njerëzore, vuajtjet e njeriut tonë, motivi i lirisë si parim i ekzistencës njerëzore, por edhe vdekja për çështje të drejta, vendosshmëria, guximi, viktimizimi për çështje madhore, janë tema mjaft interesante dhe instruktive në letërsinë për fëmijë dhe të rinj. Të gjitha këto tema e të tjera janë trajtuar nga shkrimtarët tanë për fëmijë që nga Hivzi Sulejmani, Mark Krasniqi, Anton Çeta, Rexhep Hoxha, Bedri Dedja, Abdylazis Islami, Odhise Grillo, Ali Huruglica, Qamil Batalli, Rifat Kukaj, Vehbi Kikaj, Zejnullah Halili, Agim Deva, Arif, Demolli, etj. Secili shkrimtarë që shkruan për fëmijë duhet t’i ketë parasysh edhe recipientët e tij, që në këtë rast janë vetë fëmijë, që përfaqësojnë shtresën më të madhe dhe më të gjerë të lexuesve. Por fëmijët shpesh interesohen për të lexuar vepra letrare që nuk u dedikohen atyre. Ata interesohen të dinë se ç’shkruhet në librat për të rritur. Shpesh at kërkojnë të lexojnë poezi, tregime, romane apo edhe drama (më pak) që nuk përkojnë me pjekurinë sikologjike të tyre. Këtë e dëshmon edhe esteti italian Benedeto Kriçe kur thotë se letërsia për fëmijë kurrë nuk është ajo të cilën e shkruajnë shkrimtarët, por ajo të cilën e pranojnë fëmijët dhe e përvetësojnë me anë të leximit, e zgjedhin dhe e paracaktojnë. Edhe librat më të vlefshëm letrarisht, mesatarë ose pikërisht qesharakë, mund t@i pëlqejnë asaj moshe duke i plotësuar dhe kënaqur nevojat e tyre ndiesore. Që veprat për fëmijë të jenë të pranueshme për ta, ato duhet të shquhen për qartësinë e brendshme dhe thjeshtësinë e paraqitjes së problematikës, për strukturën e brendshme dhe komunikativitetin e tyre. Kjo realizohet kryesisht përmes mësimit të saj në shkollat tona duke filluar nga cukli i ulët i tetëvjeçares (sot nëntëvjeçares), pastaj në ciklin e lartë e deri në universitet. Në këtë aspekt letërsia për fëmijë është lënë anash deri vonë, është margjinalizuar, është përçmuar dhe nuk i është dhënë vendi i merituar në programet tona mësimore (çfarë rrallë ndodh diku në botë). Kontribut të veçantë në këtë aspekt ka dhënë poeti dhe studiuesi i letërsisë shqipe për fëmijë, dr. prof. Agim Deva, i cili është nga nismëtarët e parë të futjes së kësaj letërsie si lëndë mësimore në Fakultetin Filologjik të Prishtinë aty nga vitet 1974-1975. Prej atëherë e këndej kjo letërsi, pra, letërsia për fëmijë është shikuar me një sy më kritik. Kjo ka qenë edhe një nxitje më e madhe për shkrimtarët tanë për fëmijë, nuri i të cilëve ka ardhur duke u rritur ditë më ditë, të cilët sot kanë krijuar individualitetin e tyre krijues. Ata me veprat e tyre kanë ndikuar jo pak në letërsinë tonë në përgjithësi dhe në atë për fëmijë në veçanti, në zhvillimin e shijes dhe mprehjen e mendimit kritik. Në këtë aspekt, me krijimtarinë e tij të gjerë dhe të nduarnduarshme (poezi, prozë, dramë, radiodramë) shquhet Rifat Kukaj si punëtor i palodhur në fushën e krijimtarisë letrare për fëmijë. Është i vetmi autor, që me vite të tëra, për të cilin bota fëmijërore nuk është vetëm shkas për të krijuar, por edhe diçka e paprekshme, ndaj së cilës ai sillet me dashuri dhe pasion të madh. Jetën e fëmijës ky autor e veneron nga anët e saj më të bukura, duke u përpjekur që atë ta paraqet të pabrenga dhe me një humor të bukur. Ai me veprën e vet lexuesve të vegjël u ofron kënaqësi sikur bota të jetë krijuar për shkak të zbavitjes dhe lojës. Kështu mund të shkruajë vetëm ai që i do fëmijët dhe që është i gatshëm që brengën e vet ta shndërrojë në gëzimin fëmijëror dhe synon që me përvojën e vet ta mësojë lexuesin me të ri. Ai pandërprerë këshillon dhe mëson. Jo larg tij qëndrojnë edhe shkrimtarë të tjerë për fëmijë që janë më të vjetër apo më të rinj. Thuajse të gjithë shkrimtarët tanë për fëmijë, qofshin ata shqiptarë të Kosovës, të Shqipërisë, të Maqedonisë, të Malit të Zi dhe të diasporës, janë apo kanë qenë mësues, prandaj në veprat e tyre shpesh janë të pranishme elementet pedagogjike dhe funksioni utilitar i tyre edhe sot i pranishëm. Prandaj edhe baza tematike e letërsisë për fëmijë shpjegohet në aspektin letrar, psikologjik dhe pedagogjik. Ekzistojnë vepra letrare artistike të cilat qëndrojnë edhe mbi veprat e shkruara për të rriturit. Këtë e dëshmojnë edhe studiuesit e njohur të letërsisë. Kështu, Jan Murzharkovski, në veprën e tij Struktura, funksioni, shenja, vlera, thotë se “ në letërsinë për fëmijë, shumë më tepër se në letërsinë për të rritur veprat e caktuara arrijnë vlera pavarësisht se kalimi i kohës dhe ndryshimit në hapësirë, në letërsinë për fëmijë ekziston një numër i madh i veprave të dashura në të njëjtën kohë për shumë gjenerata, në shumë vende dhe ambiente sociale…” Mendimin e Jan Muzharkovskit e dëshmon edhe mendimi i Vejn Butit në veprën Retorika e prozës ku mes tjerash thotë: “Vlera të përhershme paraqet secila prozë e mirë artistike nga Sofokli dhe Eskili e deri te tregimi i konstruktuar mirë për fëmijë” (Beograd, 1986, f. 64).
Tematika e letërsisë shqipe për fëmijë sidomos do të begatohet pas vitit 1970 e këtej. Shkrimtarët e kësaj periudhe do të interesohen për fatin e njeriut dhe ballafaqimin e tij me problemet qoftë nga e kaluara e largët, e afërt apo edhe nga bashkëkohësia, duke i trajtuar secili në mënyrë të mëvetësishme. Kjo është koha më pjellore dhe më e rëndësishme e saj. Ajo tash do të pasurohet jo vetëm tematikisht, por edhe nga aspekti ideor dhe ndiesor, e nduarnduarshme edhe për nga trajtimi i temave të zgjedhura. Në veprat e kësaj kohe do të trajtohen tema dhe motive të reja që përkojnë me kohën duke ruajtur spontanitetin e tyre. Krijimet e tyre do të në rrjedhë me rrymimet letrare bashkëkohore. Në këtë aspekt shquhet poezia, ndërsa proza dhe në veçanti drama do të jenë më pak të pranishme në mesin e lexuesve të vegjël. Marrë në përgjithësi veprat e autorëve të kësaj periudhe për nga cilësia, tematika, mjetet shprehëse dhe arritjet artistike nuk mund të veçohen nga rrjedhat moderne, bashkëkohore të letërsisë dhe artit.