Teatri i Tetovës, gjatë këtij muaji vijon angazhimin për realizimin e agjendës së ngjeshur teatrale, të paralajmëruar kohë më parë. Sot, ky institucion kulturor, nën regjinë e Kaltrina Tefikut, do ta vërë në skenë, shfaqjen teatrale “Duke pritur Godonë” – kryeveprën e Samuel Beketit.
Kjo shfaqje do të jepet, në orën 19:00, dhe duke parë rëndësinë e kësaj vepre dhe mesazhin që përcjell ajo, pritet pjesëmarrje e lartë e adhuruesve të artit skenik.
Po ashtu, Teatri i Tetovës, ka njoftuar se të premten, më 7 shkurt, në orën 19:00, do ta rikthejë në skenë “Bidermanin dhe Zjarrëvënësit” të autorit Maks Frish.
Subjekti i shfaqjes ka në qendër njerëzinë që e ka zënë një hall i madh. Zjarrvënës për qejf, po djegin me radhë të gjitha shtëpitë në gjithë qytetin. Çdo herë e njëjta histori, dikush që troket në derë gjoja për të shitur diçka, përfundon i ftuar brenda ë shtëpi. Me hile e dredhi arrin të sigurojë strehë për një natë në papafingo. “E pabesueshme”,siç thotë personazhi kryesor, Gottlieb Biedermann, një prodhues e tregtar kolonje, i cili është i sigurtë dhe përbetohet se këtë gjë nuk do të lejojë kurrë t’i ndodhë atij. Por kur një i huaj misterioz (Schmitzi) troket në derën e tij, sa për mirësjellje dhe për shkak të ndjenjës së bujarisë morale, ai e fton të hyjë brenda. Schmitzit shumë shpejt i bashkohet një i huaj i dytë, (Eisenringu). Të dy i vihen punës dhe e mbushin papafingon me fuçi me benzinë. Biedermanni, që e ka të vështirë të njohë të keqen që po ndodh para syve të tij, i ndihmon të dy të masin fitilin, madje shkon deri aty sa t’u dorëzojë atyre shkrepësen që do t’i vërë flakën dhe do të shkatërrojë gjithë shtëpinë e tij. Gjatë gjthë kohës, kori i gatshëm i zjarrfikësve vigjilon, duke bërë sehir dhe duke pritur.
“Bidermani dhe Zjarrëvënësit”, është realizuar nga regjisori, Mehmet Xhelili; ndihmës-regjisorët: Fitim Selimi dhe Aferdita Nuhiji; kostumografia, Edlira Qyshka; skenografi, Betim Zeqiri; muzikën e Rrahman Ramadanit; ndërkaq do të luajnë aktorët tashmë të njohur, si: Petrit Neziri, Blerim Ismani, Shkumbin Zeqiri, Afërdita Nuhiji, Kujtime Ahmeti, Muzafer Etemi, Jetmir Arifi, Burhan Amiti, Elmir Sejfullai, Arben Rasimi, Rrahman Ramadani, Abedin Alimi dhe Hetem Etemi.