Shqipëria pas luftës së Parë Ballkanike në vitin 1912, u nda në dysh, me arbitrarizëm të Fuqive të Mëdha në Konferencën e Londrës. E lirë dhe e robëruar, ku mbi 55% të territorit shqiptar iu dhuruan shteteve Ballkanike, më së shumti fitoi Serbia dhe Mali të Zi. Me vendosjen e pushtetit serb në këto anë, ajo i dha për detyrë vetes të ndërrojë strukturën e popullsisë në territorin e okupuar shqiptar. Në veçanti politika serbe ishte tejet e interesuar të ndërrojë strukturën e qytetit të Shkupit që njihej si kryeqytet i politikës diplomatike shqiptare nga Lidhja e Parë e Prizrenit.[1] Pushteti serb kishte arritur të përvetëson disa bejlerë shqiptarë, të cilët ishin të ndarë në dy grupe. Në grupin e parë bënin pjesë: Rustem Saliu, Qamil bej Gostivari, të cilët mbanin krahun e politikës pro serbe. Ndërsa Kumbarxhinjtë mbanin krahun e politikës proshqiptare dhe kërkonin bashkimin e Shkupit me Shqipërinë, me këta ishte edhe Qemal Osmani dhe Emin Jashari-Kumbarxhiu.[2] Këta tani më kishin filluar përgatitjet për një Shqipëri të bashkuar, me kryeqytet Shkupin.
Me ardhjen e pushtetit serb pasuritë e disa feudalëve shqiptarë ngelën të paprekura, në veçanti gjatë veprimit të Partisë së “Xhemijetit”, Ndërsa më së shumti pësuan popullata e pafajshme me despotizmin e tyre. Ata gjatë sundimit të parë serb ishin deputetë dhe koefidentë të qeverisë Serbe. Ata ishin kundër arsimit, nuk donin populli dhe rinia shqiptare të arsimohet dhe të zgjohet nga ajo padituri, ku mbi 96% nuk kanë ditur shkrim dhe lexim. Situatën në pjesën e Shqipërisë së okupuar nga serbët, më së miri e përshkruan mësuesi dhe veprimtari Abdilhaqim Dogani: “Turqia shkoi, pas vetes la një stufë bejlerësh, feudal, hoxhallarë të prapambetur dhe dervishë. Këta njerëz edhe gjatë ish Jugosllavisë ia kanë pirë gjakun popullit dhe u kanë qëruar sytë”.[3]
Më të dalluarit për despotizëm kanë qenë: Qamil Gostivari, Sami Rustem beu, dy të parët luanin në kartën e politikës serbe, dhe janë të njohur si serbofilë të mëdhenj, ndërsa Qemal Osman beu dhe Emin Jashar-Kumbarxhiu si albanofilë. Pas luftës Emin Jashar beu bie nën influencën e komunistëve dhe sëbashku me ta ishte i bindur se pas luftës do të realizohet lufta e shqiptarëve për Shqipërinë e bashkuar, sipas premtimeve komuniste dhe fjalëve të dhëndrit të tij, Nexhat Agolli.[4]
Emin Jashar beu, gjatë Jugosllavisë ka qenë deputet dhe kryeplak në komunën e Shkupit. Këtë e ka vizituar vetë Mbreti Aleksandar në fshatin Butel. Pas largimit të bullgarëve ky emërohet për “naçallnik” të policisë dhe është sjellë mirë me popullin.[5] Ky nuk u ka lejuar forcave vullnetare shqiptare që të hynë në Shkup pas kapitullimit të Bullgarisë.[6] Sipas dëshmive të parisë së qytetit, Shkupi gjatë luftës së Dytë Botërore ka pasur më shumë shqiptarë, ka deklaruar Emin Shkupi, kur e ka pritur Prefektin e Prefekturës së Tetovës Tafil Boletinin. Sipas Emin Kumbarxhiut: “Qendra politike e shqiptarëve në Shkup, është hotel Kapanhan”.[7]
HYRJA E GJERMANËVE NË SHKUP DHE KËRKESAT E NACIONALIZMËS SHQIPTARE PËR BASHKIM ME SHQIPËRINË
Forcat nacionaliste shqiptare në Shkup me rrethinë kurë nuk u pajtuan me sundimin serbo-bullgarë. Një ndër figurat kryesore në këtë kohë që vepronte në Shkup ishte Qemal Rustemi, i cili në jetën politike të Shkupit ka luajtur një rol tejet të rëndësishëm një në ruajtjen frymës kombëtare.[8] Ky ka qenë nacionalist, është i shkolluar në Gjermani. Qemal Rustem beu në vitin 1941 së bashku me Haxhi Jovanoviq Mito, i bënë një pritje madhështore komandës gjermane në hyrje të Shkupit. Ky delegacion i ka raportuar Gjeneralit gjerman “Se në Shkup nuk ka maqedonas dhe bullgarë, por vetëm turq, Shqiptarë, serb, cincar dhe ebrej”. Ky i ka organizuar turqit dhe shqiptarët kundër politikës bullgare që të dalin me kapuça të bardha në demonstratat e majit të vitit 1941.[9] Për veprimtarinë e tij kombëtare Qemal Rustemi u internua nga pushteti bullgar së bashku me Nuri beun. Ky për pushtetin bullgar ishte halë në sy, ishte i shpallur person non grata.[10]
Pas vendosjes të pushtetit bullgar në Shkup, kah fundi i vitit 1941 Shaban Jashari së bashku me Qemal Rustem beun shkuan në konsullatën gjermane për të kërkuar drejtësi, që të ndalet terrori bullgar kundër shqiptarëve në rrethin e Kumanovës dhe krahinën e Preshevës, ku ishte krijuar një çmenduri e vërtetë. Ky delegacion i tha konsullit gjerman: “Se terrori në Preshevë me rrethinë dita ditës bëhet më i pa duruar sa që preshevarët nuk kanë siguri të dalin as nga shtëpitë e tyre”.[11] Kah fundi i luftës emërohet kryetar i Shkupit, gjatë kohës si kryetar lejoi ngritjen e flamurit kombëtar në Shkup, pas kapitullimit të Bullgarisë. Ky ka kërkuar nga komanda gjermane që Shkupi të hyjë në kuadër të Shqipërisë Etnike.[12]
Sipas dëshmisë së Hristo Stefanovit: Qemal Rustem beu Rustem Rustemi dhe Atalla Hoxha me disa të tjerë ishin më aktivët në Shkup dhe kërkonin afrimin e turqve me shqiptarët, duke i përgatitur në aksion kundër bullgarëve dhe bashkimin e Shkupit me Shqipërinë.[13] Qemal Rustem beu ka bashkëpunuar edhe me Myftiun e Shkupit, hoxhë Sahit Idriz Sahitin i cili po ashtu ka qenë armik i përbetuar i luftës “Nacional-Çlirimtare”.[14]
Sipas gazetës “Cellokupna Bullgaria” në vitin 1942 shkruan: “Se këta tre veprimtarë shqiptarë kanë dhënë para për Frontin gjerman të Lindjes dhe kufitarët bullgarë”.[15] Këta veprimtarë e tubojnë parinë e Shkupit në xhami dhe kërkojnë që të ndihmohet ushtria gjermane në Frontin e Lindjes. Me këtë rast u tubuan mbi 100 mijë leva, ndërsa vetë Qemal Rustemi dha mbi 5.000 leva.[16]
Qemal Rustemi e ka përgatitur popullin kundër pushtetit bullgar për bashkimin e Shkupit me Shqipërinë.[17] Ky në takimin që pati me komandantin gjerman ka deklaruar: se Shkupi është i banuar me popuj të ndryshëm, por më shumë ka shqiptarë, pastaj të tjerë; serb, cincar, ndërsa ebrej me një numër më të vogël”.
