• FILLIMI
  • IMPRESUM
  • KONTAKTI
E premte, 9 Maj 2025
Tradita | Shoqatë për kulturë dhe art

SHOQATA PËR KULTURË DHE ART “TRADITA”

  • FILLIMI
  • AKTUALE
    • ARSIM
    • KULTURË
    • OPINIONE
    • SPEKTËR
    • COVID-19
  • HISTORIKU
  • MANIFESTIME KULTURORE
  • VEPRIMTARIA SHKENCORE
  • BOTIMET E SHOQATËS
  • ÇMIMI KOMBËTAR “ALI VISHKO”
  • TRADITA PLUS
No Result
View All Result
Tradita | Shoqatë për kulturë dhe art
No Result
View All Result
Home Opinione

Ekskomunikimi i vlerave letrare te shqiptarët e Maqedonisë

28/01/2020
| Opinione

Prof. Dr. Ejup Ajdini | Mosnjohja e vlerave kulturore dhe letrare e një populli, apo një pjese të një populli , troket drejt derës së humnerës për zhdukjen e tij . Për letërsinë shqipe ndër shqiptarët e Maqedonisë ka qenë mjaft i komplikuar pasi fati historik ka qenë dhe është i padëshiruar dhe i padrejtë pasi ka qenë i shtrënguar të jetojë i ndarë brenda shumë kufijve administrativ shtetërorë në Ballkan . Kjo solli që të krijohet fenomeni më tragjik në fushën e dijes dhe të kulturës , pasi i fshihej një pjesë e shpirtit – letërsia , ose njohja e një pjese kufizohej me forma parciale – mosnjohja e tërësishme e letërsisë që ishte krijuar në ish R..J. të  Maqedonisë dhe mos lejimi i studimit të kësaj letërsie erdhi duke e ngritur ne sistem fenomenin e ekskomunikimit në ish Jugosllavinë. Kjo politikë diskriminuese synoi  të linte ,deri në haresë të plotë një varg shkrimtarësh me frymë nacionale , patriotike dhe me një botë mjaft demokratike .

Për fat të keq, sfera e ekskomunikimit kaploi edhe shkrimtar brenda kufijve administrativ të shtetit shqiptar, siç ishte Fishta ,Konica ,Haxhiademi, BilallXhaferi etj, pastaj në këto anë Rexhep Voka, Josif  Bageri, dhe më pas e Sadudin  Gjura me shokë , të cilët s’njiheshin fare ose njiheshin pjesërisht, kush më pak e kush më shumë si në Shqipëri ashtu edhe në trojet shqiptare të Jugosllavisë së atëhershme. Sa i përket letërsisë shqipe në Maqedoni prej periudhës së Rilindjes e më herët , dhe deri në dekadat e para të luftës së dytë botërore, mund të themi se ajo është më e ekskomunikuara  si në aspektin e njohjes publike , ashtu edhe në studimin brenda sfondit të historisë të letërsisë sonë kombëtare .Pas Çamërisë dhe shqiptarëve të Malit të Zi, shqiptarët e Maqedonisë patën fatin më të errët në historinë e gjithëmbarshme kombëtare, të cilët përjetuan trauma historike dhe prapë se prapë asnjëherë nuk i pranuan  prangat e robërisë. Ato ruajtën identitetin e qenies  së tyre kombëtare, qëndruan stoikisht përballë stuhive të ndryshme politike e shoqërore si në rrafshi luftarak ashtu edhe në atë kulturor .

Me admirim po përmendim disa figura të Rilindjes së kësaj ane si Rexhep Voka ,Seid Najdeni , Familja Qirjazi , Josif Bageri, Ibrahim Temo,Josuf Nallbani,Dervish Hima ,Hamdi Ohëri  etj. Gjatë okupimit të egër të Serbisë mbretërore , veçmas mes ty luftërave botërore , të cilën mund të quajmë “ mesjetën më të errët “ për shqiptarët e kësaj ane . Edhe në këtë periudhë lindin personalitete letrare me vetëdije të larta kombëtare dhe me afinitete letrare siç ishin: Sadudin Gjura , Myfit Synoimeri , Murat Laborishta e të tjerë,  të cilët dita më ditë po dalin nga ekskomunikimi i thellë letrarë .

