• FILLIMI
  • IMPRESUM
  • KONTAKTI
E premte, 9 Maj 2025
Tradita | Shoqatë për kulturë dhe art

SHOQATA PËR KULTURË DHE ART “TRADITA”

  • FILLIMI
  • AKTUALE
    • ARSIM
    • KULTURË
    • OPINIONE
    • SPEKTËR
    • COVID-19
  • HISTORIKU
  • MANIFESTIME KULTURORE
  • VEPRIMTARIA SHKENCORE
  • BOTIMET E SHOQATËS
  • ÇMIMI KOMBËTAR “ALI VISHKO”
  • TRADITA PLUS
No Result
View All Result
Tradita | Shoqatë për kulturë dhe art
No Result
View All Result
Home Arsim

POETIKA DHE PËRFAQËSUESIT E ROMANTIZMIT EVROPIAN

18/02/2020
| Arsim

Selam Sulejmani | Për sa i përket poetikës së romantizmit dhe përfaqësuesve të saj kryesor janë shkruar shumë studime, prandaj nuk pretendojmë se kemi shkuar përtej tyre. Në këtë rast jemi munduar që të krijojmë një strukturë përmbajtjesore që nuk përfshin të dhëna jashtë objektit tonë të studimit, gjegjësisht karakteristikave kryesore të romantizmit evropian. Më duhet ta them, që në fillim, se ky tentim shoqërohet me vështirësi të shumta për shkakun se në ambiente të caktuara lëvizja romantike ka specifikat e saj. Kjo ndodh nga shkaku se jo të gjithë vendet u janë nënshtruar të njëjtave rrethana historike, kulturore, shoqërore, politike etj. Kur flasim për romantizmin gjerman, detyrimisht duhet bërë dallim për sa u përket karakteristikave të tij në raport me romantizmin anglez, francez apo rus. Diku kjo epokë fillon më herët e diku më vonë. Diku kundrohet vetëm në raport me prurjet artistike, diku edhe për efektet që ka pasur në jetën shoqërore, në ngritjen e vetëdijes kombëtare etj. Në rastin e dytë mund të flasim edhe për romantizmit shqiptar. Në disa letërsi romantizmi nuk shënoi ndonjë ngritje cilësore si p.sh. në Spanjë e Portugali, apo në vendet e Evropës veriperëndimore, diku ishte shumë jetëshkurtër, si në Bullgari, e diku pothuajse nuk u ndje fare. Megjithatë, mund të themi se romantizmi pati shtrirje të madhe jo vetëm në vendet evropiane, por edhe në Amerikë.

Në këtë studim jemi fokusuar te lëvizjet kulturore që përgatitën ardhjen e romantizmit, ku mund të veçojmë racionalizmin, që poetika e romantizmit iu kundërvu. Pra arsyes iu kundërvu ndjenja. Pastaj sentimentalizmin dhe protoromantizmin, por edhe lëvizjet si “Stuhi e Vrull”, përkrahës të së cilës ishin dy emra të mëdhenj të letërsisë botërore sikurse Gëte dhe Shileri.

Në këtë studim jemi fokusuar te lëvizja romantike në letërsi të ndryshme kombëtare ku i kemi paraqitur shkaqet e lindjes, karakteristikat dhe përfaqësuesit më eminentë.

Konsiderojmë se ky studim jep një pasqyrë për sa i përket shtrirjes së romantizmit në Evropë; prurjeve artistike që solli; të përbashkëtës të romantizmit në letërsi të ndryshme kombëtare; përfaqësuesit më kryesore që mund të veçohen nga gjithë këto letërsi kombëtare, por edhe për sa i përket efekteve që pati romantizmi jashtë strukturës gjuhësore, kulturore dhe letrare, gjegjësisht në lëvizjet politike e shoqërore të Evropës.

