Publikohen fotografitë e para nga filmi artistik i metrazhit të gjatë “I treturi” i regjisorit Arben Thaçi. Skenari i filmit që është shkruar nga vet regjisori, i motivuar nga romani i Abdylazis Islamit “Të Treturit e Projanës”.
Filmi është një dramë psikologjike me elemente të luftës që përfshin periudhën e fundit të luftës së dytë botërore. Protagonisti i filmit i luajtur nga aktori Sotiraq Bratko, duke shkruar kujtimet e tij, përpiqet të na zbulojë diçka nga e kaluara e tij e mjegullt, diçka që e fsheh nga njerëzit, gruaja e tij (Eva Alikaj) madje edhe nga vetvetja. Ajo që na zbulon është plot faj, pendim e tmerr që nuk e kanë lënë të qetë për aq kohë sa është izoluar nga bota e njerëzit.
“I treturi” është prodhim kinematografik i produksionit Arbfilm, i financuar nga Agjencia e Filmit e Maqedonisë së Veriut, ndërkaq si bashkë – prodhues minoritar është përfshirë Qendra Kinematografike e Kosovës, përmes Ikone Studio me producentët: Valon Bajgora, Yll Uka dhe Agon Uka, si dhe Qendra Kinematografike Kombëtare e Shqipërisë përmes produksionit B&G Film Pro me producent Besnik Bisha.
Kasti i aktorëve përfshin emra të njohur nga Maqedonia, Kosova dhe Shqipëria si: Sotiraq Bratko, Eva Alikaj, Kejdi Ademi, Sokol Monallari, Afrim Muçaj, Sheqerije Buçaj, Selman Lokaj, Blerim Ismani, Arsim Fazlia, Selman Jusufi, Adem Karaga, Refet Abazi, Neritan Liçaj, Enis Murati, etj.