• FILLIMI
  • IMPRESUM
  • KONTAKTI
E diel, 11 Maj 2025
Tradita | Shoqatë për kulturë dhe art

SHOQATA PËR KULTURË DHE ART “TRADITA”

  • FILLIMI
  • AKTUALE
    • ARSIM
    • KULTURË
    • OPINIONE
    • SPEKTËR
    • COVID-19
  • HISTORIKU
  • MANIFESTIME KULTURORE
  • VEPRIMTARIA SHKENCORE
  • BOTIMET E SHOQATËS
  • ÇMIMI KOMBËTAR “ALI VISHKO”
  • TRADITA PLUS
No Result
View All Result
Tradita | Shoqatë për kulturë dhe art
No Result
View All Result
Home Opinione

Ç’gjuhë flasim?

31/01/2020
| Opinione

 Prof. Dr. Shezai Rrokaj | Çdo debat për gjuhën, për aq kohë sa i shërben gjuhës shqipe dhe shqiptarëve në sfidat e tyre ndaj vetes dhe shoqërisë globale, është i mirëpritur. Mjafton që ai të zhvishet nga diletantizmi, nga mendësitë aksiologjike dhe nga paragjykime krahinoriste për t’iu gjegjur shqipes në prirjet e saj të zhvillimit. Të gjithë e dinë tanimë se çdo vend i BE-së duhet të ketë një standard të ngulitur dhe të gjithëpranuar. Të gjitha vendet e BE-së komunikojnë në një variant shtetëror të formësuar dhe të institucionalizuar. “Gjuha e shtetit” bëhet gjuha e komunikimit ndërshtetëror edhe pse në variantin e përkthyer. Ndaj mendoj se çështjet e gjuhës shqipe e të standardit të saj duhen parë në dinamikën e zhvillimit të shoqërisë shqiptare dhe të sfidave të saj të integrimit.

As shqipja, as shqiptarët dhe as Shqipëria nuk janë më si para 3-4 dekadash, deri kur u mbajt Kongresi i Drejtshkrimit. Sikundër ka ndodhur, mund të bëhen diskutime për Kongresin, për çfarë u bë dhe si u bë, për çfarë ishte e drejtë dhe çfarë nuk ishte e drejtë, duke e kqyrur nga këndvështrimi i sotëm. E kam thënë edhe herë të tjera se ky Kongres dhe vendimet e tij, megjithë kritikat që mund t’i bëhen, nuk mund të dilte jashtë kohës dhe kushteve gjeopolitike të hapësirës mbarëshqiptare se, si dhe për raste të tjera, dija shkencore nuk mund të dilte e të sfidonte as idealizmin kombëtar dhe as pragmatizmin ideologjik. I përmbahem pra, mendimit se çdo rishikim i standardit nuk duhet bërë nga pozicioni i vendimeve të marra këtu e 40 vite më parë, me synimin për të ndrequr këtë apo atë gjë, sepse as gjuha, as shqiptarët dhe as Shqipëria nuk janë më të njëjtët. Duke qenë edhe “gjuhë e shtetit” dhe e institucioneve të tij, për pasojat që kanë këto ndryshime në tërë veprimtarinë shtetërore, ato duhen bërë me konsensus shtetëror. Kjo do të thotë se përpos një diskutimi akademik, dhe një përgjegjësie ndërinstitucionale, duhet edhe një “dritë jeshile” nga shteti. Te shqiptarët ky “mandatim” është ndërshtetëror, sepse ndryshimet prekin komunikimin ndërshtetëror, ndërinstitucional, gjithë legjislacionin, shkollën në tërësi, median dhe gjithë pushtetet e tjera në rang kombëtar. Pra, çështja e standardit është sa përgjegjësi individuale e studiuesve po aq edhe përgjegjësi e institucioneve që merren me gjuhën. Por në radhë të parë ajo është përgjegjësi e shtetit, i cili e ka “gjuhën” e vet të komunikimit në tërë shtrirjen e tij. Për gjeopolitikën e shqiptarëve kjo përgjegjësi është me rëndësi të madhe kombëtare.

