Shoqata për kulturë “Tradita”, më 10 qershor 2017, në Tetovë e organizoi edicionin IV me radhë të Manifestimit kulturor “Lidhja na bashkon”. Përmes organizimit të këtij manifestimi kulturor-shkencor, Shoqata “Tradita”, e shënoi 139 vjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, si dhe e përkujtoi veprimtarinë e rilindësve, të patriotëve të vërtetë dhe të intelektualëve të mirëfilltë, që e zgjuan kombin, të punojë për të ardhmen e tij, ta shkruaj gjuhën shqipe, të hapë shkolla dhe të bëhet gati për ta realizuar ëndrrën shekullore të popullit shqiptar.
Edicionin e IV të Manifestimit kulturor “Lidhja na bashkon” e shpalli të hapur kryetari i Shoqatës për kulturë “Tradita”, Selam Sulejmani, i cili para pjesëmarrësve theksoi se organizimi i këtij manifestimi për katër vjet me radhë e dëshmon qëllimin për të cilin edhe u themelua shoqata, në vitin 2012, me rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë së Shtetit Shqiptar. “Manifestimi kulturor “Lidhja na bashkon”, është ngjarja kryesore që ne e organizojmë në çdo 10 qershor, na bashkon të gjithëve për ta shënuar përvjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, e cila e dha kushtrimin për bashkimin e shqiptarëve rreth idesë së kombit dhe konsolidimin e Shqipërisë. Përmes këtij manifestimi kulturor e kujtojmë sot edhe veprimtarinë e rilindësve tanë, të patriotëve të vërtetë dhe intelektualëve të mirëfilltë, që e zgjuan kombin, të punojë për të ardhmen e tij, ta shkruaj gjuhën shqipe, të hapë shkolla dhe të bëhet gati për ta realizuar ëndrrën shekullore, për Shqipërinë e lirë. Të tillë ishin rilindësit tanë, dhe për këto personalitete emblematike, shkrimtari ynë Ismail Kadare ka theksuar se: “Ata ishin njerëz të mëdhenj dhe kishin gjoks të gjerë për të luftuar njëkohësisht në shumë fronte. Ekipi i tyre ishte i fortë dhe i pajisur me gjithçka, me pushkë e me penë, me poema e gramatika, me fjalorë, rapsodi popullore dhe harta politike. Sami dhe Abdyl Frashëri, De Rada, Vaso Pasha e Vretoja, Mitkoja e Kristoforidhi, Çajupi e Asdreni, e shumë e shumë të tjerë, me Naimin në krye, nuk zmbrapseshin përpara asgjëje kur ishte fjala për interesat e Atdheut”. Pas Lidhjes së Prizrenit dhe pas shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë në vitin 1912, historia e shqiptare hyri në një fazë të re. Sigurisht, për këto dhe zhvillimet e mëvonshme historike e kanë thënë fjalën e tyre studiuesit e historiografisë sonë kombëtare”, tha Selam Sulejmani. Edicionin IV të këtij manifestimi e përshëndeti edhe Sekretari shtetëror në Ministrinë e Kulturës të RM-së, Behixhudin Shehabi. Ai, këtë aktivitet e konsideroi të rëndësishëm dhe sipas tij na bën krenarë të gjithëve. “Një ngjarje e cila na bën krenarë të gjithëve. Para 139 viteve në Prizren u mblodhën delegatët nga katër vilajetet e Shqipërisë: nga Janina, Kosova, Manastiri, nga Shkodra dhe kuptohet se ajo që mund të quhet si një vulë e atij kuvendi, është padyshim fjala e Abdyl Frashërit, i cili para delegatëve tha se tubimi sot, kuvendi sot, është një përpjekje, është një ngjarje që ne të gjithë ta presim hovin e armikut të pashpirt dhe i cili donë të shfaros çdo gjë që është vlerë shqiptare dhe e mbetur ndër shekuj dhe brez pas brezi”, u shpreh mes tjerash Behixhudin Shehabi. Në shënimin e 139 vjetorit të Lidhjes së Prizrenit, në Tetovë, mori pjesë edhe Kryetari i Shoqatës së të burgosurve dhe të dëmtuarave politikë shqiptarë në Maqedoni, Shpëtim Pollozhani, si dhe veprimtarë të njohur çështjes kombëtare nga Republika e Kosovës, ne mesin e tyre Avni Dehari dhe Hydajet Hyseini. Ata e vlerësuan lartë shënimin e kësaj ngjarje historike që përbën kthesën vendimtare të vetëdijes dhe të lëvizjes kombëtare shqiptare.