Pushteti jugosllav përdori metodat më perfide për zhdukjen e këtyre të fundit dhe lenin në haresë ato të parët , por prapë se prapë erdhi koha që këto figura tejet të dhimbshme të përmenden dhe të studiohen pavarësisht nga niveli i vlerave të mirëfillta artistike, ato përbëjnë vazhdimësinë letrare e kulturore të shqiptarëve të Maqedonisë e më gjerë . Këtë e dëshmon edhe thënia e profesor  Agim Vincës se :”Letërsinë e një kombi nuk e përbëjnë vetëm 2-3 shkrimtarë të mëdhenj , por edhe shumë të tjerë të mesëm e të vegjël “(Vlera , Tetovë 1996, nr.10 fq.22 ).

Veprat e këtyre krijuesve nuk patën fatin e një jete normale, të binin  në duart e studiuesve që të ruheshin e studioheshin dhe të mos përjetonin këtë ekskomunikim të egër e të gjatë . Dekadat e fundit me të madhe u rrit dëshira për ti njohur më thellë këta autor, jo vetëm për vlerat e shumta që kanë ato, por edhe për atë se kanë të bëjnë me plotësimin e një nevoje të domosdoshme, për njohjen e një hapësire etnogjeografike , ku ka vluar një shpirt krijues nëpër periudha të caktuara historike. Mosnjohja e detyruar ka qenë një nga dobësitë  tona studimore duke i anashkaluar edhe vlerat e tyre që patën merita të konsiderueshme për kohën kur jetuan dhe vepruan ata, edhe për mbarë historinë e letërsisë sonë kombëtare .

Sa më tepër hidhet dritë në ngjarjet historike e kulturore të periudhave të ndryshme në qytetet e shqiptare të Maqedonisë, duke u bazuar në dokumente arkivore, në shtypin e ndryshëm, aq më shumë dalin në dritë të vërtetë vlerat letrare të kësaj ane, por edhe dilema . Pas ardhjes së sllave në Ballkan në shekullin e VI-VII, flet Branko Panov në librin “Historia e klasës së VI-të “ ( Shkup ,1982 ) ku thotë se : “ Nga gjysma e shekullit  të VII-të pjesa më e madhe u bë sllave edhe sipas gjuhës “. Si rezultat i saj u bë nderimi i emrave të vendeve ,  lumenjve , liqeneve  etj . p.sh Lumi Ilirida  – Treska ; Lumi Erigon – Cërna Reka  etj, kurse nga ana tjetër Zhifko Stefanovski  dhe Jovan Pavllovski  te libri “ Tetovo vo minatoto “ ( Tetova në të kaluarën ) dëshmojnë se gjatë hapjes së themeleve për  ndërtimin e shtëpisë së Abdylalimit  te çezma e baletit në Tetovë u zbulua një varr në të cilin u gjend një amforë gruaje duke ikur ose vallëzuar, për të cilën arkeologët serb vërtetojnë se kjo i përket  periudhës Dardane .( Rilindja , Prishtinë , 10.XI.  fq. 19) .

E gjithë kjo filozofi e mbrapshtë sllave tregon se që moti insistohej që çdo gjë nga kultura shqiptare të zhdukej ose të zhytej në ekskomunikim të skajshëm .

Që në shekullin XV-XVI, siç dihet vepruan një numër i konsiderueshëm krijuesish humanist shqiptar nga trojet shqiptare të Maqedonisë së sotme, të cilët dhanë një kontribut të shquar në letërsi dhe në fushat tjera kulturore . Një pjesë e tyre i takonte kulturës orientale ose lindore , pasi ato ishin shkolluar nëpër qendrat e mëdha si në Stamboll , Bagdat ,Kajro etj . Për këtë arsye ata  krijuan me alfabetin turk ose arab . Krijues të këtij orientimi kishte nga mbarë trojet shqiptare , por edhe nga trojet shqiptare të Maqedonisë së sotme ishin të konsiderueshëm në numër, të cilët krijuan vlera të larta humane si në vlerat letrare dhe veprimtari të tjera. Nga të parët poet tetovar përmendet Muidi nga Tetova i cili shkruante :

 

                          Ç’mu ushtrua mua rrota e fatkeqësisë padrejtësisht

                          Ç’rit kaq shumë në krye nga goja e kam

( “ Nuri , Beograt 1994 , nr.4 , fq.17 )

 