Për të harmonizuar këto tri nivele përgjegjësie është më e udhës që mëtimi mbi shqipen të bëhet nisur nga këndvështrimi i rezultateve dhe i ecurisë gjuhësore, i kushteve të reja gjeopolitike dhe i sfidave tona të përbashkëta kombëtare për shekullin e ri. Diletantizmit shkencor, euforisë nacionaliste, krenarisë dhe egocentrizmit krahinorist duhet t’u vëmë përballë studime që mbajnë parasysh dinamizmin e gjuhës, duke zbatuar mbi to metodologjinë shkencore dhe realizmin gjeopolitik aktual, në mënyrë që të ndërpriten eksperimentet ex catedra, që gëlojnë në laboratorët e disa mendjeve, por jo, sigurisht, në laboratorin e shqipes natyrale. Gjuhëtarët as bëjnë dhe as zhbëjnë gjuhë. Misioni i tyre është studimi i saj shkencor në gjendjen aktuale dhe në prirjet e zhvillimit, duke vënë në dukje faktorët e brendshëm dhe të jashtëm që ndikojnë në gjuhë.

Sot standardi i shqipes është shkëputur dukshëm nga koineja toske, duke ndjekur rrugën e vet të zhvillimit, por edhe duke u pasuruar nga gjithë areali dialektor i mbarë shqipes, kryesisht ai gegë. Natyrisht, janë vënë në dukje nga studiuesit disa dukuri, të cilat eventualisht mund të rregullohen, por mendoj se është ende herët për të ndërhyrë në standard. Ndërhyrjet në standard bëhen pas periudhash relativisht të gjata. Reformat gjuhësore ndërmerren pas studimesh dhe mbajnë parasysh prirjet e zhvillimit. Çdo ndryshim është një “kosto” për të arritur njësimin në tërësinë e folësve. Lëvizjet gjeopolitike në këtë pragshekulli e kanë vënë gjuhën shqipe përballë sfidash më të rëndësishme sesa disa rregullime në fushë të standardit. Gjuha shqipe ka filluar të rrjedhë lirshëm në arteriet e kombit. Nga ana tjetër, ajo po përballet me një “stuhi” gjuhësore prej gjuhëve të tjera, kryesisht anglicizmat. Vetë standardi ka ende probleme të mëdha për t’u ngulitur në të gjitha trojet. Koha e shkurtër për përhapjen e tij, faktorët demografikë, shkolla, institucionet e ndryshme, mungesa e një politike planifikuese gjuhësore në kushtet e reja etj., kanë ndikuar dhe ndikojnë ende në mosshtrirjen sa dhe si duhet të standardit në gjithë truallin shqipfolës. Prandaj, shqetësimi kryesor kombëtar sot është ruajtja e gjuhës nga gjuhët e tjera dhe sidomos ngulitja e standardit në tërë arealin shqipfolës. Futja e ndryshimeve të tjera, në një kohë relativisht të shkurtër, veç do ta rriste më tej mundin për njësim e do ta shtonte “kakofoninë” gjuhësore. Siç do të shprehemi më poshtë, kjo çështje nuk duhet ngatërruar me dialektet si pasuri gjuhësore kombëtare, me njohjen e tyre dhe rolin që duhet të luajë shkolla në këtë drejtim.

 Tre janë faktorët më të rëndësishëm që ndikojnë sot mbi gjuhën standarde shqipe në marrëdhëniet e saj me gjithëgjuhën. Faktori i parë është lëvizja e njeriut bashkë me “fjalën” ose, siç mund të thuhet ndryshe, faktori demografik. Shqiptarët po lëvizin lirshëm brenda trojeve tona e, bashkë me ta, idetë, traditat, fjalët. Për shumë arsye, është thyer koncepti i enklavës gjuhësore dhe territori si koncept gjeografik nuk shërben më për të përkufizimin e dialektit, i cili nën trysninë e shoqërisë globale po hyn në një marrëdhënie sociolekti me standardin dhe gjithëgjuhën.

