• FILLIMI
  • IMPRESUM
  • KONTAKTI
E premte, 9 Maj 2025
Tradita | Shoqatë për kulturë dhe art

SHOQATA PËR KULTURË DHE ART “TRADITA”

  • FILLIMI
  • AKTUALE
    • ARSIM
    • KULTURË
    • OPINIONE
    • SPEKTËR
    • COVID-19
  • HISTORIKU
  • MANIFESTIME KULTURORE
  • VEPRIMTARIA SHKENCORE
  • BOTIMET E SHOQATËS
  • ÇMIMI KOMBËTAR “ALI VISHKO”
  • TRADITA PLUS
No Result
View All Result
Tradita | Shoqatë për kulturë dhe art
No Result
View All Result
Home Kulturë

Letërsia shqipe mes historikes dhe universalitetit poetik

08/02/2020
| Kulturë

Dr. Bavjola Shatro | Mjerisht, kur isha në pikun e punës me këtë artikull, ndodhi që Ali Podrimja u nda nga jeta, po aq papritur dhe dhimbshëm për të gjithë ata që e deshën atë dhe veprën e tij, sikurse pati ndodhur 15 vjet më parë me poetin tjetër të shquar Azem Shkrelin. Sot, unë e shoh poezinë e tyre si një porosi të mbrame, e cila bën të mendohet atë që mëton për më tej në të kuptuarit e dinjitetit të individit dhe të kombit drejt një niveli dhe domethënieje më të qytetëruar e të plotë të lirisë dhe vlerave. Po kjo vepër është edhe një akuzë e artikuluar dhimbshëm, por universalisht në tërësinë e vet artistike për gjithçka që poezia e Shkrelit dhe e Podrimjes e shenjonte me turpin, ishullëzimin, zvarritjen, si disa nga ideologjemat bazë që këta poetë përzgjodhën.

Poezia e Podrimjes dhe e Shkrelit është ndër më tipiket për të argumentuar mënyrën sesi letërsia shndërrohet në faktor shoqëror dhe transmeton një efekt zinxhir në jetën e shoqërisë në momente të caktura historike, ashtu sikurse është edhe një tregues i fuqishëm i mënyrës sesi realiteti historik, social etj. shndërrohen me sukses në një shqetësim poetik, pra në një thelb meditimi dhe analize, i cili universalizohet me sukses duke krijuar kështu vetë veprën e artit. Në këtë kuptim, ata na japin jo pak lëndë për të vërejtur raportin e dyanshëm mes këtyre dy krahëve të procesit letrar duke e bërë më pak të debatueshëm, por më shumë të denjë për t’u studiuar jashtë modeleve, që sidomos ne në studimet letrare shqiptare, i kemi vërejtur tepër gjatë dhe pa rezultat në një masë të konsiderueshmne të tyre.

Po përqendrohem në mënyrën sesi kjo poezi e ngërthen në vetvete pavarësinë e etnisë, mëvetësinë dhe mostjetërsimin e njësisë kombetare duke e bërë këtë tematikë pjesë dinjitoze të diskursit letrar në një kohë kur në letërsi të tjera, kjo tematikë do të quhej e tejkaluar ose e panatyrshme. Poezia e Shkrelit dhe e Podrimjes na kujton në mënyrë konstante se liria e qenies njerëzore, identiteti, integriteti i saj dhe mbijetesa kulturore në një botë ku ballafaqohet me forma të përsëritura kolonializmi, nuk kanë qenë asnjëherë tematika të vjetëruara, por, përkundrazi, kanë përbërë zemrën e diskutimeve mbi letërsinë në tërë botën perëndimore. Ja, pse poezia e këtyre autorëve merr një dimension të jashtëzakonshëm dhe domethënës për letërsinë shqipe dhe për vendosjen e kësaj të fundit në hartën e letërsisë botërore. Le të shpresojmë se përkthimi do ta mbështesë dhe mundësojë më në fund këtë arritje sa të nevojshme, aq edhe të natyrshme.

 Në poezinë e Azem Shkrelit, përballja me dhunën është një nga nocionet më të rëndësishme të poetikës së tij. Kjo përballje ka krijuar gjendje të ndryshme përjetimi të unit lirik dhe të optikës së tij mbi botën, sikurse edhe të reagimeve të tij kundrejt botës. Mes këtyre reagimeve po përmendim harrimin, i cili tek Shkreli është një lloj rregullatori dhe më së pari një kod i mbijetesës shpirtërore. Harrimi kushtëzohet dhe shfaqet si mjeti i mbijetesës nisur nga Pamundësia, nga kufizimi i qenies, përkohësia, kërcënimi permanent i së keqes dhe nga tkurrja e kohë-hapësirës. Ai është një qëmtim në përmasën e parrokshme të mendimit dhe të rikonceptimit të botës sipas nevojës së individit për të konceptuar dhe mundësuar mbijetesën në një kontekst të ashpër. Duke humbur kujtimet e fakteve, ngjarjeve, brengave dhe mbresave, njeriu ka në dorë të vetmen mënyrë për të mos humbur tërësisht vetveten. Në një kuptim, fakti që ekzistojmë, tregon se individi e më së pari individi shqiptar është fryt i harresës, pra, fryt i përzgjedhjes së kujtimeve të veta, si rezultat ne jemi të pastajmë dhe fryti i mëshirës që ka harrimi. Ky harrim të lejon të kapesh fort pas jetës, të durosh dhe të afirmosh më pas vetveten duke pohuar se fitorja më e madhe në një shtrëngesë të tillë ekzistenciale është, mjerisht, vetë(m) të mbeturit gjallë.