“I duhen kombit tonë stimulansë të tillë, për ta amplifikuar edhe energjinë, për ta kthjelluar edhe shikimin përpara sipas asaj përvojës së figurës mitologjike të Janusit: një sy para, një sy pas. Në kushtet tona madje ndoshta, një sy pas e katër sy para. Rruga jonë, siç ka qenë edhe në të kaluarën, vazhdon të jetë e ndërlikuar, e përballur me sfida të shumta, madje edhe me gracka të ndryshme e tjera. Po tani, duke sintetizuar përvojën e të parëve tanë, në të cilën Lidhja Shqiptare e Prizrenit përbën vërtetë kthesën vendimtare, themeltare të vetëdijes dhe të lëvizjes kombëtare shqiptare, që vazhdon të rrezatojë dhe të frymëzojë brezat, kemi grumbulluar përvojën e mjaftueshme që në këtë rrugë të ecim, pa u ngutur dhe pa u ndalur”, deklaroi Hydajet Hyseni, kryetar i Shoqatës së të burgosurve politikë të Kosovës.
Prof. Dr. Nebi Dervishi, në referatin tematik para pjesëmarrësve foli për rëndësinë e Lidhjes së Prizrenit. “Sot, kur po e përkujtojmë 139 vjetorin e Lidhjes së Prizrenit, të gjithë shqiptarët në tërë rruzullin tokësor, me mirënjohje i japin pengun e nderit kësaj ngjarje kulmore dhe veprimtarëve të shquar të saj. Nuk qe e rastit që ajo u mblodh për herë të parë pikërisht në qytetin e lashtë të Prizrenit, mu në zemër të Kosovës, në atë trevë ku përqendroheshin në mënyrë më të theksuar lakmitë grabitqare të armiqve të popullit shqiptar. Lidhja Shqiptare e Prizrenit ishte organizata e parë politike dhe ushtarake mbarëshqiptare me frymëzim patriotik, e themeluar në Prizren më 10 qershor 1878, në kushtet e sundimit osman dhe të Krizës Lindore të viteve 70 të shekullit XIX. Ajo mori për sipër të zgjidhte tri detyra themelore: ta afirmonte në arenën ndërkombëtare kombin shqiptar, si subjekt të të drejtave kombëtare; ta kundërshtonte copëtimin e trojeve etnike shqiptare dhe ta realizonte bashkimin e mbarë trojeve shqiptare në kuadër të Perandorisë Osmane, si hapi i parë për të krijuar shtetin shqiptar të pavarur dhe demokratik”, theksoi Prof. Dr. Nebi Dervishi. Në referatin e tij, ndër të tjera ai tha se megjithëse u shtyp, Lidhja e Prizrenit ka një rëndësi të madhe dhe zë një vend të rëndësishëm në historinë e Shqipërisë.
