Adelina Xhaferi | Bota njerëzore që nga historia e krijimit të saj ka përjetuar çaste mjaft të rënda, me anë të të cilave ose e ka njohur më mirë veten, bashkë me anën e fshehtë të saj, ose është mësuar se si të veprojë në të ardhmen, në situata të njëjta ose në ato me elemente të ngjashme. Si e tillë, ajo gjithmonë ka qenë e aftë dhe e fuqishme që edhe çastin më të vështirë e të zi, ta bëjë me ngjyrë dhe veten ta mbulojë me shpresë më tepër se sa me jorgan. Është kjo një e vërtetë e njohur për të gjithë ne. Është diçka që na flenë e na përmbush në vazhdimësi. Është diçka që e kemi gjithnjë brenda vetes, me të rritemi, shohim ëndrra, jetojmë e plakemi, ngase nga ajo marrim forcë e shpresë se si të përballemi me gjërat që për fat të keq bien mbi kokat tona edhe në ditë bekimi.
Bota po përjeton një makth të vërtetë. Për këtë jemi të gjithë dëshmitarë, dëshmitarë të moshave të ndryshme, ngase edhe bota e fëmijëve ndonëse nuk e kupton diçka të tillë, së paku ia di emrin, pra di ta identifikojë, di t’ia thotë emrin me frikë e t’ia shprehë dëshirën që t’i qëndrojë sa më larg. Frika sa vjen e po rritet te të gjithë. Është diçka e tmerrshme të hedhësh hapat për të rrugëtuar drejt jetës, e të ndjesh frikën e Virusit Korona, armës së padukshme, që dita-ditës po na bën të tmerrohemi për viktimat e shumta përreth botës e për të prekurit e tjerë të pafajshëm. Na bën të tronditemi thellë brenda vetes, dhe përsëri edhe në këtë gjendje të mendojmë për të nesërmen, të cilën nuk e duam me ëmbëlsira të shtrenjta e në ballkone vilash fundjave, por me një qetësi shpirtërore, ngrohtësi familjare e me lajme të mira se bota po shpëton dhe se Virusi Korona po jep frymën e fundit. Është kjo dëshira e secilit nga ne.
Por, ndonëse për të askush nuk mund të jep të dhëna dhe shenja të sigurta, e vetmja gjë që na takon neve të bëjmë është që të mbrohemi nga ajo bashkë me njerëzit tanë më të afërt, e me të cilët edhe në këtë gjendje të rëndë botërore mundohemi të qeshim e të thurim ëndrra për të nesërmen. Ndryshe, po të mos e bënim edhe këtë, brejtja e vetes sonë, që me kohë do të kishte lënë mbi truall vetëm eshtra e kafka njerëzore.
Këshillat se si të mbrohemi nga Virusi Korona po na vijnë nga çdo anë, nga zëra të shumtë, të cilët njëjtë si prindërit tanë, e mendojmë të mirën tonë e të botës në tërësi. Na urdhërojnë ta mbrojmë veten dhe tjetrin. Mbrojtje e mirë përpos higjienës personale dhe të qenit larg kontaktit fizik me të tjerët, do të ishte edhe leximi i një libri, ngase nëse Virusi Korona të detyron që tjetrin ta kesh larg fizikisht, nuk mund të të detyrojë të mos e ndjesh afër një shkrimtar dhe personazhin e tij, të cilin ai e solli në libër në mënyrë artistike, me tipare të ndryshme. Kjo do të ishte zgjidhja më e mirë, e thonë njerëz të mëdhenj, njerëz të botës së letrave/shkrimeve, njerëz të njohur që tashmë kanë bërë emër të madh, e jo vetëm ne, të cilëve profesioni detyrimisht na çon drejt librave, drejt një bote ndryshe nga realja, por në pamundësi për t’i ikur e për ta lënë të shteret prapa krahëve tanë të lodhur e me barë të madhe shekullore.
Libri, siç e kemi të njohur të gjithë, ka qenë dhe është një nga shoqëruesit më të mirë e më të denjë të njeriut, nën shoqërimin e të cilit ai (njeriu) kurrë nuk ka ndjerë monotoni, vetmi dhe pakënaqësi, ngase çdo fjalë brenda tij e bën të ndryshojë botëkuptimin mbi jetën, mbi veten, mbi tjetrin, mbi fenomenet e ndryshme, e në veçanti të mendojë edhe për botën e madhe shpirtërore të shkrimtarit, dora dhe mendja e të cilit para tij kanë dhënë diçka që ai s’do ta gjente askund tjetër. Në libër përpos mendimeve të thella filozofike të shkrimtarit, ne takojmë edhe personazhe, veprimet dhe synimet e të cilëve herë-herë kanë edhe pika të përbashkëta me ne, qofshin ato personazhet e shkrimtarëve tanë kombëtarë, qofshin ato të huaj. Kjo është fuqia e librit, pra tërheqja që të bën ndaj tij për t’i dalë deri në fund, për ta ndjekur, përkrahur ose akuzuar personazhin e tij, e për një çast për ta harruar botën e egër e të sëmurë përreth nesh.
Në këtë gjendje të rëndë si kjo jona shpirtërore, ashtu edhe ajo botërore, do të ishte mirë që në duart të merrnim një libër. Nëse nuk mund t’ia sigurojmë vetes menjëherë atë të riun, të cilit lexuesit e shumtë po ia nxjerrin zërin e mirë, së paku ta marrim një edhe të vjetër, të fshehur aty në raftet e gjyshit tonë, të cilin përpos duarve të tij në ditët e punës, nuk e ka prekur kush më. Kështu, përpos që do ta bënim të afërt edhe shkrimtarin, do ta ecnim rrugën e personazhit të tij, do të mendonim njëjtë si ai dhe do ta bënim pjesë të jetës sonë, njëherë do ta mbronim edhe veten nga Virusi Korona, sepse kohën që ne do të duhet ta kalojmë jashtë në rrezik, do ta kalojmë brenda të sigurt.
Librat janë të natyrave të ndryshme, me autorë të njohur e të panjohur për ne. Por, edhe përkundër kësaj ti rrëmbeje një libër nga rafti i bibliotekës! Bëje këtë për sigurinë e botës njerëzore! Bëje të afërt shkrimtarin, si: Kadare me romanet: “Kukulla”, “Prilli i thyer” dhe “E penguara”, M. Isaku me romanin “Rrengu”, E. Dones me romanin “Kardigan”, Gëte me “Vuajtjet e djaloshit Verter”, M. Kundera me romanet: “Identiteti” dhe “Shakaja”, ose poetët si: F. Arapin, B. London, L. Poradecin, P. Nerudën, Ç. Bodlerin, Lorkën, S. Spenderin etj.
Kam shpresë se përderisa ti po e lexon librin, Virusi Korona do të bjerë në greminë!
Shpreso edhe ti!