Po të mbajmë në konsideratë realitetin e jetës dhe të njeriut shqiptar në Kosovë, ky dimension bëhet mëse konkret, ndërsa i vështruar për qenien njerëzore në tërësi gjatë historisë së vet, ky nocion i Shkrelit është zbulimi artistik i një të vërtete jetësore dhe të qenësishme të njeriut dhe të fateve të bashkësive njërëzore gjatë historisë.

Tek Shkreli, ashtu si edhe tek Podrimja, pothuaj një personazh i vërtetë është atdheu dhe konkretisht tek Shkreli gjendet një nga përfytyrimet më të sintetizuara, një nga formulimet unike të asaj se ç’përfaqëson atdheu për individin, i cili ka një raport të dhimbshëm dhe esencialisht të paracaktuar në tragjikën e tij. Për një individ të tillë atdheu është fat, thelb, kusht ekzistence, Kohë-hapësirë, streha e unit dhe duke nisur nga ngjizja e elementit tradicional shqiptar me atë biblik në poezinë e Shkrelit, mund të shohësh lehtë sesi atdheu bëhet një njësi e leximit kozmopolitan në kuptimin që ky term ka në studimet e sotme letrare dhe kulturore në perëndim. Atdheu është dheu i atit, birit dhe i shpirtit të shenjtë, krushku i parë, meshari, kumti dhe kremtja, mendimi, ara, zemra, gruaja, vigu ashti dhe e nesërmja, në kuptimin e të ardhmes. Kështu shprehet Shkreli tek poezia Atdheu.

Në raport me të dhe me fatin e popujve –më së pari të popullit të tij-, Shkreli mediton mbi një nga nocionet poetike më mbresëlënëse të sistemit të tij poetik: pikën. Siç do të shprehej Podrimja në një kritikë mbi poezinë e Shkrelit:

“Ndoshta për Shkrelin, pika simbolizonte gurin në meskohë dhe në meshapësirë që padrejtësitë ia kishin prishur harmoninë e tërësisë. Ajo ishte pikë e zezë tragjike, pengonte normalitetin e një populli.”[1]

Njeriu mbart me vete vitet e tëra të durimit titanik të pikës në gur, kujtimet që vrasin, pothuaj, sa edhe e tashmja. Por, a e shmang Shkreli kujtimin, për këtë shkak? Shikojmë poezinë Shënime natën. Këtu vjen një dialog i gjatë dhe i tensionuar i subjektit lirik me vetminë, me heshtjen, me veten dhe ndjehet ankthi i së keqes, që paraqitet poetikisht si një mace e verdhë. Në raste të tjera shikojmë simbolin e kafshës së zezë, e cila na kujtohet kur lexojmë macen e zezë tek Podrimja. Si e tillë, ajo krijon asociacionin e së  keqes, e cila qëndron satanisht si një tmerr i mbramë në skaj të së pamundurës, të së parrokshmes nga njeriu, a thua vetë këto dy të fundit nuk mjaftojnë për ta konsideruar tashme tragjike pozitën e individit. Ky asociacion ndjehet në nënvetëdijen e tij; po njëlloj është të qenit i përndjekur nga një sy vëzhgues që e depërton njeriun dhe shënon fatin e tij të trishtueshëm. Fati i tij bëhet i pakontrollueshëm nga vetë njeriu. Poeti thotë se hutini i zi e djeg në turrë drush dhe e rikrijon sërish, duke na dhënë modelin biblik të krijimit me baltë e ujë, por që këtu del si hiri dhe pështyma. Fjalët-çelësa të këtij cikli janë: nata, terri thika, shpata, penda, ftohtësia, thnegla, prushi, hutini, krahu i mëngjër etj. Në këtë terr me strukturë siç e quan Shkreli, kujtimi që popullon mendjen e njeriut është vetëm ai i njeriut që mbart mbi vete të kaluarën, e cila e vret më shumë dhe më përfundimisht se vitet e jetës. (Shënime natën 3, vëllimi II). Me këtë të vërtetë luftohet si Gandi, paqësisht dhe me durim. Gandi hyn në poezi si simbol i rrugës së mbijetesës që ka zgjedhur uni lirik. Paqja e jashtme është veçse tregues i të kundërtës së saj, pra, i zjerjes së brendshme të disa realiteteve tejet të dhimbshme si të vuajtjes, dështimit, ankthit dhe nevojës për liri (Shënime natën 4).

Kujtimet janë më tepër fragmente meditimi në vetmi prej nga subjekti lirk nënvizon nevojën për t’u mbyllur në veten dhe për të shmangur sa të mundet tjetërsimin. Ekzistenca bëhet një zvarritje e gjatë në kohë. Kjo ide fikse e shqetëson vazhdimisht subjektin lirik të kësaj poezie dhe konkretisht harrimi si nocion ka një raport logjik me mënyrën si konceptohet dhe përjetohet koha në poezi e më tej mbijetesa në kohë.

