• FILLIMI
  • IMPRESUM
  • KONTAKTI
E premte, 9 Maj 2025
Tradita | Shoqatë për kulturë dhe art

SHOQATA PËR KULTURË DHE ART “TRADITA”

  • FILLIMI
  • AKTUALE
    • ARSIM
    • KULTURË
    • OPINIONE
    • SPEKTËR
    • COVID-19
  • HISTORIKU
  • MANIFESTIME KULTURORE
  • VEPRIMTARIA SHKENCORE
  • BOTIMET E SHOQATËS
  • ÇMIMI KOMBËTAR “ALI VISHKO”
  • TRADITA PLUS
No Result
View All Result
Tradita | Shoqatë për kulturë dhe art
No Result
View All Result
Home Opinione

Prelud postmodern

30/01/2020
| Opinione

Dr. Arlind Farizi | Libri “Psalmet e rrënjës” solli padyshim vlera të reja nga opusi krijues i poetit tonë Agim Vinca, kritikut prijatar dhe ekspertit të poezisë shqipe. Aty shpalohet me lehtësi spektri i gjerë tematik, reagimi i mprehtë plot ndjeshmëri emocionale ndaj fenomeneve të jetës, përjetimi i thellë i ngjarjeve të kohës të cilat vulosen në shpirt dhe kujtesë, muzikaliteti i rrallë i vargut, diskursi dhe figuracioni funksional dhe i pasur poetikisht, ndjeshmëria e hollë ndaj gdhendjes së fjalës, kujdesi ndaj ritmit, rimës dhe, në përgjithësi, mundësitë shprehëse me anë të gjuhës si medium, si dhe vënia e lidhjeve kreative me përvojën poetike post-moderne. Një nga vlerat e pamohueshme të këtij libri, i cili hyn në radhën e poezive post-moderne dhe kthen sytë e lexuesit të vëmendshëm kah poezia dhe ia ringjall  dëshirën lexim dhe rilexim kreativ, besa, edhe për ta mësuar përmendsh si në kohët e saj më të mira është poezia “Palimpsest për gruan dhe librin”.

Në këtë poezi Agim Vinca i jep rëndësi parësore mallit-vlerës, përmbajtjes (le fond), prandaj edhe i thyen ligjet formale (le forme), por pa iu shmangur figurës (le figure). Ky tekst, që është marrë nga libri i tij “Psalmet e rrënjës”, është i vetmi në mbarë librin që e ka fenomenin e interaksionit zhanror dhe duke qenë i tillë, ai shënjon një ndërrim të stilit poetik të poetit drejt një preludi post-modern..

Interpretimit të poezisë e “Palimpsest për gruan dhe librin” do doja ti shtoja nëntitullin “Leximi si një transaksion personal”. Nga kjo mund të kuptojmë se teksti nuk është tërësi e pandryshueshme, veçse një proces, në të cilin merr pjesë aktive edhe lexuesi. Te çdo lexim, tekstit të fiksuar në letër, lexuesi ia bashkangjet një sërë faktesh ekstratekstuale. Me ndihmën e nocioneve psikoanalitike, sikundër janë identiteti, imagjinata, ose mbrojtja, lexuesi është në gjendje që,  reagimin letrar, ta lidhë me personalitetin e leximit. Teoria transaktive e reagimit, na ndihmon që t’i vëmë në lidhje “llojllojshmërinë e pasur të përvojës letrare me pasurinë e pamatshme të qenieve  njerëzore”.

Ishte pikërisht Norman Hollandi dhe teoria e tij e leximit që solli konceptin “temat e  identitetit” me të cilin nënkuptohet se çdo njeri ka strukturën e caktuar mentale, e cila rregullon të gjitha format e sjelljes së tij, e kështu edhe të kuptuarit dhe të interpretuarit e veprave letrare. Fantazia nuk ekziston në mënyrë latente, në të ndodhet vetëm materiali, nga i cili, secili  lexues do të krijojë vetë trillin e tij, që nuk është e thënë të ngjajë me trillin e  shkrimtarit. Ato gjenden në lexuesin, më saktësisht në raportin kreativ mes lexuesit dhe veprës. Në librin e Hollandit “Leximi i pesë lexuesve”, qëndron: “Psikika e lexuesit shfrytëzon, përshtat dhe rregullon çdo gjë, që e merr nga tregimi, e që asaj  mund t’i sjellë kënaqësi”, pra, çdo akt leximi është konstruktiv. Vepra letrare është prirur gjithmonë nga vështruesi i saj dhe se ajo, gjatë aktit perceptiv bëhet refleks i lexuesit. Leximi krahasohet me dashurinë dhe është një mënyrë e veçantë jetese.

