Xhelal Zejneli | XHORXH ORUELI (George Orwell, 1903-1950) lindi në Motihari të Bengalit. Vdiq në Londër. Emri i vërtetë i tij është Erik Artur Bler (Eric Arthur Blair). Është prozator anglez. Nga India, ku babanë e kishte nëpunës britanik, shkoi si bursist për shkollim në Angli. Pasi mbaroi Etonin, shërbeu në policinë koloniale të Birmanisë. Për këtë përvojë të vet, flet në romanin e tij të parë, me theks antiimperialist, Ditët birmaneze (Burmes Days, 1943). Pasi u end nëpër Paris dhe Londër, duke e mbajtur veten me punë të ndryshme, botoi shkrimet autobiografike Në pikë të hallit në Paris dhe Londër (Down and Out in Paris and London, 1933). Në prozën jofiktive Rruga e skelës në Vigan (The Road to Wigan Pier, 1937) pasqyron nga pozitat majtiste, minierat e Anglisë veriperëndimore. Pason edhe një vepër tjetër autobiografike Në nder të Katalonjës (Hommage to Catalonia, 1938). Në të flet për përvojën e vet në Luftën qytetare të Spanjës.
Për punën e tij letrare të mëtejme ishte me rëndësi njohja me rolin e Partisë Komuniste në shërbim të politikanëve stalinistë, të cilët i zbatonin direktivat e Kominternës sipas udhëzimeve të politikës së jashtme sovjetike, pavarësisht nga interesat e punëtorëve dhe të lëvizjes antifashiste në prag të luftës në Evropë.
Këto ishin vepra realiste, me intonacion social, pa kurrfarë orientimi ideologjik dhe propagandistik. Megjithëkëtë, ato nuk patën ndonjë jehonë të madhe.
Mirëpo, dy romane që lindën pas bombardimit gjerman të Londrës, patën një jehonë të fuqishme. Në këtë kohë, Orueli punonte në BBC. Për mënyrën e paraqitjes së fytyrës së totalitarizmit në këto dy vepra, publiku pa në to mekanizmin e diktaturës sovjetike.
Njëra prej tyre është Ferma e kafshëve (Animal Farm,1943, botuar më 1945). Ky roman është një satirë alegorike e cila, me gjithë origjinalitetin e vet, na përkujton prozatorin anglez-irlandez Xhonatan Svift (Jonathan Sëift, Dublin, 1667 – Londër,1745) pseudonim i Isaac Bickerstaff-it.
Romani tjetër është Një mijë e nëntëqind e tetëdhjetë e katër (Nineteen Eighty-Four, 1949). Është botuar edhe në trajtën “1984“. Është roman politik me ide aktuale dhe me ngjarje të vendosura në një të ardhme të afërt. Është një pasqyrim plot neveri i një shoqërie në të cilën mbizotëron kontrolli absolut i veprimeve dhe i mendimeve njerëzore. Pararendëse e këtij romani, në frymën e traditës së distopive të mëdha (utopive negative) është vepra Bota e re e guximshme (Brave New World, 1932) e prozatorit dhe eseistit anglez Aldus Leonard Haksli (Aldous Leonard Huxley, 1894-1963).
Me gjuhën e përpiktë dhe të rëndomtë, romani “1984” me dekada ka qenë ndër veprat bashkëkohore më të lexuara.
Me analizën racionale që e zbaton në esetë letrare dhe në letrat me përmbajtje sociale kritike (The Collected Essays, Journalism and Letters, 1968) Orueli arrin në gjurmët e sistemit të barazisë të ngritur mbi vlera humane. Me një fjalë, Orueli nuk është vetëm kritikues i komunizmit, por edhe i sistemit kapitalist të manipulimit të njeriut si dhe kritikues i instrumentalizimit të tij.
* * *
Një mijë e nëntëqind e tetëdhjetë e katër është roman shkencor-fantanstik. Në të pasqyrohet shoqëria totalitare futuriste. Për t’i mbajtur masat të nënshtruara, pushtetmbajtësit apo oligarkët i përdorin arritjet më bashkëkohore të teknologjisë dhe të psikologjisë. Protagonist i romanit është Uinston Smithi (Winston Smith), nëpunës i ulët në Ministrinë e së Vërtetës, i ngarkuar për propagandën e regjimit. Ai dëshpërohet nga jeta dhe tenton të bëjë kryengritje, gjë që përfundon me burgosjen dhe me torturimin e tij.