Faktori i dytë është ndikimi i medias, vizive e të shkruar. Gradualisht, ky faktor po bëhet përcaktues për fatin e standardit dhe të marrëdhënieve të tij me gjithëgjuhën. Krahas kritikave që i bëhen medias si “prishëse” e gjuhës, si “konsumatorja” më e madhe e fjalëve dhe strukturave të huaja, sot i duhet njohur edhe një meritë e madhe. Duke qenë konsumatorja më e madhe e shoqërisë së informacionit, ajo është njëkohësisht edhe përhapësja më e mirë e fjalës anekënd trojeve tona. Sot për sot, krejt natyrshëm dhe jashtë çdo lloj censure, roli i saj për afrimin e standardit me gjithë arealin e shqipes është një realtet i prekshëm. Media elektronike dhe ajo e shkruar në tërësinë e vet po bëhen modeli i respektimit të një standardi koherent, duke e bërë atë një proces dinamik, që ndjek zhvillimin e shoqërisë. Pranë saj qendron edhe libri, i cili prej kohësh ka dalë në “panairin” kombëtar. Gjithë ky gëlim i shqipes duhet t’u nënshtrohet studimeve të reja dhe me këndvështrime bashkëkohore përpara se të ndërmerren reforma gjuhësore.

Faktori i tretë është edukimi nëpërmjet shkollës. Dihet se shkolla përmbush detyrimin kryesor për ngulitjen e standardit. Këtu po ndalemi më gjatë, duke mëtuar për t’iu përgjigjur pyetjes se çfarë lloj shqipeje mësojnë fëmijët në shkollë dhe si mund të ndërmerren studime të reja në këtë drejtim.

Siç jam shprehur edhe në raste të tjera, një çështje konceptuale e tekstologjisë në drejtim të metodologjisë së mësimdhënies për formimin gjuhësor të nxënësve lidhet me dy probleme themelore. Problemi i parë ka të bëjë me dy objektiva bazë: gjuha si dukuri natyrore dhe metagjuha. Në çfarë raporti janë midis tyre dhe si i vijnë në ndihmë njëra – tjetrës? Ndryshe do ta shtronim problemin në këtë mënyrë: shqiptarët do të mësojnë gjuhën shqipe  në variantin shtetëror e më gjerë, në radhë të parë, apo do t’i japin më shumë rëndësi koncepteve shkencore të kësaj dukurie të cilat, ashtu si dhe për shkenca të tjera, lidhen me metagjuhën. Ky problem është trajtuar në shumë forume shkencore por, nga qasja që u kam bërë programeve dhe teksteve, ende nuk ka një raport të drejtë midis këtyre dy koncepteve. Fakt është se nuk përvetësohet si duhet standardi në shkollë dhe fëmijët kanë dije të cekta për gjuhën shqipe në tërësi. Është e vërtetë se përsosja e një standardi dhe përvetësimi i tij në shkollë është edhe një proces historik dhe kërkon kohën e duhur. Të mos harrojmë se në më pak se katër dekada shqiptarët po flasin në një standard, i cili u vendos në kushte gjeopolitike që aspak nuk favorizonin përhapjen dhe njësimin në mbarë trojet shqiptare. Vetëm në dy dekada gjuha shqipe në tërësi ka filluar të rrjedhë gati natyrshëm.

