Dashnor Kaloçi – Para dy javësh, miku im, prof. dr. Albert Frashëri (rezident në Itali nga viti 1990), më njoftoi për botimin e romanit të tij “La Quinta”. Ky roman, botuar në italisht në Romë në vitin 2018, u përkthye në spanjisht nga Alberto Asero, profesor i Filozofisë në Universitetin Shtetëror, në Mexico. Përkthimi dhe botimi i tij u mbështetën nga një institucion kulturor ndërkombëtar, “Orizzonte Atlantico”, që shtrihet me veprimtarinë e tij në vendet e gjuhës franceze, spanjolle dhe italiane, në të gjitha kontinentet.
Dalja në dritë e romanit edhe në spanjisht, në ditët e para të tetorit, përkon me përhapjen e këtij romani dhe interesit që është treguar ndaj tij. Interesi ndaj kësaj vepre, shpjegohet me problemin që trajton, nivelin gjuhësor e letrar me të cilat autori ka arritur të japë një kuadër realist të periudhës së totalitarizmit komunist, në vendin ku ai lindi dhe jetoi 45 vite të jetës së tij. Ai u riatdhesua në Itali, në vendin e nënës dhe ky vendim i tij, do të meritonte një meditim të veçantë e, mund të na ndihmonte të kuptojmë jo vetëm periudhën e diktaturës enveriane, por edhe kohën tonë.
Nisur nga fakti se prof. dr. Albert Frashëri nuk është shumë i njohur në Shqipëri, pasi ai sikurse thamë pak më lart, është rezident në Itali që nga viti 1990 dhe po kështu edhe krijimtaria e tij është e njohur më shumë në Itali (dhe disa vende të tjera të botës ku janë përkthyer librat e tij), se sa në Shqipëri, vlen të përmendim disa të dhëna të jetës së tij. Kështu mbas studimeve universitare, Albert Frashëri ka punuar si mësues i matematikës në disa shkolla të kryeqytetit dhe më pas si bashkëpunëtorshkencor, duke drejtuar në periudhën e fundit, sektorin e matematikës në Institutin Pedagogjik të Tiranës.
Nga kjo detyrë, me gradën e doktorit të shkencave, ai dha dorëheqjen me rastin e largimit në Itali në tetor 1990. Nga katalogët, rezulton që në Bibliotekën Kombëtare në Tiranë, gjenden mbi 120 punime të Frashërit: kryesisht libra matematike si autor ose bashkautor, letërsi e publicistikë si dhe dy libra mbi Rilindjen Kombëtare Shqiptare, nga të cilët njëri është botuar edhe në Toronto në vitin 2016, me titull “The Magic of NationalRenaissance” (TLAC publisher, Toronto). Prof. dr. Frashëri, është i pari, e ndoshta i vetmi, që me studimet e tij, duke analizuar Humanizmin shqiptar dhe Rilindjen Kombëtare, ka treguar që edhe kombi shqiptar ka një Univers Filozofik e Kulturor të pasur dhe origjinal.
Shumë probleme të kohës, pas viteve ’90, Frashëri i ka analizuar në mjaft përsiatje në shqip apo italisht, e të botuara në të dyja vendet. P.sh., në nëntor të vitit 2016, ai botoi në Itali përsiatjen “Il mito di Scanderbeg nell’Universo Culturale della suaNazione”, me të cilën ai tregon që epopeja e Skënderbeut, nuk është një rrufe në qiell të kthjellët, sikundër shprehet ai, por një vepër krejt e natyrshme për botën shqiptare. Këtë essè, autori e përktheu në shqip dhe e botoi në vitin 2017. Në Itali, ndër të tjera, ai ka botuar në essè të veçanta, studime mbi spiritualitetinnë hapësirën mes shkencës dhe artit, mbi kuptimin e krijimtarisë njerëzore, mbi probleme të formimit shkencor në shkollën italiane, etj.
Ai ka qenë lektor për kualifikimin e mësuesve të matematikës dhe fizikës, si dhe autor i disa studimeve dhe eksperimenteveinteresante në Liceun Shkencor italian. Një prej tyre është laboratori mbi studimin e aspekteve fiziko matematike të muzikës, gjatë të cilave ai, krahas aspekteve shkencore, analizonte edhe argumente specifike të muzikës, si “Soul, blues, jazz e country si burime të rock’and roll-it”, “Pse është hyjnore muzika klasike”, “Matja e masës së Tokës”, me aplikimin e fizikës, matematikës dhe informatikës, duke kryer edhe konkretisht matjet dhe llogaritjet përkatëse.
