Me rastin e 136 vjetorit të Lidhjes së Prizrenit, Shoqata për kulturë dhe art “Tradita” nga Tetova organizoi manifestimin kulturor ,,Eja”. Ky manifestim u begatua me aktivitete kulturore dhe artistike. Kryetari i Shoqatës për kulturë dhe art “Tradita”, z. Selam Sulejmani para të pranishmëve, ku morën pjesë Rektori i USHT-së, Prof. dr. Vullnet Ameti, drejtues të Komunës së Tetovës, Komunës së Zhelinës dhe personalitete të tjera, i shtjelloi në pika të shkurtra përcaktimet dhe aktivitetet e kësaj shoqate, duke theksuar se Lidhja e Prizrenit te shqiptarët do të kujtohet gjithmonë si një nga lëvizjet më të organizuara për liri dhe pavarësi kombëtare. “Në kuadrin e përcaktimeve tona për avancimin e veprimtarive kulturore, kultivimin e traditës, realizimin e aktiviteteve shkencore dhe manifestimeve artistike, e organizuam sot këtë manifestim që përkon me 136 vjetorin e Lidhjes së Prizrenit, dhe me këtë rast, e kujtuam lëvizjen e fuqishme shqiptare të organizuar në mënyrë administrative, politike dhe ushtarake. Në këtë përvjetor, të 136-in me radhë, Shoqata “Tradita”, iu bashkua dhjetëra aktiviteteve që mbahen gjithandej në hapësirën shqiptare për të përkujtuar 10 qershorin e vitit 1878, kur në Prizren , Kuvendi i Lidhjes hapi dyert për të pritur delegatët e katër vilajeteve të Shqipërisë, si Vilajetit të Shkodrës, Manastirit, Janinës dhe Kosovës”, tha Selam Sulejmani, kryetari i Shoqatës për kulturë dhe art “Tradita”.
Për zhvillimet e punës së Kuvendit të Lidhjes së Prizrenit dhe ndikimeve që pati kjo ngjarje, Prof. Dr. Ejup Ajdini paraqiti një referat tematik që elaboroi në vija të përgjithshme ecurinë pozitive në edukimin e popullit shqiptar me ndërgjegjen kombëtare nëpërmjet shkollës shqipe, letërsisë shqiptare dhe publicistikës patriotike.
“Më 1878, pra, 136 vite më parë u ngrit zëri i arsyes, zëri protestues i shpirtit shqiptar. Kjo ishte Lidhja e Prizrenit e cila hodhi idenë e lirisë dhe të bashkimit kombëtar, duke tejkaluar përmbi ndarjet fetare e krahinore, mbi interesat meskine dhe përmbi aventurat personale. Mu këtu qëndron rëndësia historike e saj. Kjo ishte lëkundja e madhe, më e madhja e historisë sonë kombëtare, e cila erdhi jo vetëm si nevojë e domosdoshme e popullit tonë, por edhe një detyrim moral ndaj padrejtësive që i bëheshin kombit tonë nga fuqitë e mëdha. Këto ngjarje ua hapën sytë shqiptarëve, të cilët vrapuan t’i dalin përpara rrezikut.
Në këto momente të rëndësishme historike shqiptarët vepruan ashtu siç duhej. U dyndën nga të katër anët e Shqipërisë dhe dërguan në Prizren delegatët e tyre, të cilët formuan të famshmen Lidhja e Prizrenit, më 10 qershor 1878. Është e para herë, kur shqiptarët zgjohen të gjithë bashkë për t’u mbrojtur si komb. Këtu nuk është fjala për luftë krahinash, që kishin zakonisht për qëllim mospagimin e taksave a mosvajtjen ushtarë. Nuk është fjala as për luftë personash ambiciozë që kërkonin të bëheshin pasha a vezirë. Këtu lëviz i tërë kombi, për t’u mbrojtur prej copëtimit, prej vdekjes. Kjo e detyroi Lidhjen e Prizrenit që t’i hyj organizimit për një qëndresë me armë, ajo që është mjeti më i sigurt i shpëtimit”, tha Prof. Dr. Ejup Ajdini.
Në këtë manifestim kulturor përmes Orës letrare “Lidhja na bashkon”, ku morën pjesë poetët: Zejnepe Alili-Rexhepi, Ejup Ajdini, Shaip Emërllahu, Salajdin Salihu, Ekrem Ajruli, Eroll Veliu, Artan Arsllani, Arlind Farizi, ndërsa regjisori Lefter Bogdani i recitoi vargjet e Gjergj Fishtës, të pranishmit patën mundësinë të shijojnë artin dhe krijimtarinë letrare të krijuesve dhe poetëve që jetojnë dhe veprojnë në qytetin e Tetovës.
Një pjesë jo më pak e rëndësishme iu rezervua edhe performansës së artit figurativ dhe artit muzikor, të cilin më mirë se kushdo tjetër e sollën para artdashësve, studentët e Fakultetit të Arteve të Universitetit Shtetëror të Tetovës. Në nderim të veprës së rilindësve, të të gjithë atyre burrave që e themeluan Shqipërinë, organizatorët e këtij manifestimi, së bashku me poetët dhe pjesëmarrësit tjerë, vendosen kurora lulesh dhe bënë homazhe para shtatores së Naim Frashërit, eruditit të kombit shqiptar.
Përndryshe, manifestimi që u organizua nga Shoqata për kulturë dhe Art ,,Tradita” është mbështetur nga Universiteti Shtetëror i Tetovës, Komuna e Tetovës, Komuna e Zhelinës, Sekretariati për Implementimin e Marrëveshjes së Ohrit dhe Shtypshkronja ,,Arbëria Desing”.









