Elmaz Ademi | Në Traktatin e Londrës të vitit 1913, Fuqitë e Mëdha për interesat e tyre strategjikë shkëputën pjesë të tëra të tokave të Shqipërisë dhe ua falën shteteve fqinje, sikur ata të ishin pa zot. Ky veprim i Fuqive të Mëdha nuk i la mundësi popullit shqiptar dhe shtetit që sapo ishte shpallur i pavarur, pas pesëqind viteve robërie nga Perandoria Osmane, që të merrej me fatin e vet. Populli shqiptar që sapo kishte filluar të konsolidohet si komb më vete, në vend që të merrej me organizimin e institucioneve të mirëfillta të shtetit të posa shpallur i pavarur, me rimëkëmbjen e ekonomisë dhe arsimit, duhej të merrej me problemet e krijuara nga Fuqitë e Mëdha dhe me agresionin e shteteve fqinje, që u shtua si pasojë e vendimit të këtyre fuqive. Kundër vendimit të Fuqive të Mëdha, populli shqiptar reagonte përmes protestave dhe memorandumeve që ua dërgonte diplomacive të shteteve të ndryshme, ndërsa ato binin në vesh të shurdhët. Kurse agresionit të shteteve fqinje, të cilat i shtuan lakmitë që të grabisin sa më shumë pjesë nga tokat shqiptare, u përgjigjej me armë përmes kryengritjeve që shpërthenin kohë pas kohe.
Veprimi gjenocidal i shteteve fqinje ndaj popullit shqiptar dhe tokave të tyre vazhdoi edhe pas Luftës së Dytë Botërore. Greqia bëri gjenocidin më të madh në krahinën e Çamërisë, duke vrarë, djegur e duke e larguar nga këto troje elementin autokton shqiptar.
Jugosllavia e Titos veproi në mënyrë më perfide, tokat shqiptare të grabitura në mënyrë të padrejtë nga Shqipëria etnike, për t’i pasur nën kontroll dhe për ta larguar rrezikun e ndonjë organizimi eventual, i ndau nëpër republikat e federatës. Një pjesë si Plavën, Gucinë, Ulqinin etj. ia la Malit të Zi, Kosovën dhe Luginën e Preshevës i la nën kontrollin serb, kurse tokat shqiptare të banuara kryesisht me shqiptarë të Maqedonisë perëndimore, ia la një krijese artificiale të krijuar prej tij – Maqedonisë. Pas këtij gjenocidi territorial, populli shqiptar që ishte populli i tretë për nga numri në Jugosllavi, pas serbëve dhe kroatëve, mbeti me statusin e pakicës. Federata jugosllave, republikave që proklamohej se kanë statusin e shtetit, u la dorë të lirë sundimi. Kështu që populli shqiptar u nënshtrohej dy sundimeve të egra që vinte nga i njëjti mekanizëm.
Ndaj kësaj ,,pakice,, shqiptare u përpiluan plane globale federative dhe të veçanta republikane për asgjësimin dhe shpërnguljen e saj. Planet ishin të karakterit ekonomik, politik e social. Në viset e banuara me shqiptarë qëllimisht pengohej investimi i kapitalit të jashtëm dhe të brendshëm, që kishte për qëllim pengimin e zhvillimit ekonomik të këtyre trojeve, gjë që do kishte për pasojë lëvizjen e kësaj popullate për të gjetur vend më të përshtatshëm për jetesë. Shumica e popullatës shqiptare jetën e siguronte nga bujqësia. Shteti caktoi një tatim për tokën dhe një taksë për ujitjen e saj sa që bujku e kishte të vështirë t’i paguajë. Në anën tjetër, për ta grumbulluar tatimin pushteti caktoi tagrambledhës të cilët hynin me forcë nëpër shtëpitë e bujqve dhe merrnin çka gjenin, prej kafshëve e deri te mbulesat e gjumit. Taksa e ujitjes përfshinte edhe sipërfaqet e tokës të cilat nuk ujiteshin, por bujku ishte i detyruar që ta paguante.