Poezia “Palimsest për gruan dhe librin” është poezi e pastër post-moderne ku interteksti dhe citati janë determinante të pashmangshme të kësaj poezie. “Poezia dallohet nga e folura e përditshme si vallëzimi nga të ecurit”, kishte thënë dikur poeti  francez Mahlerbe, i cituar disa shekuj më vonë nga Paul Valery te eseja “Poezia dhe mendimi  abstrakt”. Të njëjtin formulim përdor edhe Shkllovskij kur do që të shpjegojë konceptin e  defamiljarizimit të gjuhës së përditshme, duke thënë: ”Vallëzimi është një ecje e ndjerë (që  ndjehet)”. Kjo poezi është religjion në vete, e cila të tundon, përderisa ajo, me hir a me pahir, i përulet dashurisë së gruas dhe dashurisë ndaj librit. Poezia ka një EROTEMË: përkushtimin e njëjtë dhe të barasvlershëm mes gruas dhe librit që shpalon mjeshtërinë e poetikës së veçantë Agimjane. Ai shkruan: /“Tërë jetën njeriu kërkon gruan dhe libri e jetës”.. Gruaja e jetës dhe libri i jetës. Gruaja që duhet dashuruar përjetësisht dhe libri që duhet lexuar pareshtur. Pse kjo domosdo njerëzore? Pse ky krahasim? A krahasohet gruaja dhe libri? Gruaja e mishtë e libri si produkt druri. Gruaja fatale dhe libri i jetës. Kodet simbolike janë Gruaja – dashuria dhe libri –jeta. Përgjigja mbetet enigmë dhe shëtitet hamendshëm livadhit të fantazisë. VEPRAT NUK KANË FANTAZI, ATO I KANË NJERËZIT. Lexuesi gërmon pas fasadës së  poezisë dhe nxjerr prej andej një NËNTEKST, të cilin e shpall si tekstin e vërtetë. Në disa raste interpretimi është një akt çlirues. Në disa të tjerë ka karakter reaksionar, trivial, mbytës dhe meskin. Në këtë poezi subjekti lirik identifikohet me personazhe simbole. Ato janë dy: GRUAJA dhe LIBRI. Ata i bashkon iluzioni, shtrati, frika prej konkurrencës, nata, lakmia për veten, siguria në bibliotekë. Profesori ka harruar të na kujtoj se çka i veçon ata. Andaj si një lexues implicit do mundohem ta plotësoj këtë mungesë. Për këtë plotësim kam lejen e prej Bartit.