Me këtë rast, ndonëse nuk jemi fokusuar te karakteristikat dhe përfaqësuesit kryesorë të romantizmit shqiptar, duam të themi se edhe romantizmi shqiptar nuk ishte i rastësishëm, por ishte produkt i këmbimeve kulturore ndërmjet shqiptarëve dhe popujve të tjerë. Duhet përmendur edhe përfaqësuesit eminentë shqiptarë të cilët morën lëvdata për punën e tyre krijuese nga poetët më eminentë të shekullit, sikurse ishte rasti me Jeronim de Radën, puna krijuese e të cilit u çmua nga Hygo, Lamartin etj.

ORIGJINA E TERMIT “ROMANTIZËM”

Termi “romance” u përdor për të shënuar diçka të re, gjuhën popullore, për dallim nga gjuha latine e cila deri atëherë ishte gjuhë e shkruar zyrtare. “Enromancier” dhe “romancar” nënkuptonte krijimin (ose përkthimin) e librave në gjuhën popullore. Ajo që krijohej si e tillë quhej “roman”, “romanz” ose “romance”. Por shprehja “romantizëm”, ashtu si përdoret në jetën e përditshme, përdoret në Anglinë e shekullit 17 dhe 18, si një fjalë moderne.[1]

Shprehja “romantike” përdoret si sinonim i diçkaje që është e pabesueshme, imagjinare, fantastike, shpesh edhe me kuptim negativ: si diçka e shëmtuar, e gënjeshtërt, fëmijërore etj. Si fjalë angleze depërton në gjuhën franceze, si një plotësim i fjalës “pittoresque” (pitoreskte).

Në vitin 1789, në Fjalorin e Akademisë Franceze, fjala “romantique” do të thotë: “Përdoret për vende, peizazhe që zgjojnë imagjinatën për të shkruar poezi e prozë”. Edhe neologjizma gjermane “Romantisch”, gjithashtu ndërlidhet me ndikimin anglez.

Ndonëse në Angli nuk ishte një fjalë shumë e popullarizuar, në Gjermani kishte përdorim te gjerë para se të bëhej një term teorik. Para së gjithash përdorej për romanin gotik, romanin e ankthit dhe tmerrit.

Teoricienët e romantizmit gjerman vëllezërit Vilhelm dhe Fridrih Shlegel e përmendin këtë term. Për Gëten fjala “romantike” kishte kuptimin e së bukurës në raport me natyrën. Për Shilerin kishte kuptimin e asaj që është moderne, sentimentale dhe subjektive.

Të gjithë këto përkufizime janë individuale dhe nuk thonë diçka për ndonjë shkollë letrare. Në vitin 1800 termi përdoret për të emëruar një grup letrarësh, por ende me një kuptim pezhorativ, sepse përdoret nga kundërshtarët.

Studiuesit konsiderojnë se termi “romantik”, “romantizëm” duhet kuptuar sipas kuptimit që ia japin mjedise të caktuara kombëtare, sepse, sikurse e dimë, ky drejtim nuk u shfaq në të gjithë mjediset në rrethana të njëjta, prandaj edhe ka karakteristika të veçanta në sisteme të ndryshme kulturore[2]. 

ORIGJINA E ROMANTIZMIT

Origjinën e romantizmit duhet kërkuar në krijimtarinë letrare të shekullit 18-të, kur ende dominonin idealet estetike të iluminizmit dhe kryefjalës së saj: Guxo të mendosh (Sapere aude).

Kanë qenë shumë fenomene, poetika dhe talente individuale që kanë ndikuar në përgatitjen e ardhjes së epokës së romantizmit, ndonëse studiuesit konsiderojnë se ardhja e kësaj epoke ndodhi në mënyrë spontane dhe pa një program paraprak.  Dy drejtimet që ndikuan më shumë ishin sentimentalizmi dhe pararomantizmi. Për derisa poetika e sentimentalizmit ruajti veçanti të iluminizmit, pararomantizmi (protoromantizmi) prirej drejt irracionales, si një drejtim i rëndësishëm i filozofisë idealiste, që më pas do të jetë një nga veçantitë kryesore të poetikës së romantizmit.

