• FILLIMI
  • IMPRESUM
  • KONTAKTI
E martë, 13 Maj 2025
Tradita | Shoqatë për kulturë dhe art

SHOQATA PËR KULTURË DHE ART “TRADITA”

  • FILLIMI
  • AKTUALE
    • ARSIM
    • KULTURË
    • OPINIONE
    • SPEKTËR
    • COVID-19
  • HISTORIKU
  • MANIFESTIME KULTURORE
  • VEPRIMTARIA SHKENCORE
  • BOTIMET E SHOQATËS
  • ÇMIMI KOMBËTAR “ALI VISHKO”
  • TRADITA PLUS
No Result
View All Result
Tradita | Shoqatë për kulturë dhe art
No Result
View All Result
Home Kulturë

“Kartela të realizmit të dënuar” – libër i ri nga Visar Zhiti

26/12/2020
| Kulturë, Rajon

Fatmira Nikolli – Në pamundësi për ta ndryshuar e as për t’u shpaguar,(askush nuk t’i kthen dot më vitet e kaushëve) ka vetëm një mënyrë për t’u hakmarrë ndaj të shkuarës, të shkruash, ta rrëfesh, ta përjetësosh në letërsi. Letërsia do të ishte, kenotafi i pranuar i një shkuare të dhimbshme, i viteve të pajetuara dhe i jetëve të çuara dëm, në kampe a burgje, por qoftë edhe mes shtrëngesash të mëdha, në mungesa të theksuara lirie. Përkundrejt dosjeve të njërës palë, do të duhej të ishin dëshmitë e tjetrës, përkundrejt ‘ligjit’ oral se ‘ashtu ishte koha’, do të duhej të ishin ligjësia e shkruar e letërsisë që dëshmon, pa mllef, pa mëri, por edhe pa drojë; përkundrejt dhunës së të parëve, do të duhej të ishte arti i të dytëve. Në luftëra të pabarabarta, humbja nuk mund të jetë e përjetshme, përjetësia do të duhej të dinte të vërtetën.

Si rrekje për t’u çliruar a si rrekje për të treguar se pat dy botë, një që propagandohej e një që fshihej, letërsia do të duhej të ishte, asi nën mëngë kur u rifitua e drejta për të treguar, se aty, ishim edhe ne, të  tjerët, të pazëshmit, të shtypurit, që paguam një haraç të madh që të mbetemi gjallë, gjysmë njeri e gjysmë qenie, të ndarë në dhjetëra copa, me traumat tona, me dhembjet tona, me plagët e hapura, me njerëz pa varre, të rritur pa fëmijëri, të plakur pa jetuar. Letërsia shqipe, nuk ia ka dalë si duhet, të dëshmojë historitë e atyre që nuk ia dolën. Dhe historitë e atyre që së gjalli a së vdekuri dëshmuan si mund të mbetesh njeri, me përdhunë, duke sfiduar veten dhe të tjerët. Një libër i ri i Visar Zhiti, sjell para lexuesit thasët e munguar të letërsive të ardhme, duke bashkuar në fletët e një botimi, emra e kohë, historie rrëfime, që nxjerrin nga errësira, ata që nuk e panë kurrë dritën.

 SHËNIM I BOTUESIT

Doli libri i ri “Kartela të realizmit të dënuar”, i shkrimtarit Visar Zhiti, botim i shtëpisë botuese UEGEN. Një ese, një studim i gjerë mbi 400 faqe, sprovë letrare për letërsinë tjetër, atë që doli nga burgjet dhe internimet duke u bërë pjesë integrale e gjithë letërsisë shqipe.

Në këtë kohë krizash të kujtesës kolektive dhe moralit shtetëror, të mbivendosjes së një diktature tjetër, dhe asaj të pandemisë së COVID-19 dhe trazirave si pasojë e tij dhe e politikës, duke përftuar dhe një si shtetrrethim absurd, dalja e librit të ri të Visar Zhitit është si një apel për t’u kthyer te kujtesa  dhe vlerat e përbashkëta, për të ndrequr ndërgjegjen e përbashkët e për të njohur përgjegjësitë për të ngritur një të tashme normale dhe një të ardhme më të mire.

Ndërkaq vepra më e re e Visar Zhitit është një ese letrare e gjerë, njohje dhe kritikë, një pasqyrë e zhvillimeve në jetën social-kulturore në vend, e kontradiktave dhe qëndrimeve, e dhunës shtetërore dhe e qëndresës, u kundërshtisë së një pjesë me rëndësi e njerëzve të letrave, që përbëjnë vlera dhe universalizim të tyre.

