Shoqata për kulturë dhe art “Tradita”, më 19 prill 2018, e shënoi 90 – vjetorin e lindjes së shkrimtarit të shquar të letërsisë shqiptare, Murat Isaku. Ky aktivitet u mbajt në amfiteatrin e Fakultetit të Arteve të Universitetit të Tetovës dhe në të morën pjesë profesorë të UT-së, drejtues të institucioneve kulturore –artistike nga qyteti i Tetovës dhe jo vetëm, dashamirë të artit dhe kulturës, nxënës, studentë dhe personalitete të njohura nga jeta publike në vend.
Në këtë ngjarje kulturore u tha se kudo në botën e qytetëruar, shenja e parë e modernitetit është vetëdija për krijimin individual, qoftë ajo e artikuluar në vepra letrare apo në vepra kritike. Në fillim të shekullit të kaluar, këtë vetëdije e artikuluan poetët dhe shkrimtarët e njohur të letërsisë shqipe dhe në mesin e tyre edhe Murat Isaku, nismëtari i letërsisë bashkëkohore në vendin tonë.
Shënimin e përvjetorit të Murat Isakut e shpalli të hapur kryetari i Shoqatës për kulturë dhe art “Tradita”, Selam Sulejmani, i cili deklaroi se përmes veprës, Murat Isaku ka dhënë shembullin – modelin e shkrimtarit që luan rol të drejtpërdrejtë në shoqëri, në zhvillimet e përgjithshme, sikundër këto ngjarje do të ndikojnë pastaj edhe mbi krijimtarinë e tij.
“Siç ndodh me çdo krijues të realizuar, shkrimtar të suksesshëm, edhe Murat Isaku, përtej rolit jetësor, ndikimin më efektiv dhe më afatgjatë, e realizoi me anën të artikulimit të ideve në veprën letrare. Ishte i vetëdijshëm se të jesh shkrimtar shqiptar, domethënë, njëkohësisht të punoje se ç’të reja mund të ofroje në letërsinë e vendit, si dhe të dije të vlerësoje potencialin e jashtëzakonshëm të mjedisit shqiptar në një situatë të caktuar, ku gjithçka mund të kthehej në materie letrare, që nga dramat individuale e kolektive, deri tek energjia e çuditshme e krijuesit dhe te larmia e saj e jashtëzakonshme. Ai shkroi për dashurinë që ruan baraspeshën brenda qenies njerëzore, për qëndresën që nëpërmjet letërsisë të ruhet identiteti kombëtar, kulturor e gjuhësor, e trajtoi temën e burgut, ku të burgosurit politikë shqiptarë dënoheshin pa pikë faji dhe një vend të rëndësishëm në opusin e tij krijues ia kushtoi tokës, vendlindjes dhe familjes”, tha në fjalën e tij, Selam Sulejmani. Referatin për jetën dhe veprën e shkrimtarit e paraqiti profesori i letërsisë shqiptare, Doc. Dr. Salajdin Salihu, i cili theksoi se nëpërmjet gjuhës, fjalës, Murat Isaku krijoi një kështjellë monumentale artistike, të ëndërrt e flatërore, duke përdorur shajni e makthe, hije e delire, dhembje dhe zhgënjime, tragjikë e groteskë. “Të flasësh, pra, për një poet është sikur të luash rolin e Hermesit, këtij deshifruesi të kodeve hyjnore nëpërmjet gjuhës njerëzore. Është sikurse të tentosh me gjuhën e zakonshme të flasësh për librin e depozituar në qiell. Unë po flas për poezinë e Murat Isakut nëpërmjet gjuhës së ftohtë të shkencës. Kur flasim me këtë gjuhë përherë i hyjmë në hak veprës letrare. Nëpërmjet gjuhës së ftohtë të shkencës, nëse i referohemi Hajdegerit, nuk mund të arrijmë deri tek qenia. Atje na çon gjuha simbolike. Gjuha e zakonshme është e pamjaftueshme teksa flet për poetin, të cilit do t’i shkonte thënia e një personazhi të Shekspirit: “Unë jam ai që nuk jam”. Prandaj besoj fuqimisht se duhet lexuar sa më shumë krijimtaria letrare e Murat Isakut. Duhet lexuar e shijuar, duhet shijuar dhe afirmuar, sepse Murat Isaku është botë e veçantë dhe gjithmonë është gjetkë… Ai është më shumë se Ai. Murat Isaku krijoi një vepër të thellë e shumëdimensionale, të hapur, që i flet, para së gjithash, qenies sonë”, u shpreh, Doc. Dr. Salajdin Salihu.