Sentimentalizmi

Karakterizohet me kundërvënien e tij kundrejt fuqisë së arsyes dhe kundërshton primatin kundrejt natyrës dhe sensibilitetit. Gjithashtu e merr më pak në konsideratë të përbashkëtën e njeriut – karakterin e tyre universal, kurse më shumë i kushton kujdes individëve dhe popujve, duke pasur parasysh anën e tyre origjinale dhe kombëtare.

Karakteristika të sentimentalizmit konsiderohen: prirje drejt botës intime të njeriut, mahnitja nga natyra, kthimi drejt bukurive të saj, idealizim i jetës rurale, idilike, lidhjes së përhershme me njerëzit e thjeshtë që jetojnë në një natyrë të pastër, përkundër jetës së zhurmshme të qytetit.

Sentimentalistët adhurojnë romanin familjar, i shkruar, kryesisht, në formë epistolare, ditarësh, por edhe elegjinë, odën dhe prozën poetike.

Si përfaqësues më eminentë konsiderohen: Eduard Jang, Xhems Tomson, Tomas Grej, Samjuel Riçardson, Lorens Stern, Oliver Goldsmit, por këtu mund të përmendim edhe Zhan Zhak Rusonë, veçanërisht për romanin Eloiza e re.

Pararomantizmi

Pararomantizmi ose protoromantizmi vazhdon të ndjekë përvojën e poetikës së sentimentalizmit, por duke i zhvilluar tendencat e kësaj poetike. Kultit të ndjeshmërisë, natyrës dhe njeriut të natyrës do t’i shtojë edhe ideale të reja, gjegjësisht në përsosjen e teknikave dhe përmbajtjeve poetike, duke u bazuar në folklor, krijimtarinë popullore dhe përvojat nga mesjeta.

Pararomantikët parapëlqejnë “poezinë origjinale”, sipas së cilës letërsia nuk duhet që të jetë një imitim i thjeshtë i natyrës, por e barasvlershme me të.

Pararomantikët e gjejnë frymëzimin tek “gjeniu origjinal”, në rend të parë te Shekspiri, të cilin klasicizmi anglez e konsideronte si “barbar”, kjo për shkakun se ai nuk respektoi parimet e poetikës klasiciste, veçanërisht tre unitetet: koha, hapësira, veprimi.

Për pararomantikët dhe romantikët Shekspiri ishte ashtu sikurse Homeri për klasicistët. Ai ishte një çlirues nga “prangat klasiciste”.

Pararomantizmi i kushtoi më shumë kujdes qytetërimit të vendeve të Evropën veriore, që ndër shekuj ishin harruar. Nis rilindja e keltëve, skocezëve, galëve dhe bardëve të tyre të lashtë.

 Herderi si paraprijës i romantizmit gjerman

Johan Gotfrid Herderi (1744-1803) konsiderohet si një nga paraprijësit e romantizmit gjerman. Ai u shqua si një studiues i letërsive të ndryshme të botës, me qëllim që të gjente “arketipet” e letërsisë. Ai e quajti Biblën si “poezia e vjetër natyrore e botës”, duke u falur romantikëve një burim të pashtershëm frymëzimi. Ai çmohet se zgjoi interesimin për letërsinë antike dhe “zërin e popujve në poezi”.

“Volksgeist”-i (shpirti i popullit) i tij i hapi rrugë integrimit të krijimtarive popullore të popujve evropianë, brenda kuadratit të një letërsie të përbashkët.

Herderi konsiderohet sot si një krijues i filozofisë së re të kulturës, i cili në rend të parë e nxjerr shpirtin dhe gjuhën e popullit. Idetë e tij hasën në mirëkuptim te shkrimtarët e romantizmit, veçanërisht tek letërsitë që ngriheshin mbi themelet e krijimtarisë popullore.

