Xhelal Zejneli | Harabati Baba, si çdo tempull i këtij lloji, është një ndërtesë e posaçme në të cilën kanë jetuar dhe jetojnë dervishët e sektit bektashi nën drejtimin e një babai. Në të janë kryer dhe vazhdojnë të kryhen ceremonitë fetare të bektashinjve.
Teqe kanë edhe sektet e tjera, si halveti, saadi, rufai, nadiri etj., që drejtohen nga një sheh. Teqeja e parë në trojet shqiptare u ndërtua në malin e Krujës dhe mban emrin Teqeja e Sarisalltikut.
Krahas përhapjes së bektashizmit në Shqipëri, ngritën mjaft teqe, si në Krujë, në Gjirokastër, në Rrafshin e Dukagjinit, në krahinën e Dibrës etj. Evlija Çelebi ishte funksionar i lartë i oborrit të sulltanit, me detyrën nazir, d.m.th. inspektor. Jetoi në shekulli XVII. Shqipërinë, bashkë me Kosovën, e vizitoi dy herë – më 1662 dhe më 1670. Sipas tij, në Elbasan kishte 11 teqe; në Delvinë, në Gjirokastër, në Berat, në Vlorë nga tri teqe; në Kavajë e në Peqin nga dy teqe; në Përmet, në Roshnik të Beratit, në Kaninë të Vlorës, në Pogradec dhe në Starovë nga një teqe. Sipas tij, teqe kishte edhe në Kosovë: 20 teqe në Shkup, një në Vuçitërn, një në Kaçanik. Sipas Profesor Ali Vishkos, në Tetovë ka pasur 10 teqe. Teqe ka pasur edhe në Kumanovë.
Në fillim të shekullit XX në Shqipëri kishte rreth 260 teqe. Numri i teqeve ishte më i madh në Shqipërinë e Mesme dhe të Jugut, ku gjatë islamizimit mori përhapje të gjerë bektashizmi.
Arkitektura e teqeve ka veçori artistike she forma origjinale. Lulëzimin më të madh arkitektura e teqeve e pati në shekujt XVII-XVIII, për shkak të kërkesës së mjedisit shoqëror, i cili me praninë e tyre, siguronte organizimin social bashkë me atë fetar.
Teqetë nuk kanë tipologji të njësuar. Përgjithësisht paraqiten solide, të thjeshta në ndërtim dhe ngjajnë me banesat popullore të mjediseve urban, fshatare apo qytetare, ku janë ngritur. Në rrafshin funksional, teqetë përmbajnë kërkesat kanonike të secilit urdhër mistik, duke pasur pa përjashtim sallën e faljes të emërtuar Mejdan. Në murin fundor të orientuar nga Meka, ndodhet Mihrabi, si kërkesë e detyrueshme për çdo faltore islame.
Sipas kërkesave specifike, secili sekt e organizon brendinë e teqesë, me praninë ose jo, të Mafilit. Në veçanti, teqetë e sektit halveti kanë pranë Mejdanit edhe qelinë e vetmisë.
Në shumicën e teqeve ka qiparisa të mëdhenj. Disa teqe shquhen edhe për vlera artistike, si për shembull Teqeja e Halvetinjve në Berat, Teqeja e Frashërit, e Backës, e Dollmës në Krujë, Teqeja e Zallit në Gjirokastër, etj. Disa teqe në Shqipëri janë shpallur monumente kulture dhe janë vënë nën mbrojtjen e shtetit.
Gjithmonë në teqe ndodhet varri i themeluesit, si dëshmi e fillesës së saj.
Gjatë periudhës së Rilindjes Kombëtare, teqetë e bektashinjve, sidomos ato të Frashërit, Dibrës, Krujës, Elbasanit, të Rrafshit të Dukagjinit etj., u bënë strehë për forcat kryengritëse shqiptare dhe vatra për përhapjen e mësimit të shkrimit shqip.
* * *
Strehë e forcave kryengritëse shqiptare ishte edhe teqeja Harabati-Baba e Tetovës. Ajo ishte njëherazi edhe vatër e rëndësishme e mësimit të shkrimit shqip.
Teqeja Harabati-Baba e Tetovës nisi të ndërtohet nga Sersem Ali Dede më 1538 dhe përfundoi më 1548. Është një teqe komplekse, me një arkitekturë madhështore dhe mbresëlënëse. Ajo përbën një margaritar të arkitekturës shqiptare dhe ballkanike të ndërtimeve të kultit islam.