Kam mendimin se jo sa dhe si duhet është trajtuar kjo çështje në metodologjinë tekstore; jo sa dhe si duhet ky binom konceptual, gjuha dhe metagjuha, kanë ndjekur rritjen moshore të nxënësve nga klasa në klasë. Të gjithë kanë mësuar e mësojnë deri fund të shkollimit (pa lënë mënjanë edhe këtu mangësitë që vërehen) konceptet e kryefjalës, kallëzuesit, rrethanorit, pjesët e ligjëratës etj., por jo të gjithë flasin shqip, bukur e qartë. Jam i mendimit se në përputhje me rritjen moshore, duhet të kalohet nga procesi i mësimit të gjuhës tek metagjuha. Para se t’u mësojmë shqiptarëve metagjuhën, kemi detyrimin t’u mësojmë gjuhën në variantin  shtetëror dhe në tërë shtrirjen e saj. Ndaj, mendoj se duhen shtuar edhe më shumë të gjitha veprimtaritë didaktike që ndikojnë në ngulitjen e standardit dhe në zgjerimin e pasurisë gjuhësore. Por mbi të gjitha është e nevojshme të ndërmerren studime psikolinguistike dhe sociolinguistike që t’i trajtojnë këto çështje dhe të japin rezultate konkrete si dhe rekomandime të mbështetura shkencërisht për t’i prerë rrugën impresionizmit e diletantizmit shkencor dhe, ca më keq, pragmatizmit kaotik. Kjo gjë duhet të bëhet me një strategji afatgjatë, e cila duhet të përfshijë gjithë sistemin tonë arsimor deri në universitet, pavarësisht nga dega ku jemi. Një komb me standard të ri, ende të pashtrirë si duhet në gjithë arean shqipfolëse, duhet të shumëfishojë përpjekjet, sikundër kanë vepruar e veprojnë kombe të tjera, edhe pse me standarde gjuhësore më të vjetra e më të ngulitura se ky i yni.

Problemi i dytë është se çfarë duhet të mësojnë në shkollë fëmijët: vetëm standard apo edhe dialektet, variantet dialektore e sociolektet? Natyrisht në cilësinë e gjuhëtarit pra, të shkencëtarit, nuk mund të them se standardi është më i rëndësishëm se dialekti; nuk është më pak apo më shumë shqip. Janë dy gjëra të ndryshme, njëlloj të rëndësishme për gjuhën. Por, si kudo në shoqëritë e zhvilluara, në shkollë mësohet standardi si gjuhë komunikimi, si gjuhë e shtetit dhe e gjithë piramidës institucionale shtetërore. Nga ana tjetër, kjo nuk do të thotë që të lihet jashtë vëmendjes së shkollës pjesa tjetër e natyrshme, e përditshme dhe gjenetike e gjuhës, që është dialekti, e folmja, sociolekti etj.. Në përvetësimin e gjuhës natyrore, një proces shkollimi i përqendruar vetëm tek standardi, duke lënë pas dore këtë pjesë tjetër vitale të gjuhës, kam bindjen se ka shpënë në një mosnjohje si duhet edhe të vetë standardit dhe, nga ana tjetër, ka deformuar deri diku hapësirën perceptuese mbarëgjuhësore. Siç theksova më lart, kemi më pak se katër dekada që janë vendosur rregullat e drejtshkrimit dhe gati dy dekada që shqiptarët komunikojnë lirshëm me njëri-tjetrin. Një ndarje e prerë, duke konceptuar një tekstologji kryesisht të standardit, jo vetëm që dëmton botëkuptimin e fëmijës, por edhe e mban atë në një gjendje hiperkorrektimi, në një ankth gjuhësor e në një dyshim të përhershëm, duke qenë i pavendosur nëse është në standard apo dialekt. Jam i mendimit se mënyra më e mirë për të mësuar standardin është duke e krahasuar atë me dialektin dhe duke e pasuruar standardin me prurjet e dialektit. Nëpërmjet kësaj rruge ne fëmijëve tanë u mësojmë gjithë gjuhën, por u tregojmë njëkohësisht se kur ata duhet të shprehen në standard e kur ata duhet të qëndrojnë në dialekt, por mbi të gjitha nuk kufizojmë hapësirën perceptuese gjuhësore, pikërisht atë çfarë nxënësi bën nga shkolla deri në shtëpi e përtej saj.