Reforma agrare i dëmtoi edhe më shumë bujqit dhe fshatarët. Formimi i kooperativave i zhveshi nga prona bujqit, por nuk i liroi nga përgjegjësia. Sipërfaqet e tokës që i posedonte bujku nuk mund t’i mbillte çka dëshironte ai, por çka dëshironte kooperativa, kurse tatimin dhe taksën për ujitje i paguante vetë bujku. Reforma agrare përfshinte edhe ,,otkupin,, konfiskimin e të mirave materiale të kultivuara brenda vitit. Për ta mbajtur burokracinë e ,,vetadministrimit,, qeveria nxori ligjin për konfiskimin e të mirave materiale nga fshatarët dhe bujqit, i cili përfshinte pjesën më të madhe të tyre. Fshatarët dhe bujqit, të përfshirë nga ky ligj famëkeq që i linte fëmijët e tyre pa bukën e gojës, ishin të detyruar që një pjesë të këtyre të mirave, veçanërisht misrin dhe grurin, t’i fshehin në vende të sigurta, që së paku t’u sigurojnë bukë për një kohë fëmijëve. Ky ligj famëkeq e detyronte bujkun që një pjesë të prodhimeve të veta ta vjedhë dhe po të zbulohej për këtë “vjedhje” – dënohej. Nga ky veprim i qeverisë, në popull lindi shprehja: Jadi i pi, pa frli na selo (Ha e pi dhe hedhe në fshat). Fshatari ishte i detyruar që shumën e caktuar nga ana e qeverisë ta dorëzonte, e ka apo nuk e ka, përndryshe dënohej. Këtë po e ilustroj me një shembull që i ka ndodhur fshatarit tim Abdylselim Selimi. Abdylselimi ka pasur dhen dhe sipas ligjit të ,,otkupit,, është dashur t’i dorëzojë pesëdhjetë kg lesh. Pasi i qeth dhentë, leshin e çon në qendrën e dorëzimit. Atje kur e matin leshin, dalin dyzet e tetë kilogram. Pra i mungojnë dy kg. Abdylselimi bën përpjekje të shumta që t’i bindë se nuk ka më tepër, por më kot. Grumbulluesit ia kthejnë prapë me kërcënim që ta plotësojë shumën e caktuar. Abdylselimi kthehet në shtëpi, mendohet ku t’i gjejë edhe dy kg lesh, pasi edhe fshatarët e tjerë kanë qenë në të njëjtin hall. Pas dite i lëshon dhentë për t’i kullotur dhe i bie ndër mend se i ka me vete edhe dy qen dhe vendos t’i qethë qentë. Meqenëse qentë kanë pak lesh, ata nuk e kanë plotësuar shumën prej dy kg. Abdylselimi leshin e qenve e lag me ujë dhe e përzien me leshin tjetër, e çon dhe e dorëzon.
Pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, qeveria e porsakrijuar jugosllave, menjëherë fillon me zbatimin e elaborateve të përpiluara më herët për shpërnguljen e shqiptarëve. Presionet, shantazhet, etiketimet, si nacionalist, separatist, irredentist e lloj-lloj etiketimesh të tjera ishin etiketime që vlenin për çdo shqiptar, pa marrë parasysh a ka qenë pjesëmarrës në luftën e përbashkët, apo e kanë kundërshtuar pjesëmarrjen e shqiptarëve në këtë luftë. Kjo jepte mundësi për montimin e shumë proceseve gjyqësore me karakter politik, që e prekte më së shumti inteligjencien shqiptare.
Sjellja e kolonizatorëve nga brenda dhe jashtë Jugosllavisë, të quajtur ,,egejci,, dhe vendosja e tyre në viset shqiptare, nuk e kishte qëllimin e vetëm për balancimin e popullatave, por edhe dëmtimin e mirëqenies së popullsisë shqiptare, e cila edhe ashtu ishte mjaftë e brishtë.
