Ka ndërruar jetë (26. 8. 2020), njëri prej mjekëve të njohur për qytetarët tanë, humanisti dhe intelektuali, Dr. Femi Demiri. Ndarja e tij nga jeta është humbje e madhe për shkencat mjekësore dhe sistemin shëndetësor, sidomos në këtë periudhë pandemie.
Opinioni i gjerë në vendin tonë, doktor Femiun do ta kujtojë për ndihmën e ofruar shëndetësore në Sanatoriumin special të fshatit Leshkë, kontributin e tij si humanist, intelektual dhe punonjës i devotshëm.
Në cilësinë e doktorit specialist pneumoftiziolog, Dr. Demiri, viteve të fundit ka qenë i angazhuar edhe në Universitetin e Tetovës, përkatësisht në Fakultetin e Shkencave të Mjekësisë ku edhe ka ligjëruar lëndët: Mjekësi interne, Mjekësia e punës, Astma dhe alergjitë.
Në këto momente të dhimbjes, në emër të Universitetit të Tetovës, profesorëve dhe studentëve tanë, u shprehim ngushëllimet më të ndjera familjes së tij, kolegëve, miqve dhe mbarë opinionit publik.
Dr. Femiu, do të mbetet gjithnjë në kujtesën tonë si koleg i respektuar dhe mik i dashur.
U prehtë në paqe!
Prof. Dr. Vullnet Ameti
Rektor i Universitetit të Tetovës