Idetë e pararomantizmit, sikurse dihet, në rend të parë u shfaqën në Angli, kurse më pas edhe në Gjermani, veçanërisht te lëvizja “Sturm – und – Drang”, përfaqësues të së cilës ishin edhe Gëte dhe Shileri.

Sturm – und – Drang (Stuhi e vrull)

 Sturm und Drang[3] – ishte lëvizje letrare në Gjermani (1767-1785), që ishte kundër racionalizmit të tepruar dhe prirej drejt lirisë së ndjenjave dhe botës së fantazisë. Konsideronte se natyra të falte gjithçka. Bartës kryesor ishte rinia qytetare, e cila kërkonte më shumë liri në art dhe në shoqëri. Arti konsiderohej si vepër e gjeniut, prandaj edhe quhet epoka e gjeniut. Vepër karakteristike e kësaj lëvizjeje ishte “Vuajtjet e djaloshit Verter”, ku kryepersonazhi bën vetëvrasje, ngase nuk mund të arrijë një marrëveshje me shoqërinë. Përveç poezisë lirike formë tjetër letrare e preferuar ishte edhe drama, nëpërmjet së cilës mund të shprehej më mirë konflikti ndërmjet gjeniut dhe rendit ekzistues. Në këtë drejtim u shqua edhe Shileri me Wilhel Tell-in. Lëvizja u ndikua shumë nga shkrimtari francez Zhan Zhak Ruso (1712-1778), i cili në krijimtarinë e tij letrare ishte më i hapur ndaj natyrës dhe përjetimeve të thella. Lëvizja nuk dha krijime të mëdha, por hapi diskutime në teorinë e letërsisë dhe për sa i përket procesit letrar[4].

Me këtë rast do të përmendim dy përfaqësuesit kryesor të kësaj lëvizjeje kulturore: Gëten dhe Shilerin.

Johan Gëte (Johann Wolfgang von Goethe, 1749 – 1832) është përfaqësuesi më i madh i romantizmit gjerman, i cili e pasuroi letërsinë gjermane dhe atë botërore. Ai është shkrimtari më i gjithanshëm gjerman (lirik, epik, dramaturg, shkrimtar, kritik letrar, teoricien, botues, politikan,  dhe filozof gjerman) dhe njëri nga emrat më të rëndësishëm të letërsisë botërore.  Konsiderohet si njëri nga personalitetet më të rëndësishme të letërsisë gjermane dhe neoklasicizmit evropian dhe romantizmit të fundit të shekullit XVIII dhe fillimit të shekullit XIX.  Arriti famë që në gjallje. Përgjatë udhës së gjatë krijuese ishte pjesë e rrymave, drejtimeve, shkollave dhe diskutimeve të ndryshme letrare dhe pothuajse asnjëherë nuk u bë rob i një programi. Goethe shprehu adhurim për letërsinë dhe artin e antikitetit, për Renesancën dhe kishte mirëkuptim për dramaturgët e periudhës klasiciste, ishte pjesë e romantizmit, përktheu këngë popullore, por gjithnjë e ruajti origjinalitetin e tij.[5]

Në fillet e veprimtarisë letrare, në Lajpcig, krijoi miqësi me Johan Gotfrid Herderin (1744-1803), i cili shprehu idealet qytetare të individualizmit, origjinalitetit dhe kreativitetit.  Nëpërmjet Herderit e njohu Homerin, poezinë popullore, kurse nën ndikimin e Shakespeare-it, e shkroi dramën Götz von Berlichigen (Gëci i Berlichigen-it).

Pas vendosjes në oborrin e Vajmarit, ndjeu lodhje nga jeta oborrtare dhe shkoi në Itali, ku iu nxit adhurimi për idealet estetike të letërsisë antike.