Kufizimi i shkollimit të lartë dhe atij profesional, bëhej sipas parullës së njohur: “Nëse një popull do ta sundosh më lehtë, mbaje në errësirën e paditurisë“. Kurse në shkollat fillore dhe ato të mesme, tekstet shkollore ishin të zhveshura nga elementi nacional dhe të stërmbushura me frymën e vëllazërim-bashkimit. Ata pak intelektualë që ishin shkolluar nëpër universitete të ndryshme të botës, ndiqeshin dhe dënoheshin sipas llojit të inkuizicionit kishtar. Nga ky ferr jugosllav, qindra mijë shqiptarë u shpërngulën për në Turqi sipas marrëveshjeve turko-jugosllave. Mijëra të tjerë u burgosën dhe u dënuan në proceset e montuara politike. Mijëra të tjerë u vranë si pasojë e etiketimeve dhe shantazheve.
Para këtij ferri jugosllav të krijuar enkas për popullin shqiptar, shqiptarët nuk u gjunjëzuan, nuk heshtën por iu kundërvunë me vendosmëri, me mundësitë që kishin. Me përfundimin e Luftës së Dytë Botërore, që nga fillimi u paraqitën pakënaqësitë e shqiptarëve ndaj pushtetit të sapoformuar. Në Drenicë shpërtheu kryengritja e armatosur e udhëhequr nga Shaban Polluzha. NDSH-ja e shtoi rezistencën antijugosllave. Lindën organizata të shumta çlirimtare, si: ,,Lëvizja nacionalçlirimtare e Kosovës dhe e viseve të tjera nën jugosllavi”, e udhëhequr nga Adem Demaçi, ,,Besa,, e udhëhequr nga Memet Gega etj. Në vazhdën e luftës për lirinë e popullit shqiptar është edhe organizata ,,Kushtrimi i Lirisë,, në krye me Rafi Halilin, Gafur Lokun, Rushit Nesimin, Elmaz Ademin dhe Ajet Ademin etj., të cilët terren veprimi e kishin Maqedoninë.
Veprimtaria patriotike e anëtarëve të kësaj organizate ka filluar që nga shkolla e mesme, ku në mënyrë individuale dhe të paorganizuar i kanë shprehur ndjenjat e tyre nacionale. Në vitin 1968, Rafi Halili dhe Gafur Loku vendosin flamurin kombëtar pranë fabrikës së tekstilit ,,Teteks,, e cila në atë kohë kishte afër shtatëmijë punëtorë, shumica maqedonas. Të gjithë anëtarët e mëvonshëm të organizatës kanë qenë pjesëmarrës të drejtpërdrejtë në demonstratat e vitit 1968. Pas shtypjes me dhunë të demonstratave, pushteti sllavo maqedonas mori masa të ashpra ndaj popullatës shqiptare, burgosi një numër të madh shqiptarësh, ku në shënjestër ishin intelektualët. I largoi nga puna po ashtu intelektualët, e shtoi presionin ndaj shkollave të mesme, veçanërisht ndaj maturantëve, të cilët sipas traditës e bënin fotografimin solemn. U dhanë urdhër drejtorive të shkollave që fotografimin ta bëjnë te Sreçko Janevski, personi i cili e grisi flamurin shqiptar. Ky vendim nxiti reagimin e nxënësve të cilët refuzuan që të fotografohen te ky person. Reagimi i nxënësve i irritoi organet e pushtetit, të cilat e shtuan presionin ndaj profesorëve. I detyronin që t’i bindin nxënësit që të fotografohen te Sreçkoja.
Po e përshkruaj një dialog në mes të profesor Osmanit, i cili na jepte lëndën e sociologjisë, profesor Xhevahir Shaqirit dhe profesor Naxhmedini, i cili na jepte matematikë. Profesor Osmani të cilin e kishim edhe kujdestar klase, tha: Nxënës, nga drejtoria e shkollës ka ardhur një vendim, që të gjithë maturantët të fotografohen te fotografi Sreçko Janevski.
– Nxënësi Elmaz Ademi: Profesor, ne nuk fotografohemi te personi i cili është armik i hapur i popullit shqiptar.
– Profesor Osmani: Ulu ti atje, je ende i ri, ende i ke buzët me qumësht, nuk është faji te Sreçkoja.