Nga krijuesit dhe poetët më të mëdhenj përmendet Sersem Ali Dedeja , po ashtu nga Tetova, i cili njihet si filozof , poet dhe themelues i teqesë  “ Harabati Baba “ , e cila edhe sot, brenda pesë shekujve, me xhelozi i ruan vlerat e veta shekullore . Mendohet se lindi nga fundi i shekullit  XV dhe jetoi deri ka vitet 1569. ( Hasan Kaleshi – “ Kontributi i shqiptarëve në diturinë islame “, Prizren , 1991 , fq . 31 ) që kontribuoi jo vetëm në kulturën osmane , por edhe në letërsinë e kulturën shqiptare . Ai ishte i prirë për përhapjen e vlerave shpirtërore  në mjediset shqiptare , ngritjen e vetëdijes për artin e letërsisë dhe çdo gjë pozitive që sjell progres dhe të mira në shoqëri, siç shkruante :

 Pa të vete të marrë leje , nga bilbili i mahnitur

                            Ç’ i marrë erën kurdoherë trëndafilit të përndritur

                            Se Sersemi lutjet vetë nga kjo rrugë i ka thëthitur  

Sipas shumë të dhënave ky poet ishte edhe zyrtarë i lartë shtetëror dhe gëzonte famë të madhe, por pas disa ndryshimeve oborrtare , Ali Dedeja largohet sa ma larg Stambollit dhe shkon në teqenë Dimitak të Trakisë , ku pas disa vite shërbimi merr titullin “Baba” . Më 1538 internohet dhe vendoset përsëri në Tetovë. Këtu merret me shumë veprimtari fetare e filozofike, ndërtime të objekteve si : shadervane , teqe, hamame, e veçmas shquhet për publikimin e vargjeve poetike. Me ndërtimin e teqesë Harabati Baba dhe publikimin e shumë vargjeve poetike , të cilat nuk janë ndrycuar në tërësi e bënë Dedenë njeriun me vlera të përhershme në mbarë kulturën tonë kombëtare e më gjerë . Poezia e tij e tejkalon karakterin mistik dhe merr dimensione të tjera duke e evoluar të bukurën si nevojë shpirtërore për të gjithë :

  Zemra porsi fluturake digjet dhe përvëlohet

                                    Në kazanin e dashurisë zien , tretet e kullohet …

                                    Të përgjumurit s’afrohen

                                    Mbeten fjetur në mëngjes 

( Baba Rexhepi –“ Misticizma islame dhe bektashizmi” , Nju – Jork , 1970,fq.23 )

Këto vargje sikur të kujtojnë Rubairat e Khajamit ; përveç ndjenjës së pastër të dashurisë kemi edhe mesazhe të tjera siç është pastërtia njerëzore , dashuria për punën, përbuzja ndaj dembellëkut  etj . Shfaqja e këtyre vlerave e bën Sersem  Ali Dedenë krijues me individualitet të theksuar poetik. Ai shkruan me pasionin e artistit për njeriun dhe për kohën e vet, por kuptohet nënë theksin filozofik të misticizmës bektashiane. Ai frymëzohet nga bukuria e mendjes së njeriut , nga aftësitë e gjithanshme të tij , gjë që ishte në kundërshtim me konceptin mesjetar për njeriun, i cili tërë jetën ishte i orientuar drejt një bote të amshuar . Modelin e botës së amshuar poeti e kërkon edhe në këtë botë , pasi , sipas tij , njeriu ka forca të atilla që ta ndryshojë jetën dhe ambientin ku jeton dhe vepron :

Se kush do që zgjohet shpejtas

                                    Ai zotit i afrohet

( “ Nuri “ , Beograt ,1994 , fq.26 )

Vargjet tregojnë për prirjet humaniste, që aspiron deri te kërkesa që shoqëria të jetë e fisnikrueshme . Ky poet thekson se agimi i ditës si bukuri e rrallë është edhe agimi i jetës . Në mënyrë poetike e përshëndet siç diçka të shenjtë, që bën ringjalljen e jetës dhe natyrës.

Misticizma e këtij poeti nuk është një besim i thjeshtë mesjetar, që mposht frika nga Zoti, përkundrazi ai ngrenë lartë kultin e njeriut punëtorë e të virtytshëm dhe pa fije dyshimi  e afron me perëndinë . Ai beson se njeriu me intuitën e vet, me ndjenjat dhe me punën e tij , arin të njohë veten e pastaj edhe natyrën që e rrethon .