Një rast konkret për të argumentuar sa më sipër gjenden tek poezia Shënim për ditar, tek Kënga e Hutinit:

I vumë numrin edhe një dite

Na duhen ditë të tjera

 

Ndodhi harrimi I madh

Diku tej heshtjes e pushkës

 

Ku vete pas hijes sate

Çast I çalë, ku vete

Shpendi që nuk e pamë

Le të fiket malit për qiell

 

U vumë numrin edhe një dite

Na duhen numra të tjerë.

Në këtë poezi mund të shikojmë përjetimin kompleks të pritjes, absurdit të kohës, misterit të kuptimit ose mungesës së tij në një ekzistencë që vazhdon për interci dhe të kllapisë së harrimit. Jeta dhe qeniesia jepen të ngurosura në një çast kohe që mendojmë se konfiguron gjendjen e ngurrimit dhe të pamundësisë, dilemën e përherëshme të kohës me të cilën njerëzit kurrsesi nuk arrijnë të koordinohen.

Në përputhje me këto nocione vjen edhe një tjetër nocion Domosdoja, tek poezia Lule për domosdonë. Këtu bie pesha kuptimore dhe drama e të qenit, pasi ajo nënvizon pashmangësinë dhe përsëritjen e vazhdueshme të të qenit vonë, të të mos qenit në kohë. Kostoja e mbijetesës përshkruhet në tri faza: harrim, shkoordinim në kohë dhe heshtje. Tek kjo poezi poeti pohon: Koha për të ardhmen ka kaptuar qëmoti e ata presin.

Poezia e Shkrelit është një lloj epistolari dhe një ditar i madh i meditimeve të bluajtura tek njeriu në çdo kohë. Ato janë vëzhgim mbi elemente ontologjike jetësore, pavarësisht se në mënyrë të natyrshme e marrin fillimin nga realiteti konkret, nga vendlindja, nga historia e etnisë, shqetësimet ekzistenciale njerëzore etj. Saktësitë e shpeshta dhe të ftohta kohore të Shkrelit me orën kur pritet të ndodhë diçka janë një mjet poetik përpikmërie me të cilën Shkreli konkretizon dhe bën edhe më tronditëse në ftohtësinë e tyre, dramën dhe absurdin që shoqërojnë individivin dhe bashkësinë, dhe  më tej kalon në ironi. Edhe tek poezia Lirikë për të vdekur edhe tek Ditar nate në vëllimin “Nata e papagajve” bie në sy pikërisht kjo përmasë. Në poezinë e parë, kobin, zvetënimin, bjerrjen e vetvetes, absurdin e përgjithshëm, moskuptimin dhe të Pamundurën, Shkreli përsëri i paraqet me mistikën tronditëse të të verdhës. Aty bashkohen e shenjta, e pashmangshmja, çmenduria kolektive dhe ankthi. Në një kontekst të tillë, njeriu i Shkrelit diçka ngjason me farën e hithrës me të qenit e saj të anatemuar, të përbuzuar e të shmagur, por që mundet të mbijetojë kudo.  Mbijetesa është përmasë më së pari shpritërore dhe mendore. Figura si ajo e malësorit ose e Dasho Shpendit bëhen qenie mendore dhe personazhe të një dialogu imagjinar apo monolgu të subjektit lirik me alteregon e vet. Kjo është një formë unike komunikimi kur jashtë subjektit dominon heshtja, nata dhe papagajtë.  Në vëllimin “Nata e papagajve”, varfëria dhe mjerimi njerëzor del në shpërfytyrimin e ndjeshmërisë ndaj gjuhës, e cila është fillimi i kuptimit dhe thelbi i natyrës njerëzore. Ky shformim është në fakt tjetërsim edhe i të vërtetës në kuptimin më tërësor, filozofik dhe shpirtëror të fjalës, është fshehje dhe shkatërrim i saj dhe peshon mbi fatet e njerëzve dhe popujve si një mallkim.

Nëse do të shikonim poezinë Këtu ishte njeriu (f.162, vëllimi II), do të lexoni një paraqitje të historisë së njeriut të shpërngulur, të rënë nga origjina dhe të humbur, më së pari, për vetveten. Kjo poezi fiton tone dramatike sidomos pas ciklit të poezive për Dasho Shpendin. Këtu bashkohen epizmi dhe elegjia, të cilat janë ndoshta të pandashme sidomos në historinë e mbijetesës së njeriut shqiptar dhe të racës njerëzore në përgjithësi përgjatë historisë. Këtu konfigurohet një kozmogoni e gjithësisë në të cilën njeriu e dinte vendin e vet brenda sistemit të jetës, pra në hapësirë dhe në kohë, por tashmë  vetvetja i bëhet njeriut bashkëkohor një kujtim i largët. Zbrazja nga vetvetja, paraqitet si rënia më e madhe e njeriut dhe gjendja që karakterizon ekzistencën e tij aktuale. Larg-hedhjet kuptimore dhe nivelet interpretative, sado të shqueshme mund të duken dhe me referenca direkte me realitetin shqiptar sidomos në Kosovë, janë fatmirësisht multidimensionale. Përmendim mes tyre fatin individual, qenien njerëzore gjatë historisë së saj, metafizikën e thelbeve, fatet historike të popujve, dilemat vetjake të njeriut në raportin ontologjik dhe ekzistencial me veten dhe botën etj.