– Elmaz Ademi, duke u rënë buzëve me dorë dhe duke i drejtuar kah profesori, i tha: Profesor, nuk kanë asgjë, janë tharë nga vuajtjet. Nëse nuk është faji te Sreçkoja, atëherë faji është te Ju që nuk na tregoni se ku është faji.
Për dialogun e zhvilluar me profesorët, pata përkrahjen e gjithë klasës. Ky qëndrim i klasës e shtyri profesor Nexhmedinin që ta pranojë të vërtetën dhe u drejtua nga profesor Osmani dhe profesor Xhevahiri dhe u tha: Këta nuk janë të vegjël më, këta vendosin vetë, le të fotografohen ku të duan vetë. Ishte e vetmja klasa jonë nga gjenerata, që nuk u fotografuam te Sreçko Janevski. Fotografimin e bëmë te fotografi Sami. Tabloja me fotografitë tona nuk u vendos asnjëherë në korridoret e gjimnazit. Dialogu me profesorët më kushtoi më vonë, duke ma refuzuar kredinë për studime, edhe pse i plotësoja kushtet.
Shpirtrat e trazuar të rinisë shqiptare nuk qetësoheshin, ata e lypnin njëri-tjetrin dhe e gjenin. Kështu që, në prill të vitit 1972, në Prishtinë, pikërisht në banesën e Rafi Halilit, u takuam: Rafi Halili, Gafur Loku, Elmaz Ademi, Xhevahir Aliu dhe Muhamet Saliu. Pasi u morëm vesh për themelimin e organizatës politiko-ushtarake që e emëruam “Kushtrimi i Lirisë“, morëm vendim që ta përpilojmë edhe programin dhe statutin e organizatës.
Programi i organizatës përbëhej nga dy pika apo pjesë.
Pika e parë përfshin pjesën strategjike – bashkimin e trojeve dhe të popullit shqiptar (që padrejtësisht ishin shkëputur nga tërësia shqiptare dhe u ishin falur shteteve fqinje), në një shtet, me një gjuhë dhe një flamur. Ishte ideal i çdo anëtari të organizatës dhe nuk ndryshohej për asnjë kusht.
Pika e dytë përfshinte pjesën taktike , mënyrën dhe format e veprimit, të cilat mund të ndryshoheshin sipas kushteve dhe rrethanave që parashtroheshin.
Statuti kishte të bënë me detyrat dhe obligimet e anëtarëve të organizatës.
Konform programit dhe statutit, organizata ,,Kushtrimi i Lirisë,, bëri shumë aktivitete brenda një kohe të shkurtër. Vuri flamurin kombëtar shqiptar në të gjitha qytetet e Maqedonisë perëndimore, me qëllim që popullit shqiptar t’i ringjalleshin ndjenjat nacionale të cilat kishin filluar ti veniten nga dhuna dhe presioni që bëhej nga pushteti jugosllav. Kurse pushtetit jugosllav ia bënim me dije se këto troje janë shqiptare dhe shqiptare do të mbeten. Lëshoi afishe dhe pamflete ku i bëhej thirrje popullit shqiptar që të ngrihet si një grusht e t’i dëbojë sllavët nga trojet shqiptare. Shkruante parulla ku i bënte thirrje klasës punëtore që përmes protestave dhe demonstrative ta demaskojë politikën burokratike dhe të padrejtë të vëllazërim- bashkimit. Krijoi sektorin për sigurimin e informacioneve rreth objekteve ushtarake, policore dhe objekteve të tjera vitale, rreth numrit, lëvizjeve, përgatitjeve etj. Angazhuam njerëz për logjistikë, për sigurimin e armëve, duke bërë edhe përgatitje të tjera për organizatën. Për një kohë të shkurtër, organizata u zgjerua pothuaj se në të gjitha qytetet e Maqedonisë perëndimore.
