Forma e saktë drejtshkrimore e këtyre dy fjalëve është “Bashkërisht” dhe “Bashkëngjit”, pra me “ë” dhe jo “a” (bashkarisht dhe bashkangjit). Kjo, sepse tema fjalëformuese e ndajfoljes, që në këtë rast është “bashkë”, e ka në trup “ë”-në, plus prapashtesën -“(r) isht”. Po ashtu edhe te folja “bashkëngjit” ruhet ë-ja mes dy temave: bashkë + ngjit, duke qenë se tema e parë mbaron me zanore (ë) dhe tema e dytë fillon me bashkëtingëllore.
Pra, në thuajse të gjitha fjalët e përbëra, ku tema e parë mbaron me zanore dhe e dyta fillon me bashkëtingëllore, ruhet “ë”-ja. Ndërsa në fjalë të tjera të përbëra, kur edhe tema e dytë fillon me zanore, si “a”, “ë”-ja e temës së parë bie. P.sh., kemi fjalët “bashkatdhetar”, “bashkanëtar”, “bashkautor”, “gojëmbël” etj., ku ë-ja e temës së parë bie. Pra, shkurt, kur fjala “bashkë” ose një fjalë tjetër që mbaron me zanore bashkohet me një fjalë tjetër që nis me çfarëdolloj zanoreje, “ë”-ja e saj bie.
Këtu bën përjashtim fjala “zëëmbël”, për shkak se ë-ja e fjalës “zë” është e theksuar.
Sipas fjalorit të gjuhës shqipe kemi:
1. BASHKËRISHT (ndajfolje) – së bashku me një tjetër, bashkë me të tjerë, pra kur bëhesh bashkë me një ose disa të tjerë. /Punojmë bashkërisht. Vendosim bashkërisht.
2. BASHKËNGJIT (folje) – lidh së bashku një shkresë a një dokument me një shkresë a me një dokument tjetër kryesor, ia shtoj një shkrese a një dokumenti tjetër kryesor.
Përgatiti: S. A