Po të krahasojmë poezitë e vëllimeve të mëparshme me vëllimet e fundit të Shkrelit, “Lirikë me shi” dhe “Zogj dhe gurë”, do të thoshim se këtu rikthimi në vendlindje është një rikthim në origjinë, në vetvete ku gjenden ato parametra që shenjojnë identitetin njerëzor. Këtu dominojnë ritmet më të shpejta, dalje nga heshtja dhe nga pezullia e qëllimshme e mëparshme. Spikasin elementet paradigmatike si: largësia, udha, fluturimet, lumi, mërgimi, shpendët, largësitë, drejtimet e horizontit, shtrirjet në kohë-hapësirë etj. Në këtë mënyrë, kjo arkitekturë verbale krijon gjeografinë poetike e kërkimit të kuptimit, të vetvetes dhe të njohjes së botës.

Në këtë kërkim, njeriu priret drejt qiellit, por edhe e tërheq pesha e gurit, prandaj kthimi në simbolikën, në atmosferën dhe në mjedisin e vendlindjes, çka poezia e Shkrelit e këtyre vëllimeve e dëshmon hapur, është në poezinë e tij një plotësim i ciklit të tij estetik dhe konceptual. Kryesorja në këtë mes është kapja e çastit dhe ruajtja e kohës. Në poezinë Idilë, kjo bie në sy më qartë. Perëndimi i kohës është në fakt vetëdija e humbjes. Të gjitha këto operacione poetike ngjizen dhe kryhen më së pari në heshtje. Heshtja e Shkrelit është tejet domethënëse, pasi ajo, siç thotë poeti nënkuptin faktin tronditës se: “Ajo që nuk e them s’është heshtje.[2]

***

Poezia e Podrimjes, nga ana tjetër, mund të shihet si një gjuhë që veçse na dekodon botën në sistemin e saj specifik edhe na ndihmon të kuptojmë më mirë deri edhe vetë poezinë e Shkrelit si një poet më i hershëm në kohë por edhe me përfytyrime tejet influencuese poetike, prek linja tematike dhe të meditimit të unit lirikk, si logjika e mbijetesës, trajtat e humbura bashkë me tjetërsimin, ankthin e harresës dhe të heshtjes së sforcuar. Podrimja parandjen dhe vëren rrezikun e shpërbërjes dramatike të njësisë kulturore, etnike shpirtërore të popujve duke e vendosur njeriun shqiptar, në një kuptim thellësisht estetik, në historinë e vet kudo në botë për shkak të të vërtetës që mbart. Në këtë kuptim, poezia  e Podrimjes është jashtëzakonsiht e gjerë dhe me referenca gjithëkohore. Poezia e tij zhvillohet pothuaj e tëra mes logjikës së elementeve: Udhëtim- Cung-Breg-Varr.

Udhëtimi që ravijëzohet tek kjo poezi është njëherësh kalim i njeriut shqiptar në fazat e historisë së kombit, por edhe i njeriut në përgjithësi në gjendjet e ndryshme ekzistenciale në raport me njësinë prej nga vjen. Ky Udhëtim shpjegon ekzistencën e përjetimeve tipike, të cilat gjenden gjithandej në poezinë e Podrimjes si, pamundësia, dyzimi, vetmia, humbja e referencës në kohë dhe e trajtave, ankthi shkatërrues etj. Këto gjendje shfaqen kur individi ndodhet nën trysninë tjetërsuese që vjen nga veprues të ndryshëm dhe kur kombi është nën kërcënimin e tkurrjes apo të zhdukjes. Kështu, gjendja fikse që duket se paralizon çdo lloj veprimi është heshtja, e simbolizuar shpesh nga ngjyra e bardhë. Heshtja del si pasojë e tjetërsimit, si formë deri diku e zgjedhur e njeriut nën trysni, por edhe shndërrohet në një sindromë të përherëshme dhe me pasoja të pakthyeshme.

Udhëtimi i Podrimjes tregon se ekzistojnë vetëm dy rezultate si stacione finale, Bregun ose gëlltitja nga e paNjohura, ideologjema e njohur e Podrimjes. Nevoja e ngutshme dhe e domosdoshme për të përcaktuar vendin në një hapësirë që tendoset të shtyn drejt njërës prej të dyjave. Udhëtimi që shohim tek poezia e Podrimjes është një rast përfaqësues i modelit të njohur në letërsi që nga Odiseja, tek Dantja, Fausti apo Uliksi. Vetëm se njeriu i Podrimjes udhëton drejt ruajtjes së peshës duke mbrojtur identitetin e kërcënuar dhe format më themelore të natyrës njerëzore. Ky është një kalim i detyruar për individin që kërcënohet dhe kalon përtej vetes dhe përtej kohës së vetes çka formësohet më së miri edhe me figurën e Lumit.