Planeve dhe programeve të shovinizmit jugosllav për shpërnguljen, asgjësimin dhe venitjen e shpirtit nacional të shqiptarëve, populli shqiptar u kundërvihej me format dhe mundësitë që kishte, reagonte përmes afisheve, pamfleteve, protestave, demonstratave etj. Kjo rezistencë e pashuar e shqiptarëve e irritonte pushtetin jugosllav, i cili angazhoi forca të shumta policore, agjentë të llojeve të ndryshme, por edhe forca ushtarake, kështu që më 21 shtator të vitit 1972, përmes një aksioni të gjerë policor, shteti jugosllav i arrestoi anëtarët e organizatës “Kushtrimi i Lirisë”. Me forca të shumta policore nga Maqedonia dhe Kosova, në Prishtinë u arrestuan Rafi Halili dhe Gafur Loku. Në rrugë e sipër nga Prishtina për në Tetovë, arrestohet Rushit Nesimi. Nga një rrethim i rreptë të fshatit Xhepçisht dhe Poroj nga forca të shumta policore, arrestohen Elmaz Ademi, Ajet Ademi dhe Nasuf Dauti.
Pas arrestimit, tri ditët dhe tri netët e para, i kaluam në objektin e policisë së Tetovës. Ishin ditët dhe netët, të cilat do t’i quaja si ditët dhe netët provuese, për arsye se gjatë kësaj kohe u përdorën të gjitha metodat e veprimit, dajaku me mjete të forta: shkopi i gomës, shufra metali, shqelma e grushte, deri në alivanosje. Ushtrohej presion psikik, që përfshinte kërcënimin me likuidim dhe torturim edhe të anëtarëve të familjes dhe të miqve, si dhe premtimin e shpërblimit dhe të lirimit nga mbajtja e mëtejme nën hetuesi. Gjatë këtij afati provues kinse për të mbledhur fakte për një gjykim pasues, në emër të mbledhjes së fakteve, në emër të patriotizmit jugosllav dhe në emër të mbrojtjes së vëllazërim-bashkimit dhe të pushtetit popullor, i shfrynin ndjenjat e tyre dhe urrejtjen e tyre nacionaliste, persona të ndryshëm, duke nisur nga portieri, e deri te zyrtari më i lartë. Na sulmonin, na godisnin, na shanin e na ofendonin, na quanin nacionalistë, separatistë, irredentistë, armiq të rrezikshëm të sistemit dhe të rregullimit të tij. Nuk na habiste fakti se këtë sistem jugosllav dhe këtë rregullim kushtetues demagogjik e mbronin pjesëtarët e komunitetit maqedonas, romë, turq, serbë etj. Na habiste fakti se këtë sistem robërues, e mbronin me fanatizëm disa elementë shqiptarë, si Bedri Sinani dhe Bexhet Bexheti etj. Në përgjithësi, logjika e tyre shkonte deri në absurd kur na thonin: Ju me qëndrime dhe veprime të tilla nuk jeni vetëm kundër nesh, por edhe kundër zotit. Ju jeni jobesimtarë. Të ngresh dorë kundër shtetit, është njëlloj sikur të ngresh dorë kundër zotit.
Kur ne u thoshim: Ky pushtet na shtyp dhe na robëron. Atëherë sipas jush, edhe zoti na shtyp dhe na robëron dhe tregohet i padrejtë ndaj nesh, ata vazhdonin me avazin e tyre.
Kjo nuk kishte të bënte vetëm me ne që na akuzonin si armiq të sistemit jugosllav. Ky ishte preteksti që ata ta shfryjnë urrejtjen e tyre ndaj popullit shqiptar në tërësi dhe t’i vazhdojnë reprezaljet ndaj anëtarëve të familjeve të të burgosurve. Kështu që, me forca të shumta policore, kohë e pa kohë i kontrollonin shtëpitë, duke mbjellë tmerr te fëmijët. I kontrollonin shokët dhe miqtë, i thirrshin në biseda informative dhe kërkonin nga ata të tregojnë se çka kemi biseduar, kur jemi takuar ndonjëherë. Prindërit, miqtë dhe shokët që donin të dinin se ku gjinden fëmijët dhe shokët e tyre dhe përse janë arrestuar, nga policia dhe nga shërbimi sekret jugosllav merrnin përgjigje nga më çnjerëzoret, duke u thënë: Ju jeni fajtorët kryesorë që keni lindur dhe rritur armiq të këtij shteti. Ju nuk meritoni të jetoni, e jo më të interesoheni e të dini se ku janë fëmijët dhe shokët tu. I shanin dhe i ofendonin në mënyrë të ulët, me qëllim që të heqin dorë nga interesimi. Sjellja e tyre i vinte prindërit në një gjendje shoku, sa që nuk dinin kë ta urrejnë: veten, fëmijën apo pushtetin. Prindërit e dinin kë ta urrejnë dhe nuk reagonin, heshtnin, duke mos hequr dorë nga interesimi. Kjo heshtje e prindërve, krahas interesimit për të mësuar diçka për të dashurit e tyre, për pushtetarët bëhej si ai virusi i fshehtë, i cili pa dhënë shenja dhimbjeje, e mbyt njeriun.
