Andrej Voznjesenski / Përktheu nga origjinali Bardhyl Londo
GOLGOTA
Një shtyllë malin çan
si lëmshin shtiza majëprehtë.
U këput boshti I tokës!
Ulërijnë qentë.
Dhimbja vazhdon,
Ndërrojnë vetëm kohët.
Njeriu kryqëzuar
mbi boshtin e tokës.
Golgotë,25 tetor
QERSHOR 68
Mjellma,mjellma,mjellma…
Drejt veriut.Drejt veriut.Drejt veriut!
Kenedi…Kenedi… Kenedi…
E kositën.
Ndoshta në politikën e huaj
jam fare profan
por e kuptoj mirë gjakun
kur faqen e pafajshme lan.
Ekranë demagogë,
limuzina në zi…
me plumba,me plumba,me plumba
polemizojnë tani…
Kujtoj:lëkundej si i dehur
kokën pa e varur ende,
tregonte me gisht Eseninin
litarit që tundej mbi dhe.
Lëkundej njëlloj si ai,
eklipsi në sy iu shfaq.
Gjithëçka u mendua për reklamë,
në gjak përfundoi,në gjak.
Jetë e pambrojtur
e liderëve,artistëve,
drejt nga ekranet
kositen nga krismat.
Ah,sa trishtohen rrënjët
të prera, pa jetë
e mollës në ballkon
në katin e tridhjetë.
Mollë,mollë,mollë,
në djall kështu!…
Mollë të rrokaqiejve
për arkivole ju rritin ju?
ROMANCË
Mbaje mend këtë çast. Mbaje mend këtë gjemb.
dhe gërvishtjen që mbi sup të la.
Unë jam poeti Tënd i përjetshëm dhe
dashnori i përjetshëm Tënd.
Kjo është gjithëçka.
Mbaje mend këtë botë,aq sa ti mund
ta mbash mend,
ndoshta një mijë vjet,ndoshta më tepër.
Do të thërrasësh.Ty do të të
grisë prapë ky gjemb
Dhe… asgjë më tepër.
NATË
Sa shumë yje!
Si mikrobe
në ajër…
1963
Nënat po mbesin jetime.
Fëmijët po i braktisin.
Ti je fëmija im,
nënë,
fëmija im I braktisur.
LETËR EJANJICKAJASISH DAKTILOGRAFISTE E MAJAKOVSKIT
Ju Majakovski ju ka diçka borxh.
Po ua kthej unë.
Faleni,ai vdiq shpejt.
Për Lermontovin,për Lorkën,
diçka nga xhepi duhet të heq
që borxhin e pafund ta ndreq.
Borxhi ynë i tmerrshëm,i tejzgjatur,
paratë:pika-pika gjaku.
Faleminderit etër,stërgjyshër,
rrotulloju bosht i epokave të ra…
Po vallë kush për mua do paguajë,
për gjithëçka do paguajë,për gjithëçka?
NË VDEKJEN E PAZOLINIT
Klor i hidhnin
mbi trup,mbi kokë
Pazolinit
si dikur Lorkës.
Ka gjithmonë një të vërtetë,
kështu do të jetë siç ishte:
të vrarët janë poetët,
vrasësit fashistët.
Dhe do të përcjellë si legjendë
vargu brezave një nga një.
Në rast se nuk vriten më poetë
e qartë është:
s’ka kush të vritet më.
Romë,6 nëntor 1975
LUTJA E MIKELANXHOLOS
Zot,unë jam bishti jot,
përse vallë më le në turmë?
Zot,vallë ç’të kam bërë?
Po vallë ç’të të bëja më shumë?
GOJA
Unë jam Goja!
Sytë prej korbi m’i nxori armiku,
duke fluturuar mbi fusha
shkretimi.
Unë jam hidhërimi.
Unë jam zëri
i luftës së vitit 41,
i qyteteve këkëprerë mbështjellë nga
shkretia.
Unë jam uria.
Unë jam fyti
i gruas së varur. Trupi i saj lëkundej si kambanë
mbi sheshin memec,pa gojë.
Unë jam Goja.
O,gozhdë
të kryqëzimit.Shtjella tymi ngrita në Perëndim
hirin e mikut të paftuar!
Dhe në qiellin memorial ngula yjet dritëfortë
si gozhdë.
Unë jam Goja.
ANATEMA
Kujtimit të Pablo Nerudës
Shtriheni Ju në Kili si në varrin vëllazëror pa fund e anë.
Nerudën e vranë.
Vrasësit,të shtirur,mes lotësh,
afrohen me kurora demagogësh.
Ushtarët tani i braktisën portat Tuaja.
Arresti mbaroi.Fitorja Juve u buzëqesh.
Kur vdes poeti, vdes liria,
kur vdes liria,
poeti vdes.
Poetët tiranët s’I kuptojnë askund,
ku i kuptojnë i shkojnë në plumb.
Nën një mal lulesh shtriheni përmbys mbi tokë,
si Lorka dikur,fatzi,plot forcë.
Matildën,të bukurën,kryelartën,
pude lotësh e mbytën,
lot
të artë.
Pablo i ullinjtë,plot manushaqe sytë,
këngëtar i njohur,
më i njohuri nga të gjithë.
Ju më ftuat mysafir,
në ditëlindjen e artë,
tavolina është e përbashkët,
vdekja e veçantë.
Ju më ftuat stadiumeve të recitojmë këngë,
stadiumet janë kthyer në burgje të rendë.
E vranë poetin,Robin Madhështor…
Vëllezër të Nerudës
burgjeve anë e mbanë
vini mbi jaka
fjongot e zisë
si dikur shamitë partizane.
Një minutë heshtje?Një minutë mallkim
le t’i zëvendësojë nekrologjitë,epitafet.
Mallkuar qofsh,o mafie despotike,
mallkuar qofsh!
Mallkuar qofshi
iluzionet e mija demokratike.
Vrasës të poetëve,me radhë,pas alfabetit,
mallkuar qofshi!
Mallkuar!
Mallkuar!
Lermëni të bie përmbys mbi varrin e Nerudës.
Lermëni një grusht dhe t’I hedh më parë,
të ndahem duke përtypur dhembjen dhe turpin,
me poetin e fundit të lirisë së vrarë.
Marrë nga Mapo.al