Nisur nga kjo, ka diçka për të cilën ky udhëtim e ndriçon njeriun teksa e kërcënon përballë e panjohura dhe kjo gjë është se njeriu nuk e ka në duar qeniesinë e tij e madje nuk e di se në duart e kujt është ajo.[3] Gjatë këtij udhëtimi atij i kërcënohet mbetja në gjysmë rrugë, trokitja e orës së fatit, udhëkryqi, dhe mungesa e kohës.[4] Këto ngurrime shprehen me anë pyetjesh retorike që sikundër ndodh shpesh në poezinë aq maksimalisht të organizuar të Podrimjes, i mungojnë shenjat e pikësimit dhe shpesh gjymtyrët e fjalisë. Pozita e njeriut në rrjedhën e këtij udhëtimi është arsyeja e lindjes së gjithë pyetjeve, të cilat i gjen shpesh të drejtpërdrejta ose jo, në mbyllje të shumë prej poezive (“Hija ime”, “Uji i madh”, “Hapësira” etj):

Koha e notuesve a perëndoi

Bregut i afrohem apo e PaNjohura më pushton

A jetohet me ëndrra

Ndërkaq pikënisja e udhëtimit është pikërisht Guri, njëri prej elementeve bazë të bashkësisë A. Ndërsa hapësira ku shtrihet ky udhëtim është një shkrirje e gjithçkaje me nota zanafillore të krijimit, por edhe disi apokaliptike duke u emërtuar nga poeti thjesht kodraveFushaveDetrave. Vet guri përkundër palëvizshmërisë dhe lidhjes me truallin tek e cila të çon kuptimisht, ka formën e vet të lëvizjes që është sa e natyrshme si pjesë e lëvizjes universale drejt njohjes dhe thelbit të qenies, aq edhe e imponuar nga trysni të jashtme. Në këtë rast është më e ngutshme nevoja e drejtpeshimit dhe e të gjeturit të truallit ku ky gur të hidhet. Lëvizja e gurit shprehet me një seri foljesh e sintagmash si: rrokulliset, fishkëllen, kafshon, hidhet, guron, gjakon, shpon hapësirën, rri pezull mbi tokë, humbet peshën dhe gjakos kohën. Në pikëlidhjen e tij horizontalisht me bashkësitë e tjera spikat relacioni me vetminë dhe simbolin e Cungut.

Cungimet tragjike të vendit, më kujtonin një cung atje lart në Çabrat, i cili ndërronte trajtë sa herë e përshkonte brisku ose gjuha e flakës dhe për të cilin kisha shkruar poemthin Cingu. Nuk mund ta merrja me mend se duek shgkruar për atë krijesë pikëlluese të pyllit tim, shkruaja edhe për gjymtyrët e humbura të vendit.”[5]

Podrimja bën përshkrimin final të asaj që përfaqëson një entitet i tillë, cungu: një sy i shqyer drejtuar ankthshëm drejt qiellit. Këtu shikojmë sesi marrëdhënia kullë – sy tani bëhet treshe duke u shtuar edhe cungu. Tragjika e këtij reduktimi të frikshëm ka përmasat e një vuajtjeje, turpi dhe përgjërimi biblik drejtuar kohëve:

Mjerimi të lë

Pa u larë

Majës derfdhet kanalizimi

 

Nuk vidhet atDheu

As vritet

Luftëtari i tij

 

Në tokën tënde

Të çosh jetë refugjati

Mallkim gjaku

 

Engjëlli im

Vëma dorën mbi ballë

Të ndjej veten

 

A jetoj[6]

Në këtë mes, Fjala poetike është realiteti që sublimohet në trajtën e gurtë dhe konkrete dhe po aq edhe në formën eterike të ideve dhe të meditimeve mbi historinë e qenies kombëtare.

Poezia e Podrimjes vërtitet në hapësirën kozmike të tri ndjenjave themelore, dashuria, urrejtja dhe revolta, por secila prej tyre copëzohet në mijëra përjetime dhe imazhe të imëta duke mishëruar të bukurën, frikën dhe dhimbjen dhe si rezultat, edhe të shenjtën.

“E gjithë poezia e Ali Podrimjes është kërkim i rrënjëve të lashta; i vazhdimësisë së qenies sonë nëpër kohë, nga e kaluara e largët e deri në ditët e sotme.”[7]

Poezia e tij është poezi e identitetit dhe poezi e estetizimit të së keqes, e megjithatë në kulmin e vet më të lartë, poezia e Podrimjes është apologji e jetës[8].

Vetëdija e lirisë, e mëvetësisë dhe e dinjitetit të qenies njerëzore arrin kulmin e përfytyrimit artistk tek Lumi. Aty atmosfera e tmerrit dhe e ankthit ngjizur me indinjatën e thellë të degradimit të vlerës së njeriut në botë, jepet nëpërmjet elementit zoomorfik, mitologjik, biblik dhe atyre teknike mjekësore.  Duke u shtyrë në meditimin metafizik dhe filozofik, Lumi jep mpirjen e subjektit lirik, frikën për njeriun, i cili mund të humbasë veten, të pësojë përçudnimin dhe tkurrjen deri në tjetërsim, aq sa tregohet një çorientim i plotë në kohë, dhe madje një lloj gjendjeje belbane ku subjekti nuk artikulon dot fjalë dhe nuk e shfaq dot veten, tashmë të copëzuar në disa vete të ndryshme. Në këtë thyerje të vetorësisë duket vetja në kohë; ideja jonë është që në poezinë e Podrimjes, vetja shfaqet në tri trajta: vetja në të shkuarën, çka është etnia, vetja në të tashmen që është Lumi dhe e ardhjma, e cila nuk është vetëm se një e tashme e shtrirë, pra Lumi në përjetësi, në Fjalën.