Në vijim të referatit të tij, ai po ashtu nënvizoi se Murat Isaku iu shfaq botës letrare shqipe në gjysmën e parë të viteve 50-të të shekullit të XX, si njëri nga nismëtarët e letërsisë së mirëfilltë bashkëkohore shqipe.
E filloi krijimtarinë letrare si poet dhe e përmbylli opusin e tij po si poet, me librin poetik “Mi këpusin kokrrat e frymës”, që u botua postmortem.
“Ai u vlerësua për talentin dhe shpirtin e veçantë poetik. Njihet si romansier i veçantë dhe është kurdoherë poet. Me krijuesit letrarë ndodh që kur kalojnë nga poezia tek proza ose e “braktisin” poezinë ose e shkrijnë atë në prozën e tyre. Proza, si arkitekturë e shpirtit, ka veçantinë që të asimilojë brenda konstitucionit të saj të gjitha zhanret, madje jo vetëm letrare. Murat Isaku, megjithatë, nuk e braktisi asnjëherë poezinë. Iu përkushtua asaj deri në fund të jetës. Në prozën e tij kemi shumë poezi. Disa fragmente nga romanet mund të botohen me titullin “perla poetike”. Murat Isaku edhe në prozë është poet, por pa i cenuar ligjësitë e brendshme të prozës. Romanet e Murat Isakut e shprehin një botë nëpërmjet formave të ndryshme të ligjërimit. Ndërthurin brenda konstitucionit të vet shumëçka për efekte mbresëlënëse estetike dhe artistike. Murat Isaku preferoi shkrimin e poezisë me ritëm e rimë, por pa i qëndruar besnik metrikës klasike, të cilën e njihte aq mirë. Shpesh e përdori vargun e lirë. Ai besoi në fuqinë e poezisë, si fuqi shpirtërore e njeriut, e cila, sipas tij, mund ta bënte botën më të këndshme, më të fisme dhe më njerëzore. Në veprën e tij prozaike e hasim edhe artistin ose poetin si personazh. Dhe këta flasin me një gjuhë poetike mahnitëse. Mjafton t’u referohemi personazheve: Abu Xhabiri te Rrengu apo Sheh Alabini te Rreckajt. Të dy vuajnë dhe dënohen me vdekje nga sistemi i egër shtetëror, që nuk e njeh frymën e lirisë. Të dy janë shpirtra të lirë, kasnecë të lirisë, përballë gjyqtarëve, hetuesve, xhelatëve të ndryshëm – ekzekutorë dhe torturues qeniesh që synojnë lirinë. Në dukje janë të heshtur, por gjuha e tyre u flet të gjitha kohërave. Simbolikisht: janë lulja përballë thikës. Shkrimtari, në njërën anë, jep përmasën madhështore të artit, kurse, në anën tjetër, flet për përmasat e tmerrit të krijuar me paramendim nga makineria shtetërore mesjetare. Kjo përplasje na shërben si alegori apo si përqasje me aktualen. Nuk është e vështirë të bëhen krahasimet ndërmjet të kaluarës dhe të tashmes, gjithnjë të shprehura me gjuhën e harruar të letërsisë, e cila për Murat Isakun ishte gjithçka. Letërsia ishte magji gjuhësore. Ishte dashuri për njeriun. Ishte dialog me botën e jashtme dhe të brendshme. Ishte frymëmarrje dhe mënyrë jetese”, theksoi profesori i letërsisë, Salajdin Salihu. Shënimin e 90 –vjetorit të lindjes së poetit Murat Isaku, me pjesëmarrjen e saj e nderoi edhe shkrimtarja e njohur Puntorie Muça Ziba, e