Gjatë shekullit XV-XVI e më vonë paraqitet edhe një numër i madh krijuesish  si : Suxhudi , Muidi , Bujuk Emiri , Qemaledin Shemiri , etj. Kjo letërsi, për fat të keq mbeti me shekuj e ekskomunikuar , por edhe sot e kësaj dite mbetet e pa njohur  dhe pa studiuar në plane më të hollësishme .

Me Rilindjen  Kombëtare shkrimtarët shqiptar të Maqedonisë për herë të parë filluan të shkruajnë në gjuhën amtare, gjë që s’kishte ndodhur më parë . Gjuha popullore kombëtare u bë baza e shkrimeve të kohës në veprat e tyre letrare . Kjo letërsi shprehu në vetvete gërshetimin e tipareve të shumë rrymave letrare, si ato të iluminizmit, të romantizmit, të sentimentalizmit, por edhe të elementeve realiste . Veçmas iluminizmi dhe romantizmi evropian ishin ato që patën ndikim të madh në krijimet letrare të këtyre autorëve të këtij krahu kombëtar . Krijuesit e kësaj letërsie janë edhe bartësit kryesor të ideve iluministe , të ndjenjës kombëtare , krenarisë tonë dhe bëhet nxitje për një betejë të gjithëmbarshëm kulturore , letrare dhe kombëtare në tërësi . Prandaj lirshëm mund të themi se idetë demokratike , karakteri popullor dhe optimizmi i madh ngelën veçoritë thelbësore të kësaj letërsie gjatë shekullit XIX dhe fillimi i shekullit XX. Bartësit kryesor të kësaj epoke janë Rexhep Voka (1847-1917), Josif Bageri (1870-1915) , dhe disa të tjerë . Kjo letërsi , para erërave demokratike në Ballkan nuk njihej fare ose fare pak e që përjetoi një ekskomunikim të thellë me dekada të tëra , letërsi e cila lindi dhe u zhvillua si forcë e përbashkët kombëtare e që veproi në të njëjtat kushte dhe rrethana historike, kulturore, politike të mbarë qenies sonë kombëtare . Edhe pse këta krijues vepruan me një aktivitet të dendur , jo vetëm në fushën e letërsisë , ata përsëri   do të dalin të zhgënjyer nga fuqitë e mëdha , të cilët më 1912 –1913 njohën pavarësinë e gjysmës së Shqipërisë dhe tek këta krijues lindi dhembja dhe dyshimi i thellë se çdo ndodhte me fatin e pjesës tjetër të shqiptarëve të ndarë nga shteti amë . Për këtë gjendje “ L’epocho de Ballkan “ (nr.1, 1912) që dilte në Bukuresht , përmes artikullit të princit Albert Gjika “ La questione Albanise “, shprehej se aleatët ballkanik  nuk kanë kur farë të drejtash , as historike, as etnike mbi territoret shqiptare të Shkupit ,Shkodrës ,Manastirit dhe Janinës. ( Shqiptarët e Rumanisë , Tetovë ,1995,fq98). Që më herët , revista “Alvano  Makedonia “, e cila dilte në Bukuresht gjatë vitit 1994  shkruante se :”Ç’bëri pastaj dinakëria sërbe – greke  dhe evropiane për gllabërimin e gjysmës së territorit shqiptar dhe asimilimin e qindra mijëra vllahëve të Ballkanit dhe kjo është punë që duhet ta studiojnë edhe ata që vijnë nga Evropa dhe Amerika “ ( burim i cituar fq.98).Studime këto që zgjatën afër një shekulli dhe sot po merret seriozisht me plagën tonë shekullore Amerika dhe Evropa . Pra siç duket janë një mori faktesh që e zhytën në ekstomunikim të thellë vlerat tona letrare, kulturore dhe historike në përgjithësi . Kjo e vërtetë e hidhur që edhe sot kullon gjak solli pasoja të mëdha në të gjitha fushat e jetës , pasi forca kombëtare ishte përgjysmuar dhe gjithmonë ishte harxhuar për të tjerët. Por, megjithatë, kjo letërsi luajti rolin dhe misionin e saj të shumë anshëm. Ata nxitën idealet për një Shqipëri të pavarur etnike , ngjallën urrejtjen ndaj robëruesit , shtuan entuziazmin ndaj gjuhës shqipe , dhe përhapën idetë iluministe .