Kjo na bën të mendojmë se poezia e Podrimjes funksionon vërtet me logjikën e simbolikës së të tërës në të cilën elementet e veçanta si Udhëtimi, Cungu, Bregu dhe Varri plotësojnë kuadrin gjigand, Lumin. Kjo dëshmon se poezia e tij “disponon dimensionin gnoseologjik (njohës) dhe akseologjik (vlerësues)…”[9]

Poezia e Podrimjes, sikurse ajo e Shkrelit dhe e poetëve të tjerë të njohur të letërsisë shqipe në Kosovë është lidhur ngushtësisht dhe në mënyrë të ndjeshme identifikuese me këtë kontekst konkret, të cilin Podrimja u kujdes ta nguliste sa më thellë në kujtesën e shqiptarëve dhe në mendjen e tulatur të Evropës. Popujt që harrojnë, harrohen. Ndoshta paracaktimi i poetit është pikërisht të nxisë dhe të ruajë aftësinë tonë për të mbajtur mend. Kujtesa dhe harrimi marrin një tjetër konotacion tek Podrimja, krahasuar edhe me Shkrelin. Kjo dramë e mbijetesës, e ripohimit të vetvetes në rrethanën historike dhe përtej saj në frymën e origjinës, u bë në mënyrë të pamohueshme, profili i gurtë i poezisë së Podrimjes. Një poezi e tillë e kthen Kosovën në fakt kokëfort e mbikohor, dhe si të tillë edhe të patjetërsueshëm dhe nga realiteti empirik ndërton mjetet poetike për të zbuluar realitete ontologjike.

Edhe më sipër kemi patur rast të vërejmë se poezia e Podrimjes është poezi e të kuptuarit të individit nga njëra anë dhe të etnisë e kombit të tij nga ana tjetër. Kulmin e zhbirimit të elementit të parë, individit, Podrimja e arriti me “Lum Lumin” dhe sigurisht përbënte arritje të dyfishtë sepse përmes dramës së Lumit zbulonim thellësisht dhe madje pa mëshirë të vërtetën e njeriut, të ngjizur me enigmën e etnisë dhe mbijetesës së saj.

Tek poezia e Podrimjes shikojmë thirrjen metafizike të jetës, të të drejtës për të jetuar, harresat e pafalshme të historisë, por me gjurmë në kujtesën kolektive të popujve të kërcënuar për t’u gjymtuar a zhdukur. Të gjitha këto kanë kultin e tyre, shpirtin e patjetërsueshëm të origjinës, të vetëdijes së prejardhjes, qartësi kjo që paguhet shtrenjtë. Në të kundërt ka edhe përmendore të turpit, të cilat i gjen në sheshet qendrore të kryeqytetit dhe sidomos zënë vend në tjetërsimin dhe zbehjen e shqisave të njeriut të lirë dhe të atij që ia del të mbesë zgjuar. Këtu lexohet dhuna, histeria dhe çmenduria kolektive kombshfarosëse që ringjall mesjetën dhe krimet më të përçudshme pikërisht aty ku mendohej se ishin përzënë prej shumë kohësh dhe në mënyrë të pakthyeshme.

Në këtë mes, Podrimja krijon një vend, një pellg gëlltitës në hapësirën gjithësore që e quan Satana. Kjo, në mendimin tonë, nuk është më frymë, një demon e djall, por një shkretani gjymtimesh, një Saharë-Satana, e cila ushqen llahtarën dhe sfidon  paturpësisht Zotin. Përmendoret e turpit janë po aq edhe besimet e rreme dhe naive, pritja e kotë, e mbrapshtë, dobësia e squllët e të vendosurit përfund, indiferenca dhe frika ndaj të vërtetës. Kjo krijon habinë e Ferrit si një vend pa kuptimin që i është njohur që prej lashtësisë sepse nuk thotë asgjë të paprovuar, asgjë që të ngjall një tmerr më të madh se ai që është përjetuar tashmë dhe që mjerisht nuk ngjall më stepjen e ndëshkimit.

Tashmë janë thyer kufijtë e të shenjtës dhe profanes. Qielli është boshatisur nga zotat dhe toka është populluar nga minjtë. Barku i ferrit është zbrazur duke na zbuluar haptazi fundin e lojës shekullore me forcat e dy poleve të përkundërt, jetës dhe vdekjes dhe bashkë me të përfundojnë çuditë ironike dhe të dhimbshme të ndërgjegjes, për të nisur zgjimi dhe përmendja nga deliri i mpirjes. Për këtë të vërtetë kohët duan një dëshmi.

