Shoqata për kulturë dhe art “Tradita” më 13 nëntor 2015, në kuadër të Manifestimit kulturor dhe artistik, “Tetova Feston Nëntorin” e përuroi librin :“Veprimtaria arsimore dhe shkencore e Prof. Dr. Ali Vishkos”.
Ne si Shoqatë për kulturë dhe art, i shprehim falënderimin dhe mirënjohjen tonë Komunës së Tetovës, e cila na mundësoi të promovojmë këtë vepër me studime shkencore për njërin nga personalitet e shquara të kombit tonë, për intelektualin Prof. Dr. Ali Vishko.
Në përurimin e librit të lartpërmendur, me pjesëmarrjen e tyre na nderuan Sekretari shtetëror në Ministrinë e Kulturës, z.Behixhudin Shehabi, drejtues të Sektorit për kulturë në Komunën e Tetovës, profesor Xhelal Zejneli nga Gjimnazi i Tetovës, Prof. Dr.Ejup Ajdini nga Universiteti Shtetëror i Tetovës, intelektualë tjerë të qytetit tonë, Kori i grave “Teuta”, dhe shumë dashamirë e adhurues të artit shqiptar.
Ky libër, pasqyron me mjaft kompetencë profesionale kontributin e Prof. dr. Ali Vishkos për arsimin shqip në Republikën e Maqedonisë;
-Studimet shkencore në fushën e historisë dhe shkencat tjera albanologjike në përgjithësi;
-Ngritjen e kuadrit të ri arsimor dhe shkencor të shqiptarëve në Maqedoni;
-Jetën kulturore në Tetovë dhe qytete të tjera të vendit tonë;
-Kontributin e tij në lidhje me Kongresin e Manastirit;
-Ndriçimin e figurës së Shën Hieronimit;
-Ndriçimin e fakteve të reja për Kryengritjen e Dervish Carës;
-Rëndësinë kulturore, historike dhe fetare të Teqesë Harabatit Baba në Tetovë, si dhe aktivitetet për themelimin e Universitetit të Tetovës dhe për ngritjen e Katedrës së Historisë në këtë Universitet.
E gjithë kjo, dëshmon se veprimtaria e tij, burimin e saj e ka në traditën, historinë dhe kulturën kombëtare. Në veprat e tij spikasin virtytet themelore të popullit tonë, thjeshtësia, dëshira për punën, ndjenja e lartë kombëtare, dëshira për arsim e dije, për përparim e kulturë, vetëmohimi për të qenë i lirë dhe shumë virtyte të tjera të cilat janë trashëguar ndër breza. Këto virtyte, profesor Aliu i ka ngritur në vlera kombëtare, me një gjuhë të thjeshtë e të pasur dhe tërheqëse për t’u lexuar.
“Ai i dha shkencës dhe historisë shqiptare dije dhe informacione të argumentuara për problemet kombëtare që i përkasin të shkuarës mbi të cilat ndoshta ka akoma diçka për të thënë e për të bërë.
Vepra e A. Vishkos është e tipit analitik argumentues ku prezanton kulturën, historinë problemet e arsimit shqiptar në Perandorinë Osmane për Vilajetin e Manastirit dhe Pashallëkun e Tetovës. Kjo do të thotë se krijimtaria shkencore e tij lidhet jo vetëm me mjeshtërinë e analizës dhe prezantimit të problemeve, por gjithashtu edhe me botëkuptimet e tij, me pikëpamjet e tij filozofike, sociologjike, politike – shoqërore dhe shkencore”, thekson Prof. Dr. Xheladin Murati.
Ndërsa një tjetër pedagog i njohur, profesor Tahir Zajazi, deklaron se: “Ali Vishko ishte historian i veçante. Domeni i studimeve qё bënte, ishte historia e vjetёr, atje ku janё gjurmët e kombit shqiptar”.
Ne kemi obligim qytetar që të angazhohemi të gjithë që ta ndriçojmë rrugën jetësore të të gjithë atyre që punuan me vetëmohim dhe sakrifikuan gjithçka për kombin tonë; e kemi obligim t’u shprehim mirënjohjen tonë gjithë atyre burrave të kombit që nuk kursyen asgjë për idealet e arsimit shqip.
Ali Vishko, profesori i qindra nxënësve dhe studentëve, autori i disa veprave të botuara për historiografinë shqiptare, shërben si shembull e model për t’u ndjekur nga gjeneratat e reja.
Figura e tij është e gjithanshme, që duhet studiuar në shumë aspekte. Personaliteti dhe veprat shkencore e publicistike të profesor Vishkos meritojnë respektet më larta.