Koha që ngërthen libri është ajo që nisi mbas Luftës së Dytë Botërore, e entuziazmit të çlirimit të vendit dhe e vendosjes së diktaturës më të ashpër në Europë, pushkatimet dhe të njerëzve të letrave, gazetarë, poetë, klerikë, etj., të vendosjes së Realizmit Socialist dhe deri në rënien e diktaturës, ndryshimet e mëdha që ndodhën, duke i hapur rrugën një letërsie të lirë e në vazhdim.

Mes zhvillimeve dramatike, mes luftës, pushtimeve, ku më i rëndi u bë pushtimi nga vetvetja, ku krahas murtajës ideologjike sunduese, u shfaqën dhe epidemitë, madje ndjehet dhe kjo e tanishmja në vepër, shqiptarët qëndruan, madje bënë dhe art.

Siç e thotë dhe titulli i këtij libri, ai është ndërtuar me kartela autorësh dhe veprash, të atyre që bënë letërsinë tjetër, sfiduese, jo të Realizmit Socialist, të cilët u goditën dhe u dënuan. U dënuan autorë dhe vepra, madje dhe lexuesi i tyre. Për herë të parë ato dëshmohen kaq gjerësisht dhe së bashku të përmbledhura në një vepër të vetme, në vetë të parë.

Ashtu si studiues të tjerë e kritikë letrarë, edhe Visar Zhiti është marrë me këtë çështje, me këtë letërsi, menjëherë pas ndryshimeve në vitet ’90, duke u bërë dhe vetë një nga autorët qenësore e saj.

Eseja e tij e dikurshme, “Panteoni i nëndheshëm ose letërsia e dënuar”, e cila ndikoi në mendimin kritik edhe në letrat në Kosovë si pjesë e letërsisë së përbashkët shqipe, tashmë është në brendësinë e këtij libri të ri, e rrëfimit përsiatës të asaj letërsie që ka dalë nga nëndheu, duke sjellë të vërtetat e munguara dhe ka prirë moralisht në të gjithë kulturën bashkëkohore aktuale.

Natyrisht mes një pritshmërie tronditëse dhe habisë së bukur që ekzistuaka dhe një letërsi e tillë, mes keqkuptimeve, sprapsjeve dhe debateve, përçmimeve dhe vlerësimeve më të larta, sidomos nga kritika e huaj, të harresave të qëllimta në vend si kurrkund në letërsi të tjera, si dhe revanshit të hovëzuar, etj, dukuri këto të cilat ngërthehen në librin e ri të Visar Zhitit, me ndërgjegjen e krijuesit dhe profesionalizmin e edukatorit, me ato emocione që të jep një vepër arti.

Sipas studimit të Visar Zhitit, Realizmi Socialist mbulonte realitetin socialist duke u bërë një mashtrim i madh, tashmë i tejkaluar dhe, në fakt, mbetet se ka qenë e zhvilluar një Letërsi e Realizmit të Dënuar, metoda me emrin më sinjifikativ që propozon Zhiti, unikale, e ushtruar në Shqipëri, ku ndonjë studiues pararendës ka dalluar, siç dallohen rrymat apo manifestet letrare, shkollat apo grupet dhe atë të “Shkrimtarëve të Spaçit”, pra të autorëve të burgosur.

“Realizmi i dënuar” përmbledh “të gjitha letërsitë tona”, të përjashtuarat dikur dhe jo, nga ajo e dheut amë, në Shqipëri, në Kosovë e në një pjesë të Maqedonisë së Veriut, por edhe e Jugut për ne, e asaj në Çamëri e pse jo dhe prurjet e të ikurve në diasporë, në Europë e SHBA.

Visar Zhiti ka hartuar listat më tronditëse, pabesueshëm aq të gjata për një popull të vogël, me emrat e autorëve të pushkatuar, të burgosur e të internuar, si personazhet e një drame epokale.

Redaktor i librit është botuesi i tij, drejtori i “Uegen”-it, historian, studiues dhe shkrimtar, Xhevair Lleshi. Në kopertinën e librit, ku është vendosur një pikturë e Atjon Zhiti, në atë të mbramen, shkruhet:

“Kartelat e realizmit të dënuar” janë si copëza të nxehta kohësh, shqetësime dhe ide për letërsinë e sotme shqipe, për atë që mungoi dhe realitetet e saj, kur ishte e dënuar bashkë me autorët dhe lexuesit nga regjimi diktatorial, sepse kishte në botë një perandori komuniste dhe një realizëm socialist të dhunshëm.

