Nga Veton Surroi | Etika e normalitetit të Zanës e Agronit ka fatin e njëjtë si gjuha seke:
ende jeton, sepse jeton në rrëfime
1.
Seke. Është gjuhë që flitet në pesë fshatra të Nepalit, në kufi me Tajlandën. Dikur jetonin prej
mollëve, rritjes e shitjes së tyre, por disa stinë ngricash ua vështirësuan jetesën dhe filluan të
zdirgjen drejt viseve ku mund të gjallonin më lehtë. Janë 700 njerëz që e flasin këtë gjuhë në tërë
botën. Prej tyre 100 janë në New York dhe nga këta njëqind gjysma jetojnë në një ndërtesë
apartamentesh në Brooklyn. Përderisa jetonin në Nepal, qenë të ndikuar nga gjuhët e tjera,
përfshirë edhe atë hindu që vinte nga filmat e Bollywoodit. Tash përpiqen të gjejnë mënyrë për
ruajtjen e gjuhës së tyre nga rreziku shumë më i madh, shkrirja në anglishten e imigrantëve
amerikanë. Mënyra e zakonshme është brendia e shtëpisë. Ajo duhet t’i ngjasojë sa më shumë
asaj të lënë pas – duke përfshirë edhe adetet e zakonet e mënyrës se kur e kush ulet, si
përshëndeten mysafirët. E bëjnë të gjithë, përfshirë shqiptarët, të cilët i ruajnë aq me zell doket
dhe zakonet e fshatrave e qyteteve prej nga kanë ardhur saqë në ato fshatra e qytete këto
konsiderohen anakronike. Dhe mënyra e zakonshme brenda shtëpisë, pos kësaj kujtese pamore,
është kujtesa e rrëfimit. Seke përpiqen të ruajnë kujtesën, e kështu edhe gjuhën, nëpërmjet
rrëfimeve për të kaluarën që lanë pas. Në këtë përpjekje shohin se janë duke harruar fjalët,
posaçërisht ato që nuk përdoren shumë, si për shembull “shpirti”. Në këtë botë e kohë, në këtë
përditshmëri, thotë njëra prej anëtareve të fisit që jeton në Brooklyn, kush flet për shpirtin e
njeriut?
2.
E lexoj këtë artikull në “New York Times” një ditë pasi që vizitova kushërinjtë e mi në Amerikë.
Dje u pamë në banesën e re të Zanës dhe Agronit, në New Jersey. Në dhomën e ndenjës kishin
panoramë spektakolare të New Yorkut dhe pishinë e palestër sportive në kompleksin e
apartamentit. Qenë larguar nga apartamenti në Manhattan ku i kisha vizituar më herët; që të dy
apartamentet të blerë me mundin e një jete të filluar përsëri në Amerikë. Për Zanën, fjala
“përsëri” nuk ishte metaforike: i rifilloi studimet e mjekësisë nga e para, ani pse kur ishte larguar
prej Kosovës ishte doktor shkencash, ndër më të rinjtë në nivel të ish-Jugosllavisë. Me një
kombinim të vullnetit të hekurt dhe buzëqeshjes së përhershme në buzë përgjatë tridhjetë vjetëve
të fundit arriti të bëhej ndër mjeket më të spikatura të fushës së saj në këtë breg të Amerikës.
Biseda rrodhi disi natyrshëm drejt te e kaluara, rirrëfime të asaj që mbajmë mend si e kaluar e
përbashkët familjare. Në këta gati tridhjetë vjet, prejse kam kushërinj në Amerikë, kam parë se si
kanë bartur jetën e tyre urbane prej Prishtinës në jetën urbane të New Yorkut. Dhe, si çdoherë,
kam dëgjuar e kam marrë pjesë në ritualin e mbajtjes gjallë të kujtesës e gjuhës. Për këta tridhjetë
vjet nuk ka ndodhur që t’u ketë munguar ndonjë fjalë shqipe për ta rrëfyer të kaluarën; u mungon
ndonjëherë për të shprehur të tanishmen (si p.sh. “ne në Amerikë i themi kësaj kështu”) apo të
ardhmen. Nuk ekziston, pra ngjashmëria me rastin “shpirti” te folësit e Sekes. Kushërinjtë e mi
mbajnë aq të gjallë kujtesën për të kaluarën sa ruajnë edhe fjalë që nuk hyjnë në përdorim të
përditshëm si “shpirti”.
3.
Këtu puqen rrugët e banorëve Seke të Brooklynit dhe kushërinjve të mi në New Jersey. Puqen,
sepse që të dy ruajnë me gjuhën e tyre edhe rrëfimet e së kaluarës një veçanti identitare.
Nepalezët seke janë në luftë ekzistenciale për mbrojtjen nga zhdukja gjuhësore. Kushërinjtë e mi
ruajnë diçka që ata nuk shohin, por kanë ngrirë në kohë. Ata ruajnë gjysmën e suksesshme të
shekullit XX për shqiptarët e Kosovës. E kanë brenda idenë se është pjesë e etikës së shqiptarit të
Kosovës që të arsimohet, me gjithë pengesat që mund t’i bëjnë rrethanat e jashtme (shteti,
politika, represioni). E kanë brenda idenë se është pjesë e etikës që nëpërmjet shkollës e punës të
krijohet prosperiteti bazik (apartament, mobile, një pushim veror) dhe perspektiva për fëmijët. E
perspektiva për fëmijët është që të kenë kujdes familjar, dashuri dhe mundësi që të shkollohen e
të krijojnë perspektivë për punë. Në vitet shtatëdhjetë të shekullit të kaluar, kur Zana e Agroni
krijonin familje, suksese në punë dhe ndjenjën e perspektivës, kjo gjendje quhej model
normaliteti (e në sociologji Max Weber do ta quante etikë protestante të punës).
4.
Gjuha seke do ta ketë vështirë të mbijetojë. Por çdo gjuhëtar e sociolinguist i interesuar mund të
shkojë në Brooklyn dhe të merret me këtë fenomen. Etika e normalitetit të Zanës e Agronit ka
fatin e njëjtë si gjuha seke: ende jeton, sepse jeton në rrëfime. Mund ta ketë edhe fatin tjetër, që
të ringjallet, jo vetëm nëpërmjet rrëfimeve, por nëpërmjet një shoqërie që e aspiron këtë
“normalitet”.