Arti i leximit është dhe arti i krijimit

LIBRIT i mungon lexuesi i mirëfilltë. GRUAS dashnori i përbindur. Leximi i librit kërkon sy kurrioz dhe gisht të lagur për të ndërruar faqet. Fragmentet e lëkurës së gruas lexohen me majën e gjuhës. Libri do jetëgjatësi në mendjet e njerëzve. GRUAJA jeton për një moment, për një çast, ku ndezën fenerët e pasionin dhe epshit. LIBRI për dallim nga gruaja nuk vdesë. LIBRI mund kuptohet si metaforë e jetës. GRUAJA gjendet mes krahasimesh të vajzave. Për librin thuhet se është një mikromodel i kulturës së përgjithshme, ku ruhen të arriturat njerëzore. Aty ruhet përvoja e gjithëmbarshme shekullore e njerëzimit. Aty ruhet kujtesa dhe imagjinata e njeriut, qe përcillet te brezat e ardhshëm. Leximi është jeta e librit. Fati i librit ndërlidhet plotësisht me fenomenin e leximit. Latinët kanë thënë: “Brenda librit ruhet bota“. LIBRI është çudi. Borhesi shkruante: “LIBRI, ky instrument pa të cilin nuk mund që ta paramendoj jetën time… Libri është vazhdimësi e kujtesës dhe imagjinatës”. Funksioni i librit është ruajtja e kujtesës njerëzore. LIBRI është ruajtës i gjurmëve të ekzistencës njerëzore në botë, një dëshmi efemere dhe e përjetshme. Libri u ka mundësuar njerëzve që të njohin të kaluarën. Ka ndodhur vetëm ajo që e shkruajmë, sepse fjala e shkruar ka fuqi magjike. Ajo ruan përjetësisht gjurmën njerëzore. Miltoni ka thënë se “Libri ruan brenda vetes një forcë jetësore”. Sipas tij aty ruhet ekstrakti i inteligjencës së gjallë, një pije që na mundëson jetën pas jetës. Pas të folmes, fenomeni më i rëndësishëm i historisë kulturore të njerëzimit është shkrimi. Libri është “metaforë e jetës“, rrezatues drite që nuk guxojmë ta humbim. Në një tekst të moçëm thuhet se“Njeriu është qenie e vdekshme, kufoma e tij është hi, gjithë bashkëmoshatarët e tij janë nën dhe. Libri është ai që kujtimin e tij e mbart nga goja në gojë. Shkrimi është më i vlefshëm sesa një kështjellë e fuqishme, se sa një përmendore e zbukuruar me vizatime dhe relieve, sepse libri ndërton përmendore në zemrat e atyre që e lexojnë”. Viktor Hygo besonte se po qe se do të ndodhte përmbytja, atëherë do të shpëtonte vetëm një zog fluturues, që fluturon në të katër anët e botës dhe bashkon me një frymë të gjithë pikat e ajrit dhe hapësirës. Ky zog fluturues ishte libri. Jeta e përgjithshme e njerëzimit është palosur në libër. Libri është gjurmë që ka lënë njeriu mbi ekzistencën e vet. Në thellësinë njerëzore është brumosur nevoja për artikulimin dhe shënjimin e përvojës së tij. Çka i shtyn njerëzit të lexojnë? Përse njerëzit lexojnë? Çka ndodh me njeriun kur zhytet në libër? Janë këto disa pyetje që vështirë se mund t’u japësh përgjigje të prerë. Disa lexojnë që të informohen, të tjerë se ndjejnë kënaqësi. Ekzistojnë mjaft përkufizime për sa i përket leximit. Më i avancuar duket përkufizimi se akti i leximit është akt përcjellës i të shkruarit, kurse të dy këto procese janë produkt të përpjekjes që mesazhi të bëhet sa më jetëgjatë. Leximi paraqet një fenomen mjaft delikat dhe mjaft të komplikuar antropologjik. Shumica e mendimtarëve thonë se shkrimi dhe leximi është kërkim i Tjetrit. Sipas Simon de Bovoarit “letra na mundëson që të flasim me vetveten dhe me Tjetrin”. Ngjashëm mendon edhe Kofman, që thotë se të lexosh libra do të thotë të jesh në kërkim të Tjetrit. Ekzistojnë mendime se  leximi na largon nga kjo botë që të mund të kemi kuptim për të. Daniel Penak thotë se të lexosh është sikurse të kërkosh që të jetosh. “Njeriu ndërton shtëpi sepse është i gjallë, por shkruan libra sepse është qenie që vdes… lexon sepse është i vetmuar. Leximi është një shoqëri e veçantë dhe e pazëvendësueshme”, thotë ai. Mendimtarë të tjerë, janë të mendimit se komunikimi i natyrshëm letrar është punë e përbashkët e autorit dhe lexuesit, që përbën aktin e krijimit. Duke dhënë përgjigje në pyetjen se “Çka është letërsia?” Zhan Pol Sartri thotë se “Procesi i shkrimit nënkupton edhe procesin e leximit”. Pra, një vepër lind me përpjekjet e përbashkëta të autorit dhe lexuesit. Rubakin mendon se libri nuk transmeton asgjë. Lexuesi e përkthen librin varësisht nga niveli i tij kulturor dhe gjendja e tij psikologjike. Anketat kanë dëshmuar se gjatë leximit lexuesit vënë re vetëm gjërat që kanë lidhje me to. Pra “një vepër nuk është objekt që ekziston vetëm për vete”. Pra, nuk është objekt i mbyllur. Ai varet nga lexuesi, që i jep kuptime të reja. Shkrimtari argjentinas Luis Borhesi, thotë se libri nuk është asgjë nëse nuk e hapim, por “nëse e lexojmë, ndodh diçka e çuditshme. Ai ndryshon vazhdimisht…. Lexuesit e pasurojnë librin“. Borhesi e çmon më shumë Artin e Leximit sesa Artin e Shkrimit. Ai thotë: “Të tjerët le të kënaqen me fletët që kanë shkruar, unë kënaqem me librat që kam lexuar”. Ai ndjen gravitimin miqësor të librave, kurse librin e konsideron si një fat që e ka pasur vetëm njerëzimi. Xhorxh Shtajneri thotë se “Të lexosh drejt do të thotë të rrezikosh”. Ky rrezik është më i madh tek lexuesit e “thjeshtë” që nuk kanë pretendime të lexojnë ashtu sikurse duhet. Sa shumë citate për LIBRIN sa pak për GRUAN. Një natë dashurie është një libër më pak i lexuar -thoshte Balzac.