Po e mbyll këtë shkrim duke pohuar se të gjithë shqiptarët nuk do të bëhen gjuhëtarë por, të gjithë shqiptarët duhet të flasin shqipen standarde, pa e anashkaluar pjesën tjetër të gjuhës, me të cilën lidhet një pjesë tjetër e perceptimit të botës shqiptare e më gjerë. Ndaj mendoj se duhet sa më shumë punë konkrete për ngulitjen e standardit, me të cilin lidhet edhe prestigji i shtetit dhe institucioneve. Por kjo ngulitje mund të jetë më e efektshme krahas vetëdijësimit për dialektin a të folmen, në krahasim e në dallim nga njëri-tjetri. Në këtë mënyrë ne i qasemi më natyrshëm fëmijës dhe gjithëgjuhës së tij, duke i bërë më të dallueshme variantet e të folurit në kontekstet e përdorimit.

Ta ruajmë gjuhën nga fjalët e huaja të panevojshme dhe ta lëmë të rrjedhë standardin sa më shumë në arteriet e gjithë kombit, duke studiuar prirjet përthithëse të tij. Vetë gjithëgjuha një ditë do të na mësojë se çfarë tjetër do të përzgjidhet për ta pasuruar standardin e saj. Në atë kohë edhe mendjet tona do të jenë kthjelluar më shumë.


Publikimi i mëparshëm

Përkujtim / Më 31 janar u nda nga jeta historiani, profesori, akademiku i shquar shqiptar Kristo Frashëri

Publikimi i radhës

West Side Family do të organizojë koncert për Dr. Florin

Publikimi i radhës

West Side Family do të organizojë koncert për Dr. Florin

JuSm
KoBo
Emetimi

10. 6. 2023 | Në Tetovë u mbajt Edicioni X i manifestimit kulturor “Lidhja na bashkon”

10. 6. 2023 | Në Tetovë u mbajt Edicioni X i manifestimit kulturor “Lidhja na bashkon”

00:02:59

EDICIONI IX I MANIFESTIMIT KULTUROR ''LIDHJA NA BASHKON"

00:03:31

Promovohet revista për letërsi, art dhe kulturë “Metafora”

00:04:02

EDICIONI VIII I MANIFESTIMIT KULTUROR “LIDHJA NA BASHKON”

00:03:00

Shoqata “Tradita” e organizoi Edicionin V të manifestimit letrar ndërkombëtar “Shtigje poetike”

00:01:29

Shoqata “Tradita” e organizoi Edicionin VII të manifestimit kulturor “Lidhja na bashkon”

00:02:38

MANIFESTIMI LETRAR ''SHTIGJE POETIKE'' – EDICIONI II

00:01:13

ORË LETRARE PËR 80 VJETORIN E ISMAIL KADARESË

00:02:49

KONFERENCË SHKENCORE KUSHTUAR PROF. DR. ALI VISHKOS

00:04:25

Tradita.org – është portal i Shoqatës për kulturë dhe art “Tradita”. Funksionon si platformë multimediale dhe angazhohet për  promovimin e arsimit, shkencës, kulturës dhe artit.

Tradita.org – është edhe adresë e debatit të lirë, e zërit kritik dhe e ballafaqimit të mendimeve dhe të ideve përparimtare.


  • FILLIMI
  • IMPRESUM
  • KONTAKTI

2012-2024 © Shoqata për kulturë dhe art “Tradita” / Powered by Optimus Solutions / Privacy Policy.

Mos kopjoni tekst!
No Result
View All Result
  • FILLIMI
  • AKTUALE
    • ARSIM
    • KULTURË
    • OPINIONE
    • SPEKTËR
    • COVID-19
  • HISTORIKU
  • MANIFESTIME KULTURORE
  • VEPRIMTARIA SHKENCORE
  • BOTIMET E SHOQATËS
  • ÇMIMI KOMBËTAR “ALI VISHKO”
  • TRADITA PLUS

2012-2024 © Shoqata për kulturë dhe art “Tradita” / Powered by Optimus Solutions / Privacy Policy.