Këta krijues nuk patën jetë të qetë në atdheun e tyre , prandaj edhe u detyruan të veprojnë jashtë tij, pasi fati i tyre ishte i lidhur ngushtë me fatin e vështirë të atdheut dhe s’dihej ku do gjenin burgun apo vdekjen e parakohshme . Të gjithë krijuesit e  kësaj periudhe e më vonë vdiqën apo u zhdukën në rrethana tejet të mistershme , siç thotë akademik Rexhep Qosja se : “ Letërsia shqipe nuk ka mjaftë tragjedi të shkruara, porse ajo ka mjaftë tragjedi të jetuara , prej atyre që s’mbritën t’i shkruajnë ndryshe , veç me jetën e vet “ .

( R.Qosja , “Dialogje me shkrimtarët “, Prishtinë ,1975,fq.9).

Këta krijues e kuptuan thellë gjendjen e rëndë të popullit në tërësi, prapambetjen e thellë arsimore , prandaj si bazë themelore të filozofisë së tyre në shkrimet letrare do ta kenë iluminizmin:

 O bura? O bij, mirë ta dini,

                          se feja e dija janë dy fletë për njerëzinë ,   

                          nga perëndia

( R. Voka , “ Mendime “, Tetovë , 1991,fq4)

Këto ide iluministe nuk vinin si ide të organizuara siç ndodhi me popujt tjerë të Evropës, por si imperativ i kohës, si nevojë e domosdoshme , pasi shpëtimi shihej vetëm përmes arsimimit të shtresave popullore. Nga këto motive po ashtu shkruante edhe Naimi i madh te vjersha “Gjuha jonë “:

Bura shqiptarë

                            Të marim dituritë

                            Se s’është koh e parë

                            Tani lipset dritë

Këta krijues ishin të angazhuar ta thonë poetikisht  dhe se të ardhmen duhet ta marin vet në duart e tyre:

                              Qëndroni vllazën , me besë e trimëni

                               Se detyra jonë është, ta s’ qojm këtë Shqipni ?

(J.Bageri – “ Reka vendi im” Tetovë , 1995 fq.54)

 

Thelbi ideor i kësaj poezie ishte mposhtja e ideve shoviniste të` fqinjëve dhe tradhtarëve të vendit, që tentonin të ç’vlersosnin vlerat tona gjuhësore, letrare dhe historike përmes rrugës së ekskomunikimit të përjetshëm që çonte drejt çfarosjes të kësaj kulture duke shfrytëzuar edhe ndarjet tona fetare .

Ato ide që shprehte  Pashko Vasa se : “Se feja e shqiptarit është shqiptaria “ , përafërsisht të njëjtat do të përcillen edhe te Rilindasit e kësaj ane te Voka e Bageri. Voka me fe islame thotë se : “Të gjithë jemi një fis e një farë “, kurse Bageri me fe të krishterë shkruante :” Po mos kqyr fe , e tjetër gjë ,se në errësi nuk durohet më “.Kjo poezi i përgjigjet frymës së theksuar demokratike dhe përparimtare, përmes së cilës synonin t’i ngrejn kult çështjes shqiptare , arsyes e vetëdijes , etikës dhe gjithë asaj që është njerëzore. Në këtë klimë vlejnë të përmenden edhe intelektualë tjerë siç ndodh me Dervish Himën nga Ohëri i cili i kundërvihej redoktorit të revistës “ Re dhye  d’ Orient”e cila mohonte të drejtën për atdhedashuri të shqiptarëve ku thotë : ” Njeriu është pjellë lirie , prandaj lypset të ketë gjithnjë lirinë e tij ..”(Koli Xoxi –“ Revolucioni  borgjez në Francë ..”, Tiranë , 1980,fq.386).