Më 1794 shoqërohet me Schiller-in (Shilerin). Johann Christoph Friedrich von Schiller (1759-1805) – dramaturg dhe poet i shquar gjerman dhe figurë eminente në letërsinë gjermane. Autor i Vilhelm Telit, që u botua më 1804 dhe dramatizon luftën e popullit zviceran për liri. Në gjuhën shqipe u përkthye për herë të parë në vitin 1934. Veprat e Gëtes dhe Shilerit e bëjnë Uajmarin si qendrën më të fuqishme kulturore në Gjermani. Gëte merr pjesë edhe në lëvizjen “Sturm und Drang”.

Fiton lavdi me prozën Vuajtjet e djaloshit Verter (1774). Përpunon personazhin e Verterit me ndjenja subtile, me jetë të trazuar shpirtërore dhe me ideale të paarritshme, i cili pasi nuk e gjen veten në shoqëri, bën vetëvrasje. Kjo vepër pati ndikim të madh në kohën kur u botua. Vepra nxiti “efektin Verter” – shumë lexues bënë vetëvrasje, sipas shembullit të personazhit të Gëtes.

Gëte shënoi sukses të madh edhe si lirik. Shkroi forma të ndryshme lirike. Shquhet si përjetues i natyrës, për motivet e dashurisë, për njohjen e raporteve ndërnjerëzore dhe problemeve jetësore, që i shprehu poetikisht dhe me muzikalitet të veçantë.

Në fushën e dramës shquhet me Ifigjenia (1787) dhe Tasso (1790), kurse vendin kryesor e zë kryevepra e tij Fausti (1880), ku krijon një personazh simbolik nga koha heroike e kulturës qytetare.

Fausti konsiderohet si njëra nga veprat më të rëndësishme të letërsisë botërore, për shkak të thellësisë së njohjes jetësore, problemeve që i trajton dhe simbolikës që përmban. Kjo vepër është përkthyer në shumë gjuhë të botës dhe ka qenë objekt studimi e diskutimi nga shumë studiues letërsie, filozofie etj.

Gëte shquhet edhe për respektin e shprehur ndaj kulturës së Lindjes.

Me personalitetin dhe veprën e tij Gëte u bë simboli i kulturës gjermane dhe një autor i patejkalueshëm i letërsisë botërore. Madje edhe figurë referenciale.

Veprat më të rëndësishme të tij janë: Fausti, Vuajtjet e djaloshit Verter, Elegjitë romake, Ifigjenia në Tauridë, Torkuato Taso, Teoria e gjyrave, Geci i Berlindgenit, Epigramet Veneciane etj[6].

Fridrih Shileri, pas Gëtes, konsiderohet si shkrimtari më i rëndësishëm gjerman i fundit të shekullit 18 dhe i fillimit të shekullit 19, të cilin shkrimtari i njohur Tomas Mani e quajti si “ideolog i lirisë”. Ai e quajti kështu sa për poezinë “Ode e gëzimit”, e cila i shërbeu Bethovenit për Simfoninë e 9, po aq edhe për shkakun se ishte angazhuar për mbrojtjen e lirive dhe të drejtave të njeriut.

Shileri dhe Gëte ishin miq të afërt. Me dramën Cubat (1782) arriti famë brenda dhe jashtë Gjermanisë. Veprimi i dramës ndodh në kohën e luftës shtatëvjeçare ndërmjet Austrisë dhe Prusisë (1756-1763). Ishte koha kur nëpër Gjermani bridhnin mijëra të pastrehë, që vidhnin e digjnin gjithçka që shihnin. Personazhi kryesor është Karl Mor, i cili konsiderohet se është tipik për lëvizjen “Stuhi e vrull” (Sturm-und-Drang), i cili vepron me armë për të dënuar botën e shthurur[7].

