Në kuadër të Muajit të librit, Muzeu Historik Kombëtar organizoi promovimin e librit “Bota shqiptare e Branko Merxhanit” të autorit Ndriçim Kulla.
Të pranishëm në këtë aktivitet ishin: autori i librit, z.Ndriçim Kulla, profesori i filozofisë Gjergj Sinani, drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Dr Dorian Koçi, njohës të historisë si dhe studiues e personalitete të njohura të kulturës shqiptare.
Në fjalën e tij përshëndetëse Drejtori i Muzeut Historik Kombëtar theksoi se: “Autori që sot ne prezantojmë është një nga figurat më të shquara dhe më emblematike të kulturës shqiptare të viteve ‘30. Është një nga figurat i cili solli më tepër dritë, filozofi, më tepër jetë në spektrin e rëndësishëm të viteve ’30 si dhe ringjalljes kulturore të botës shqiptare. Bota e Merxhanit u la e mbyllur bibliotekave, nëpër revista e koleksione private nuk ju dha mundësia të ballafaqohej me publikun shqiptar. Kontributi i z. Kulla qëndron pikërisht këtu në marrjen dhe rinxjerrjen e këtij thesari shumë të çmuar duke i dhënë dritë për lexuesin shqiptar”.
Profesor Gjergj Sinani në fjalën e tij u shpreh se: “Është me vlerë të krijojmë një shoqëri mendonjëse. Shoqëritë zhvillohen kur zhvillohet mendimi. Libri për Branko Merxhanin bën pikërisht këtë: një ftesë për të rimenduar vetveten sepse duhet të njohim të kaluarën për të njohur vetveten. Ky libër ka një rëndësi të madhe aktuale pasi i bën thirrje klasës së ndriçuar të një vendi për një organizim të kaosit shoqëror. Duhet shkuar nga realizmi glorifikues në realizmin praktik. Kjo është meritë e Ndriçim Kullës që na sjell këtë libër me mesazhe të forta sociale”.
Ndërsa vetë autori i librit Ndriçim Kulla në fjalën e tij përshëndetëse tha se: “Branko Merxhani ka qënë një urë lidhëse e doktrinës filozofike Rilindase Shqiptare të viteve ‘30. Unë jam një eksplorues i veprës së tij dhe Rilindasit shqiptarë kishin sfida të mëdha si çështja e Shtetit Shqiptar. Në lidhje me këtë Branko Merxhani ka vërtet një kontribut të veçantë. Ai është një nga autorët që ka sjellë një lloj ringjallje të botës shpirtërore të vitete ‘30 dhe mendimit filozofik duke bërë përpjekje për një Shqipëri Europiane”.
Burimi: www.facebook.com/MuzeuHistorikKombetar