Mehdi Polisi | Puna krijuese vëllimore, e shumanshme e cilësore e Sami Frashërit në fushën e publicistikës dhe letërsisë, ku ai trajtoi me aftësi probleme nga më të ndryshmet; hartimi dhe botimi i veprave didaktike, pra i teksteve shkollore, siç thotë ai, sipas metodës së re, duke iu dhënë mundësi nxënësve “të mundohen pak e të fitojnë shumë dhe jo të mundohen shumë e të fitojnë pak”; botimet e shumta shkencore të përgatitura prej tij e të botuara në kuadër të serisë së “Bibliotekës së xhepit” për qytetërimin, mitologjinë. Qiellin, tokën, njeriun etj.; kontributi i tij i çmuar në fushë të gjuhësisë, pikëpamjet e të cilit për gjuhën në përgjithësi, si dukuri shoqërore, dhe për shumë gjuhë veç e veç, edhe pas njëqind e sa vitesh botimi, vazhdojnë të mbesin vlera dhe , si të tilla, i kanë qëndruar kohës dhe kanë bërë të tërheqin vëmendjen e studiuesve; hartimi i disa fjalorëve njëgjuhësh dhe dygjuhësh, të gjithë së bashku shtrihen në mbi 6000 (gjashtë mijë faqe), të përgatitur me një metodologji të përsosur, që do të thosha, nuk janë mbrapa fjalorëve të hartuar në kohën tonë, sepse janë hartuar nga kryemjeshtri i kësaj disipline shkencore[1]; puna kolosale e tij, përgatitja e Enciklopedisë së përgjithshme e historisë dhe gjeografisë, e njohur me emrin Kamus al-a’lam, në gjashtë vëllime me mbi 4830 faqe, e shkruar në osmanishte, të cilën e përgatiti dhe e botoi brenda 10-11 viteve (1889-1898), ku përfshihen mijëra njësi të veçanta historike e gjeografike, pasta personalitetet më të shquar, që nga kohët më të lashta dhe nga mbarë rruzulli tokësor; botimi i veprës monumentale “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e ç’do të bëhet?”, e cila nuk është gjë tjetër veçse një program i qartë kombëtar, ku Samiu do t’i përfaqësojë idetë dhe pikëpamjet e tij rreth problemeve që më së shumti ia kishin zënë frymën gjatë tërë jetës – ardhmëria e Shqipërisë dhe e popullit shqiptar, ose, siç thotë ai “mendime për shpëtimin e mëmëdheut nga rreziket që e kanë rethuarë e plot e plot vepra të tjera[2] , mund të themi me bindje të thellë se nuk bëhet asnjë gabim kur Samiut i jepen cilësime të ndryshme: shkencëtar, mendimtar, leksikograf, filolog, letrar, iluminist, publicist, enciklopedist, patriot etj., shkrurt, erudit.
T shkruash gjithë ato vepra me tema nga më të ndryshmet (për disa madje nismëtar) dhe në gjuhë të ndryshme: shqip, turqisht-osmanisht, arabisht, frëngjisht, greqisht etj. për një periudhë 32-33 vjeçare, pa asnjë diskutim, është punë e madhe, punë që vetëm mendja e ndritur e Samiut ka mundur ta bëjë. Dhe, për t’u shtrirë e për të shkelë në aq shumë disiplina shkencore e kulturore, Samiut, këtij gjeniu, pa dyshim, i ka ndihmuar njohja e thellë e gjuhëve të Lindjes: turqishtes-osmanishtes, arabishtes, persishte etj dhe të perëndimit: greqishtes së re dhe të vjetër, latinishtes, frëngjishtes etj.; mësimi sistematik i fushave të ndrashme të dijes, guximi shkencor e intelektual etj.
