• FILLIMI
  • IMPRESUM
  • KONTAKTI
E enjte, 30 Mars 2023
Tradita | Shoqatë për kulturë dhe art

SHOQATA PËR KULTURË DHE ART “TRADITA”

  • FILLIMI
  • AKTUALE
    • ARSIM
    • KULTURË
    • OPINIONE
    • SPEKTËR
    • COVID-19
  • HISTORIKU
  • MANIFESTIME KULTURORE
  • VEPRIMTARIA SHKENCORE
  • BOTIMET E SHOQATËS
  • ÇMIMI KOMBËTAR “ALI VISHKO”
  • TRADITA PLUS
No Result
View All Result
Tradita | Shoqatë për kulturë dhe art
No Result
View All Result
Home Opinione

Gazetarët përballë politikanëve

18/01/2020
| Opinione, Shqipëri

Belina Budini | Se si gazetarët e paraqesin veten dhe punën e tyre, është e rëndësishme për të kuptuar si ata e konceptualizojnë rolin dhe profesionin. Aq më tepër, përballë politikanëve. Një nga mënyrat për të analizuar sesi gazetarët e shohin veten, është të shqyrtosh vetetiketimet e tyre dhe gjuhën që ata përdorin, duke iu referuar punës që bëjnë. Gjuha e figurshme dhe metaforat e qarkulluara në redaksitë e mediave janë prej kohësh objekt studimi në fushën e komunikimit dhe të mediave. Edhe pse mund të bashkëjetojnë konceptime profesionale të ndryshme ose të nuancuara, kërkimet zbulojnë se zakonisht qarkullojnë përshkrime të ngjashme dhe një mënyrë të foluri, pak a shumë e rutinizuar, në përshkrimet e mjediseve profesionale nga vetë gazetarët, kur këta i përkasin një konteksti të përbashkët lokal.

Gjetjet e këtij studimi konfirmojnë gjithashtu krijimin e një zhargoni të ngjashëm profesional kur flitet për gazetarinë dhe mediat nga vetë gazetarët e intervistuar. Me çfarë ndikimi? Kjo është pyetja që ngrihet në këtë kapitull, përgjigjja ndaj së cilës nuk është as e thjeshtë, as shteruese, por e domosdoshme për t’u shtruar si nevojë për të kuptuar sesi gjuha “kolektive” i ndërton realitetet, që edhe i paraqet. Kjo shërben më tej për të përftuar një perspektivë interpretuese në lidhje me fuqinë ndikuese që kanë vetë rrëfimet profesionale nga ana e gazetarëve në perceptimin për veten dhe politikanët përballë.

Gjuha negative si “mënyrë të thëni”

Vetë gazetarët, kur flasin për mediat dhe politikën, i përshkruajnë marrëdhëniet mes tyre, duke qarkulluar një fjalor të përbashkët, ku mbizotërojnë terma ose mënyra të thëni, të cilat tingëllojnë si stereotipe, të tilla si “shitblerje”, “përdorje”, “sahanlëpirje”, “shërbestari”, “rreshtim”, “klientelizëm”, “militantizëm”, “frustrim”, “intimidim”, “shantazh”, “inkriminim”, “trafik interesash” etj. Po kështu, në adresë të vetë gazetarëve, për sa u përket marrëdhënieve të deformuara me politikanët, termat që ata përdorim më shpesh janë “gazetarë oborri”, “militantë”, “të rreshtuar”, “aksesorë të politikës”, “servilë”, “kazanë”, “kadrinj”, “shërbyes”, “sahanlëpirës”, “shantazues”, “të shantazhuar”, “të frustruar”, “të shitur”, “të kapur”, “të papërgjegjshëm”, “të kompromentuar”, “të varur”, “të përdorur”, “të korruptuar” etj.  Një pjesë e mirë e këtyre termave përdoren edhe për politikanët ose nga politikanët, por duke qenë se ata nuk janë drejtpërdrejt objekt studimi, nuk janë marrë në shqyrtim, si të mëvetësishme, vetëm aty ku kryqëzohen me të folmet e vetë gazetarëve. Po kështu, mjaft prej këtyre emërtimeve janë pjesë e ligjërimit publik në tërësi mbi gazetarët dhe po ashtu edhe politikanët, por ky studim ndalet vetëm te të folmet e vetë gazetarëve, ndaj etiketimet e mësipërme dhe të gjitha gjetjet e tjera në vijim janë nxjerrë direkt nga intervistat që kam zhvilluar me ta gjatë viteve 2017, 2018 dhe 2019. Mirëpo, në rastet kur të intervistuarit janë ish-gazetarë që kanë kaluar në politikë ose anasjelltas, perspektivat nuk mund të thuhet që janë vetëm mediatike.