Përkthimi dhe botimi në gjuhën spanjolle i romanit “La Quinta” (Orizzonte Atlantico, 2020), për të cilën jemi ndalur dhe kemi shkruar edhe disa muaj më parë, më bëri të shfletoj e të kujtoj disa aspekte të veçanta të studimeve të Frashërit. Para disa viteve, e pata pyetur, ‘pse nuk i boton në shqip librat e fundit’?!. Ai më shpjegoi që ka shkruar në gjuhën e vendit ku jeton, për të bërë të mundur njohjen e realitetit që Shqipëria ka vuajtur nën pushtetin totalitar të Enver Hoxhës. Pyetjes sime, ‘përse nuk i përkthen në shqip’, ai iu përgjigj: asnjë editor nuk është interesuar në këtë drejtim. Këto fakte të krijojnë një farë boshllëku, pasi kujtoj dy essè të Frashërit, (janar 2019 dhe mars 2020), të dyja të botuara në shtypin tonë.
E para është “Urtësia e Kadaresë në rrëfimin e fëminisë së tij” dhe e dyta: “Ata që patën frikë nga e ardhmja”. Kjo e fundit u shkrua me rastin e vdekjes së gruas së diktatorit shqiptar, Nexhmije Hoxhës. Të dyja këto essè trajtojnë probleme të kalvarit gjysmëshekullor të shqiptarëve nën trysninë e një diktature të egër. Por, dhe kjo mendoj se është e rëndësishme, pasi të dyja këto essè hedhin dritë edhe mbi kohën tonë. Pra mendoj që ato janë të çmuara për të kuptuar raportin që ne kemi, ose duhet të kemi me të vërtetat historike të ekzistencës sonë, sepse ato, siç shprehet Frashëri, lidhen me dinjitetin e kombit dhe të qytetarit në veçanti.
Por le të kthehemi te romani “La Quinta”, përkthyer dhe i porsabotuar në gjuhën spanjolle. Në kopertinë, editori shkruan atë që përbën një nga idetë kryesore të librit: “Nëse duam tëkuptojmë historinë, duhet të përqendrohemi tek individi e tërrëfejmë gëzimin dhe vuajtjet e tij”. Ndërtesa në paskopertinë, gjejmë një aspekt tipik të krijimtarisë së autorit: “Albert Frashëriështë një matematicien dhe një interpretues shumë i ndjeshëm i totalitarizmave të së majtës dhe i zhgënjimeve që kanëkarakterizuar periudhën pas viteve ’90. Si matematicien i ka kushtuar gjithë jetën kërkimit shkencor dhe mësimdhënies. Duke filluar nga vitet ’90, vizioni i tij për artin si oazë i stinëve të errëta të jetës, në nivel individual dhe historik, shndërrohet nënjë lajtmotiv të meditimeve të tij”.
Romani rrëfen jetën e një grupi artistësh nga Shkodra në Tiranë. Janë personazhe të krijuara, por që të sjellin ndër mend artistë që brezi ynë ka njohur në ato kohë të vështira. Autori, në essenë“Vdekja e artistit dhe hipokrizia e pafund e kohës sonë”, shkruar me rastin e vdekjes së aktorit të njohur Bujar Lako dhe botuar në janar 2017, ndër të tjera thotë: “Ai brez aktorësh e artistësh themeloi shkollën kombëtare të artit dramatik, të filmit, tëmuzikës së kultivuar e të arteve figurative. Ngriheshin në 4 apo 5 të mëngjesit, për të blerë një litër qumësht për fëmijët e tyre. Ata e jetuan me dinjitet këtë poshtërim. Shprehem kështu, sepse te kafsha uria përbën një dhimbje fizike. Përkundrazi, te Njeriu ajo sjell një dhimbje shpirtënore të pamasë, pikërisht sepse fyen dinjitetin njerëzor për padrejtësinë që pëson. Ai brez do tëmbetet në historinë e artit kombëtar, si një kometë që e ndriçoi universin e kulturës shqiptare, edhe pse diktatura e kufizoi ndjeshëm lirinë e krijimtarisë artistike.”
