Historiku

Shoqata për kulturë dhe art “Tradita”

Me rastin e 100-vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë dhe të flamurit kombëtar (1912 – 2012), në mbarë hapësirën shqiptare u realizuan qindra veprimtari të rëndësishme, si: konferenca e simpoziume shkencore, promovime të veprave nga historiografia shqiptare, si dhe një mori  ngjarjesh të tjera kulturore dhe artistike. Në këtë 100-vjetor, inteligjencia shqiptare në Republikën e Shqipërisë, në Republikën e Kosovës, në Maqedoninë e Veriut dhe në diasporë, zhvilloi debate të gjera rreth historikut të shtetit shqiptar dhe zhvillimeve të tjera që e shoqëruan këtë shtet ballkanik deri në vitin 2012.

Në vendin tonë, në Republikën e Maqedonisë së Veriut, si momente kryesore që e shënuan këtë vit jubilar dhe që do të kujtohen ndër vite, janë: hedhja e gurthemelit të Sheshit Skënderbeu në Shkup, “Kupa e Flamurit” në Kodrën e Diellit, e organizuar nga Universiteti i Tetovës dhe koncerti festiv në Shkup. Universiteti i Tetovës, si institucion i parë i arsimit të lartë në gjuhën shqipe në RMV, përpos realizimit të një agjende të ngjeshur, në nderim të 100-vjetorit të shtetit shqiptar, pikërisht në këtë vit historik e përuroi edhe godinën e re universitare.

Të motivuar nga atmosfera e lartpërmendur, ne një grup miqsh, duke qenë se ishim edhe pjesë e realizimit të disa prej veprimtarive të rëndësishme në Universitetin e Tetovës dhe të vetëdijshëm se euforia e 100-vjetorit do të kalojë, ndërmorëm nismën për të themeluar një subjekt kulturor që do të angazhohej për ta mbajtur gjallë frymën kulturore dhe artistike në qytetin e Tetovës dhe më gjerë.

 Pas konsultimeve të gjera, më 20 shtator të vitit 2012, e themeluam në Tetovë Shoqatën për kulturë dhe art “Tradita”, me synim, sendërtimin e prioriteteve të poshtëshënuara:

  • Organizimin dhe kultivimin e veprimtarisë kulturore, artistike, edukativo-arsimore, sociale, humanitare dhe të ngjashme;
  • Përparimin e veprimtarive kulturore dhe kultivimin e traditës;
  • Organizimin e veprimtarive shkencore dhe të manifestimeve artistike;
  • Organizimin e seminareve, të tribunave, të tryezave të rrumbullakëta dhe të tubimeve të tjera me karakter kulturor, shkencor, artistik dhe informativ;
  • Bashkëpunimin me institucionet, me shoqatat dhe me organizatat e tjera nga vendi dhe më gjerë, etj.

Shoqata për kulturë dhe art “Tradita”, ka: Aktin e themelimit, Statutin dhe Programin e punës.

“Tradita”, përpos realizimit të ngjarjeve të sipërthëna, nëpërmjet Ueb-faqes zyrtare: www.tradita.org, vazhdimisht angazhohet që ta njoftojë publikun e gjerë lidhur me zhvillimet arsimore, shkencore, kulturore dhe artistike.

Me respekt,

Selam Sulejmani – kryetar

JuSm
KoBo
Mos kopjoni tekst!