Ashtu sikurse nuk mund të thuhet se ligjërimi gazetaresk është i pandikuar nga ligjërimi i politikanëve për mediat dhe gazetarët. Për nga simetria e ndërtuar mes medias dhe politikës, bëhet shpesh e vështirë të dallosh zërin e gazetarit nga ai i politikanit, si kur flitet për mediat, ashtu edhe kur flitet për politikën, prej tyre. Kërkimet sociologjike dhe me natyrë etnografike mbi gazetarinë e ushtruar si profesion, i identifikojnë gazetarët si ekspertë intuitivë, si profesionistë që funksionojnë gati-gati në të pavetëdijshmen e tyre, në mënyrë automatike, të natyrshme, instiktive. Ata shpesh shfaqen, pra, si praktikues reaktivë, në kuptimin që ata reagojnë dhe veprojnë intuitivisht në bazë të përvojës së tyre. Reflektimi mbi punën që bëjnë nuk ndahet nga e përditshmja e tyre aktive dhe është përgjithësisht reflektim në veprim, rrallëherë reflektim mbi veprimin. Kjo do të thotë që gazetarët, edhe kur rrëfejnë për profesionin dhe punën e tyre, e bëjnë këtë në kontekstin aktiv të ushtrimit të profesionit prej tyre, të përfshirë dhe të angazhuar në rol.

Gjuha negative si “mënyrë të thëni” bëhet kësisoj një shprehje thuajse organike e rolit dhe pozicionit të tyre në mjedisin profesional, sigurisht me dallime për sa i përket përvojës dhe botëkuptimit të gjithsecilit. Pozicionet prej nga flasin gazetarët e intervistuar janë kësisoj të ndryshme, jo vetëm për sa i përket distancës së tyre nga pushteti apo aktorët e politikës, por edhe në lidhje me vendin e tyre në tregun e mediave, trajektoren e tyre profesionale, si edhe orientimet apo kredot e tyre profesionale. Këto elemente identitare pritet që të interferojnë natyrshëm në ligjërimin e tyre të ditës, si një mënyrë për të legjitimuar rolet e tyre profesionale në vazhdimësi. Intensiteti i gjuhës negative të përdorur ose frekuenca e etiketimeve negative, që nuk është e njëjtë në të gjitha rastet, mund të shihen të lidhura, pikërisht me këta faktorë të mjedisit profesional dhe raportet e tyre me qendrën e pushtetit. Duke qenë se gazetarët e kanë përgjithësisht të parehatshëm pozicionin e reflektimit mbi punën e tyre në drejtim të vlerave dhe normave profesionale, por edhe praktikave të punës së tyre si edhe marrëdhënieve apo kodeve të tyre profesionale, kjo ishte një vështirësi e parë në intervistimin e gazetarëve. Pyetjet e natyrës studimore në lidhje me praktikat gazetareske nuk kanë qenë të mirëpritura në të gjitha rastet dhe ka pasur gazetarë që nuk kanë arritur t’u përgjigjen atyre, ose kanë preferuar t’i konsumojnë në formën e bisedës më tepër sesa në formë të shkruar.

Në fakt, atëherë kur ndodh reflektimi profesional, etik dhe praktik, konsiderohet mjaft i vlefshëm dhe jo vetëm për të kuptuar pikëpamjet e gazetarëve për mjedisin social, kulturor dhe profesional ku bëjnë pjesë. Këto ligjërime, bashkë me praktikat e tyre gjuhësore të rutinizuara, shërbejnë për të kuptuar dhe analizuar sesi ata i prodhojnë dhe i riprodhojnë identitetet e tyre përmes gjuhës që përdorin, si e njohin veten dhe si e ndërtojnë atë jo vetëm përballë politikanëve, por edhe në raport me kolegët e tjerë gazetarë, përballë aktorëve të tjerë publikë, ashtu edhe publikut të tyre. Ky konceptualizim shihet si përcaktues mandej edhe i llojit të informacionit që serviret prej tyre në media.