Nga vepra origjinale e Sami Frashërit, sa kam arritur ta studioj e kuptoj, ka vënë re në të dy karakteristika kryesore: e para, të gjitha veprat dhe punimet e tij, ndonëse të shkruara para njëqind e sa vitesh, janë punuar në atë mënyre që janë thuajse në përputhje me kriteret e sotme shkencore: kanë qëllimin, hyrjen, brendinë dhe përfundimin dhe, sado e vogël të jetë vepra, megjithatë të bën të besosh se tema është shtjelluar në tërësi: kjo do të thotë se Samiu ka njohur shumë mirë teknikën dhe metodologjinë e punës shkencore dhe, e dyta, temat që trajton Samiu nuk janë tema të zgjedhura rastësisht, pa ndonjë qëllim, vetëm sa për të thënë diçka, por të gjitha kanë një pikësynim, gjë që tregon se ai ka ndjekur në vazhdimësi dhe me kujdes jetën e shoqërisë njerëzore përgjithësisht.[3]
Në këtë kuadër do kuptuar edhe tema për qytetërimin. Enciklopedisti Sami, duke shfrytëzuar aftësitë e tij intelektuale, nga njëra anë, dhe njohuritë e tij për historinë, kulturën, të arriturat etj. të popujve të ndryshëm që nga lashtësia e tyre, nga ana tjetër, jo pa qëllim, iu qas trajtimit të një teme mjaft të ndjeshme – qytetërimit islam në raport me qytetërimet e tjera, temë kjo që deri atëherë nuk ishte trajtuar fare. Lidhur me këtë temë Samiu, përveç artikujve të shumtë, ka shkruar edhe një libër me titullin “Medeniyyet-i Islamiyye”[4]. Këtë vepër e kemi përkthyer në gjuhën shqipe të plotë, sepse vetëm kështu mund të kuptohen drejt pikëpamjet e Samiut. Vepra nuk është dhe aq e vëllimshme, por ka vlerë të lartë dhe ngërthen një material të konsiderueshëm, sepse Samiu, autori i saj, falë njohurive dhe mjeshtërisë së tij enciklopedike, diti që një temë aq të gjerë ta përfshinte e ta përmblidhte në një libër të vogël.
Dijetari i madh, Sami Frashëri, duke pasur njohuri të thella për qytetërimin islam, nga njëra anë, dhe për qytetërimet e tjera para tij, nga ana tjetër, në shkrimet e tij, ku trajton këtë temë dhe në veprën “Qytetërimi islam” shtron shumë çështje interesante me interes edhe për kohën e sotme. Që në faqet e para të veprës “Qytetërimi islam” Samiu jep shpjegime të mjaftueshme dhe të arsyeshme shkencore rreth dallimit të njeriut nga kafshët dhe dallimit të njerëzve midis tyre. Njeriu sipas tij, ka diçka që nuk e ka askush: mendjen dhe inteligjencën. Me këto veçori ai e dallon njeriun nga kafshët. Ndërkaq dallimet mes njerëzve nuk i sheh në fizionomi, në ngjyrën e lëkurës e në veshmbathje, porse në fuqinë mendore, në njohuritë dhe në dituritë shkencore, domethënë në nivelin e qytetërimit. Për Samiun thelbi i qytetërimit dhe masa e zhvillimit të tij është dituria. Për të arritur një shkallë të lartë të qytetërimit, sipas tij, njeriu duhet ta vërë në shërbim mendjen, të përpiqet vazhdimisht të punojë, të mësojë e të zbulojë të vërtetën dhe gjëra të reja të dobishme, të cilat do t’i mundësojnë e do t’i sigurojnë mirëqenien e tij dhe të njerëzimit në përgjithësi. Duke u nisur nga këto pikëpamje krejtësisht shkencore lidhur me qytetërimin, të pranueshme edhe sot në ditët tona, e kanë shtyrë Samiun të besojë se njeriu që nga shfaqja e tij në faqe të dheut, ka qenë aktiv në zhvillimin e mendjes dhe inteligjencës.
Në vazhdim të veprës “Qytetërimi islam”, Samiu sqaron shumë pyetje që qarkullonin në kohën e tij, si p.sh: Ç’është qytetërimi islam, fryt dhe rezultat i çkaje është? A mund të quhet Qytetërimi islam qytetërim arab? Si dhe sa ka ndikuar Qytetërimi islam në qytetërimin evropian, përkatësisht, sa e ka ndihmuar Qytetërimi islam qytetërimin evropian? A është i kufizuar Qytetërimi islam vetëm tek një popull a tek një bashkësi etj., pyetje këto që e kanë shtyrë sigurisht Samiun ta shkruaj këtë vepër. Të gjitha këtyre pyetjeve Samiu u përgjigjet qartë dhe në mënyrë të argumentuar. Pa u zgjatur, do të përpiqemi të japim disa pikëpamje të Samiut lidhur me këto çështje.
Mendimin e një grupi të dijetarëve evropianë që Qytetërimin islam e njëjtësonin me Qytetërimin arab, Samiu e hedh poshtë krejtësisht. Këtë e argumenton me faktin se Qytetërimi islam është fryt i fesë Islame dhe se është paraqitur bashkë me të. Ata që dëshirojnë që qytetërimin islam ta quajnë qytetërim arab gabojnë sepse nuk ju shkon mendja se shumica e dijetarëve që i mbajnë për dijetarë arabë, janë joarabë, p.sh: Ibn Sina është persian, Farabiu është turk, Salahudin Ejubi, kurd etj. Samiu këtu del fitues kundrejt tyre, sepse teza e tij më vonë pranohet nga pjesa dërrmuese e dijetarëve objektivë evropianë.