Citati dhe interteksti si filozofi kreacioni

Në këtë poezi CITATI dhe INTERTEKSTI ka një filozofi të veçantë kreacioni. Interteksti është i pahetueshëm aq sa shkrihet e bëhet tekst origjinal. Në këtë mënyrë, ashtu siç thotë edhe Ekoja për Poe-n, duke u përpjekur që të përkufizojë praktikën e tij të shkruarit, Agim vinca zbulon strategjinë postmoderne poetike, krijon struktura të reja që e karakterizojnë filozofinë e një kreacionit tipik post-modern në letërsisë shqipe. “Palimpsest për gruan dhe librin” është poezia më specifike në tërë krijimtarinë poetike të këtij poeti. Në të shpërfillet pastërtia zhanrore, interaksioni zhanror, citati i së cilës proklamohet zëshëm. Ky tekst artikulohet herë si poezi, herë si prozë e, aty-këtu, edhe si ese a koment. Po të përdornim etiketa, këtë tekst do ta cilësonim si postmodern, por poeti interesohet për mallin e jo për etiketa: /“Në shkrime, si në dashuri, or tungjatjeta, rëndësi ka malli e jo etiketa!”/, thuhet në fjalinë e fundit të këtij teksti.

Zherar Zheneti në hyrje të kapitullit të tij për zhanret letrare, në librin Figura dhe teoricieni amerikan Northrep Fraji treguan qartë funksionet intertekstuale me diskursin e ngjeshëm që përdor Vinca në këtë poezi. “Çdo tekst është  intertekst”-shkruan teoricieni i madh Rolan Barti. Në fakt këtë mendim e mbështesin shumë dijetar të  letërsisë. POETI SI TIP IMPERSONAL BËHET TIP PERSONAL. Shikuar në aspektin e influencës, që është dukuri e pashmangshme për secilin shkrimtar, madje (sipas Bodlerit) për secilin njeri, poezia e Agim Vincës pranon katër modele: poezinë popullore, poezinë (e shkruar) tradicionale, poezinë e Brehtit dhe poezinë e Preverit.  Letërsia është e paparamendueshme jashtë tipologjisë së një  diskursi- thoshte Cvetan Todorovi. Rrjedhimisht, poezia e Agim Vincës është subtile plot sens dhe intertekst preverian. Teksti “Palimpsest për gruan dhe librin” është pa dyshim një nga krijimet më intriguese të librit. I konceptuar si një PALIMPSEST, ai është një lojë e vërtetë metaforash, kontrastesh, batutash, citatesh e imazhesh, e luajtur me mjeshtri nga ana e autorit. Agim Vinca i kësaj faze, që mund të quhet fazë e pjekurisë së tij të plotë krijuese, është poet jo vetëm i frymëzimit lirik, por edhe i komunikimit intelektual me mite, dokumente e kode të proviniencës letrare, shkencore, filozofike etj. Të analizosh diskurset, do të thotë të mbulosh e të zbulosh kundërthëniet, të shpërfaqësh lojën e  vendosur brenda tyre; të tregosh si i shpreh ato, si i ringjall, ose si iu jep atyre pamje të  përkohshme thoshtë dikur Mishel Fuko.