Gjuha normative si artikulim i rrallë

Megjithëse reflektimi me natyrë normative ose etike nuk është i rehatshëm për gazetarët, intervistat me ta janë përqendruar, pikërisht në këtë lloj diskutimi, me qëllim identifikimin e normave, parimeve apo vlerave profesionale që ata besojnë se karakterizojnë punën e tyre. Është insistuar gjatë intervistimit për të nxjerrë termat normativë ose profesionalë, që përdorin gazetarët duke iu referuar punës dhe rolit të tyre përballë politikanëve, mirëpo ky regjistër verbal, le ta quajmë “konstruktiv”, është ndjeshëm më i varfër, në raport me larmishmërinë e etiketimeve ose gjuhës “negative” të përdorur. Termat pozitivë, zakonisht, dolën gjatë kërkesës për to, në kuptimin si duhet të jetë gazetari, pra, si norma të përgjithshme të profesionit, sesa si manifestime të asaj që gazetarët bëjnë në praktikë. Disa nga emërtimet më konstruktive të përdorura në lidhje me ushtrimin e këtyre cilësive nga ana e gazetarëve përkundrejt politikanëve janë: “interes publik”, “neutralitet”, “objektivitet”, “vetëpërmbajtje”, “kërkim llogarie”, “pavarësi”, “besueshmëri”, “liri e shprehjes” etj. Një pjesë e mirë e cilësimeve pozitive janë përmendur teorikisht prej tyre, si mospërputhje me konstatimet e praktikave profesionale në mediat ku ata bëjnë pjesë ose mediave shqiptare në tërësi. Në pak raste, termat e përdorur i referohen aplikimit të këtyre parimeve nga ana e gazetarëve në kontekstin e vendit tonë dhe ku gazetarët pranojnë se dalin edhe në role të tilla si “monitorues”, “vëzhgues”, “informues”, “investigues”, “intelektualë”, “në shërbim të publikut”, “të paanshëm”, “lëvizës të gjërave”, “profesionalë”, “objektivë”, “konstruktivë” etj. Nga ana tjetër, janë edhe më të rralla kuptimet alternative pozitive për rolin e gazetarit, duke qenë se në fare pak raste ata përmenden në role të tilla si “rrëfyes të ngjarjeve”, “dëshmitarë”, “pjesëmarrës”, “të angazhuar në kauza publike”, “protagonistë”, “autoritete të mendimit” apo “udhëheqës vlerash” ose “lider shpirtëror” etj.

Në të kundërt, gjuha radikale është mjaft më e pranishme në intervistat e marra, ndërsa brenda një interviste të vetme, mund të numërohen deri në 30 cilësime denigruese në adresë të mediave dhe gazetarëve në përgjithësi dhe për sa i përket rolit që ata luajnë përkundrejt politikanëve në veçanti. Duke qenë se, sikurse u theksua në krye të këtij kapitulli, gjuha jo vetëm paraqet, por edhe ndërton, përshkrimet e mësipërme të nxjerra nga rrëfimet profesionale të gazetarëve, përbëjnë jo thjesht një perspektivë normative, por edhe një kornizë vepruese për sa i përket shpërndarjes, zgjerimit, qarkullimit dhe ngulitjes së këtyre termave ose “mënyrash të thëni” në ligjërimin publik si edhe në komunitetin profesional të gazetarëve, me të cilët protagonistët e intervistuar këtu kanë raporte të përditshme pune si edhe rol ndikues mbi ta. Për më tepër, “mënyrat e të thënit” ose të folmet profesionale shihen edhe si konceptualizime të brendësuara, të cilat përcaktojnë praktikat profesionale, në rastin konkret qasjen profesionale të gazetarëve në redaksi, por edhe në tregun e mediave në raport me konkurrencën, si edhe përkundrejt politikanëve dhe aktorëve të tjerë publikë.  Edhe pse efektet e këtij ligjërimi meritojnë të maten dhe studiohen më vete, nisur nga formulimi, shpeshtia, mbizotërimi dhe përshkallëzimi i gjuhës negativizuese ose kritike të përdorur gjatë rrëfimeve profesionale të gazetarëve, rezulton qartazi një tablo përshkruese denoncuese dhe akuzatore jo vetëm në lidhje me raportet gazetar-politikan, por edhe sa u përket praktikave gazetareske në tërësi, në kontekstin shqiptar. Nuancimi i gjuhës pothuajse mungon, gjë që jep një pamje uniforme të zhvillimeve profesionale në media, shpesh pa ofruar alternativë ose opsione për daljen nga kriza.