Ditët dhe netët e afatit provues ishin të gjata, shumë të gjata. Njeriu në këtë kohë është në një kolaps fizik, mendor dhe shpirtëror. Ai nuk di kur është mëngjes, kur është mesditë apo kur është mbrëmje. Ai nuk di kur është ditë e kur është natë. Nuk e di kur e ka thënë një diçka ditën apo natën. Nuk e di a e ka thënë me të vërtet, apo nuk e ka thënë asnjëherë. Në këtë gjendje të papërcaktuar, të burgosurin e bënte policia me urdhër të organeve më të larta shtetërore. Pas grumbullimit të ,,argumenteve,, që i merrnin nga viktimat duke i nxjerrë nga gjendja normale e të menduarit, policia këto ,,argumente,, ia parashtronte edhe të burgosurit, por i burgosuri nuk është asnjëherë i sigurt, a i ka thënë ndonjëherë apo s’i ka thënë, pasi edhe kur i parashtrohen ato farë pyetje, ai ende nuk është në gjendje fizike e mendore të mirë. Për vërtetësinë e ,,argumenteve,, ishin të dyshimtë edhe vetë organet policore, pasi ata e dinin se me çfarë metodash i kanë grumbulluar, por ashtu e kanë pasur urdhrin prej më lartë.
Të burgosurin që është ende në gjendje kllapie, së bashku me ,,argumentet,, e pavërtetuara dhe të paverifikuara, e hipin në furgon të mbyllur, pa dritare dhe pa ajër të mjaftueshëm dhe nisen në destinacion të panjohur. Në këtë gjendje të pasigurt, tek i burgosuri lindin shumë pyetje dhe dyshime për jetën e tij: Ku më çojnë, ku më degdisin, mos më çojnë të më pushkatojnë, mos më çojnë të më zhdukin diku, etj. Pas gjithë këtyre dyshimeve dhe pikëpyetjeve, i burgosuri në fund gjen një përgjigje në vete: Le të më çojnë ku të duan, vetëm të shkoj të shtrihem diku, sikur edhe i vdekur.
Por jo, “argumentet” e grumbulluara në mënyrë çnjerëzore, me dhunë dhe tortura, duhet të vërtetohen në një formë më të sofistikuar dhe brenda një afati më të gjatë. Të burgosurin, së bashku me ,,argumentet,, e fituara në mënyrë çnjerëzore, të përpiluara si lëndë, ia dorëzojnë gjykatësit hetues, i cili ka kompetenca të pakufizuara. Pos policisë, ai ka në dispozicion inspektorë, agjentë, psikologë, mjekë dhe kriminelë të cilët nuk përtojnë t’i zbatojnë urdhrat. Në fund, si alibi gjoja se veprojnë drejt dhe sipas ligjit, e sjellin një mbrojtës (avokat), i cili nuk është gjë tjetër veçse pjesë e të njëjtit mekanizëm, i cili në publik paraqitet me simbolin e humanistit, gjoja se e ndihmon të burgosurin, kurse në qarqet sekrete e vulos lëndën si të vlefshme për dënim. Mbrojtësi si pjesë e të njëjtit mekanizëm, në fillim paraqitet në mënyrë të butë, mundohet të tregohet se dëshiron sinqerisht të të ndihmojë, e në anën tjetër insiston që me çdo kusht ta pranosh veprën e bërë. Të thotë: “Nëse e pranon veprën e bërë, dënimi do të jetë më i butë, madje mund edhe të të lirojnë nga dënimi”. Nëse i burgosuri e di se çdo vepër e pranuar mban edhe dënimin, nuk bie në kurthin e përgatitur. Nëse nuk e di, me ndihmën e mbrojtësit bie në kurth, e ha dënimin e ,,merituar,, – sipas tyre. Çka të pranojë i burgosuri i shkretë? Çka të pranojë, e çka të mohojë, nuk e di. Nuk ka vjedhur, nuk ka gënjyer, nuk ka plaçkitur, nuk ka vrarë, nuk ka dhunuar. Çka të pranojë!? Këto të gjitha i mohon, pasi nuk i ka bërë. Po çka duhet të pranojë? Duhet të pranojë se s’është shqiptar.