Pas kapitullimit të Italisë, një delegacion shqiptarë i përbërë nga: Qemal Rustemi, Rustem Rustemi dhe Atalla Hoxha, i dalin përpara komandës gjermane në hyrje të Shkupit, duke u dëshiruar mirëseardhje me bukë e kripë. Pas kapitullimit të Bullgarisë në shtator 1944, Qemali Rustemi ishte komandant i policisë në Shkup. Ky ka ndihmuar me armatim komandantin e forcave vullnetare Afet Çajlanin nga fshati Çajlane, duke i dhënë mbi 30 pushkë me nga 30 fishekë për vetëmbrojtje.?…[18]
Kjo që u tha më lartë vërteton bindshëm se Rustem Rustemi ka vepruar fuqishëm në mbrojtje të kauzës kombëtare, në përgatitjen e popullatës në luftë kundër bullgarëve në çlirimin e Shkupit. Rustemi ishte një ndër organizatorët e demonstratave të Majit 1941, duke kërkuar burrërisht, Shkupi ti bashkëngjitet Shqipërisë. Ky ka përgatitur popullin dhe ka kërkuar me çdo kusht afrimin e turqve me shqiptarët .[19]
SHTETI SHQIPTAR NDIHMON FORCAT NACIONALISTE QË ISHIN NËN SUNDIMIN BULLGAR
Në krye të shtetit të bashkuar shqiptar ishte Mustafë Kruja, ki me bindje ishte antizogist, prandaj gjatë sundimit të Zogut emigroi në Itali. Pas rënies së Shqipërisë nën sundimin italian, Mustafë Kruja u bë Kryetar shteti në Shqipëri. Ishte njëherit nacionalist i përbetuar, ithtar i Shqipërisë Etnike dhe propagandues i fasho-s në Shqipëri.[20] Mustaf Kruja në takimin që ka pasur në Tiranë me Kryetarin e Komunës së Tetovës Doktor Xhafer Sulejmanin në vitin 1942, i ka thënë: “Mos mendo se ti u shërben italianëve, Shqipëria është e bashkuar dhe e pavarur dhe ne kemi të përbashkët me ta vetëm njohjen e Mbretit Viktor Emanuel.[21]
Situata politike nën sundimin bullgar ka qenë tejet alarmante. Për këtë arsye në vitin 1942 në Tiranë shkon një delegacion prej tre vetëve në krye me Jashar Sherifin te Mustafë Kruja. Ky i pranon dhe dëgjon kërkesën e këtij delegacioni nga Shkupi. Në këtë takim kanë marrë pjesë edhe majtistët Shaip Mustafa dhe Jahja Osmani.[22]
Jashar Sherifi kërkon nga Mustafë Kruja që të intervenojë te pushteti bullgar dhe organet e tij se po bëjnë terror ndaj popullatës shqiptare që gjendet nën sundimin e tyre se përndryshe do të shpërngulen të gjithë shqiptarët nga Maqedonia.[23] Kryetari Shqiptar Mustafë Kruja, i premtoi delegacionit shqiptar: “se do të marrë masa të duhura në këtë drejtim”.
Mustafë Kruja intervenoi edhe te diplomati italian në Manastir për pozitën e vështirë të shqiptarëve nën sundimin Bullgar e “Në qoftë se nuk merren masa diplomatike, shqiptarët nuk kanë zgjidhje tjetër veç shpërnguljes” i tha Mustafë Kruja diplomatit Italian Kastellanit. Por, ky u përgjigj: “Se kjo do të ketë zgjidhje, por pas mbarimit të luftës.[24]
Mustafë Kruja ka deklaruar botërisht se ka dërguar ndihmë financiare në konsullatën e Manastirit duke i dhënë Kastelanit 170.000 leva që të ndihmohet popullsia shqiptare e Manastirit në raste të krizës, këtë e dëshmoi edhe para Jashar Sherifit.[25]
Pozita e shqiptarëve fare nuk ndryshoi edhe pas intervenimit të diplomacisë italiane. Ajo ishte e interesuar në rend të parë të ruajë marrëdhëniet si aleate lufte e pastaj vinte kujdesi për shqiptarët. Në Shkup gjatë sundimit bullgar vepronte edhe shërbimi turk. Në atë kohë Atalla Hoxha gjatë okupacionit bullgar ishte agjent aktiv i shërbimit informativ turk, ky mbante lidhje edhe me konsullin italian në Shkup. Për këtë arsye nga pushteti bullgar u propozua që të internohet. Ky sëbashku me Qemal Rustemin në mëngjes u dërguan në stacionin hekurudhor për internim. Por me intervenimin e avokatit bullgar Shalev dhe me urdhër të Kryeshefit Krahinor të policisë Raev, u lëshuan. Ky shoqërohej me Idriz zdrukthëtarin-Stollarin nga Shkupi dhe Hafuz Garipin, me këta shkonte shpesh në takime te Shuko Berberi në Bit pazar.[26] Nga fundi i viti 1943 në Shkup kemi disa aktivist të devotshëm. Një ndër ta është Rexhep Hadri nga Shkupi i cili gjatë vitit 1943, ka qenë aktivist i forcave nacionaliste në Shkup me rrethinë, pas mbarimit të luftës ikën në Shqipëri.[27] Po ashtu edhe Haki Marini nga Shkupi, propagandonte idenë e Shqipërisë Etnike edhe pse me profesion ishte mullinxhi.[28]
Rol të rëndësishëm në jetën politike shqiptare ka luajtur Sahit Hoxha nga Shkupi, burrë 70 vjeçar, i lindur më 1878 në Shkup.[29] Gjatë periudhës osmane ka qenë me Komitetin Xhon turk, pra ka vepruar me ta në lëvizjen xhonturke. Ka mbajtur marrëdhënie të mira me parinë e Tetovës, në veçanti me Mehmet Derrallën. Gjatë periudhës së Kryengritjes të Përgjithshme Shqiptare në vitin 1912. kur shqiptarët me Mehmet Derrallën dhe Halim Derrallën hynë në Shkup me 3000 kryengritës 1912.[30] Sahit Hoxha ka qenë deputet në Parlamentin turk, ka qenë kundër sulltan Reshatit dhe kundër aneksimit të Bosnjës nga Austro-Hungaria, ka marrë pjesë në marrëveshjen e Prishtinës dhe Ferizajt, ka mbajtur krahun e Qeverisë turke së bashku me Mehmet Derrallën nga Tetova dhe disa bejlerë Prishtinas. Kjo merret një ndër arsyet kryesore e përçarjes në kërkesat e Hasan Prishtinës. Prandaj Hasan Prishtina kur e pa rrezikun e jo unitetit ndër shqiptar nga paria me ide proturke, vendosi që marrëveshjen me delegacionin e sulltanit ta vazhdojë në Ferizaj, i njohur si qendër e kërkesave autonomiste, një herrit ishte edhe larg ndikimit politikës turko-serbe që dominonte në Prishtinë.[31] .