Identitete në krizë artikulimi

Kontradiktat e identitetit profesional, të cilat karakterizojnë gazetarët e intervistuar, ashtu si edhe komunitetin e gazetarëve në përgjithësi, për sa u përket roleve ose pozicioneve të tyre përballë politikanëve, përbëjnë një vështirësi tjetër në artikulimin e tyre publik. Koncepti për identitetin në pikëpamjen sociologjike bazohet pikërisht te negocimi i identitetit vetjak dhe profesional gjatë përballjes me të tjerët, gjatë ndërveprimit me ta, pra, konsiderohet si i bashkëkrijuar dhe jo i njëanshëm. Bëhet kësisoj e vështirë të dallosh zërin e pastër të gazetarit kur është fjala për vetë identitetin e tij profesional, rolin dhe vendin që i njeh vetes, aspekte këto që mbeten në negocim të vazhdueshëm dhe shpesh shfaqen kontradiktore, në varësi të pozicionit të tij në raport me qendrën e pushtetit.

Kuptohet që identitetet profesionale të gazetarëve sot, ashtu si edhe ato individuale, mbeten të hapura, në krijim të vazhdueshëm, dhe mënyra sesi flitet për to është pjesë e këtij krijimi dhe vijueshmërie. Në pikëpamje sociologjike, identitetet profesionale dhe vetjake shihen si të ndërtuara subjektivisht, pa një esencë të lindur, jo si të unifikuara dhe as si të përjetshme. Kësisoj, vetë gazetarët e kanë të vështirë të ndërtojnë një narrativë përfundimtare, koherente dhe të sigurt në lidhje me atë se kush janë në raport me politikanët, por, sidomos, në raport me kohët që ndryshojnë me shpejtësi. Atyre u duhet të veshin identitete të ndryshme në kohë të ndryshme, të cilat nuk janë detyrimisht as të integruara dhe as të përhershme. Nuk përjashtohet as mundësia e identiteteve të shumëfishta, si në rastin kur gazetarët janë njëkohësisht edhe politikanë, ose edhe kryejnë funksione të tjera të lidhura me strukturat politike ose të PR-it politik. Identitete të tilla kontradiktore ose përplotësuese nuk janë të thjesht për t’u artikuluar dhe paraqiten mjaft komplekse për t’u vlerësuar dhe interpretuar. Kjo ka qenë një vështirësi reale për gazetarët e intervistuar, që u janë përgjigjur pyetjeve mbi këto aspekte, si dhe për ata që nuk kanë arritur dot t’u përgjigjen.

Disa prej gazetarëve të intervistuar kanë qenë ose janë si protagonistë të politikës, ashtu edhe të mediave, dhe nga ky kënd ndërtojnë perspektivën e tyre normative në lidhje me profesionin e gazetarit, ashtu si edhe kuptimet e tyre për rolin e gazetarit përballë politikanit. Një pjesë tjetër e gazetarëve të intervistuar kanë shfaqur kritikat e tyre të hapura ndaj perspektivës së ushtrimit të njëkohshëm të të dyja roleve, si një pamundësi, por edhe asaj të rikthimit në media pas kalimit nga politika. Megjithëse raste të tilla kanë qenë të rralla, ato përbëjnë një zhvillim që mund të kërkojë trajtim më të hollësishëm sesa në hapësirën e këtij libri. Për qëllimet e kufizuara me këtë studim, ata janë intervistuar nisur më tepër nga rolet e tyre mediatike sesa ato politike, pavarësisht se identitetet e tyre janë të dyfishta dhe ngërthejnë shpesh tension të brendshëm.

Distanca me politikën dhe politikanët nuk është, pra, e njëjtë në të gjitha rastet, por jo vetëm kur ata i kanë ushtruar të dyja funksionet botërisht. Duke qenë se, sikurse u theksua më lart, trajektoret profesionale nuk janë lineare, përvojat e të intervistuarve janë nga më të ndryshmet jo vetëm për sa i përket pikëtakimit me politikën dhe distancën nga pushteti, por edhe në drejtim të vetë këndvështrimeve të tyre profesionale, që mund të kenë ndryshuar dhe mund të ndryshojnë me kalimin e kohës. Ajo që bie në sy është se, pavarësisht pozicioneve të ndryshme si gazetarë, publicistë, analistë, moderatorë, editorialistë, gazetarë-pronarë, drejtues, kryeredaktorë, botues apo gazetarë-politikanë, ligjërimet e tyre shfaqen të përafërta, duke qarkulluar pothuajse të njëjtat etiketime, sidomos kur intervistat janë të folura dhe kur lehtësia e artikulimit është më e madhe. Në pak raste mund të evidentohen dallime ligjërimore, që mund të jenë të lidhura me aspektet identitare të të intervistuarve. Prirja e përgjithshme është një gjuhë pak a shumë e unifikuar, që duket se lidhet edhe me një tablo të përafërt konceptuale rreth pritshmërive ndaj mediave, gjendjen e tyre, si edhe shkaqet për këtë gjendje.

