Ismet Hajrullahu | Fjalori i terminologjisë i fushës së trashëgimisë kulturore është hartuar në kuadër të projektit të përbashkët të Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës “Promovimi i Diversitetit Kulturorë në Kosovë”.
Me angazhimin e një grupi profesionistësh të disiplinave të ndryshme të trashëgimisë kulturore, përfaqësues të Institucioneve të fushave përkatëse dhe me mbështetjen e ekspertit ndërkombëtar z. Adrian Olivier, Kryetar i Shoqatës së arkeologëve të Britanisë së Madhe dhe njëkohësisht autor edhe i Konventës Evropiane për Peizazhin, pas një pune të gjatë është përfunduar hartimi i këtij Fjalori të terminologjisë.
Ky fjalor i dedikohet kryesisht profesionistëve të fushave kulturore në kuptimin më të drejtë të terminologjisë profesionale në kontekstin vendor si dhe krahasimi me terminologjinë e përdorur në mekanizma ndërkombëtar.
Ideja për hartimin e në fjalori terminologjisë ka lindur si shkak nga vështirësitë e përdorimit të termave të përshtatshme në fushën e trashëgimisë kulturore, më saktësisht për të evituar dykuptimësitë e termave profesionale në kontekstin ligjor të Republikës së Kosovës dhe duke i krahasuar ato me terminologjinë profesionale të përdorura në Konventa dhe Karta ndërkombëtare.
Fjalori i Terminologjisë së Trashëgimisë Kulturore është një fjalor me terma specifikë në lidhje me trashëgiminë kulturore për të ndihmuar aktorët e ndryshëm (duke përfshirë profesionistët në fushën e mbrojtjes dhe rehabilitimit të trashëgimisë kulturore) për të njohur dhe për të kuptuar diversitetin e trashëgimisë kulturore të Kosovës dhe për të ndihmuar në procesin e hartimit të politikave, planë- programeve, dhe projekteve për mbrojtjën dhe promovimin e saj.
Fjalori i trashëgimisë kulturore përcakton përkufizimet dhe shpjegimet e terminologjisë të përdorura në legjislacionin e Kosovës dhe rregulloret dhe udhëzimet përkatëse që lidhen me trashëgiminë, që përfshijnë:
-Ligjin për trashëgimi kulturore,
– Ligjin për planifikim hapësinor,
-Ligjin për zonat e veçanta, si dhe rregullore dhe udhëzues që mbulojnë fushën e trashëgimisë kulturore.
Të dhënat themelore për analizën krahasuese të terminologjisë të trashhëgimisë kulturore, përkufizimeve dhe shpjegimeve në fjalor do të jenë dokumentet ndërkombëtare që kanë të bëjnë me trashëgiminë (konventat, rekomandimet, udhëzuesit etj).
Ky fjalor i trashëgimisë kulturore është edhe në përputhje me burimet e terminologjisë ndërkombëtare e që mund të përditësohen periodikisht. Njëkohësisht fjalori terminologjisë ofron mbështetjen e mirëkuptimit në rritje të të gjitha vlerave të trashëgimisë kulturore të Republikës së Kosovës, si dhe lehtëson zbatimin efektiv të politikave të trashëgimisë kulturore dhe siguron angazhim më të mirë në këtë proces të profesionistëve.
Fjalori terminologjisë është një shprehje e fjalorit të përdoruar të terminologjisë në kontekst të legjislacionit në Kosovë, duke krahasuar dhe harmonizuar me terminologjinë edhe të ‘Fjalorit të Terminologjisë së Trashëgimisë Kulturore’ përdorur edhe në kontekst të konventave ndërkombëtare.
Fjalori mund të mbulojë një shumëllojshmëri të formave të ndryshme. Këto përfshijnë skemat e klasifikimit, listat e thjeshta të fjalëve etj.
Fjalori ngërthen në vete grupimin e termave në zona të përbashkëta (funksioni, tema, praktika etj) dhe identifikimin e artikulimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre.
Gjatë punës në hartimin e këtij fjalori është analizuar terminologjia specifike dhe konteksti i saj në legjislacionin e Kosovës mbi trashëgiminë kulturore dhe diversitetin kulturor në krahasim me standardet dhe praktikat ndërkombëtare.
Ky fjalor është më se i domosdoshëm sepse ndihmon në interpretimin koherent dhe në përputhje me zbatimin e ligjeve, rregulloreve dhe udhëzimeve.
Fjalori mund të përdoret gjithashtu për të indeksuar informacionin e mbajtur në sisteme, regjistrat dhe inventarët e ndryshme të informacionit, duke përfshirë të dhënat kombëtare të pasurive mjedisore historike, regjistrimet e gërmimeve dhe katalogëve, koleksioneve të muzeore.
Përdorimi i këtij fjalori, përmirëson kuptimin duke sqaruar konfuzionin e mundshëm gjuhësorë, ndihmon në tejkalimin e vështirësive ku palët e interesuara mund të mos pajtohen me terminologjinë e përdorur në praktikë.
Fjalorët gjithashtu e ndihmojnë efektivitetin e sistemeve të ndryshme të informacionit duke rritur saktësinë e kuptimit të tyre.
Me rastin e botimit të parë të fjalorit të terminologjisë së trashëgimisë kulturore nga IKMM , i pari i këtij lloji në hapësirat tona, nxisë të gjithë profesionistët e trashëgimisë kulturore që të ofrojnë kontributin e tyre në plotësimin dhe pasurimin me terminologji të reja në fushën e trashëgimisë kulturore dhe asaj natyrore.
*Autori është Drejtor i Institutit të Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve