Dy vjet më parë, mbi 50 studiues shqiptarë ishin bërë bashkë për të sjellë prurjet e kontributet e tyre për Heroin Kombëtar të shqiptarëve, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu. Në 550-vjetorin e vdekjes së kryezotit shqiptar, Instituti Albanologjik i Prishtinës (IAP) kishte mbajtur konferencën jubilare shkencore “Gjergj Kastrioti – Skënderbeu dhe epoka e tij”.
IAP-ja tashmë ka nxjerrë nga shtypi në dy vëllime përmbledhjen me mbi 50 kumtesa nga konferenca që ishte mbajtur më 17 dhe 19 qershor 2018, në kuadër të edicionit të nëntë të “Javës së Albanologjisë”. “Përballja e koncepteve të ndryshme ishte në funksion të gjetjes të së vërtetës shkencore mbi çështjet e trajtuara, shkruan KOHA.
Një impresion i përgjithshëm është se këto dy vëllime dëshmojnë seriozitetin e përgatitjeve të kësaj konference por tashmë edhe për rezultatet shkencore të botuara në këto dy vëllime”, thuhet në njoftimin e këtij Instituti për botimin më të ri. Kërkimet mbi Skënderbeun në formë të shkencëruar do të nisnin qysh në vitin 1968 kur ishte mbajtur sesioni shkencor në 500-vjetorin e ditëvdekjes së heroit mesjetar.
Kështu, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu kishte qenë objekt shqyrtimesh edhe në tri seritë e revistës shkencore të IAP-së, “Gjurmime albanologjike”, duke nxjerrë në dritë studime nga emra si: Stjepan Antolak, Kasem Biçoku, Iljaz Rexha, Jahja Drançolli, Flamur Hadri, Ymer Jaka, Françesko Altimari, e të tjerë.
Lulëzim Lajçi, sekretar shkencor në IAP, ka vlerësuar se “Java e Albanologjisë” më 2018 kishte përvijuar një organizim më të veçantë nga herët e kaluara.
“Atë vit, të gjitha degët e Institutit, përfshirë Folklorin, Etnologjinë, Hjuhën, Letërsinë dhe Historinë si bartësja kryesore, patën Skënderbeun si temë të përbashkët por duke e trajtuar nga këndvështrimet e tyre përkatëse”, ka thënë Lajçi për gazetën.
Për këtë konferencë i ishin dërguar 60 ftesa të veçanta emrave autoritativë nga fusha e studimeve për Skënderbeun, ndërkohë që gjatë aktivitetit ishin lexuar mbi 50 kumtesa e prurje të ndryshme. / koha.net /