Romani “1984” u bë jo vetëm vepra më e njohur e Oruelit, por edhe një prej veprave klasike të distopisë dhe një prej romaneve më me ndikim të shekullit XX. Orueli shpeshherë konsiderohet si një nga klasikët e letërsisë moderne. Vepra bazohet në përvojat e autorit që kanë të bëjnë me Luftën civile në Spanjë, përkatësisht me Luftën e Dytë Botërore dhe me ideologjinë e fashizmit dhe të komunizmit. Romani është kuptuar si paralajmërim për brezat e ardhshëm dhe ka shërbyer si inspirim për shumë krijues letrarë, filozofë dhe teoricienë politikë.
Në vitin 1989, d.m.th. dyzet vjet pas botimit të parë, ky roman është përkthyer në 65 gjuhë të botës dhe është vepra më e përkthyer angleze në gjuhë të huaja. Disa fraza dhe shprehje të këtij romani, si p.sh. Vëllai i madh, kanë hyrë në shumë gjuhë të botës. Idetë që ndërlidhen me romanin, shpeshherë quhen orvelianiane.
Veprimi i romanit fillon në Londër më 4 prill të vitit 1984, në orën 13. Smithi nuk është i sigurt në është kjo datë e vërtetë, për arsye se regjimi vazhdimisht manipulon me historinë. Ai e lexon librin Teoria dhe praktika e kolektivizimit oligarkik të shkruar nga rebeli Emanuel Golldshtajn. Në saje të këtij libri ai e paraqet historinë e përafërt të botës në të cilën zhvillohet veprimi. Implikohet se paraprakisht ka ndodhur një luftë bërthamore. Pas kësaj ka shpërthyer lufta qytetare, që në fund Partia të ngadhënjejë dhe të vendosë rendin që i përgjigjet asaj.
Shoqëria në romanin “1984” është e ndarë në mënyrë rigoroze në tri klasa. Pjesa më e madhe (85%) përbëhet nga klasa e ulët apo nga proletarët të cilët jetojnë në varfëri, kryejnë punë fizike dhe nuk kanë kurrfarë arsimimi, por në anën tjetër, gëzojnë njëfarë lirie “për të jetuar si kafshë”. Klasa e mesme përbëhet prej anëtarëve të Partisë së Jashtme të cilët ushtrojnë punë intelektuale ose burokratike. Këta jetojnë kryesisht në banesa shtetërore dhe janë objekt i represionit të ashpër. Klasa e lartë (rreth 2%) përbëhet nga Partia e Brendshme, anëtarët e së cilës jetojnë në luks dhe i kanë skllevërit e vet.
Për ta shkruar këtë vepër, Orueli është frymëzuar nga burime të ndryshme, por më së tepërmi nga tendenca totalitare e BRSS-së dhe e Rajhut të Tretë. Deklarata “2+2 =5” e cila aplikohet gjatë torturimit të Uinston Smithit gjatë hetimeve, ka qenë slogan i partisë bolshevike për planin e dytë pesëvjeçar. Ky slogan duhej t’i trimëronte njerëzit për ta plotësuar planin pesëvjeçar vetëm për katër vjet. Slogani ka qenë i ngjitur nëpër ndërtesat e Moskës, në panelet e reklamave si dhe në objekte të tjera.
Bota në romanin ”1984” është e ndarë në tri superfuqi. Kjo bazohet pjesërisht në Konferencën e Teheranit të vitit 1944. Isak Dojçeri (Isaac Deutscher), bashkëpunëtor i Observerit, thotë se Orueli ka qenë i bindur se me këtë konferencë “Stalini, Çerçili dhe Ruzvelti, me vetëdije kanë vendosur për ta ndarë botën”.
Winston Smithi ka pasur për detyrë të bëjë revidimin e historisë si dhe përjashtimin, largimin apo flakjen nga arkivat historikë të “jo-personave” të cilët regjimi nuk i duron më. Kjo nënkupton një paralele me metodat e Stalinit për “fshirjen” e personave të padëshiruar nga fotografitë, nga librat dhe nga revistat. Shembull i njohur është fotografia e Stalinit me Jezhovin. Me t’u bërë i padëshiruar në BRSS, Jezhovi likuidohet dhe shlyhet nga fotografia me Stalinin.
Një prej temave kryesore të veprës është censura, sidomos në Ministrinë e së Vërtetës ku fotografitë retushohen, ndërsa arkivat publikë ndryshohen që t’i heqin qafe “jo- personat“ e papërshtatshëm, njerëzit të cilët Partia ka vendosur t’i flakë dhe t’i fshijë nga historia.