Shkrimtari Visar Zhiti sjell dramën e madhe të letrave shqipe në gjerësinë e tyre si në një fushë beteje, ku ngërthehen informacioni tronditës, rrëfimi certifikues dhe polemika e guximshme, ndërkohë dhe apeli për njohjen e asaj letërsie dhe për qëndrime të drejta.

Ky studim, me bazë dhimbjen, të vërtetat dhe bukurinë, vlen për të gjithë, sidomos për brezin e ri, i shkruar si me sinopset e një romani të madh.”

Libri del në kohën e duhur, në zgrip, si një përballje dhe përballim të gjendjes së rëndë, si një sfidë dhe shpresë në vazhdim të rikrijimit, sipas Visar Zhitit, të Atdheut tonë moral.

PJESË NGA LIBRI

PLLAKA TË KUJTESËS DHE THASË…

Duke u endur rrugëve të qyteteve të tjera, mund të jesh i huaj,  pelegrin a vizitor, ndoshta në kërkim të ndonjë muzeu a librarie tjetër, teatri apo shëtit i shkujdesur, ndodh të shohësh ca pllaka të vogla mermeri mureve, përanash portave, po dhe mbi rrugën, ku ti po ecën, në të cilat shkruhen se aty ka banuar një njeri i shquar, shkrimtar, shkencëtar, udhëheqës apo pikërisht aty është shkruar një vepër e madhe, që ka bërë epokë. Ndodh të gjesh dhe vargje nën këmbë, ti po shkel mbi poezinë si mbi ngazëllime. Dhe kujtohesh se ke lexuar për këtë emër të gdhendur aty, ke libra të tij, ndalesh për pak çaste. Mes njerëzve i lutesh atij që ndodhet më pranë që të të shkrepë aparatin tënd fotografik ose me celularin tënd bën një selfie.

Dhe futesh në atë shtëpi, të kap një emocion i bukur, i përthellët, dëshiron të biesh në mendime. Ku je kështu, në ndonjë panteon?          Mua më kap një si dhembje, më nëpërmendet padashur panteoni i nëndheshëm i atdheut tim, sipër muret e qyteteve me pllaka të rralla të atilla, ku përkujtoheshin më shumë atentate dhe aksione guerilsash, vrasje historike a histori të vrarë. Dhe emrat e rrugëve pothuajse kështu.

Po filluan të bëhen muzeumet e kujtesës në posdiktaturë, së fundmi, ja BunkArti 1, BunkArti 2, “Shtëpia me gjethe”, shtëpia e… Po këto tregojnë diktaturën, forcën e saj, sofistikimet, po muzeumet e qëndresës, burgjet, kampet, qoftë dhe një shtëpi e thjeshtë ku jetonin ashtu ngushtë e dëgjonin fshehurazi stacionet e huaja në radio, lexonin libra të ndaluar, etj, etj.                      Po studio shkrimtarësh, ku janë shkruar veprat, të cilat studiohen nëpër shkolla? Vërtet ku janë vendet e letërsisë shqipe? Vetëm në kryeqytet? Vetëm letërsi zyrtare, po nga ajo e ndaluara, që triumfoi mbi diktaturën? Po katet e tjerë të kujtesës dhe radhët e nëndheshëm të ferrit? Natyrisht që s’janë skrivanitë e poltronat ato që vendosin, por vlerat e fletëve të shkruara, dhe nga ato të burgjeve dhe internimeve. Po ku janë? Arkivave? Vetëm ato që konfiskoi shteti? Ç’përkujdes tregohet për librin dhe për ata që do ta lexojnë? Kur Bibliotekën Kombëtare së fundmi një herë e dogji zjarri dhe një vit më pas u përmbyt nga ujërat? Të paktën të kishin ndodhur njëherësh, që uji të shuante zjarrin, por ndonjë media shkruante se s’pati ndonjë dëm të madh, u dëmtuan vetëm librat e pas viteve ’90, pra ata të pas shembjes së Murit të Berlinit dhe rënies së perandorisë komuniste, thënë troç që letërsia e Realizmit Socialist është e padëmtuar, kurse të tjerat, në rrënojat e panteonit të tyre te nëndheshëm. Aty t’i lëmë thasët? Cilët thasë? Të burgut…