Ajo që u intereson më së shumti turistëve është historia e teqesë dhe arkitektura e saj. Teqeja Harabati-Baba përbëhet: nga faltorja, nga shtëpia ose konaku veror, nga selamllëku d.m.th dhoma e pritjes, nga qoshku veror, nga shatërvani i teqesë, nga shtëpia dimërore me objektet e tjera siç janë: faltorja e vogël, mauzoleu e cila është një godinë e mbuluar, me varret e udhërrëfyesve të teqesë, kuzhina e vogël, varri apo kabri i baba Mehmet Harabatit i rrethuar me shufra hekuri, restoranti, furra, hambarët, çezmat, varrezat e teqesë dhe kulla e rojeve e cila ndodhet mbi hyrjen kryesore.
Teqeja Harabati-Baba ka katër porta në të cilat ka shkrime dhe figura të gdhendura, të cilat simbolizojnë elemente nga doktrina bektashiane.
Objektet që përbëjnë kompleksin madhështor të teqesë Harabati-Baba, janë integruar në një tërësi unike dhe me veçoritë e veta, e plotësojnë njëri-tjetrin.
Harmonia në kompozimin e detajeve dhe shumë cilësi të tjera, teqesë Harabati-Baba i japin vlera të veçanta artistike.
* * *
Teqeja Harabati-Baba, vizitohet nga shumë turistë të vendit dhe të huaj. Në raste të caktuara, teqeja është vizituar edhe nga nxënës të shkollave fillore si dhe nga ata të arsimit të mesëm. Ka raste kur nxënës dhe studentë hartojnë punime seminarike për këtë tempull të bektashizmit.
Me përmasat që ka, me vjetërsinë e vet dhe me objektet që përmban, ajo është një prej begative më të mëdha të qytetit rrëzë Sharrit. Ajo ka një rëndësi dhe vlerë kulturore historike të jashtëzakonshme, jo vetëm për rajonin e Pollogut, por edhe më gjerë, d.m.th. në shkallë kombi. Sipas disa pohimeve, Teqeja Harabati-Baba është prej komplekseve arkitekturore më të bukura të bektashizmit, në rajonin e Ballkanit. Mirëpo, ky kompleks i sipërthënë, nuk është nën përkujdesjen e duhur të organeve kompetenten të pushtetit vendor, por as edhe të pushtetit qendror. Për fat të keq, edhe shoqëria në përgjithësi, nuk është sa duhet e ndërgjegjshme për fatin e teqesë së Tetovës. Një kompleks monumental si ky, nuk do të mund t’i bëjë ballë dhëmbit të kohës, pa përkujdesjen e institucioneve shtetërore dhe pa angazhimin e mbarë shoqërisë.
Teqeja Harabati-Baba kërkon investime financiare të rregullta për mirëmbajtjen e saj. Këto investime mund të vijnë nga organet e pushtetit vendor, të pushtetit qendror si dhe nga donatorët.
Tërësia dhe pacenueshmëria e kompleksit arkitekturor të Teqesë Harabati-Baba duhet të mbrohet me ligj. Për vlerat dhe rëndësinë kulturore historike si dhe për bukurinë e jashtëzakonshme, ajo duhet të jetë në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s.
Teqeja e Harabati-Baba duhet të shndërrohet në destinacion turistik të organizuar. Sot, nuk figuron e tillë. Edhe aty ku figuron si destinacion turistik, për të jepen të dhëna të pasakta dhe të njëanshme. Një gjë duhet të dihet me saktësi: Teqeja Harabati-Baba i takon periudhës osmane, por në të kanë zhvilluar veprimtari fetare, kulturore, sociale dhe kombëtare klerikët shqiptarë të sektit bektashian. Këtë e dëshmon në mënyrë të argumentuar edhe Profesor Ali Vishkoja në monografinë e tij për Teqenë Harabati-Baba.
Me Kalanë, me Teqenë Harabati-Baba dhe me Kodrën e Diellit, Tetova do të shndërrohej në qytet tërheqës për turistët e huaj dhe ata vendas. Themelimi i një muzeu bashkëkohor të qytetit është imperativ i kohës. Mali Sharr me bukuritë e veta bën të mundur zhvillimin e turizmit malor, ndërkaq ndërlidhja e turizmit malor me atë urban, do ta shndërronte Pollogun në zonë turistike atraktive.
Për të qenë një destinacion turistik i mirëfilltë, për këtë duhet të tregojnë interesim organet kompetente shtetërore si dhe organizmat e shoqërisë.