Përfundim

Meritë e poetëve, shkrimtarëve, teoricienëve, mbledhësve të folklorit të periudhës së romantizmit evropian është se ata arritën që të zgjeronin horizontet e letërsisë botërore dhe artit në përgjithësi, duke e pasuruar me tema e motive, me zhanre të reja, me pasurim në aspektin gjuhësor e stilistik, por edhe duke kontribuuar në zhvillimet shoqërore e politike të kohës si në plan kombëtar, po ashtu edhe në plan më të gjerë.

Janë romantikët të cilët e ringjallin Gëten dhe Shekspirin, dy kolosë të letërsisë botërore. Gjithashtu edhe letërsinë mesjetare, por e risjellin edhe Servantesin dhe Kalderonin, kurse duke përkthyer pjesë nga letërsia e Lindjes (Arabisë, Kinës, Indisë etj.), arrijnë që të hapin rrugën për njohjen e kësaj letërsie të pasur me vlera të përbotshme artistike, ideore, estetike etj. Gjithashtu, gjatë romantizmit, Evropa për herë të parë njeh edhe vlerat e krijuara në Amerikë, gjegjësisht poetët sikurse H.V. Long Felou (i njohur për lexuesin shqiptar për vargjet kushtuar Skënderbeut), Edgar Allan Po-në, i cili u njoh nga lexuesi evropian falë përkthimit nga Sharl Bodleri.

Romantizmit i përket edhe merita që arriti të bënte individualizimin e letërsive kombëtare, por njëkohësisht edhe forcimit të fenomenit të afrimit dhe këmbimit të vlerave të kulturave të ndryshme, në mjedise të ndryshme kulturore.

Gjatë romantizmit poetët u konsideruan si profetë e vizionarë. Ata nëpërmjet emocioneve të tyre parashikojnë fatet e popujve të ndryshëm. Veçanërisht ky konstatim vlen për popujt të cilët gjatë periudhës së romantizmit ndikuan në zgjimin e vetëdijes kombëtare dhe dhanë një kontribut të çmuar në krijimin e shteteve kombëtare, ku bën pjesë edhe romantizmi shqiptar.

Nëse i përgjithësojmë karakteristikat e poetikës së romantizmit atëherë do të mund të veçonim disa prej tyre. Konkretisht: romantizmi lindi si një kundërvënie ndaj periudhës klasiciste. Ndjenja iu kundërvu arsyes. E keqja në botë, sipas romantikëve, mbetej e përhershme, sikurse lufta kundër saj. Ajo nuk mund të mposhtej, por duke u luftuar nuk mund të zgjerohej. Së këndejmi lindi edhe shprehja e njohur “dhimbja e botës” që shpreh gjendjen e palakmueshme të botës dhe shpirtit.

Romantizmi, sipas Hegelit, konsiderohet si stadiumi i tretë dhe i fundit i zhvillimit artistik, që vjen pas antikës dhe përfshin artin mesjetar. Romantizmi ka lindur në kohën e shtrëngatave sociale dhe pas tyre. Nëpërmjet romantizmit futet në letërsi historizmi. Ky princip u bë e arritura më e madhe filozofike dhe estetike e kësaj periudhe. Romantikët e pranuan traditën e artit mesjetar dhe ideve të krishtera, që vëmendjen e fokusuan pikërisht te bota e brendshme e njeriut.

Poetika e romantizmit nënkupton imagjinatë e bujshme, shpesh irracionale, duke e injoruar arsyen. Ligjet e natyrës dhe jetës zëvendësohen me përjetime emocionale. Ekziston besimi se nëpërmjet ëndrrës mund të ndërrohet realiteti. Romantikët janë të pakënaqur me realitetin dhe në konflikt me të. Kemi mospërputhje të ideales dhe reales; dhënie përparësi lirisë së pakufishme dhe luftë kanuneve të ngrira racionaliste. Romantikët i bëjnë analizë botës së brendshme shpirtërore (në plan të parë ndjenja dhe jo arsyeja). Ata zgjedhin heronj të jashtëzakonshëm (rebelë, kryengritës, të panënshtruar, të braktisur – sikurse Bajroni). Hedhin vështrimin prapa, në të kaluarën kombëtare. Shprehin interesim për vendet e largëta ekzotike, ato të Orientit, për natyrën madhështore dhe të virgjër. I kushtuan kujdes jetës materiale dhe shpirtërore të popullit, gjuhës, traditave. I karakterizon ndjenja e kultit ndaj natyrës.