Para janarit të vitit 1943 me iniciativën e tij u është bërë pritje madhështore gjermanëve dhe për nderë të tyre është shtruar drekë në Xhami qendrore të Shkupit. Ky ka mbajtur lidhje me dr. Xhafer Sulejmanin e Tetovës dhe me diplomatin e Legatës shqiptare në Shkup Rexhep Stebllovën. Lidhjet i ka mbajtur me letra nëpër mes Maksut Nevzatit, ky disa herë është takuar vetë me Rexhepin, i ka dhënë një histori për Shkupin, e shkruar në gjuhën serbe dhe turke. Që t’i jep Hamit Kokollarit që t’ia dërgojë Frashrit në Tiranë.[32]
Shqiptarët e Shkupit dhe paria e saj bashkëpunonin me pushtetin bullgar. Kjo shihet qartë në bazë të dokumenteve ekzistuese, ku në mesin e shqiptarëve të Shkupit shihet Dimçe Açkov. Ky shumë herë ka ardhur në qendrën më të madhe të shqiptarëve “Bojalihan”, këtu është takuar me udhëheqësit e shqiptarëve: Shukri Hasanin dhe Sahit Hoxhën.[33]
Po ashtu me ardhjen në Shkup të Mbretit Bullgar Car Borisi, një delegacion shqiptar e vizituan këtë armik të shqiptarëve. I cili për ndarjen e kufijve midis Bullgarisë dhe Shqipërisë u ankua deri te Hitleri, duke kërkuar “që qytetet shqiptare të Krahinës së Maqedonisë ti takojnë Bullgarisë së Madhe”. Udhëheqës i këtij delegacioni te mbreti Bullgar ishte Sahit Hoxha me anëtarë si Shukri Hasani dhe Afëz Aliu.[34]
Sahit Hoxha gjatë okupacionit ka qenë në krye të delegacionit së bashku me Shukri Hasanin te komanda bullgare Dimitar Raev dhe Asen Bogdanov. Pasi këta u emëruan në poste të larta në administratën bullgare në Shkup, për mirënjohje dhe njoftim së bashku me këta ka qenë edhe Adem Murtezani, Feta Sulejmani, Sahit Xheladini, Ahmed Hasanoviqi, dhe disa hoxhallarë tjerë. Ky delegacion ka numëruar përafërsisht 20 vetë.[35]
Gjatë okupacionit bullgar në komunën e Shkupit u mbajt një konferencë me drejtorin e përgjithshëm të krahinës së Shkupit Rajevin, ku merrte pjesë edhe udhëheqësi i kishës ortodokse Pop Sofronievi, Muftiu i Shkupit Sahit Hoxha, Raif Shaqiri, Ahmet Asani e të tjerë. Kjo Konferencë u mbajt për qëllim të mbledhjes vullnetare të parave për ushtrinë gjermane në Frontin e Lindjes. Këtu foli Raevi dhe Sofronievi që sa më shumë të holla të mblidhen për ushtrinë gjermane që luftonte në Lindje, disa jepnin nga 500, e disa nga 1000 leva bullgare. [36] Me rastin e vizitës së Car Borisit në Shkup në vitin 1942, Sahit Hoxha është përshëndetur me të, njoftonte shtypi bullgar i kohës.[37]
Me tërheqjen e bullgarëve nga Shkupi më 8 shtator 1944, Në shkup filloi një lëvizje shumë e madhe drejtë Sofjes. Komanda gjermane filloi me organizimin e ri të Shkupit. Sahit Hoxha ka marrë pjesë në Kuvendin themelues i cili ishte thirr më 11 shtator nga komandanti gjerman Dirigel, por themelimi i Komitetit të Shkupit nuk kishte ndonjë rol konkret.[38] Në këtë Komitet u propozuan tre shqiptarë për anëtarë: Rashid Xhevati, Feta Raufi Hoxha, i treti ishte Emin Jashar beu.[39] Me tërheqjen e Stefanovit nga Komiteti i Shkupit, atë e zëvendësoi Emin Jashar Kumbarxhiu. Ndërsa për resor më të rëndësishëm të Komitetit ishte ai i policisë. Ndërsa Qemal Rustem beu u emërua komandant i xhandarmërisë së Shkupit.[40]
Në këto rrethana të vështira lufte, Sahit Hoxha e ka refuzuar propozimin e bashkëpunëtorëve të Xhemë Gostivarit, Mefailit dhe Arifit për hyrje të forcave vullnetare në Shkup, po ashtu e ka refuzuar bashkëpunimin me ta.[41] Pas kapitullimit të Bullgarisë, Arif Tetova dhe Mefail Kërçova erdhën në Shkup, në qendrën e shqiptarëve në Bojali Han, këtu mori pjesë paria shqiptare. Në këtë takim u bisedua për marrjen e Shkupit dhe vendosjen e pushtetit shqiptar në Shkup. Në këtë konferencë Emin Jashar beu ka thënë:” Shkupi nuk duhet të merret, pasi shqiptarët janë pakicë”. Për këtë deklaratë të tij të gjithë shqiptarët ishin shumë të hidhëruar me këtë veprim të Emin Jashar Kumbarxhiut.[42]
Dy komandantët më të njohur të Xhemë Gostivarit për marrëveshjen e Shkupit e thirrën Hoxhë Sahitin, por ai nuk shkoi në Bojali Han dhe ata së bashku me Hamdi Nuhi Hoxhën shkuan te ai në shtëpi.[43] Pas një bisede me Hoxhën, u kërkua që së bashku të hynë në Shkup forcat vullnetare që ishin të stacionuar në Hanrievë, (Gjorçe Petrovi i sotëm), të hynë në Shkup dhe të bëhen sëbashku turqit me shqiptarët, për bashkim me Shqipërinë Etnike. [44]
Por kësaj radhe Sahit Hoxha nuk u pajtua me këtë propozim të komandantëve të Xhemës. Hoxha nuk donte që turqit të ishin kundër tij. Mefaili dhe Arif Tetova shkuan t’i raportojnë Komandantit të Përgjithshëm të Forcave Vullnetare, Xhemë Hasë Gostivarit. Ndërsa turqit e Shkupit ngelën të kënaqur nga veprimi “patriotik” i Sahit Hoxhës.[45]
KOMITETI BULLGAR DHE SHQIPTARËT
Më 3-4 shtator 1944 në Shkup arriti nga Zagrebi udhëheqësi i VMRO-s Vanço Mihajllovi, për të themeluar Qeverinë e Re në Maqedoni, në bashkëpunim me gjermanët, por kur erdhi ishte shumë vonë. Ky tentoi për disa ditë të takohet me disa mendimtarë të tij, për të themeluar një qeveri të re në Maqedoni, për këtë qëllim u angazhua me të madhe koordinatori i kësaj ideje Hristo Domazeti, i cili pat biseduar rreth kësaj çështje edhe me Metodi Pop Gogovin, por në fund nuk pati sukses.[46]
Në shtator të vitit 1944, akoma pa u larguar pushteti bullgar, në qytetin e Shkupit u themelua Komiteti probullgar me përbërje të përzier: Mihajil Domazetov, Vasil Haxhi Kimov, Nikola Andonov, ka pasur edhe dy vende të rezervuara për majtistët dhe tre vende për shqiptarët. Një ndër më kryesorët te shqiptarët ishte Emin Jashar Kumbarxhiu, i cili mbante postin e zëvendës kryetarit.[47] Në pjesën e parë të muajit shtator 1944, për kryetar të Komitetit të vendit u zgjodh Domazetov Hristov Mihail avokat nga Shtipi.[48]
Sipas një raporti të Nojbaherit, ky Komitet u plotësua më 19 shtator 1944; ku për kryetar u emërua Stefan Setefanovi, njëheriit edhe përgjegjës për policinë dhe sigurinë e vendit, Kosta Çohadiq përgjegjës për ushqimin dhe rezervat, ndërsa Emin Jashar beu ngeli edhe më tutje zëvendës i naçallnikut për policinë, Georgi Kiselinov, u emërua përgjegjës për segmentin e kulturës dhe arsimit.[49]
Shqiptarët të dërguar në Shkup për mbajtjen e rendit pas largimit të bullgarëve nga Shkupi.[50]
Bexhet Beluli nga Gjilani,
Zenulla Zeneli Liman nga Prishtina
Jusuf Hamiti nga Tirana,
Pashko Premka nga Gjakova,
Shefeket Meto nga Shqipëria
Hamit Kruja nga Shqipëria.[51]
Jakup Seferi nga Drenci -Shqipëri.