Në programin e edicionit IV të manifestimit kulturor “Lidhja na bashkon”, Shoqata për kulturë “Tradita” për herë të tretë e ndau Çmimin kombëtar “Ali Vishko”.Vendimin për laureatin e këtij viti e bëri publik kryetari i shoqatës Selam Sulejmani, i cili duke iu referuar Statutit të Shoqatës për kulturë “Tradita”, tha se ky çmim u ndahet personaliteteve shqiptare nga vendi dhe rajoni në çdo përvjetor të Lidhjes së Prizrenit. “Pas shpalljes së konkursit dhe shqyrtimit të propozimeve të arritura, Komisioni përkatës vendosi që Çmimi kombëtar “Ali Vishko” për vitin 2017, t’i ndahet Prof. Dr. Tahir Zajazit, me motivacionin për veprimtari jetësore dhe arritje të veçanta në fushën e shkencës, arsimit dhe kulturës shqiptare”, tha Selam Sulejmani me rastin e dorëzimit të çmimit laureatit të këtij viti. Duke e çmuar lartë veprën patriotike të veprimtarëve të kombit, përtej falënderimit vëllazëror dhe mirënjohjes së përjetshme për vendosmërinë dhe guximin e tyre atdhetar dhe të pashoq në organizimin e lëvizjeve çlirimtare kombëtare, në 139 vjetorin e Lidhjes së Prizrenit, Shoqata për kulturë “Tradita”, organizoi edhe Konferencën shkencore, me temë: “Të persekutuarit dhe të burgosurit politikë shqiptarë në Republikën e Maqedonisë”.
Kryetari i Këshillit organizues të Konferencës shkencore, profesor Xhelal Zejneli nënvijëzoi se organizimi i konferencës ka për qëllim që të hedhë dritë në një pjesë tejet të rëndësishme të historisë së popullit shqiptar në Maqedoni, si pjesë e pandarë e historisë sonë kombëtare. “Periudha për të cilën do të flitet sot përfshin harkun kohor prej vitit 1912 deri në ditët tona. Me fjalë të tjera, do të zbardhet në mënyrë shkencore një dimension relevant i historisë sonë politike të kohës më të re. Serbia ndërmori realizimin e ideologjisë famëkeqe të Garashaninit dhe të ,,Naçertanies” së tij që parashikonte rimëkëmbjen e perandorisë mesjetare të Car Dushanit. Ideologët serbë të fillimit të shekullit XX, në krye me akademikët Jovan Cvijiqin dhe Vlladan Gjorgjeviqin, ndoqën me devotshmëri rrugën e atit shpirtëror të tyre – Garashaninit. Ata përvijuan planin e hegjemonizmit dhe të ekspansionizmit serb, me qëllim të dominimit të Serbisë në gadishull. E nxitur dhe e mbështetur nga Rusia, Serbia ju vërsul tokave joserbe të rajonit, e sidomos trojeve shqiptare. Copëtimi i trojeve shqiptare që kishte filluar në kohën e Krizës së dytë lindore më 1877, pasoi me Paqen e Shën Stefanit më 1878, si dhe me Kongresin e Berlinit, po atë vit, vazhdoi në Konferencën e Ambasadorëve në Londër më 1912-1913. Shqipëria ishte e rrethuar nga hienat, si: Serbia, Greqia, Bullgaria dhe Mali i Zi. Pra, bota sllavo-bizantine, e mbrojtur nga Moska. Pushtimi i trojeve shqiptare u përcoll nga politika kolonialiste, e dhunës dhe e gjenocidit, e deportimit dhe e dëbimit të shqiptarëve prej vatrave të tij ilire. Në krye të projektit të pastrimit etnik ndodhet akademiku Vasa Çubrilloviq me elaboratin famëkeq “Dëbimi i shqiptarëve”. Në krye të kësaj politike qëndronin Pashiqi dhe karagjorgjeviqët. Politika e forcës ndaj shqiptarëve, vazhdoi edhe pas Luftës së Dytë Botërore, në kohën e rankoviqizmit dhe titizmit. Përsëri u shfaqën në skenë akademikët serbë, autorë të Memorandumit famëkeq. Animatori i tyre Dobrica Qosiqi e kishte formuluar dhe vajtuar, të ashtuquajturën çështje kombëtare serbe, këtë murtajë të zezë të Ballkanit. Politikën e pararendësve të tyre, të Pashiqit dhe të karagjorgjeviqëve, tani e tutje do ta vazhdojnë Millosheviqi dhe pinjollët e tij – Shesheli, Daçiqi, Nikoliqi dhe Vuçiqi”, theksoi profesor Xhelal Zejneli. Ai, më tej në fjalën e tij, shtoi: “Këta martirë të kombit kurrë nuk u pajtuan që trojet shqiptare të copëtohen në gjashtë pjesë: në gjysmë Shqipërie, në Kosovë, në Kosovën lindore (Preshevë, Bujanovc, Medvegjë), në pjesën shqiptare nën Maqedoni, në pjesën shqiptare nën Mal të Zi si dhe në Çamëri. Të pamposhtur dhe të pagjunjëzuar, u ndeshën me spiunë, me syrvejime, me policë, me hetues dhe hetuesi, me procese gjyqësore, me prokurorë, me mbrojtës të dyshimtë, me gjykatës, me porotnikë, me dëshmitarë të rrejshëm, me dënime drakonike, me tortura çnjerëzore, me gardianë, me biruca dhe zëndane të kazamateve sllave”.