Sado që këto krijues mbetën me shekuj e dekada të ekskomunikuar dhe veprat e tyre shpesh herë të sekuestruara, ato përsëri lanë gjurmë të fuqishme për kohën kur jetuan dhe vepruan . Në fillim të shekullit XIX-të ndër shqiptarët e Maqedonisë arritën që të hapen shkolla kishtare dhe mejtepe ku do të hyjnë në përdorim aty-këtu edhe gjuha amtare shqipe . Për njërën nga shkollat siç ishte ajo e fshatit Duf  e themeluar më 1840, Vlladimir Gjuriqi te shkrimi “Prosfetne prilike u gornu pollogu novjek vreminja”, Beograt ,1938, fq124 , thotë se :Govor sella Dufa je arbanashki jezik i onie je nastavni jezik “ (E folmja e Dufit është gjuha shqipe dhe gjuhë e mësimit ). Shkolla të ngjashme do të themelohen një pas një pastaj revista të shumta , shtypshkronja , klube dhe kurora më e bukur e vlerave të tyre dhe e punës së tyre arrihet  me Kongresin e Manastirit . Se sa e fuqishme ishte ndjenja për gjuhën amtare dëshmojnë edhe këto vargje të Bagerit :

                            Kish kjan mbare me mohue

                            Gjuhën e vet natyrale …

                            t’cilën na s’kemi harue

                            Po e kemi msue në male

(burim i cituar fq20)

 

Me këto përpjekje, shqiptarët e kësaj ane u përpoqën të rigjenin rrënjët e prera të rrjedhave të qytetërimit tonë të lashtë , pasi sunduesit e ndryshëm tentuan të pengojnë rrjedhën normale duke asgjësuar autoktoninë e shqiptarëve në trojet e tyre .

Konstantën kryesore poetike këta krijues do ta gjejnë te forca shpirtrore e popullit, tek synimi për të depërtuar në problemet e jetës shqiptare , në qëllimin për të gjetur formulën e pamposhtmërisë . Ata ruajtën ritmin e traditës kulturore , letrare e gjuhësore , përmes krijimeve të tyre me ato vlera estetike herë-herë të kufizuara . Këta gjallëruan traditën letrare dhe u bënë kreator të një letërsie të ardhshme me vlera të mirëfillta që kemi sot në këto anë, siç është ajo e Murat Isakut e Abdylazis Islamit , Agim Vincës ,Luan Starovës e shumë të tjerë. Krijimtaria e tyre, thellë e ekskomunikuar deri më sot ishte një ulërimë shpirtërore, me thirrje  për kthesa të mëdha në jetën tonë kulturore . Mjafton që ato ngritën kultin për gjuhën amtare , për shkollën shqipe dhe identitetin tonë kombëtar :

                                   Lypet edhe kalem e këndim

                                   Fjalë e mendim

(R.Voka burim i cituar fq.3)

Krijuesit e kësaj ane bënë tentativa për të gjetur rrugëdalje, falë figurave të shquara që sakrifikuan mundin dhe jetën, që përmes vlerave letrare të arrijnë deri tek ajo më shpirtërorja . Figura të tilla do të shfaqen menjëherë pas luftës së dytë botërore pasi ishin të frymëzuar nga premtimet boshe të platformës së rrejshme të partisë komuniste të viteve të 40-ta , se të gjithë popujt do të kenë të drejtën për vetëvendosje dhe të gjithë do jenë të lirë në planin kombëtar , kulturor dhe atë social e politik . Këto ideale do të dështojnë menjëherë pas luftës , pasi një numër intelektualësh dhe letrarësh do të gjenden pa arsye para bankave të të akuzuarve , përmes proceseve të montuara , vetëm e vetëm pse merreshin me shkrime dhe ishin me orientim kombëtar . Nga figurat më tragjike letrare në dekadat e para komuniste në këto anë do të jenë S.Gjura, e shumë të tjerë , të cilët do të zhduken fizikisht në rrethana tejet misterioze dhe me metoda më perfide që mund të ketë një shtet . Përveç zhdukjes së tyre fizike, pushteti i asaj kohe bëri edhe sekuestrimin e veprave letrare të tyre që vetvetiu këto krijime i kaplonte ekskomunikimi, pasi ato nuk kishin mundësi të binin në duar të lexuesve dhe as që bëhej ndonjë botim apo ribotim i tyre . E keqja e kësaj fryme shkonte deri atje sa që krijonte frikë që edhe të përmenden nga popullata e rëndomtë . Në mbarë letërsinë shqipe, shkrimtarët shqiptarë kanë dramat dhe fatet e tyre tragjike , por S.Gjura  u zhduk nga jeta në mënyrën më mizore që nuk i ngjanë as vdekjes së një luftëtari në fushë të betejës . Gjura herët kuptoi politikën antishqiptare sllave që kishte shkelur rëndë mbi idealet e luftëtareve shqiptarë në luftën e përbashkët kundër fashizmit dhe kjo e nxiti që të formojë organizatën demokratike “Lira “ me të cilën vendosi të demaskojë tradhtinë që ju bë popullit shqiptarë në tërësi . Veprimtaria e tij shpejt u hetua nga pushteti i kohës dhe iu sekuestrua çdo shkrim i tij dhe ai personalisht u persekutua deri në fund . Ky profesor i parë , poet i parë pas luftës dhe atdhetarë i devotshëm, më 1952 u muar nga klasa duke mbajtur mësimin para nxënësve dhe prej asaj dite e burgosën dhe i krijuan lëndime psikike nga torturat nëpër burgjet jugosllave . Vdekja e tij gjithmonë mbeti enigmatike dhe më dhimbshmja e historisë së personaliteteve të mëdha. Pas tetë viteve në burg lëshohet i pa aftë për jetë  dhe në shkurtë 1962 humbet në bjeshkët e Sharit dhe në pranverë të këtij viti e gjejnë barinjtë kurmin e tij të shformuar , pasi një dimër kishte ngelur nënë borën e madhe të Sharit.