Personat që ishin në policinë gjermane pas shkuarjes së pushtetit bullgar nga Shkupi:
Nuri Fetah Mustafa -Kryeshef i policisë në Shkup.
Qazim Fejzulla Rexha,
Mislim Hetem Latif,
Ramadan Rexhep Mehdiu,
Refik Dervish Aliu,
Nazif Adem Demiri,
Rexhep Ramadan Veliov,
Ahmet Aliov, ka qenë në divizionin Skënderbeu,
Nijazi Rexhep Jashari, nga Shkupi.
“I N T-Servis”
Mehmed R. Asanov, ushtar anglez i lindur në Qipër.
Isak Ali Azirov,
Zekirja G. Ahmetov,
Isak Ismaili.
FORACAVE NACIONALISTE PËRGADITESHIN PËRR TA MARRË SHKUPIN NË KUADËR TË SHQIPËRISË ETNIKE
Në pjesën e dytë të vitit 1944 Bullgaria ishte në prag të kapitullimit, ndërsa forcat vullnetare shqiptare përgatiteshin për ta marrë edhe Shkupin në kuadër të Shqipërisë Etnike. Gjatë muajit shtator të vitit 1944, Qemal Jashari, me përcjellësin e tij Qemal Iljazin, u nisën për Kaçanik dhe ndaluan para dyerve të fabrikës së çimentos “Sharr’. Në këtë rajon vepronte Ushtria Vullnetare Shqiptare dhe bënte përgatitjet e fundit që të hyjë triumfalisht në Shkup. Policia rrugore e emëruar nga Komandanti i saj Avdyl Dura, pasi e legjitimojnë Qemal Jashar beun, e kuptojnë se kush janë dhe menjëherë e dërgojnë në oborrin e fabrikës, ku ishte zyra e Komandantit të njohur shqiptar Avdyl Dura.[52] Pas një bisede të gjatë e cila zgjati mbi dy orë në mes këtyre dy udhëheqësve shqiptarë, ku u vendos që të veprohet bashkërisht me forcat e tyre vullnetare në përgatitjen e operacioneve për marrjen e Shkupit dhe ngritjen e flamurit kombëtar në Shkup.[53]
Në këtë kohë Avdyl Dura ishte komandant i Forcave Vullnetare në rajonin midis Ferizajt-Kaçanikut dhe Gjilanit, ky e mbante në duar të veta kontrollin e këtij rajoni që lidhej me Tetovën.[54] Ky pasi bisedoi me Emin Jashar beun për situatën e krijuar në Shkup me rrethinë, i telefonoi Komandës në Kaçanik që ta presin si duhet në biseda udhëheqësin e shqiptarëve të Shkupit i cili po bënte përgatitje me krerët shqiptarë për marrjen e qytetit.[55]
Pas kapitullimit të Bullgarisë, në koordinim me Xhafer Devën, Hamit Ferat Kroja erdhi në Shkup, i cili më parë kishte qenë Prefekt në Gjilan.[56] Në Shkup u bashkua me Komitetin e Shkupit, në krye të cilit ishte Emin beu, pasi e kishte zëvendësua Stefan Stefanovin. Ky me largimin e Bullgarisë e kishte lëshuar vet Komitetin. Hamit Kruja me Emin Jasharin së bashku shkuan në komandën gjermane dhe kërkuan që armët e mbledhura t’i kthehen përsëri rinisë shqiptare, për vetë mbrojtje.[57]
Gjatë sundimit bullgarë në anën e Kumanovës vepronte me çetën e vetë si “kontraçetnik” Sulejman Sulejmani i njohur në historinë tonë si Sulë Hotla[58]. Ky pas kapitullimit të Bullgarisë deklaron: “Më thirri Hamit Kruja dhe Xhafer Deva në Prizren”. Në këtë takim merrnin pjesë disa atdhetarë dhe një oficer Gjerman. Në këtë takim unë mora urdhër për ngritjen e flamurit kombëtar në Matejçe dhe themelimin e Shtabit për mbrojtjen e vendit që me çdo kusht mos të lejojmë depërtimin e forcave partizane në këto anë, sepse komunistët do të bëjnë kërdi në këto troje shqiptare. Në këtë takim kuptova se në Shkup është themeluar pushteti shqiptar në krye me Hamit Krujën. Nga dëshira e madhe për lajmin e hapur, kur Hamit Kruja u nis për Shkup unë i ofrova 15 ushtarë vullnetarë për mbajtjen e rendit dhe paqes në qytetet me rrethinë”.[59]
Në marrjen e Shkupit kanë marrë pjesë: Xhemë Gostivari, Arif Kapetani, Mefailat e Kërçovës. Pasi hynë në Shkup, mbajtën një konferencë te Medreseja e Isa Beut. Pas tubimit te Ura e Gurit e ngritën flamurin e Skënderbeut.[60]
Forcat partizane ishin shumë afër Shkupit, në këtë kohë vazhdojnë luftimet në disa drejtime: më të njohura janë beteja e Treskës dhe ajo e Karadakut. Një aradhë Tetovare me vullnetarë nga fshatrat e Tearcës, Sllatinës, Odrit, Nershtit e tjerë, vazhdojnë luftën mbrojtëse në drejtim të Karadakut. Udhëheqës i kësaj aradhe ka qenë Arif Kapetani. Në betejën e Karadakut ranë dëshmorë kapedanët e çetave: Kadri Azemi, Ferit Saliu nga fshati Dobrosht. Për pjesëmarrje në këtë luftë më vonë do të pushkatohn nga pushteti komunist Fetah Bakiu, Isni Velia, Xhelil Sulejmani, dhe Abdiraman Qazimi të gjthë nga fshati Nerasht. Më vonë nga ky fshat do të zhduket nga dora çetnike e UDB-a jugosllave edhe Zulçe Emini.[61] Po ashtu në luftërat e Shkupit dhe Karadakut, pati edhe disa të rënë nga Tetova dhe disa fshatra të Gostivarit.[62] Historiografia maqedonase pranon: “Se Xhemë Gostivari gjatë kësaj periudhe kishte krijuar territorin lirë, dhe kishte shpallë në pjesën e Maqedonisë Perëndimore ”Shtetin e pavarur shqiptar ”.[63]
Sipas dëshmive të Luan Gashit: pas lirimit tim nga kampi i internimit në Prishtinë, unë me disa bashkëveprimtarë kemi ndihmuar në furnizim me armatim dhe veshmbathje edhe çetat e Mefailit të Madh dhe Xhemë Gostivarit, me ç’rast këta heronj shkruan epopenë e lavdishme antikomuniste të Maqedonisë shqiptare. I bindur se krahas luftës me armë në dorë kundër komunistëve, bullgarëve dhe maqedonasve. Këtë aktivitete luftarak, duhej gërshetuar me një propagandë konkrete, gjatë kësaj kohe Luan Gashi dhe Ibrahim Kelmendi organizojnë marrjen e Radio – Shkupit dhe fillojnë aty emetimin e emisioneve në gjuhën shqipe. për rreth 3 muaj, deri në ndërhyrjen e “nacionalçlirimtarëve” sllavo maqedonas. Radio-Shkupi, i drejtuar prej këtyre dy burrave nacionalistë, jo vetëm që foli në gjuhën shqipe, por u kumtoi krejt banorëve të Maqedonisë shqiptare, të ngriheshin në këmbë për të fituar lirinë dhe bashkimin kombëtar.[64]