Pikërisht në thasë të vjetër, të arnuar, me njolla dheu e gjaku, ku të dënuarit dikur… ou, na çove  larg, në rendin skllavopronar, jo, jo, është pothuajse tani, janë gjallë shumë nga ata ish të burgosur, që në ato thasë, ku mbanin veshje të tyre, që mund t’u kishin mbetur edhe prej të vrarëve, mes gjërave që haheshin, që i ruanin për ndonjë ditë urie edhe më të keqe, futnin copa letre, fletore e blloqe të shkruara, të tyret, të ndonjë bashkëvuajtësi, ia ruanin, e kishin amanet, ndonjëherë pa e ditur se të kujt ishin ato shkrime, që mezi lexoheshin, qenë ronitur, edhe minjtë kishin brejtur ç’kishin mundur, censura e tyre parake a e mëpastajme, e brendshme, njëlloj ishte, aq më mirë, se policia, po t’i kapte, s’do të kuptonin dhe aq censorët e shtetit. Po të burgosurit dinin si t’i fshihnin shkrimet… Ishte e pabesueshme, ndoshta dhe nga vetë ata që i kishin mbushur ato fletë në fshehtësi, se në thasët e burgut kishin të rrasur letërsi të ardhme, nga ajo e  përvuajtura, e ndershmja, e shpëtuar nga kontrollet shfarosëse, nga djegiet, nga realizmi socialist. Dhe s’ka gjë që në arkivat a bibliotekat tona, nëpër muze ende s’ka një thes të tillë dhe as fletë me njolla dheu e gjaku përsipër së shkruarës. Gjithsesi ata thasë janë si shakujt mitikë të Eolit, plot tufane për letërsinë shqiptare.  ©gazetashqiptare.al

 


Publikimi i mëparshëm

Gratë e folklorit shqiptar – ilustrimet që vijnë te publiku si portrete te Disney

Publikimi i radhës

Fonetika dhe fonologjia e gjuhës standarde shqipe – libri i radhës i Prof. Dr. Asllan Hamitit

Publikimi i radhës

Fonetika dhe fonologjia e gjuhës standarde shqipe - libri i radhës i Prof. Dr. Asllan Hamitit

JuSm
KoBo
Emetimi

10. 6. 2023 | Në Tetovë u mbajt Edicioni X i manifestimit kulturor “Lidhja na bashkon”

10. 6. 2023 | Në Tetovë u mbajt Edicioni X i manifestimit kulturor “Lidhja na bashkon”

00:02:59

EDICIONI IX I MANIFESTIMIT KULTUROR ''LIDHJA NA BASHKON"

00:03:31

Promovohet revista për letërsi, art dhe kulturë “Metafora”

00:04:02

EDICIONI VIII I MANIFESTIMIT KULTUROR “LIDHJA NA BASHKON”

00:03:00

Shoqata “Tradita” e organizoi Edicionin V të manifestimit letrar ndërkombëtar “Shtigje poetike”

00:01:29

Shoqata “Tradita” e organizoi Edicionin VII të manifestimit kulturor “Lidhja na bashkon”

00:02:38

MANIFESTIMI LETRAR ''SHTIGJE POETIKE'' – EDICIONI II

00:01:13

ORË LETRARE PËR 80 VJETORIN E ISMAIL KADARESË

00:02:49

KONFERENCË SHKENCORE KUSHTUAR PROF. DR. ALI VISHKOS

00:04:25

Tradita.org – është portal i Shoqatës për kulturë dhe art “Tradita”. Funksionon si platformë multimediale dhe angazhohet për  promovimin e arsimit, shkencës, kulturës dhe artit.

Tradita.org – është edhe adresë e debatit të lirë, e zërit kritik dhe e ballafaqimit të mendimeve dhe të ideve përparimtare.


  • FILLIMI
  • IMPRESUM
  • KONTAKTI

2012-2024 © Shoqata për kulturë dhe art “Tradita” / Powered by Optimus Solutions / Privacy Policy.

Mos kopjoni tekst!
No Result
View All Result
  • FILLIMI
  • AKTUALE
    • ARSIM
    • KULTURË
    • OPINIONE
    • SPEKTËR
    • COVID-19
  • HISTORIKU
  • MANIFESTIME KULTURORE
  • VEPRIMTARIA SHKENCORE
  • BOTIMET E SHOQATËS
  • ÇMIMI KOMBËTAR “ALI VISHKO”
  • TRADITA PLUS

2012-2024 © Shoqata për kulturë dhe art “Tradita” / Powered by Optimus Solutions / Privacy Policy.