Ishte poet dhe dramaturg . Për fat të keq edhe sot e kësaj dite shumë shkrime kanë mbetur të pa ndriçuara .Deri më sot kemi arritur  të ndriçojmë vetëm dramën “Lalë Bajrami “ , disa poezi dhe disa pjesë të dramës “Fejesa në djep “ . Nga poezitë “ Jeta e re e njerizimit po agon “ është gjetur e plotë me pesëdhjetë vargje , botuar në revistën “Jeta e re “ , Prishtinë; kurse poezitë tjera “Marshi i normalistit “, “Kënga e punëtorit”, “Vaj ç’qenka bërë Tetova “ etj janë gjetur të cunguara, të ruajtura nga nxënësit dhe kushërirët e tij .

Poezitë e gjetura deri më sot dëshmojnë për një temperament artistik , për një mendje të mprehtë dhe me ndjeshmëri të thellë poetike . Një det ndjenjash  të mbushura me lot që kalojnë nëpër zemrën e tij dhe përmes syve lëshon lot pas loti me ndjenjë shpërthyese prej poeti :

Sa e madhe është në sy të robit t’ shkelun ,

                               Kur e peshon me lot gjakun e robërisë…

                               Mbi dhe të shkelun pikon loti i lirisë

 

( “ Jeta e re” Prishtinë 1952,nr.1-2 )

Gjura shkroi edhe katër drama , prej të cilave ende mbeten të zhdukura dhe të ekskomunikuara thellë : “Fejesa në djep” , “ Shqipja e malit “, “Dervish Cara” .

Drama e ndriçuar “ Lalë Bajrami “ me gjashtë pamje ndërtohet me gërshetimin e tri elementeve rrinjohës , që e ndeshim në letërsinë tonë popullore: rinjohja e buritë me gruan , rinjohja e djalit me nënën dhe rinjohja e vëllait me motrën. Të tria këto rinjohje gërshetohen në këtë vepër dramatike rreth personazhit kryesor të Lalë Bajramit , emrin e të cilit e mban edhe vet drama . Në themel qëndron një ngjarje dramatike , me situata prekëse dhe ngarkesë të veçantë emocionale . Kjo filozofi gërshetohet edhe me të papriturat që i vijnë njeriut në momente të caktuara të jetës . Në dekada të parë të periudhës komuniste , fate tragjike do të përjetojnë edhe letrari Lazim Rexhepi , Sefer  Selimi , e shumë të tjerë .