LUFTA E SULË HOTLËS DHE IBRAHIM KELMENDIT NË MBROJTJE TË PRESHEVËS NGA FORCAT KOMUNISTE
Pas largimit të Bullgarisë fashiste, Sulë Hotla me çetën e vetë vazhdoi luftën për mbrojtjen e popullatës sipas direktive që mori nga Komiteti i Prizrenit. Ky me ftesë të Hamit Kroja u takua më parë në Gjilan. Në këtë takim Hamit Kroja i tha Sulë Hotlit se: “duhet të ngrihej flamuri kombëtar në rajonin e Kumanovës, më konkretisht në fshatin Matejçe”.[65] Poashtu veproi edhe Ibrahim Kelmendi në rajonin e Preshevës, ky e ngriti flamurin në ndërtesën e Komunës dhe filloi përgatitjet për mbrojtjen e qytetit. Këtu del në pah lufta heroike e shqiptarëve të Preshevës duke çuar në vend urdhrin e Komandantit të Përgjithshëm të shtetit shqiptar Fuad Dibrës, për mbrojtjen e Shqipërisë Etnike.[66] Por edhe sipas vendimeve të Komitetit të luftës me seli në Prizren, parashihej organizimi i forcave vullnetare shqiptare, për mbrojtjen e kufijve të Shqipërisë Etnike, sipas nenit I.[67] Për organizimin e luftës Komandanti i Kumanovës Sulë Hotla dëshmon: “Në këto rrethana të përgatitjes së luftës kundër partizanëve u ftova në Prizren, në një Konferencë së bashku me Xhafer Devën dhe disa udhëheqës tjerë.[68] Sulë Hotla deklaron: “Pas themelimit të Shtabit ushtarak u thirra në Prizren te Xhafer Deva, atje takova Hamit Krroja dhe disa oficerë gjerman me grada ushtarake”. Në këtë mbledhje u vendos që të luftojmë së bashku kundër partizanëve deri në Preshevë. Komanda gjermane pranoi se do të na ndihmojë me armë dhe municion. Pas kësaj mbledhje gjenerali gjerman shkroi një letër: ku e emëronte Hamit Krujën për Prefekt të Shkupit.[69]
Në marrëveshje me Hamit Kroja, Sulë Hotla për të ndihmuar në këtë aksion i dha disa njerëz për mbajtjen e rendit dhe qetësisë në Shkup. Vetë Sula deklaron: “Kur Hamiti u nis për Shkup i dhashë 15 vullnetarë, që t’i merr me vete si përcjellës”.[70] Sulë Hotla ka mbajtur kontakte edhe me udhëheqësit e Komitetit të Lidhjes së Dytë të Prizrenit, ai deklaron unë kur themelova Shtabin tim të luftës, kam marrë urdhër nga Xhafer Deva dhe Hamit Kruja.[71] Në anën tjetër forcat vullnetare të komanduara nga Xhemë Hasa, Mefail Zajazi dhe Arif Glloboçica e kishin marrë Shkupin dhe këtu më tani funksiononin organet e Shtetit të bashkuar shqiptar.[72]
SULË HOTLA SHPALLET KOMANDANT NË TREVAT LINDORE NGA KUMANOVA DERI NË PRESHEVË
Pas largimit të bullgarëve Sulë Hotla u bë komandant i pavarur dhe ka bërë disa beteja kundër partizanëve, së bashku me Dinë Hoxhën, Mulla Idrizin, Adem Staniqi, Fazli Seferi nga Bersalci, Ramiz Cërnica i Parteshit,[73] Prof. Ibrahim Kelmendi, Ali Staneci dhe Limon Staneci Prefekt i Preshevës. Isen Tërpeza deklaron: “në Preshevë e filluam luftën ‘me besa besë’ por na tradhtuan komunistët e Fadil Hoxhës”.[74]
Sulë Hotla në një bisedë që ka pasur me një komandant komunist i deklaron: “se ne luftojmë për Shqipëri”. Komunisti Teodor Georgievski pasi e dëgjon mirë Sulë Hotlën, ky i fundit e çon te hekurudha e Kumanovës që lidh vijën Nish-Beograd i thotë:”‘se njëra është e jona dhe i takon Shqipërisë, ndërsa tjetra është e juaja, bllokut partizanë”.[75] Në vendin e vetë Sula ishte i plotfuqishëm dhe jepte vendime në kokën e vetë, pra, ishte i pavarur.[76] Gjatë këtyre luftërave heroike në çetën e Sulës kanë marrë pjseë: Jusuf Azir Bajrami, së bashku me Sherif Asipin, Esat Alinë, Mexhit Sulejmanin dhe shumë atdhetarë tjerë.[77]
Periudha e Shqipërisë së bashkuar zgjati deri më 14-15 nëntor 1944, kur edhe Presheva u shpall si zonë e lirë dhe e bashkuar me tokat etnike. Por me ardhjen e pushtetit komunist ajo terrorizua si Shkupi, Kumanova, Kaçaniku, Tetova, Bllaca dhe viset tjera shqiptare. Pra fjalët Fadil Hoxhës se kjo do të jetë Shqipëri ku bukës i thuhet bukë, e ujit-ujë, pas luftës nuk ndodhi.[78] Ndërsa fjalët e Sulë Hotlës dhe Hysen Tërpezës kundër komunistëve dolën shumë të sakta. Kosova ra në duar të armiqve.[79]
Sipas Hysen Tërpezës, Forcat Vullnetare luftonin në çdo vend, ata shkonin nga beteja në betejë për të ndalë depërtimin komunist në këto anë që mos të bëjnë kërdi mbi popull. Kjo tezë e tyre doli shumë e saktë, partizanët bënë terror të paparë në gjitha qytetet shqiptare duke filluar nga Bujanoci, Presheva, Gjilani e deri në Dibër e Strugë.[80]
E para në mbrojtje të Shqipërisë nga depërtimi komunist ishte Presheva, e cila në mbrojtje të dinjitetit kombëtar këto ngjarje tragjike përjetoi një terror të pa parë duke ra viktimë nga partizanët dhe OZN-a komuniste, ku numri i të vrarëve arrin mbi 600 vetë.[81]
Një ngjarje trishtuar përjetoi edhe Ali Aliu nga Presheva me të birin e vet. Këtë komunistët e lidhën me tel, për trupin e djalit, por teli ishte këputur, ku ishte i lidhur me djalin e vrarë, Aliu u kishte shpëtuar plumbave dhe kishte kërcyer natën murin e shtëpisë, ku ishte komunisti dhe komandanti preshevarë Abdulla Presheva. Aliu i patë thënë:”Ore Abdulla Presheva, të dëgjova deri sot, do të dëgjoja edhe nesër, por dëgjomë edhe ti njëherë: lëre që ma vranë djalin, e këputa telin, ku isha i lidhur me dorën time, por i vranë edhe 70 veta tjerë. I shkretuan fshatrat: Stanec, Bukiq, Ilndë, Bukurocë e kuqe.[82] Ne dolëm t’i presim me gëzim ata me yll të kuq në kapela, siç na pate porositur ti, Abdulla Presheva, por ata na vranë. “Nuk kemi pandehur se janë vrasës të tillë sllavo-komunistët, këta sllavo-komunistët që mbanin flamuj të kuq, por edhe yll të kuq kishin, e në këto shenja kishin fshehur sadizmin, o Abdulla Presheva. Pse na vranë, o Abdulla Presheva”!. Ai heshti sa nuk shpërtheu në vaj nga heshtja e turbullt. Unë kurrë nuk kisha pandehur, edhe sikur të ma këputnin kokën, si Ali Aliu që jam, se do ta shihja kaq të zhgënjyer dhe kaq të pikëlluar Abdulla Preshevën. Dy-tri ditë më vonë po ata sadistë të kuq e helmuan edhe Abdulla Preshevën. Vdiq në rrethana tejet të dyshimta.[83] Sipas Selim Selimit, “Abdulla Presheva ka vdekur nga sëmundja e barkut në spitalin e Shkupit.”[84]