Mbeten, nga ana tjetër, pothuajse të paartikuluara prej gazetarëve të intervistuar, një sërë rolesh të reja, megjithëse pranohet se kanë hyrë tanimë në mjedisin e media-politikës, të tilla si: roli i këshilltarit, ekspertit të PR-it, shkruesit të fjalimeve politike, gazetarit të angazhuar. Po kështu, nuk janë të shpeshta rastet e identifikimit me role të tjera më tradicionale si ai i polemistit, editorialistit, gazetarit-intelektual, gazetarit-ekspert, pamfletistit, gazetarit-pundit ose të brendshëm në politikë. Edhe pse ka nga të intervistuarit që janë parë ose janë aktualisht në role të tilla, pak prej tyre iu referohen atyre si role identifikuese për ta. Janë të rralla gjithashtu referencat në lidhje me rolet më të fundit që lidhen me zhvillimet e mediave të reja dhe portaleve si gazetari-tabloid, karikaturisti, bloger-i apo gazetari-multimedial. Disa nga të intervistuarit i shohin ato si “shpëtimtare” për “mjedisin e infektuar të mediave tradicionale”, por nuk duket se preferojnë të identifikohen me këto role…

(Pjesë nga libri Ndikuesit, UET PRESS)/Gazeta Liberale


Publikimi i mëparshëm

Borxhet shkaktojnë shumë stres / Amsterdami i merr përsipër borxhet e rinisë

Publikimi i radhës

Vetëm Lasgush Poradeci do ta mirëkuptonte / Aktori Liçaj: “Ende jetojë me qera”

Publikimi i radhës

Vetëm Lasgush Poradeci do ta mirëkuptonte / Aktori Liçaj: "Ende jetojë me qera"

Emetimi

EDICIONI IX I MANIFESTIMIT KULTUROR ''LIDHJA NA BASHKON

EDICIONI IX I MANIFESTIMIT KULTUROR ''LIDHJA NA BASHKON

00:03:31

Promovohet revista për letërsi, art dhe kulturë “Metafora”

00:04:02

EDICIONI VIII I MANIFESTIMIT KULTUROR “LIDHJA NA BASHKON”

00:03:00

Shoqata “Tradita” e organizoi Edicionin V të manifestimit letrar ndërkombëtar “Shtigje poetike”

00:01:29

Shoqata “Tradita” e organizoi Edicionin VII të manifestimit kulturor “Lidhja na bashkon”

00:02:38

MANIFESTIMI LETRAR ''SHTIGJE POETIKE'' – EDICIONI II

00:01:13

ORË LETRARE PËR 80 VJETORIN E ISMAIL KADARESË

00:02:49

KONFERENCË SHKENCORE KUSHTUAR PROF. DR. ALI VISHKOS

00:04:25

Tradita.org – është portal i Shoqatës për kulturë dhe art “Tradita”. Funksionon si platformë multimediale dhe angazhohet për  promovimin e arsimit, shkencës, kulturës dhe artit.

Tradita.org – është edhe adresë e debatit të lirë, e zërit kritik dhe e ballafaqimit të mendimeve dhe të ideve përparimtare.


  • FILLIMI
  • IMPRESUM
  • KONTAKTI

2012-2022 © Shoqata për kulturë dhe art “Tradita” / Powered by Optimus Solutions / Privacy Policy.

No Result
View All Result
  • FILLIMI
  • AKTUALE
    • ARSIM
    • KULTURË
    • OPINIONE
    • SPEKTËR
    • COVID-19
  • HISTORIKU
  • MANIFESTIME KULTURORE
  • VEPRIMTARIA SHKENCORE
  • BOTIMET E SHOQATËS
  • ÇMIMI KOMBËTAR “ALI VISHKO”
  • TRADITA PLUS

2012-2022 © Shoqata për kulturë dhe art “Tradita” / Powered by Optimus Solutions / Privacy Policy.

Mos kopjoni tekst!