E gjithë kjo odesejadë  e krijuesve të kësaj ane, pjesërisht edhe sot e kësaj ditë, mbetet e ekskomunikuar, edhe pse në dekadat e fundit janë bërë përpjekje dhe ende po bëhen që këta krijues dhe  kjo letërsi të dalë në dritë dhe të gjejë vendin e merituar në historinë e letërsisë sonë . Është  koha që letërsia jonë të mos mbetet e ekskomunikuar , së paku në mes nesh . Do ishte mirë që edhe për këta krijues të njihen sadopak në të gjitha trojet shqiptare . Për tu njohur mirë në mes veti me vlerat tona letrare e kulturore . Më së miri do të realizohej përmes sistemit të organizuar arsimor , veçmas përmes lëndës së letërsisë nëpër shkollat e mesme, edhe atë, sipas etapave historike të zhvillimit të saj . p.sh Në pjesën ku flitet për letërsinë e humanizmit shqiptar të përmendet edhe Sersem Ali Dedeja e ndonjë tjetër ;në pjesën e Letërsisë së Rilindjes të përmendet edhe Rexhep Voka e Jusif Bageri etj., dhe në fillimet e letërsisë bashkëkohore të flitet edhe për Sadudin Gjurën e ndonjë tjetër që krijuan dhe vepruan në trojet shqiptare të Maqedonisë, pasi këto janë dëshmi e autoktonisë sonë të lashtë . Të gjithë këta dëshmojnë vazhdimin e energjive krijuese dhe me reflekset e këtij uniteti kuptojmë edhe fshirjen e kufijve , sepse kemi të bëjmë me një ndërgjegje dhe me një frymë të përbashkët kulturore kombëtare .

Ky fenomen i ekskomunikimit letrar në Maqedoninë e sotme ende mbetet aktual. Autor e vepra të tjerë presin të ndriçohen e të interpretohen , detyrë kjo sa kulturore aq edhe fisnike . Për vonesat letrare është e udhës që të motivohen studime të kësaj natyre, të rivlerësohen , të ndriçohen plotësisht ,  kështu që secilit autor t’i jepet vendi i merituar në historinë e letërsisë sonë .Por kjo s’do të thotë që të kalohet nga njëri ekstrem në tjetrin . Rivlerësimet duhet bërë në bazë të vlerave ideo-estetike e letrare dhe sipas kohës kur ato lindën dhe u zhvilluan .


Publikimi i mëparshëm

Ledina Çelo kujton një nga momentet më të bukura në skenë

Publikimi i radhës

Kur në Tetovë shënohej ditëlindja e Ismail Kadaresë

Publikimi i radhës

Kur në Tetovë shënohej ditëlindja e Ismail Kadaresë

JuSm
KoBo
Emetimi

10. 6. 2023 | Në Tetovë u mbajt Edicioni X i manifestimit kulturor “Lidhja na bashkon”

10. 6. 2023 | Në Tetovë u mbajt Edicioni X i manifestimit kulturor “Lidhja na bashkon”

00:02:59

EDICIONI IX I MANIFESTIMIT KULTUROR ''LIDHJA NA BASHKON"

00:03:31

Promovohet revista për letërsi, art dhe kulturë “Metafora”

00:04:02

EDICIONI VIII I MANIFESTIMIT KULTUROR “LIDHJA NA BASHKON”

00:03:00

Shoqata “Tradita” e organizoi Edicionin V të manifestimit letrar ndërkombëtar “Shtigje poetike”

00:01:29

Shoqata “Tradita” e organizoi Edicionin VII të manifestimit kulturor “Lidhja na bashkon”

00:02:38

MANIFESTIMI LETRAR ''SHTIGJE POETIKE'' – EDICIONI II

00:01:13

ORË LETRARE PËR 80 VJETORIN E ISMAIL KADARESË

00:02:49

KONFERENCË SHKENCORE KUSHTUAR PROF. DR. ALI VISHKOS

00:04:25

Tradita.org – është portal i Shoqatës për kulturë dhe art “Tradita”. Funksionon si platformë multimediale dhe angazhohet për  promovimin e arsimit, shkencës, kulturës dhe artit.

Tradita.org – është edhe adresë e debatit të lirë, e zërit kritik dhe e ballafaqimit të mendimeve dhe të ideve përparimtare.


  • FILLIMI
  • IMPRESUM
  • KONTAKTI

2012-2024 © Shoqata për kulturë dhe art “Tradita” / Powered by Optimus Solutions / Privacy Policy.

Mos kopjoni tekst!
No Result
View All Result
  • FILLIMI
  • AKTUALE
    • ARSIM
    • KULTURË
    • OPINIONE
    • SPEKTËR
    • COVID-19
  • HISTORIKU
  • MANIFESTIME KULTURORE
  • VEPRIMTARIA SHKENCORE
  • BOTIMET E SHOQATËS
  • ÇMIMI KOMBËTAR “ALI VISHKO”
  • TRADITA PLUS

2012-2024 © Shoqata për kulturë dhe art “Tradita” / Powered by Optimus Solutions / Privacy Policy.