Shqiptarët për këtë tradhti shpejtë u bindën pas kapitullimit të Bullgarisë, pasi ushtria e saj qe reshtua me komunistët në të gjitha anët e Jugosllavisë, dhe në disa divizione në Kosovë. Por grushtin më të madh kosovarëve ja patën dhënë brigadat komuniste të Shqipërisë, të cilat në Kosovë komandoheshin prej Shefqet Peçit dhe në Maqedoni prej Aqif Leshit. Si thotë profesori i Historisë Ibrahim Kelmendi: “Arma më e fortë e tyre ishte propaganda në gjuhën shqipe, për të cilën gjuhë shqiptarët luftonin”. Mbas marrjes së qyteteve dhe të vijave të komunikacionit, bullgarët qenë tërheqë. Ndërsa brigadat shqiptare të komanduara nga Shefqt Peçi, e pranuan bashkëpunimin dhe tradhtinë e luftës, edhe për shumë kohë në trojet etnike. [85]
DALJA E SULË HOTLËS NË MAL DHE TRADHTIA E MADHE
Pas mbarimit të luftës me një grup luftëtarësh Sulë Hotla doli në mal, me të kanë qenë Samiu, Shuka, Amza, Isen Sahiti dhe disa të tjerë. Komandant Sula, u fliste luftëtarëve të vetë: “se në qoftë se vinë në pushtet Komunistët, ata do të therin dhe do të vrasin popullin shqiptar dhe nuk do të ngel asnjë xhami dhe kishë”. Në mal Sulën e ka ndihmuar Ferat Qazim Ganiu i cili i çonte bukë dhe duhan. Në vitin 1945 Ganiu dezerton nga ushtria partizane dhe shkon në fshatin Brest, ku takohet me Sulën, ku qëndroi 4-5 ditë. Pas këtij takimi Ganiu rregullisht e ka ndihmuar Sulën dhe Shukën në mal.[86]
Efendi Shaban Jashari në emër të komunistëve shkon te Sula për ta kthyer ka partizanët por Sula kurrë nuk pranon dhe botërisht deklaron: “Unë më parë do t’i lëshojë të hynë bullgarët dhe rusët se sa partizanët”. Shaban Jashari një ditë mori një letër nga Komandanti i Brigadës së III Cekiqi, që të shkojë te Sula ta lus për dorëzimin e tij, por ai më tha: “se kurrë nuk do të lëshoj që këndej rrugës të futen forcat partizane”. Herën e katërt na dërgoi Shtabi Bullgar që Azem Hoxhën ta largojmë nga çeta e Sulës. Pranova të shkoj në Likovë dhe fshatra tjerë që t’i lus që të mos luftojnë. Para u futa në Likovë në dyqanin e Qazos dhe Selimit, i luta ata që ishin prezentë që të largohen nga çeta e Sulës dhe mos ta ndihmojnë atë. Nga dyqani u nisa për te Sula i cili ishte në shtëpinë e Haxhi Alisë, aty e takuam Sulën me 20 vetë vullnetarë. Këtu ishte edhe Azem Hoxha. Ata pyetën se çfarë ka të re në Kumanovë dhe për çfarë arsye ke ardhur, u thashë se kam ardhur që mos të luftoni dhe se kush nuk është fajtor do të kthehet lirisht në shtëpi dhe se nuk do të përgjigjet para ligjit. Ndërsa ata që kanë faj do të dalin para gjyqit.[87]Pas kësaj bisede Azem Hoxha, Efendi Shaban Jashari dhe Sula, shkuan në shtëpinë e Haxhi Ramazanit që të flenë. “E luta Sulën përsëri që mos të sulmojë partizanët në fshatin Vaksincë, pasi sulmi ishte i paraparë për këtë natë. Komandant Sula nuk dha përgjigje definitive. Në mëngjes Sula kishte shkuar në aksion kundër partizanëve, ndërsa ne u kthyem në Kumanovë”.[88] Në viti 1947, Sula me shokë duke kaluar kufirin për Greqi, kapet nga sigurimi jugosllav.[89] Ndërsa pas luftës OZN-a vendosi të shpërngulte me dhunë edhe Shaban Jasharin. Shabani përgjigjet: “Ju mund të më pushkatoni, por unë, nuk kam ku të shkoj”.[90]
Bajram Rashqja (Kaçaniku), si i besuar i Ismail Hoxhës ishte komandant i një çete kontraçetnike kundër partizanëve. Çeta e tij ka numëruar mbi 15 veta. Kjo çetë ishte e formuar me lejen Asen Bogdanovit, i cili ishte kryeshef i policisë Krahinore në rajonin e Shkupit.[91] Pas kapitullimit të Bullgarisë, ky bashkohet me Forcat e Xhemës dhe Arif Kapedanit, e çlirojnë Radushën, fshatin Rashqe me rrethinë dhe së bashku hyjnë në Shkup.[92] Më 12 shtator 1944, Xhemë Hasa e ngriti flamurin kombëtar mbi urën e Gurit, duke e mbrojtur Shkupin me Forca Vullnetare Kombëtare nga depërtimi komunist, deri më 14 nëntor 1944.
Në Shkup gjatë kësaj periudhe kanë vepruar shumë veprimtarë, në veçanti me hyrjen e forcave vullnetare në Shkup, ka ndihmuar me të madhe Shaip Gjakova, ka qenë shqiptar i madh, ka blerë me para të veta armë dhe u ka dërguar forcave vullnetare të Shkupit, ka luftuar për realizimin e programit të Lidhjes së Dytë të Prizrenit, në mbrojtjen e territorit të Shqipërisë Etnike. Ky deklaronte publikisht në qoftë se themelohet shteti shqiptar këtu në Shkup, nuk do të lejojmë askush të shpërngulet për Turqi.[93]
Pushteti komunist pas mbarimit të luftës i dënoi me të madhe forcat nacionaliste shqiptare që vepruan në Shkup me rrethinë. Me burg të rëndë u dënuan vetëm pse kërkuan bashkimin kombëtar: Gani Selim Shahini me 13 vjet, Ali Malik Jakupovski me 7 vjet, Shukri Ahmet Kajtazi me 15 vjet, Kurtish Latif Ahmeti me 15 vjet, Isak Kadri Isakovski me 7 vjet, Feta Mehmed Ahmedovski me 10 vjet, Ferat Hajrulla Bexheti u dënua me 20 vjet burg të rëndë dhe shumë të tjerë.[94] Numri i të zhdukurve dhe të internuarve me dhunë nga pushteti komunist në Shkup nuk dihet.[95] Dokumentet janë zhdukur me qëllim nga pushteti “popullor” i kohës.