cila e vlerësoi lart veprën letrare të tij. “Murat Isakun e kemi pasur një mësues letrar, një frymëzues të madh, atë burrë urtar ne e respektonim, por respekti ishte reciprok, ai na trajtonte, na donte sikur vajzat e tij që i donte, unë shpesh i rikthehem krijimtarisë dhe futem në mbretërinë letrare të Murat Isakut, shpesh i kthehem edhe poezisë sidomos edhe e lexoj, ajo më ka frymëzuar që shkrimtarit tonë të dashur Murat Isakut t’i kushtoj një poezi me titull: Sonte kishte ngrirë dielli dhe hëna” që e kam shkruar dy ditë pas vdekjes së të ndjerit” tha mes tjerash krijuesja Puntorie Muça – Ziba. Duke e ditur peshën artistike të poezisë së Murat Isakut, që e krijonte me pasion të rrallë, dhe e konsideronte dashurinë e parë e të paharruar së cilës i kthehej vazhdimisht, në këtë aktivitet u promovua edhe përmbledhja me poezi të përzgjedhura, me titull: “Jeta e Ketrit”, vëllim poetik që u botua nën kujdesin e të bijës, profesoreshës së nderuar Luljeta Isaku. Se si erdhi deri te ideja për botimin e këtij vëllimi poetik dhe detaje të tjera për poezitë e përzgjedhura të botuara e të pabotuara deri sot, para pjesëmarrësve Prof. Dr. Luljeta Isaku, mes tjerash, në fjalën e saj rrëfeu një kujtim nga shkrimtari Murat Isaku. “Do ta them një kujtim të cilin e kam pasur bashkë me babanë, ka qenë hera e fundit që kemi ecur drejt rrugës së Gajres dhe rrugën na e zuri një ketër, i cili nuk dinte, djathtas apo majtas ta marrë rrugën e tij të caktuar. Babai e shikoi, u kthye nga unë dhe tha: shumë njerëz e bëjnë jetën e ketrit dhe kjo fjali më mbeti si motiv i pashtjelluar më vonë ç’deshi ai të thotë.
Duke u bindur në atë që jeta e ketrit është vetë jeta e njeriut, erdha në idenë për ta titulluar përmbledhjen e poezive të përzgjedhura me jetën e ketrit, sepse në këtë përmbledhje ka poezi të cilat në shumë raste, në shumë momente, përfshin, përmbledhin jetën e vetë autorit dhe jetën e njerëzve me të cilat ai ka jetuar. Dhe për fund dua të them se sikur Murat Isaku të ishte gjallë, do t’i kishte falur të gjitha librat, ashtu siç i ka falur të gjitha librat e botuara paraprakisht. Prandaj sonte, në panel ka 50 libra, të cilat do t’i falim njësoj, sikur vetë autori të jetë gjallë”, theksoi, Prof. Dr. Luljeta Isaku.
Pjesë e programit të shënimit të përvjetorit ishte edhe ora letrare me vargjet e poezisë së Murat Isakut, e cila u realizua nga profesoresha Vjollcë Berisha, Puntorie Muça Ziba-shkrimtare, Jona Neziri, Erblina Islami dhe Kaltrina Sadiki, pikët artistike – muzikore i sollën në skenë, Teuta Emini në flautë dhe Jozef Menga në piano.
Murat Isaku ishte poet, romansier, publicist, e studiues, një nga personalitetet më të shquara të artit dhe kulturës sonë, njohës i letërsisë botërore, i letërsisë së traditës, i folklorit shqiptar të trevës së Malësisë së Sharrit, rajonit të Pollogut dhe folklorit të pasur arbëresh.