Duket qartë që Frashëri ka një ndjeshmëri të veçantë për botën e artit dhe, pikërisht këtë, ai e shpreh në mënyrë të hapur me romanin “La Quinta”. Ky titull ka të bëjë më rolin që ka simfonia n.5 e Beethoven-it në ngjarjet e romanit. Me sa duket, me atë roman, ai jo vetëm rrëfen konfliktin e përjetshëm ndërmjet krijimtarisë njerëzore dhe formave të devijuara të pushtetit, por edhe konfirmon atë konsideratë origjinale të tijën mbi brezin e artistëve shqiptarë, sikundër citova pak më lart.
Në vitin 2018 u botuan në Itali romani “La Quinta” dhe libri “L’Italia nella parabola di Berlusconi”. Me këtë të fundit, Frashëri analizon realitetin italian të kohës sonë, jo thjesht krizën ekonomike, por sidomos pamjet kulturore të saj. Si edhe për botime të tjera të tij, këta dy librat e fundit, kanë gjetur përhapje të konsiderueshme. E dëshmon fakti që ato gjenden në biblioteka të rëndësishme shtetërore dhe universitare, si Californian Berkeley University, Columbia University Library, Princeton University Library, Harvard University Library, Yale, New York etj. Jep kënaqësi të veçantë përfshirja e tyre në Bibliotekën e Kongresit Amerikan, në Fondacionet Jeffersondhe Adams. Nga katalogët e bibliotekës në ComputenseUniversidad de Madrid, secili nga 6 botime të Frashërit, ka shënimin “Disponible en otras bibliotecas en todo el mundo”, d.m.th., “I disponueshëm në biblioteka të tjera në të gjithë botën”.
Më kanë bërë përshtypje kopertinat e të dyja botimeve të romanit “La Quinta”. Në botimin italian, me pëlqimin e skulptorit të kësaj vepre, Skënder Kraja, autori ka vendosur basorelievin e Rozafës, që mëkon fëmijën e porsalindur të saj. Në botimin spanjisht, kopertina ka një pamje të kështjellës së Rozafës. Me sa duket kjo zgjedhje e autorit, shpjegohet me rolin që kanë flijimi i Rozafës dhe simfonia e pestë e Beethoven-it; këto janë dy lajtmotivet kryesore që shoqërojnë ngjarjet e romanit dhe përbëjnë fillin konceptual të ideve të tij. Duke medituar rreth figurës së Rozafës, në faqet e romanit, Frashëri e konsideron këtë bijë të Shkodrës si maksimumin absolut të shpirtit krijues të njeriut: dëshira për të kujdesur krijesën e vet edhe pas vdekjes. Ky interpretim i legjendës në romanin “La Quinta”, për mendimin tim, është shumë origjinal dhe dëshmon pasurinë dhe origjinalitetin e universit kulturor të kombit tonë.
Albert Frashëri, pati botuar romanin “L’amara favola albanese”, që së bashku me këtë librin e fundit, përbëjnë një vlerë të konsiderueshme artistike në fushën e letrave. Vlerësimet nuk kanë munguar në këtë kuptim, gjë e cila është konkretizuar edhe me qenien e tij disa herë si finalist në konkurse të ndryshme kombëtare ose ndërkombëtare. Ai ka fituar edhe çmime të rëndësishme, si p.sh., çmim të dytë në Konkursin Ndërkombëtar Indipendent (Torino), 2018, me rreth 1100 autorë të gjuhës franceze, italiane dhe spanjolle, çmimin e kritikës në Biennalen“Museo del ‘900 – Arte Moderna a Milano”, 2018/2019, çmimin e kritikës në Biennalen e Arteve dhe Letërsisë, “Impavi d’arte”, 2018/2019 në Siçeli me 820 autorë. Në motivacionin e këtij vlerësimi të fundit, shkruhet: “Ekzaltimi i artit si një bimë që lulëzon edhe në mes të gërmadhave të censurës e të represionit, përshkon këtë roman që lexohet i tëri me një frymë. Autori, si një Tacito modern, e vë theksin pikërisht në këtë nyje që harmonizon kulturën me lirinë e Njeriut”. Janë interesanteshumë komente dhe recensione, mes të cilave, me lejen e autorit, kemi zgjedhur disa fragmente për t’i cituar.
Vlerësime për krijimtarinë e autorit, Albert Frashëri, nga të huaj dhe shqiptarë
Tatjana Gjergo, (bashkëshortja e piktorit Edison Gjergo, Trieste, gusht 2018): “Admirova punën tuaj në romanin “La Quinta”, u befasova me kulturën në kampin e muzikës edhe pse kini studiuar për matematikë! Libri është një dëshmi e trishtë dhe rrëqethëse e viteve të dhunshme të diktaturës, e cila ishte futur si metastazë në shpirtrat dhe kulturën, traditat, besimet fetare në popull. Libri juaj është dëshmi e viteve të errëta, prej të cilave shqiptarët dolën të gjymtuar nga të gjitha aspektet, ekonomike, psikologjike e kulturore. U familjarizova pothuajse me të gjitha personazhet, Fran, Rudina, Naim, Anila, Marin, Donika, në të cilët shikoj rezistencën për ruajtur shpirtin nga metastazat e të keqes”.