Prandaj shqiptarët kur nuk e pranuan me dëshirën e tyre as fashizmin por as edhe komunizmin, pasi ishin të bindur se pas kësaj ideologjie qëndronte Rusia dhe Beogradi, kundërshtar të popullit shqiptar dhe Shqipërisë etnike nga periudha e Skënderbeut deri më sot.
[1] Britanski dokumenti za istorijata na makedonija, Tom. IV. Shkup. 2003 f. 417.
[2] OZN-a, Kut.1. fletorja 77, Bejlerët në Maqedoni; Emin Jashar beu kishte në atë kohë 55 vite dhe ishte i martuar dy herë. Gruaja e parë jetonte në Stamboll dhe kishte një djalë dhe një vajzë, djali quhej Iskender. Pashtu Emin beu në Shkup ka qenë e martuar me një grua serbe nga Galiçniku, me të cilën ka pasur 2 djem dhe dy vajza. Njërën vajzë e ka pasur të martuar për Nexhat Agollin.
[3] A.Q.SH-Tiranë, Fondi Abdylhaqim Dogani, jeta dhe veprimtaria e tij kombëtare.
[4] OZNA kut;1-26; Djali i Salih Rustem beut, Qemal Rustem beut donte të bëhej hoxhë, por nuk pati sukses, pas luftës së dytë botërore u kap dhe u burgos. Qemal Osmani dhe Salih Rustemi kanë vdekur, Zija Qemali dhe Ismail Hakiu pas shkatërrimit të Xhemijetit u larguan për Turqi. Më vonë kanë shkuar edhe Qamil bej Gostivari, nga këta politikanë kanë mbetur vetëm: Emin beu dhe Shefki Ramizi. Të tjerët nuk kanë pasur ndonjë peshë.
[5] Emin Jashar Kumbarxhiu, Gjatë Jugosllavisë ka qenë deputet dhe kryeplak në komunën e Shkupit. Këtë e ka vizituar Kral Aleksandri në f. Butel. Sëbashku kanë shkuar në gjueti; Në Shkup si veprimtar më i rëndësishmi ka qenë Emin Jashari si politikan i fuqishëm që anonte nga politika shqiptare. Pas tij vijnë: Reshid Xhavid beu dhe Izet Ali beu. Ndërsa Shefki Ramizi nuk anonte nga asnjëra palë politike, as nga shqiptarët, as nga turqit. Ky kishte të vetmin qëllim, që mos të preket pasuria e tij e patundshme dhe nuk kishte rëndësi kush do të ishte në pushtet. Pas tij vinin: Gani Selimi, Fazli Foda, Aqif Qaili, Raif Shaqiri, Riza Shaqiri, Ahmet beu i Zi, Zija Nuri beu. Ky i fundit nuk dinte shumë për politikë, personalisht ndihej si turkofil.
[6] OZN-a, kut.17. 18-26.
[7] Tafil Boletini kujtime, vep. e cit. f, 462.
[8] Rustem Qemal, beu ka pasur 40 vjet.
[9] OZN-a-UDB-a, kut. 1.
[10] Po aty
[11] OZN-a, kut. 1.
[12] OZN-a, kut.17.
[13] Po aty.
[14] Po aty.
[15] Gazeta “Cellokupna Bullgarija”f.131, më 07.02.1942.
[16] Po aty gazeta “Cellokupna Bullgarija” 07.02. 1942.
[17] OZN-a, kut.1; Emri i babës Salih, i nënës Hodoesh, i lindur në Shkup më vitin 1896. i martuar me Natalia, ka pasur një fëmijë. Ka studiuar në Gjermani në kohën e Jugosllavisë së vjetër, ka ditur shqip, frëngjisht, dhe gjermanisht. Pas luftës i dënuar.
[18] UDB-a, po aty;
[19] OZN-a, Dëshmi të dëshmitarëve shqiptar dhe maqedonas dhënë në UDB-a, kundër veprimtarisë kombëtare të Rustem Rustemit. Ka ditur shumë gjuhë: Shqip, turqisht, frëngjisht, gjermanisht, pasi studionte në Gjermani së bashku metë shoqen.
[20] UDB-a, kut.11.
[21] Po aty.
[22] Po aty.
[23] UDB-a, kut. 11.
[24] Po aty, UDB-a.
[25] OZN-a, kut. e 11, deklaratë e kryeministrit Mustafë Kruja para Jashar Sherifit.
[26] Po aty.
[27] UDB-a, kut. 11.
[28] UDB-a, po aty. Në vitin 1943 Angel Dimovski ka kërkuar që Kosova të pushtohet nga ushtria bullgare, për këtë mori dënimin me vdekje nga Iliaz Agushi që në atë kohë ishte nënkryetar i Qeverisë shqiptare.
[29] Sahit Hoxha; i martuar; ka pasur 2 fëmijë, ka mbaruar medresenë, në Shkup. Gjatë periudhës turke ka qenë me komitetin xhon turk, pra ka vepruar me lëvizjen xhonturke. Deputet në Parlamentin turk, Ka qenë kundër sulltan Reshatit dhe kudër aneksimit të Bosnjës, Myfti kryesor në Shkup, shqiptar i madh, ka mbajtur lidhje me sekretarin e ambasadës italiane Hamit Kokallarin, dhe ka përhapur propagandë italo-shqiptare. Ka qenë kundërshtar i propagandës turke. Para janarit të vitit 1943 me iniciativë e tij u është bërë pritje madhështore gjermanëve dhe për nderë të tyre është shtruar drekë në Xhami
[30] Vebi Xhemaili, Shqiptarët e Pollogut në luftë për çlirim dhe bashkim kombëtar, 1912-1918, vep. e c it. f. 70-95.
[31] Vebi Xhemaili, Shqiptarët e Pollogut, po aty;Sahit Hoxha ishte Myfti kryesor në Shkup, gjatë luftës ka mbajtur lidhje me Sekretarin e ambasadës italiane Hamit Kokallarin, ka përhapur propagandë italo-shqiptare. Ka qenë kundërshtar i propagandës turke. Sahit Hoxha u bë shqiptar i madh sëbashku me Mehmet Derrallën, por pas largimit të Turqisë
[32] UDB-a, Kut. 11. po aty.
[33] OZN-a, Kut.11. “Bojalihani” ndodhej pranë Sahat Kullës në Shkup.
[34] Po aty
[35] Po aty.
[36] Deklaratë e Sahit Hoxhës në OZN-a, Kut.VIII.
[37] Gazeta “Cellokupna Bullgarija”, viti 1942, f. 9.
[38] Marjan Dimitrievski, Politikata na tretiot rajh kon Makedonija 1933-1945, INI, Shkup 2001. f. 110-112.
[39] OZN-a, Kut.12, fletorja 8/2.
[40] OZN-a; Këto deklarata i ka dhënë V.H. Kimov, më 16.10.1944;UDB-a Kut.11; Proçeverbali, datë 2.X.1948.