Në periudhën e romantizmit kemi zhvillim të gjinive dhe llojeve letrare, kemi pasurim të mjeteve dhe gjuhës artistike; kemi adhurim për muzikën dhe artet tjera. Në lirikën romantike ndihet ndikimi i pikturës dhe muzikës. Metafora bëhet figurë e preferuar stilistike.

Romantizmi solli ndryshime në poezi dhe tregoi interesim të madh për gjuhën dhe gjuhësinë. Shkrimtarët e romantizmit e pasuruan fjalorin me fond fjalësh. Me epitete dhe hiperbola pasuruan shprehjen poetike. Çasti i frymëzimit konsiderohet si një çast festiv në lindjen e poezisë. Frymëzimi si çast hyjnor e “viziton” të zgjedhurin për të shkruar poezi. Poeti paraqitet si vizionar, që jeton në botën e tij, ku bukuria zë vendin kryesor.

Në periudhën e romantizmit lirika hyri në të gjithë format letrare. Rrëfimi subjektiv u shfaq si monolog në prozë dhe në dramë. Kemi përshkrime peizazhi, përjetime mistike, meditime. Kemi gërshetim të lirikës dhe epikës, që e bëri poemën si zhanrin dominues në romantizëm. Secili romantik ka shkruar poema.

Literatura

*** Historia e letërsisë botërore 1-8, Prishtinë 1984.

ANRI – Pazho, Daniel, Letërsia e përgjithshme dhe krahasimtare, Shkup, 2002

ARISTOTELI: Poetika, Rilindja, Prishtinë, 1998

BECKER, Miroslav: Povijest knizevnih teorija, SNL, Zagreb,1979

BLOOM, Harlod: Si dhe përse lexojmë, Dudaj, Tiranë, 2008

BOREV, Jurij: Естетика, Македонска реч, Скопје, 2008.

CHEVREL, Yves: Letërsia e krahasuar, Tiranë, 2002

DADO, Floresha: Teoria e veprës letrare – Poetika, SHBLU, Tiranë 2003.

DHAMO, Todi: Fjalori i mitologjisë, Rilindja, Prishtinë, 1988

Dr. Tvrtko Čubelić, Književnos, Panorama, Zagreb, 1965, f.529-530

FLAKER, A,  Zh. Shkreb, Stilovi i razdoblja, Matica hrvatska, Zagreb, 1964

FLAKER, Aleksander, Stilske formacije, Institut za znanost o knjizevnosti, Zagreb, 1978

GASHI, Osman: Studime interliterare, Prishtinë, 2001

GRIM, Herman, Gëte, jeta dhe vepra, Toena, Tiranë, 1998

Grup autorësh: Historia e letërsisë shqiptare, Rilindja, Prishtinë, 1989

ISLAMI, Nebi, Historia dhe poetika e dramës shqiptare, Prishtinë, 2003

MARASHI, Ardian Letërsia botërore 11, Tetovë-Tiranë, 2004, f. 173.