Dhe në fakt poezi e parë e krijimtarisë së Podrimjes, në rast e do botohej e tëra në një libër të vetëm ndoshta do të ishte Dëshmi. Kjo poezi është konceptuar në solemnitetin e një deklarate drejtuar kohës, dhe vendeve, tokës dhe qiellit, asaj që ishte dhe asaj që do të jetë, në emër të Binjakëve dhe të zhdukurve të vendit tim. Poezia ndërtohet si një amanet dhe si një formulë e Librit të të gjallëve dhe të vdekurve, një psalm deri dje i pashkruar, por i rënjosur në nënndërgjegjen e popujve. Ai është një vetërrëfim prej heremiti që ka vëzhguar botën përtej fytyrës së saj të pezullt dhe  ecjes haluçinante. Ky heremit nuk është murg i një zoti të fshehur e të avullt, por i një besimi të ethshëm dhe botëndryshues, i të drejtës për të jetuar. Para të ngjashmëve të tij dhe para çdo force që thelbi i tij përkap intuitivisht, ai mbyll dhiatën e qëndresës së heshtur, por të parishkrueshme që kalon kufijtë e njerëzores dhe të përkohëshmes tashmë: Dëshmoj se kam të drejtë të jetoj.

Ndërsa kohët ecin, njeriu ngel me gjithë ç’e përbën dhe kujtesa  është arma e tij e vetme përballë kësaj lëvizjeje të rrëshqitshme. Ekziston një mister i hidhët i mpleksjes së ndjenjës dhe përjetimit në ftohtësinë e gurit dhe në përmbajtjen e mendueshme të pezmit vrumbullues.

E tërë poezia e Podrimjes tingëllon si një kujë e zgjatur, zëhollë dhe e mprehtë, një  oiiiii e metaltë që mpiks gjakun dhe e shtrëngon kohën të kujtojë. Kjo kujë përplaset njëlloj mureve të ferrit dhe të shpellës, pusit, varrit dhe kullës apo nofullës së ujkut, prani këto karakteristike të poezisë së Podrimjes dhe të përmasës apokaliptike të saj. Të qenit këtu është ekuivalent me të njohësh, të kuptosh e pohosh se ti ke qenë. Ekzistenca jote nuk është një rastësi dhe aq më pak mbijetesa jote.

 

Përfundim

Me të dy këta poetë, Azem Shkrelin dhe Ali Podrimjen, dhe me përfytyrimet e tyre të gjera mbi jetën, lirinë dhe domethënien e tyre ndodh ajo që Podrimja e ka thënë dikur për Shkrelin: “Kjo është veti e krijuesve që dhembjen tentojnë ta shndërrojnë në paqe njerëzore.”. Me të drejtë poeti i njohur Fatos Arapi është shprehur për Podrimjen me ato fjalë që i shkojnë për shtat, nga ana tjetër edhe poezisë së Shkrelit duke na kujtuar dy emblema të poezisë bashkëkohëse shqipe, të cilat na mësojnë kulturën e të kujtuarit, pra, edhe të të mbijetuarit duke u përsour si qenie dhe si etni: “ [Podrimja] është një shpirt i një mendjeje përherë në kërkim: në kërkim të lirisë, të atdheut, të njeriut.”[10] Kur mendoj mbi këtë lirikë të angazhuar, të gjithanshme dhe aktuale, siç e quan Wolfgang Petrisch, e që unë e shoh të vërtetë për të dy poetët tanë, më kujtohet nobelisti i letërsisë për vitin e fundit Tomas Trantrӧmer kur thoshte se:

“… duan që unë të shkruaj në mënyrë të angazhuar politike, të përdor gjuhë politike. Në fakt, do më lejonin të shkruaja për gjithçka, për lulet, bletët për sa kohë që unë do ta bëja këtë në një mënyrë ‘politike’. Por gjuha e poezisë, të paktën gjuha e poezisë time e merr kuptimin kur angazhohet në një realitet politik, pa qenë e politicizuar vetë.”[11]

Një poezi e të njëjtit përfytyrim është edhe pjesa më e mirë dhe dukshëm e gjerë e krijimtarisë së Shkrelit dhe Podrimjes. Studiuesi Leif Sjonberg vazhdon më tej linjën e arsyetimit të Transtrӧmer-it duke pothuar se, ky poet:

“ … e përkufizon gjuhën e politicizuar si një gjuhë, e cila shërben  si mjet për të ushtruar presion dhe përmes të cilës paraqiten dhe mbahen në këmbë alternativa të gënjeshtërta dhe, më tej, specifikon se ‘vetëdija politike nënkupton aftësinë për të parë përmes këtyre paradigmave gjuhësore; jo t’ua nënshtrosh veten atyre.’ [12]

Azem Shkreli dhe Ali Podrimja na japin shumë për të menduar edhe në këtë suazë. Ata e krijojnë poetikisht ndërgjegjen e pavarësisë si kujtesë kombëtare, si porosi e mbrame për t’i shpëtuar turpit të shpërfytyrimit nga dhuna e jashtme dhe nga dobësia e brendshme dhe po ashtu na e sjellin atë si një realitet të përhershëm së tashmes, i cili përherë flet për fatin e racës njerëzore kudo dhe kurdoherë. Ata e realizojnë këtë në një sërë formash, të cilat përbëjnë themelin e poetikës së secilit e në jo pak raste imazheria e tyre poetike bëhet përplotësuese dhe tejet universalizuese, qoftë edhe e vërejtur në raport me njëri-tjetrin. Si rezultat, poezia e Shkrelit dhe e Podrimjes është një vepër përgjithmonë e hapur për cilindo që di të lexojë.

Referencat

Aliu, Ali. “Kërkime”, Tiranë, SH.B. “Naim Frashëri”, 1990.