[41] Sahit Hoxha ka ditur frëngjisht, Me një oficer gjerman kanë shkuar në Tetovë, te Jakup Adilçe, dhe Sahiti i tha Jakupit se ky gjermani është i interesuar për të parë një shtëpi turke. Jakupi i çoi në shtëpi të vetë.
[42] OZN-a, kut.24-26.
[43] Po aty.
[44] Gjerçe Petrovi i sotëm, ky ka qenë një gjeneral serb në luftën e parë ballkanike.
[45] OZN-a, Kut. VIII-XII.
[46] Po aty UDB-a. Ky njëherit ishte edhe organizator i organizatës së fshehtë “Tajna makedonska mlladinska organizacija vo Skopje”, para luftës. Por policia serbe i bie në fije dhe ky largohet në Beograd më 1927, nga Beogradi me tren vazhdon për Sushak dhe vendoset në Rjekë. Kalon kufirin dhe shkon në Milano për studime ku regjistrohet në fakultetin teknik. Pas mbarimit të studimeve më vitin 1932, kthehet në Bullgari
[47] Germanski Dokumenti za Makedonija, Tom. I, Shkup 2001, 138.
[48] UDB-a, Kut. 11. Ky në Jugosllavinë e vjetër ishte një ndër organizatorët e Organizatës “ Tajna Makedonsak Mlladinska Organizacija Vo Skopje”. Në fillim financohet nga “Komiteti maqedonas”, por më vonë i ndërpritet ndihma pasi bie në konflikt me ta dhe mbahet deri në fund të studimeve me financat familjare.
[49] Germanski Dokumenti za Makedonija, vep. e cit. f. 1138.
[50] Po aty, OZN-a. Kut. 1, 8, 24,26.
[51] Po aty, Hamit Ferat Kruja, para se të vij në Shkup ishte Prefekt në Gjilan.
[52] Ramadan Asllani, Avdyl Dura me bashkëluftëtarë për Shqipërinë Etnike, Prishtinë 1998, f.78,141, 149; Ka lindur në vitin 1893 në fshatin Duraj, rrethi Kaçanikut.
[53] UDB-a, kut. nr. 11. 18.
[54] Fadil Bunjaku, NDSH në Kaçanik me rrethinë, (punim magjistrature); Avdyl Dura nga fshati Duraj i Kaçanikut, kishte për qëllim çlirimin e territoreve shqiptare në luftë kundër komunistëve partizan.
[55] UDB-a p aty.kut. nr. 11.
[56] UDB-a, kut. 11.
[57] UDB-a, kut. 11.
[58] Sulë Hotla, gjatë sundimit bullgarë ka vepruar me çetën e tij në territoret shqiptare që ishin nën sundimin bullgar, Sula për këtë veprim të tij paguaj me rogë mujore nga pushteti bullgar.
[59] UDB-a, po aty. kut. 11.
[60] OZN-a, kut.12, Dëshmi të Qemal Rasim Ilijazit, 8.XII.1948.
[61] Xhevair Shaqiri, Profesor nga fshati Nerasht, i lindur në vitin 1922.
[62] Shënime të mbledhura nga terreni.
[63] Boro Mitrovski, Tetovo i tetovsko vo nov 1941-1945, Tetovë, 1991, f.321
[64] Deklaratë e Rakip Raçës në OZN-a; në Gjilan Prefekt ishte Rifat Berisha unë shoqërohesha me të deri sa isha me detyrë në Gjilan, Rakip Raça kur ishte në punë në Gjilan pastaj vendoset në Gostivar
[65] OZN-a, kut.11; Deglaratë e Sulë Hotlës.
[66] Ibrahim Kelmendi, Një shtyllë e Kosovës quhet Preshevë, Preshevë 2006, f.102-116.
[67] Daut Bislimi, Formacionet politike-ushtarake në Kosovë, vep. e cit. f.111.
[68] OZN-a. Kut, 11. Dëshmi të Sulë Hotlës.
[69] Po aty
[70] Po aty.
[71] Sulejman Sulejmani, deklaratë e tij në OZN-a.
[72] Sulë Hotla flet vetë para organeve të hetuesisë në Shkup.
[73] Ibrahim Kadri, Ramiz Crnica, Simbol i bashkimit Kombëtar, Prishtinë 2011, f. 105-108.
[74] Hysen Tërpeza, një legjendë për Kosovën…..
[75] OZN-a, Kut XIII, Sulë Hotla është i lindur në vitin 1875, në fshatin Hotël, Rrethi i Kumanovës, Gjatë Jugosllavisë së vjetër ka qenë kryetar komune në fshatin Matejçe. Gjatë luftës u bë udhëheqës i kontra çetës kundër partizanëve. Ka mbajtur lidhje me kryeshefin e policisë krahinore të Shkupit Asen Bogdanovin. Nga i cili merrte armë dhe material luftarak.
[76] Sulë Hotla ka qenë në burg në vitin 1941 dhe e ka liruar Krsto Konjushki. Shukri Hasani e ka pasur inat Sulë Hotlën. Ai në Shkup ka pasur Lidhje edhe me Shaban Jasharin i cili pastaj deklaroi se e ka lut Sulën që të mos formojë çetë, por Sula i ka thënë: “se unë do të formoj çetë dhe se çeta ime do të jetë shembull dhe se nuk do të bëjë dëme askujt”.
[77] Sulë Hotla, po aty.
[78] Adem Murati, Ramadan Agushi, Prishtinë 2003, f. 76.
[79] Ibrahim Kelmendi, Një shtyllë e Kosovës quhet Preshevë, vep. e cit. f.180.
[80] Hysen Tërpeza, Një legjendë për Kosovën, Prishtinë 2004; Mehmet Kajtazi, Shqiptarët në Goli-Otok, Prishtinë 1991, 83; Në Goli Otok pati nga viset shqiptare edhe nga Tetova, f. 88.
[81] Ibrahim Kelmendi, Një shtyllë e Kosovës quhet Preshevë, vep. e cit. f.182; Vebi Xhemaili, Forcat kombëtare në mbrojtje të Shqipërisë etnike 1941-1945, vep. e cit. f. 365.
[82] Po aty. Mehmet Kajtazi, Shqiptarët në Goli-Otok.
[83] Ibrahim Kelmendi, Një shtyllë e Kosovës quhet Preshevë, f.132.
[84] Selim Selimi, Kohë e svidave historike, Preshevë, 1995, f. 115; Sipas dëshmive të Selim Selimit, Abdulla Presheva ka vdekur nga sëmundja e barkut në spitalin e Shkupit.
[85] Ibrahim Kelmendi, Një shtyllë e Kosovës quhet Preshevë, Preshevë 2006, f.178.
[86] Po aty
[87]Po aty, Kut. XVIII, Deklaratë e Shaban Jasharit dhe Azem Hoxhës në OZN-a,
[88] OZN-a, kut. XVII; Deklaratë e Jashar Shabani në OZN-a; Ali Presheva udhëheqës i një kontra çete në Preshevë, së bashku me Ismail Hoxhën dhanë 30 shqiptarë, për formimin e aradhës së Birmanit në gjysmën e dytë të vitit 1943.
[89] Po aty
[90] Hajrrilla Kola, Gjenocidi serb ndaj shqiptarëve në viset e tyre etnike në Jugosllavi 1941-1967, Tiranë 200, f. 177.
[91] OZN-a, Po aty.
[92] Ismail Iseni nga Saraji; këto shënime të mbledhura nga terreni Radushës dhe rajoni i Rashqes.
[93] Po aty
[94] Po aty OZN-a, kut,1-24
[95] Po aty.