Paskal Gilevski, Rade Siljan, Romantizam, MM, Shkup, 2004

Salajdin Salihi, Letërsia botërore II, dispensë, USHT, 2010

SHATRO, Bavjola, Analizë dhe interpretim, Dita 2000, Tiranë, 2010

SOLAR, Milivoj Povijest svjetske književnosti, Golden marketing, Zagreb, 2003;

UELEK, Rene; OSTIN, Ueren: Teoria e letërsisë, Shtëpia botuese enciklopedike, Tiranë 1993

VINCA, Agim: Kursi i teorive letrare, Libri Shkollor, Prishtinë, 2002

ZEJNELI, Xhelal: Periudhat dhe drejtimet në letërsi, Çabej, Tetovë, 2006

[1] Shih: Paskal Gilevski, Rade Siljan, Romantizam, MM, Shkup, 2004

[2] Po aty

[3] Shih edhe në: Dr. Tvrtko Č ubelić, Knjizevnost, Panorama, Zagreb, 1965, f.529, si dhe në P Gilevski, R. Siljan, Romantizam, Matrica Makedonska, Shkup, f.28-30

[4] Dr. Tvrtko Čubelić, Književnos, Panorama, Zagreb, 1965, f.529-530, cituar sipas S. Salihu, Letërsia botërore II, Tetovë, 2010

[5] Po aty f.193-194.

[6] Shih: Salajdin Salihu, Letërsia botërore II, dispensë, Tetovë, 2010

[7] Po aty


Publikimi i mëparshëm

Universiteti i Tetovës e shënoi 25 – vjetorin e ligjëratave të para

Publikimi i radhës

Fjalori i Eshref Ymerit, vepër madhore e leksikografisë dygjuhëshe

Publikimi i radhës

Fjalori i Eshref Ymerit, vepër madhore e leksikografisë dygjuhëshe

JuSm
KoBo
Emetimi

10. 6. 2023 | Në Tetovë u mbajt Edicioni X i manifestimit kulturor “Lidhja na bashkon”

10. 6. 2023 | Në Tetovë u mbajt Edicioni X i manifestimit kulturor “Lidhja na bashkon”

00:02:59

EDICIONI IX I MANIFESTIMIT KULTUROR ''LIDHJA NA BASHKON"

00:03:31

Promovohet revista për letërsi, art dhe kulturë “Metafora”

00:04:02

EDICIONI VIII I MANIFESTIMIT KULTUROR “LIDHJA NA BASHKON”

00:03:00

Shoqata “Tradita” e organizoi Edicionin V të manifestimit letrar ndërkombëtar “Shtigje poetike”

00:01:29

Shoqata “Tradita” e organizoi Edicionin VII të manifestimit kulturor “Lidhja na bashkon”

00:02:38

MANIFESTIMI LETRAR ''SHTIGJE POETIKE'' – EDICIONI II

00:01:13

ORË LETRARE PËR 80 VJETORIN E ISMAIL KADARESË

00:02:49

KONFERENCË SHKENCORE KUSHTUAR PROF. DR. ALI VISHKOS

00:04:25

Tradita.org – është portal i Shoqatës për kulturë dhe art “Tradita”. Funksionon si platformë multimediale dhe angazhohet për  promovimin e arsimit, shkencës, kulturës dhe artit.

Tradita.org – është edhe adresë e debatit të lirë, e zërit kritik dhe e ballafaqimit të mendimeve dhe të ideve përparimtare.


  • FILLIMI
  • IMPRESUM
  • KONTAKTI

2012-2024 © Shoqata për kulturë dhe art “Tradita” / Powered by Optimus Solutions / Privacy Policy.

Mos kopjoni tekst!
No Result
View All Result
  • FILLIMI
  • AKTUALE
    • ARSIM
    • KULTURË
    • OPINIONE
    • SPEKTËR
    • COVID-19
  • HISTORIKU
  • MANIFESTIME KULTURORE
  • VEPRIMTARIA SHKENCORE
  • BOTIMET E SHOQATËS
  • ÇMIMI KOMBËTAR “ALI VISHKO”
  • TRADITA PLUS

2012-2024 © Shoqata për kulturë dhe art “Tradita” / Powered by Optimus Solutions / Privacy Policy.