Universiteti i Tetovës, më 17 shkurt 2020 (e hënë), do ta shënojë 25 – vjetorin e fillimit të ligjëratave të para. Drejtuesit e këtij institucioni të arsimit të lartë në gjuhën shqipe në RMV, në këtë përvjetor pritet të organizojnë disa aktivitete, në përkujtim të kësaj date që shënon edhe fillimin e procesit mësimor – shkencor në vitin akademik 1994 /1995.
Aktivitetet do të fillojnë me homazhe te busti i dëshmorit të arsimit shqip, Abdylselam Emini dhe te varri i themeluesit dhe Rektorit të parë e historik, të UT-së, Prof. Dr. Fadil Sulejmani, do të vijojnë më pas me vizitën e udhëheqësisë së universitetit në Muzeun historik në fshatin Poroj ku u mbajtën ligjëratat e para dhe vendosjen luleve te shtatorja e Prof. Dr. Fadil Sulejmanit në sheshin e UT-së.
Ndërkaq manifestimi qendror do të mbahet në Amfiteatrin e rektoratit, ku edhe do të zhvillohet programi i akademisë solemne. Në çdo përvjetor, Universiteti i Tetovës, e përkujton rrugëtimin e vështirë mësimor – shkencor, sidomos vitet e para duke funksionuar në objekte private të cilat qytetarët i lëshuan për nevojat e këtij tempulli të dijës, por edhe duke e përkrahur financiarisht atë. Sot, UT është zhvilluar dhe ka ecur përpara me ritme dhe hapa të shpejtë duke krijuar kushte për studentët, profesorët dhe stafin e akademik në funksion të realizimit të procesit shkencor dhe akademik në kushte bashkëkohore.