Anna Portoghese, (gazetare e revistës dyjavore “La Rocca”, Assisi, nëntor 2018): “Sot përfundova leximin e romanit “La Quinta”, mjaft origjinal jo vetëm në përmbajtje, por edhe në stilin e një proze të freskët në të gjithë rrëfimin e vet. Sipas mendimit tim, ky libër meriton një përhapje të gjerë. Italishtja e prozës suaj është e rrjedhshme, dhe shumë e pasur me sfumatura. Ritmi i rrëfimit e mban lexuesin në ankth, deri në faqen e fundit dhe me emocione të vazhdueshme. Të paharrueshme janë personazhet që keni krijuar”.
Chiara Bertoglio, (pianiste dhe muzikologe, Torino, korrik 2018): “Porsa mora vesh për botimin e romanit “La Quinta”, e porosita menjëherë dhe e lexova në dy ditë me kënaqësi të madhe, sepse janë argumente që më interesojnë për jetën dhe për veprimtarinë time. Thellësisht e bindur, dëshiroj t’ju përgëzoj për traumën bindëse, tematikat e trishtuara por themelore, sensibilitetin tuaj ndaj muzikës, gjuhës dhe përmbajtjes së saj. E çmoj stilin tuaj si shumë të pasur dhe elastik për mënyrën si u përshtatet aspekteve spirituale të ngjarjeve. Në mënyrë të veçantë më ka befasuar një fakt: duke lexuar librin tuaj, për herë të parë kuptova që edhe fjala ka një muzikalitet të vetën”.
Fatbardha Demi, (gjuhëtare dhe studiuese e historisë kombëtare, Tiranë, tetor 2018): “E lexova me vëmendje dhe shumë interes hyrjen e romanit. Ishte një paraqitje e nivelit të lartë për mënyrën e thjeshtë dhe të mençur të parashtrimit të ideve historike dhe filozofike që sot ndikojnë fatet e njeriut të shekullit XXI. Vetë hyrja sintetizon ide të autorit mbi probleme të kohës sonë, e që duhet të vihen në qendër të punimeve të intelektualëve të fushave të ndryshme. Ajo hyrje meriton të botohet edhe si artikull më vete”.
Bebi Kristidhi Milkani, (pianiste, Tiranë, qershor 2016: “Leximi i librit tuaj, edhe pse i dhimbshëm, ishte për mua një rikthim në të kaluarën e largët plot trishtime dhe vuajtje, por shkruar me një elegancë dhe delikatesë të admirueshme. Veç kësaj do të doja të theksoja që asnjëherë askush nuk ka mundur të shkruajë për të këqijat e padëgjuara të atyre kohëve, pa një fije mllefi a zemërimi. Në librin tuaj ka aq dashuri dhe poezi në të gjitha rrëfimet e të kaluarës. Përgëzime dhe falënderime nga zemra”.
Interesi për këta dy libra të Frashërit, mund të përmblidhet me sa shkruan në recensionin e tij historiani roman i kohës moderne, Luca Pignataro, (korrik 2018): “Duket paradoksale, por një nga vlerat e shumta të romanit “La Quinta”, është fakti që ngjarjet e kalojnë cakun e kontingjencës lokale e historike dhe shndërrohen në një të vërtetë universale, dua të them, për çdo vend dhe për çfarëdo epoke. Si historian, dua të theksoj kujdesin me të cilin autori, duke filluar nga hyrja e romanit, shtjellon bindjen e tij, fisnike dhe origjinale, sipas të cilës kuptimi i historisë duhet kërkuar në jetën e individit. Këtëmendim ai e ka përpunuar me përsiatjet personale që përbëjnëlimfën e librit”.
Përfitoj nga rasti për të sintetizuar shumë shkurt disa ide tëautorit, sikundër ai i shtjellon në hyrjen e romanit “La Quinta” dhe në referatin e tij në Konferencën Ndërkombëtare të Letërsisë(Orizzonte Atlantico, Torino, dhjetor 2018), me titull “Letërsia dhe konflikti mes shoqërisë dhe formave të devijuara tëpushtetit”.