Post poziconi, sfida mbi rregullat e artit

 Post-poziconi në këtë poezi sinjalizon varësinë dhe pavarësinë kundërthënëse nga ajo që kohësisht i paraprin dhe që me të vërtetë e bën të mundshëm. Agim Vinca shënon një shkëputje të thjeshtë dhe radikale nga poezia moderne dhe nga kontinuitetin drejtvizori saj. Ai është edhe njëri, edhe tjetri, dhe as njëri, as tjetri. As moderni as post-moderni. Ky rast ka të bëjë me  kuptimin estetik, filozofik ose ideologjik të kësaj poezie dhe lë lexuesin të gjykojë si të dojë. Igëltoni i ndan TEORINË dhe PRAKTIKËN, duke zgjedhur të ndërtojë ARGUMENTIMIN në radhë të parë mbi konceptet abstrakte teorike dhe pothuajse duke iu  shmangur të thotë se për çfarë tipi të praktikës estetike flet. Fama e citatit në post-modernizëm sikur “zëvendëson të  vërtetën”. Post-modernizmi nuk mohon ekzistimin e së kaluarës; ai pyet se thua fare mund të njihet ndryshe e  kaluara pos përmes mbetjeve të tekstualizuara. Poezia post-moderne është vetëm një FIKSION I RIKULIFIKUAR. Hajnrih Klotz do të shprehej se “Post-modernizmi është rimëkëmbje estetike e fiksionit“, duke  përcaktuar kështu njërën prej veçorive më karakteristike e më domethënëse të artit post-modern në  përgjithësi e të letërsisë në veçanti. Nuk bën gjë tjetër përveçse rimerr, rikualifikon apo  rimëkëmb fiksionet e dikurshme e që u “përkisnin” formacioneve të mëparshme letrare.

Çfarë vlerësojmë si moderne apo post-moderne, do të dallohet nga mënyra se si përshtaten në një  kulturë të caktuar provokimet që shkakton një vepër arti. Veprat që mund të jenë moderne për një  kulturë, mund të jenë post-moderne për një tjetër. Francezi Liotar, autori i veprës themelore për  pos-tmodernizmin, thotë se një vepër mund të jetë moderne, nëse ka qenë më parë post-moderne. Si  rrjedhim, mund të thuhet, për shembull, se vepra e njohur “Urinorja” e Marsel Dushamp-it, e cila  mund të ketë filluar si post-moderne për nga mënyra sesi i sfidoi rregullat e një vepre arti, por  tashti ekspozohet nëpër galeri me statusin e një vepre arti. Pranohet se post-modernizmi është më  tepër një stil, sesa një periudhë kohore. Veçori të tij mund të renditen në këtë mënyrë: de-kanunizon  standarde kulturore, vepra dhe autoritete të mëparshëm; mohon autoritetin e autorit, zhvlerëson  qëllimin dhe synimet e tij; kundërshton të pritshmen, duke e tëhuajtur me qëllim lexuesin;  shkatërron burimet e veta me parodi, ironi, pastiche; argumenton që kuptimi është i papërcaktuar,  duke mohuar një interpretim përfundimtar apo të parapëlqyer; fragmenton tekste, duke i kthyer në  kolazhe e montazhe; shmang seriozitetin dhe përgjegjësinë, duke nxitur arbitraritetin e lojën;  përzien zhanret; zhvesh kontekstin, duke e zvogëluar përmbajtjen te një minimum i rreptë.