Samiu i kundërvihet vendosmërisht edhe një grupi të dijetarëve evropianë, të cilët mendonin se qytetërimi evropian kishte lindur drejtpërdrejtë nga qytetërimi i lashtë grek. Sipas Samiut, edhe qytetërimi i lashtë grek, ashtu si qytetërimet e tjera të lashta, të haldeasve, asirasve, midiasve, fenikasve etj. është ndërprerë për një kohë, prandaj periudha kohore 8-10 shekullore, nga ndërprerja e qytetërimit grek e deri në zgjimin e ngritjen e qytetërimit evropian, nuk mund të ishte pa qytetërim; nuk mund të besohet që çdo anë e rruzullit tokësor të ketë qenë e fundosur në errësirë e injorancë. Po tu qasemi me vëmendje rrethanave dhe historive të këtyre shekujve, si dhe shumë veprave në të cilat flitet për qytetërimin, do të kuptojmë se në këta shekuj kishte një qytetërim të plotë dhe më të përsosur se të mëparshmit, që ishte qytetërimi islam, thotë Samiu. Këtë të vërtetë, sipas tij, e pranuan dijetarët objektivë evropianë duke u mbështetur te veprat e përkthyera të qytetërimit islam në gjuhën latine, e cila aso kohe ishte gjuhë shkencore e përgjithshme e evropianëve. Evropianët, pra, dëgjuan dhe mësuan për herë të parë për dijetarët antikë grek, për Platonin, Aristotelin, Ptolemeun etj. nga veprat e tyre të përkthyera në gjuhën arabe nga dijetarë islamë. Kjo, thotë Samiu, është një e vërtetë që është dëshmuar sot me anë të historisë dhe për këtë nuk mund të ketë ndonjë kundërshtim, dyshim a luhatje.
Sipas Sami Frashërit, këtij dijetari të madh, qytetërimi Islam ndryshe nga qytetërimet e tjera ka disa karakteristika të veçanta. Ai, sipas Samiut, nuk është ndërprerë asnjëherë; nuk është i kufizuar dhe i veçantë vetëm tek një popull a bashkësi dhe e treta, ai është përhapë menjëherë me lehtësi të madhe, pra duke mos kundërshtuar, duke mos sakrifikuar jetë dhe duke mos krijuar vështirësi e fatkeqësi, sepse mbështetet vazhdon Samiu; pikërisht në fenë Islame.
Për të treguar shkallën e qytetërimit islam në 8-9 shekujt e parë, Samiu në veprën “Qytetërimi islam” bënë fjalë për arritjet shkencore të myslimanëve në fusha të ndryshme shkencore: në astronomi, në shkencat matematikore, në gjeografi, në shkencat natyrore, në mjekësi, në filozofi, në jurisprudencë, në letërsi, në mjeshtëri dhe në zbulime të tjera. Këtu Samiu përmend me qindra emra që kanë dhënë kontributin e tyre në përparimin e disiplinave shkencore, sa duke shkruar vetë libra, aq duke përkthyer libra të dijetarëve antikë grekë, indianë, persianë etj., duke shpikur vegla e mjete të ndryshme që u shërbenin në punën e tyre shkencore në praktikë. Për shumë shpikje e zbulime shkencore Samiu thotë se dijetarët islamë janë të parët autorë, e për shumë të tjera thotë se i kanë përmirësuar ato të paraardhësve të tyre. [5]
[1] Thënia e Samiut për vete, ndonëse nuk e ka pasur zakon të flasë për vete: “Në qoftë se ka një punë me të cilën unë krenohem dhe për të cilën jam specializuar, ajo është përgatitja dhe hartimi i fjalorëve”, është shumë domethënëse. (Sipas A.S. Levend, Şemsettin Sami, Ankara, 1969, f. 81.)
[2] Për të parë e për t’u bindur se çfarë pune të madhe ka bërë Sami Frashëri në disiplina të ndryshme shkencore, kulturore etj., e udhëzoj lexuesin e nderura te vepra më e plotë deri më tash në gjuhën shqipe, e botuar me rastin e 100-vjetorit të vdekjes së autorit të saj: “Sami Frashëri, Vepra 00 – 20, Logos –A, Shkup, 2004.
[3] Shih gjerësisht për këtë: Mehdi Polisi, Sami Frashëri – njeriu që shkeli në shumë fusha të dijes, Filologji, nr. 14, Fakulteti i Filologjisë. Prishtinë, 2006
[4] Sami Frashëri, Qytetërimi Islam, mban numrin 13 të Serisë, Logos –A, Shkup, 2004. E përktheu nga osmanishtja në gjuhën shqipe Mehdi polisi.
[5] Një mendim të tillë e gjen sot në veprën enciklopedike me titullin Kleine Enziklopedie-Natur, Leipzig, 1961. (sipas H.Z. Bakiut, vepr. e cit. f. 161/2).