Në tele-ekrane tregohen shifrat e rrejshme dhe të stërmadhuara të ekonomisë e cila vazhdimisht “shënon rritje“. Tregohet edhe standardi i jetesës – gjithnjë më i mirë, edhe pse në realitet qytetarët jetojnë keq e më keq, saqë mungojnë edhe artikujt ushqimorë më elementarë.
Vazhdimisht jepen raporte për fitoret e mëdha në frontet e luftës, ndonëse qëllimin e fundit të luftës askush nuk e di. Nuk dihet as armiku kundër të cilit zhvillohet lufta. Kemi një armik të papërcaktuar. Por, asnjë prej qytetarëve nuk ka mundësi t’i verifikojë informatat, për arsye se Partia i kontrollon të gjitha mediumet. Vetë Orueli ka thënë: “Qysh si i ri kam konstatuar se asnjë ngjarje nuk publikohet objektivisht në gazeta.“
* * *
Për romanin “1984“ janë shkruar recensione të shumta. Më 12.06.1949 New York Times shkruan: “James Joyce, në figurën e Stephen Dedalusit, e ka bërë ndarjen tanimë të famshme midis artit statik dhe kinetik. Vepra e madhe është statike për nga efekti i vet: ekziston në vetvete, nuk kërkon asgjë jashtë vetes. Vepra artistike kinetike ekziston për të kërkuar: nuk kënaqet kurrë, por kërkon me ngulm, ose neveritje ose dëshirë të madhe për ta realizuar rolin e vet. Romani “1984” i Oruelit është një realizim i madh i artit kinetik. Asnjë vepër e këtij brezi nuk ka krijuar dëshirë aq të madhe për liri dhe neveri aq të thellë ndaj tiranisë.“
Romani “1984“ ka pasur dhe vazhdon të ketë jehonë dhe ndikim të jashtëzakonshëm. Sot e kësaj dite, kudo vërehen grafitë në të cilët shkruan: “Vëllai i madh të vështron”. Konceptet e Vëllait të madh, janë bërë fraza të shpeshta me të cilat individi i kundërvihet rrezikut që i vjen prej autoriteteve totalitare. Orueli vazhdimisht identifikohet me vitin 1984, saqë asteroidi 11020 që e zbuloi Antonin Markosi në korrik të atij viti, u quajt “Oruel”. Po atë vit u transmetua edhe reklama televizive 1984 me të cilën kompania Apple Inc. ia paraqiti publikut kompjuterin e vet personal Macintosh. Është xhiruar edhe si film artistik i shkurtër në regji të Ridley Scott-it dhe i inspiruar nga romani i famshëm i Oruelit.
Nga fundi viteve ‘70 të shekullit XX, e sidomos në periudhën pranë viti 1984 kemi një hiper inflacion të përdorimit të këtij romani për të përshkruar ngjarje të ndryshme: pushtimi i Afganistanit nga forcat ushtarake të Bashkimit Sovjetik, kriza e pengjeve në Iran, politizimi i lojërave olimpike në vitin 1980 dhe 1984, vendosja e orës policore në Poloni dhe në Filipine, implikimi i ShBA-së në konfliktin e Libanit dhe në Nikaragua, rizgjedhja e Ronald Reganit për president të ShBA-së nga fundi i vitit 1984. Të gjitha këto ngjarje shpjegoheshin në konotacionin oruelian.
Romani “1984“ aktualizohet edhe sot me rastin e zgjedhjes së Donald Trumpit për president të ShBA-së.
Referenca të temave, të koncepteve dhe të detajeve nga romani i Oruelit, shpesh janë paraqitur edhe në pop-kulturë, sidomos në pop-muzikë dhe në mediume. Këtu bën pjesë edhe emisioni televiziv reality Big Brother, në të cilin një grup njerëzish jetojnë bashkërisht në një shtëpi të madhe, të izoluar nga bota, të mbikëqyrur vazhdimisht nga kamerat.
Romani “1984“ është adaptuar edhe në film në të cilin rolin e Winston Smithit e luan aktori John Hard.
Në vitin 2005, revista Times, romanin “1984“ e përfshiu në listën e 100 romaneve më të mira të shkruara në gjuhën angleze që nga viti 1923. Sipas hulumtimeve të 500 profesorëve britanikë të kryera në vitin 2013, ku është kërkuar prej studentëve të numërojnë veprat letrare më të çmuara, romani “1984“ i Oruelit, është radhitur në vendin e gjashtë.
Vepra e Oruelit ka vlera universale dhe mesazhe humane.
Në kohën e gënjeshtrave universale, ta thuash të vërtetën është akt revolucionar. (George Orwell).