Arapi, Fatos. “Në kërkim të lirisë atdheut njeriut”, në Ali Podrimja “Libri mbi të qenët”, PEN Qenra e Kosovës, Prishtinë, 2009.

Podrimja, Ali. “Mes durimit dhe triumfit” në Azem Shkreli, Dhembja e pikës, Albas, Tiranë, 2002.

Podrimja, Ali. “Litari i ankthit” Toena, Tiranë, 2002.

Podrimja, Ali. Biblike, në “Pikë e zezë në blu” Onufri, Tiranë, 2005.

Sjoberg, Leif. “Windows and Stones” Selected poems by Tomas Transtromer, Translated by May Swenson with Leif Sjoberg, University of Pittsburgh Press. 1972.

Shkreli Azem, Vepra letrare 1, 2,  3, Prishtinë, 2008.

Transtromer, Tomas. në “Windows and Stones” Selected poems, Translated by May Swenson with Leif Sjoberg. University of Pittsburgh Press. 1972.

Vinca, Agim.“Të keqen munde me këngë”, Fjala 25.09.1995.

[1] Ali Podrimja, “Mes durimit dhe triumfit” në Azem AShkreli, “Dhembja e pikes”, Albas, Tiranë, 2002. fq. 14.

[2] Ajo që s’e them, në “Dhimbja e pikës”, vep.cit. fq.81.

 

[3] Ali Podrimja, “Litari i ankthit”, Toena, Tiranë, 2002  fq. 39.

[4] Po aty. Shiko edhe “Maca e zezë”, fq.35

[5] Ali Podrimja, parathënie , vep.cit. fq.14.

[6] Ali Podrimja, Biblike, në “Pikë e zezë në blu” Onufri, Tiranë, 2005, fq.5.

[7] Agim Vinca, “Të keqen munde me këngë”, Fjala 25.09.1995, fq.22.

[8] Po aty. fq.23.

[9] Ali Aliu, “Kërkime”, Tiranë, SH.B. “Naim Frashëri”, 1990, fq.27.

[10] Fatos Arapi, “Në kërkim të lirisë atdheut njeriut”, në Ali Podrimja “Libri mbi të qenët”, PEN Qendra e Kosovës, Prishtinë, 2009, fq.5.

[11] Tomas Transtromer, në “Windows and Stones” Selected poems, Translated by May Swenson with Leif Sjoberg. University of Pittsburgh Press. 1972, fq.24.

[12] Sjoberg, Leif. “Windows and Stones” Selected poems by Tomas Transtromer, Translated by May Swenson with Leif Sjoberg, University of Pittsburgh Press. 1972, fq.25.


Publikimi i mëparshëm

Sa fituan prezantuesit e Sanremos?

Publikimi i radhës

Bilbili i Kosovës u përcoll me duartrokitje si një perëndeshë

Publikimi i radhës

Bilbili i Kosovës u përcoll me duartrokitje si një perëndeshë

JuSm
KoBo
Emetimi

10. 6. 2023 | Në Tetovë u mbajt Edicioni X i manifestimit kulturor “Lidhja na bashkon”

10. 6. 2023 | Në Tetovë u mbajt Edicioni X i manifestimit kulturor “Lidhja na bashkon”

00:02:59

EDICIONI IX I MANIFESTIMIT KULTUROR ''LIDHJA NA BASHKON"

00:03:31

Promovohet revista për letërsi, art dhe kulturë “Metafora”

00:04:02

EDICIONI VIII I MANIFESTIMIT KULTUROR “LIDHJA NA BASHKON”

00:03:00

Shoqata “Tradita” e organizoi Edicionin V të manifestimit letrar ndërkombëtar “Shtigje poetike”

00:01:29

Shoqata “Tradita” e organizoi Edicionin VII të manifestimit kulturor “Lidhja na bashkon”

00:02:38

MANIFESTIMI LETRAR ''SHTIGJE POETIKE'' – EDICIONI II

00:01:13

ORË LETRARE PËR 80 VJETORIN E ISMAIL KADARESË

00:02:49

KONFERENCË SHKENCORE KUSHTUAR PROF. DR. ALI VISHKOS

00:04:25

Tradita.org – është portal i Shoqatës për kulturë dhe art “Tradita”. Funksionon si platformë multimediale dhe angazhohet për  promovimin e arsimit, shkencës, kulturës dhe artit.

Tradita.org – është edhe adresë e debatit të lirë, e zërit kritik dhe e ballafaqimit të mendimeve dhe të ideve përparimtare.


  • FILLIMI
  • IMPRESUM
  • KONTAKTI

2012-2024 © Shoqata për kulturë dhe art “Tradita” / Powered by Optimus Solutions / Privacy Policy.

Mos kopjoni tekst!
No Result
View All Result
  • FILLIMI
  • AKTUALE
    • ARSIM
    • KULTURË
    • OPINIONE
    • SPEKTËR
    • COVID-19
  • HISTORIKU
  • MANIFESTIME KULTURORE
  • VEPRIMTARIA SHKENCORE
  • BOTIMET E SHOQATËS
  • ÇMIMI KOMBËTAR “ALI VISHKO”
  • TRADITA PLUS

2012-2024 © Shoqata për kulturë dhe art “Tradita” / Powered by Optimus Solutions / Privacy Policy.