Në këtë konferencë morën pjesë mbi 20 punonjës shkencorë, njohës të mirëfilltë të proceseve shoqërore që janë zhvilluar në vendin tonë, të cilët me autoritetin dhe integritetin e tyre intelektual ju qasën gjithë problematikës që trajtoi konferenca e sotme shkencore. Konferenca shkencore i trajtoi këto ngjarje: Proceset politike ndaj atdhetarëve shqiptarë në Maqedoni në periudhën e pas Luftës së Dytë Botërore deri në ditët tona; Ngritjen e Flamurit kombëtar në Tetovë, në vitin 1968; Demonstratat në Kosovë në vitin 1981 dhe reflektimin e tyre në trojet shqiptare në Maqedoni; Dhunën e pushtetit ndaj shqiptarëve në Maqedoni gjatë periudhës së pluralizmit; Represionin e pushtetit me rastin e themelimit të Universitetit të Tetovës, në vitin 1994 dhe 1995; Qëndrimin e shtetit shqiptar lidhur me politikën represive të pushtetit ndaj shqiptarëve në Maqedoni dhe Qëndrimin e faktorit ndërkombëtar ndaj dhunës së ushtruar ndaj shqiptarëve në MaqedoniNë edicionin IV të Manifestimit kulturor “Lidhja na bashkon”, për veprimtarinë patriotike, për qëndresën përballë politikës hegjemoniste sllave, për synimet politike, historike, për lirinë dhe demokracinë e popullit shqiptar, Shoqata për kulturë “Tradita”, u ndau mirënjohje veprimtarëve të kombit, si: simbolit të rezistencës shqiptare, Rafi Halilit, Hydajet Hysenit – Kryetar i Shoqatës së të burgosurve politikë të Kosovës, Memetriza Murtezanit – Gega, (pas ndarjes nga jeta), Shoqatës së të burgosurve dhe të dëmtuarve politikë shqiptarë në Maqedoni, Organizatës Nacional Demokratike Shqiptare, Azem Moranës, (pas ndarjes nga jeta), Sadudin Gjurës, (pas ndarjes nga jeta), Zaim Beqirit, (pas ndarjes nga jeta), Faik Mustafës, (pas ndarjes nga jeta), Shaban Xheladinit, (pas ndarjes nga jeta) dhe veprimtarit të njohur Rahim Nezirit.
Programin e manifestimit kulturor të këtij viti e madhështoi Kori i Shoqatës “Miqtë e muzikës”, “Rozafa Expression” nga qyteti i Shkodrës, Republika e Shqipërisë, i cili nën udhëheqjen e mjeshtrit artistik Profesor Zef Çoba, solli në skenë pika të shkëlqyera artistike, si: “Atdheu ne na fton”, (kënga e luftëtarëve të Skënderbeut, nga muzika e filmit “Skenderbeu’’) nga Çesk Zadeja, “Të falemi o dhe”, nga Rauf Dhomi dhe Gjergj Fishta – “Hymni i Flamurit”, nga Lec Kurti. Realizimin e edicionit IV të Manifestimit kulturor “Lidhja na bashkon” e mbështetën Ministria e Kulturës e Republikës së Maqedonisë, Universiteti i Tetovës dhe sipërmarrja e njohur shqiptare “Zgjimi Company”.