Pa artin kombi nuk ka të ardhme dhe zbeh ndjeshëm profilin njerëzor të ekzistencës së tij. Historia është një nga fushat e dijes njerëzore. Ajo përpiqet të dokumentojë e të shpjegojë tëshkuarën dhe kjo na ndihmon të kuptojmë më mirë të sotmen. Pa këtë ne ecim kuturu, kah e ardhmja, me ide të paqarta e jo tëpajtueshme me universin kulturor e filozofik të kombit. Por njohja e historisë nuk është e mjaftueshme për të kuptuar rolin dhe vendin e Njeriut në evolucionin, formimin e idealeve e tëtraditave kombëtare. Ajo e para është një histori formale që e anashkalon jetën e Njeriut.
Atë rrëfim e bën arti dhe letërsia dhe asgjë nuk mund t’i zëvendësojë ato dhe as njerëzit e saj. Ne e njohim thelbin e tëkaluarës sonë, përmes vargjeve të Naimit e të Migjenit, tëFishtës e të Mjedës, sepse në veprën e tyre kemi njohur vuajtjen dhe përpjekjen titanike të Njeriut, gjatë ekzistencës së tij. Mendoni se si Migjeni në prani të mjerimit dhe ligështimit tëshpirtit, i lutet Perëndisë t’i japi një simfoni. Shërimin e vuajtjes njerëzore ai e kërkon te muzika, tek arti. Asnjë poet në historinëe letrave të të gjitha kohërave, nuk e ka shprehur me kaq art shpirtin e madh të poetit. Këto janë vargje monumentale qëshprehin një të vërtetë themelore të jetës sonë: e Bukura si thelb i qenies njerëzore. Ky është arti që shndërron në urtësi të vërtetat themelore të historisë njerëzore. Pa vetëdijen e të Bukurës si formë dhe ideal të ekzistencës sonë, të shumtën do të mbushnim barkun me bukë.
Vështirësitë e artistit burojnë nga liria dhe pavarësia e tij. Qytetari e formon mendimin e pavarur sipas përvojave personale e të grupit, sipas nivelit të njohurive të tij dhe me ndikimin e artit, në kuptimin e gjerë të fjalës. Por në këtë proces ndikon negativisht propaganda. Për këtë arsye të gjitha format e totalitarizmit, dhe jo vetëm ato, përpiqen ta zaptojnë hapësirën midis shoqërisë dhe pushtetit duke pretenduar ta transformojnë artin në një megafon të klasës politike, sikundër bëri diktatura e çiftit Hoxha në Shqipëri. Për këtë arsye format e devijuara të pushtetit e kanë halë në sy artin dhe njerëzit e tij. Këta janë të parët që survejohen e dënohen, sepse ata lindin dhe rriten me prirjen për të rrëfyer të Keqen dhe vuajtjen e Njeriut.
Këtë profil, që karakterizon raportin e vështirë ndërmjet krijimtarisë njerëzore dhe pushtetit, Albert Frashëri e ka vënë nëthemel, jo vetëm të dy romaneve të tija, por edhe të essève që ka botuar pas viteve ’90 në Shqipëri dhe Itali. Sikundër shprehet kritika, ai ka ditur të harmonizojë aventurat e një grupi artistësh, me faktin historik si themel të përmbajtjes dhe me rolin e artit e të së bukurës në ekzistencën e njeriut. Arti si një kënd i parajsës në mes të ferrit.
Ky është një udhëkryq që herë pas here kthehet në momentet më të vështira të ekzistencës individuale dhe kolektive gjatë historisë. Të kultivosh të Bukurën edhe në një realitet absurd, është sot më e nevojshme se kurrë. Romanet “La Quinta” dhe “L’amara favola albanese” shprehin këtë vizion të autorit mbi individin dhe shoqërinë. Një vizion nga një intelektual që ka dhënë kontribute të rëndësishme edhe në kulturën e vendlindjes së tij. Kush ka lexuar librat e tij mbi Universin Filozofik e Kulturor të kombit tonë dhe të gjithë publicistikën që ai ka shkruar e botuar, ka perceptuar me qartësi konsideratën e lartëdhe mallin që ai shpreh pa fjalë për vendin ku lindi dhe u formua si njeri. “Shqiptarët’, shkruan ai, “nuk janë të vetëdijshëm për fisnikërinë, origjinalitetin dhe as për potencialet njerëzore qëprehen në gjirin e tyre.