Pamja e tij e jashtme si ndërtim i fortë guri mund t’i lajthitë kalimtarët, por brendia e tij nuk i ka bërë ballë kohës. Trarët janë vjetruar, kurse muret janë shkërmoqur.
120 vjet më parë në rrjedhën e ujërave kaltëroshe të Valbonës ishte ndërtuar Mulliri i Bajram Currit.
Ai që njihet te banorët tropojanë si Mulliri i Currit në fshatin Shoshan, ditëve të fundit i është nënshtruar restaurimit me projekt të miratuar në Këshillin Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore Materiale me fonde nga buxheti i shtetit shqiptar.
Lajmi është bërë i ditur të enjten nga Drejtoria e Trashëgimisë Kulturore – Shkodër e cila ka njoftuar se Mulliri i Bajram Currit është shpallur si monument i kategorisë së parë në vitin 1979.
“Kjo ndërtesë gjendet në fshatin Shoshan, Tropojë, daton në fundin e viteve 1800 dhe është një ndërtim që e gjejmë shpesh në zonën e Tropojës. Kemi të bëjmë me një ndërtim tip kullë guri, dykatëshe, mbuluar me furde pishe”, thuhet në njoftimin e dhënë nga DRTK-Shkodër.
E ndodhur jo më larg se 4 kilometra nga qyteti i Bajram Currit, ndërtesa dykatëshe shquhet për arkitekturën e saj me motive tipike të zonës. Kati i parë është ngritur mbi tokë dhe dyshemeja përbëhet nga dheu.
Ky mulli u ndërtua falë financimeve të Bajram Currit dhe ndodhet në vendin e quajtur Vrella e Shoshanit.
I lindur më 1862 në Gjakovë, Bajram Curri është një nga udhëheqësit më të njohur të kryengritjeve antiosmane dhe antiserbe në Kosovë. Ai ishte një prej themeluesve të Lidhjes Shqiptare të Pejës. Pas ripushtimit të Kosovës nga Serbia, ai, tok me Hasan Prishtinën, u detyrua të largohej drejt Vjenës.
Më 1920, Curri ishte caktuar si ministër pa protofol nga Kongresi i Lushnjës, teksa ka komanduar forcat qeveritare për të shtypur njerëzit e Esat Pashë Toptanit.
Kishte qenë një nga themeluesit e Komitetit Mbrojtja Kombëtare e Kosovës.
Afria e tij me Qeverinë e Nolit do t’i kushtonte rëndë atij kur Ahmet Zogu u rikthye në pushtet.
Pas rrethimit nga forcat qeveritare, i mbetur në një shpellë afër Dragobisë, më 29 mars 1925, Bajram Curri vrau veten me qëllim që të mos binte në duart e tyre. Koha.net