PËRUNDIMI:

SHKRIMTARI POSTMODERN është në pozitën e filozofit: teksti që shkruan, vepra që krijon, nuk udhëhiqen vetëm nga rregullat e vendosura, prandaj për to nuk mund të gjykohet në mbështetje të  një kriteri të caktuar, në të vërtetë për këtë tekst, për këtë vepër përdoren kategoritë e njohura.  Këto rregulla dhe këto kategori janë ato për të cilat gjurmon vetëm vepra. Këto teori i ka të absorbuara mirë poeti Agim Vinca.

REFERENCË:

  1. Dado, F.: “Teoria e veprës letrare – poetika”, Tiranë 2003.
  2. Genette, G.: “Fiksija i dikcija”, Zagreb 2002
  3. Jan Parandovski, Alkemija reci, Beograd,
  4. Jorge, Luis Borhes, To imiječe stiha, Neklada Jesenski i Turk, Zagreb, 2001
  5. Jurij, Llotman, Struktura na umetničiot tekst, Makedonask rec, Skopje, 2005
  6. Osman Gashi, Studime interliterare, Prishtinë, 2001
  7. Rene Velek, Ostin Voren, Teoria e letërsisë, Prishtinë, 1984
  8. Salajdin,Salihu Digresione, Milenium, Tetovë, 2008,
  9. Wellek dhe Woren, Teoria e letërsisë, Shtëpia botuese enciklopedike, Tiranë, 1993
  10. Yves Chevrel, Letërsia e krahasuar, Tiranë, 2002
  11. Rrahmani, Leximi dhe shkrimi, Shtëpia botuese “Faik Konica”, Prishtinë, 2003


Publikimi i mëparshëm

Vepra e Oruelit ka vlera universale dhe mesazhe humane

Publikimi i radhës

Si dashuria shpërblehet me pabesinë…

Publikimi i radhës

Si dashuria shpërblehet me pabesinë...

JuSm
KoBo
Emetimi

10. 6. 2023 | Në Tetovë u mbajt Edicioni X i manifestimit kulturor “Lidhja na bashkon”

10. 6. 2023 | Në Tetovë u mbajt Edicioni X i manifestimit kulturor “Lidhja na bashkon”

00:02:59

EDICIONI IX I MANIFESTIMIT KULTUROR ''LIDHJA NA BASHKON"

00:03:31

Promovohet revista për letërsi, art dhe kulturë “Metafora”

00:04:02

EDICIONI VIII I MANIFESTIMIT KULTUROR “LIDHJA NA BASHKON”

00:03:00

Shoqata “Tradita” e organizoi Edicionin V të manifestimit letrar ndërkombëtar “Shtigje poetike”

00:01:29

Shoqata “Tradita” e organizoi Edicionin VII të manifestimit kulturor “Lidhja na bashkon”

00:02:38

MANIFESTIMI LETRAR ''SHTIGJE POETIKE'' – EDICIONI II

00:01:13

ORË LETRARE PËR 80 VJETORIN E ISMAIL KADARESË

00:02:49

KONFERENCË SHKENCORE KUSHTUAR PROF. DR. ALI VISHKOS

00:04:25

Tradita.org – është portal i Shoqatës për kulturë dhe art “Tradita”. Funksionon si platformë multimediale dhe angazhohet për  promovimin e arsimit, shkencës, kulturës dhe artit.

Tradita.org – është edhe adresë e debatit të lirë, e zërit kritik dhe e ballafaqimit të mendimeve dhe të ideve përparimtare.


  • FILLIMI
  • IMPRESUM
  • KONTAKTI

2012-2024 © Shoqata për kulturë dhe art “Tradita” / Powered by Optimus Solutions / Privacy Policy.

Mos kopjoni tekst!
No Result
View All Result
  • FILLIMI
  • AKTUALE
    • ARSIM
    • KULTURË
    • OPINIONE
    • SPEKTËR
    • COVID-19
  • HISTORIKU
  • MANIFESTIME KULTURORE
  • VEPRIMTARIA SHKENCORE
  • BOTIMET E SHOQATËS
  • ÇMIMI KOMBËTAR “ALI VISHKO”
  • TRADITA PLUS

2012-2024 © Shoqata për kulturë dhe art “Tradita” / Powered by Optimus Solutions / Privacy Policy.