Pas pyetjes së gjykatësit hetues se cilit nacionalitet i përket, i përgjigjesh se je shqiptar dhe fillon golgota ndaj të burgosurit politik. Ja, ky është shpirti i tij nacionalist, ky duhet të përmirësohet, duhet të zhvishet nga shpirti i tij nacional, ky duhet të bëhet ai që nuk është, pra duhet ta mohojë se është shqiptar. Për të burgosurin politik, këtu fillon lufta për jetë a vdekje: Të jetë ai që është, apo të mos jetë fare. krahas gjendjes fizike të sfilitur në të cilën e ka katandisur policia gjatë afatit provues, i burgosuri politik shqiptar tani gjendet edhe para një presioni të paparë psikik. Asnjërit nuk i ka shkuar ndërmend se do të gjendet para shpirtrave të këqij, të cilët do t’i kërkonin mohimin e vetvetes. Por, gjaku ujë nuk bëhet, nuk të lejon ndërgjegjja, nuk të lejon krenaria dhe gjen një rrugëdalje. I forti ta merr pasurinë, ta merr edhe jetën, por krenarinë jo, ndërgjegjen jo, idealin jo dhe vazhdon të rezistojë. Thotë me vete: Unë jam ky që jam dhe i tillë do të vdes. Atdheu është i shenjtë, atë na e ka falë zoti, atë na e ka dhuruar natyra, ai duhet të mbrohet me çdo kusht dhe kur është nën robëri, duhet të çlirohet me çdo kusht. Atdheu duhet edhe kur të mundon, edhe kur të injoron, edhe kur të degradon, pasi këtë nuk e bën atdheu, por njerëzit e ligë që jetojnë dhe sundojnë në të. Atdheu është një, është i shenjtë dhe nuk shitet për asnjë çmim. Atdheu lind dhe rrit gra e burra të cilët lindin djem dhe vajza që i dalin zot dhe e mbrojnë. Atdheu është një dhe këtë nuk e lind asnjë nënë, dhe ky njësh është i të gjithë shqiptarëve dhe ky nuk mund të shitet nga asnjë individ, e as mund të falet nga dikush. Pra këtë nuk mund ta bëjmë as ne që jemi në burg, pa marrë parasysh në ç’rrethana e në çfarë gjendjeje jemi.
Jam shqiptar – përgjigjet me zë të vakët, nga pafuqia fizike, të shkaktuar nga përdorimi i dhunës. Do ta shohim – dëgjon zërin e hetuesit, i cili jep shenjë. Policët vinë menjëherë pasi shenjën e kanë mësuar përmendësh, ngase e kanë veprim përditshmërie. Të marrin prej aty dhe të çojnë në dhomën e torturave ku fillon loja e hienave. Njëri qesh, tjetri të godet, i treti sillet rreth teje, duke kërkuar ndonjë pjesë më të ndjeshme të trupit ku të godet, i katërti nuk pret, godet ku mundet. Pas kësaj, i burgosuri bie pa ndjenja, nuk di asgjë, nuk e ndjen as dhimbjen. Një kovë ujë e kthen në jetë, fillon t’i ndjejë dhimbjet dhe ashtu, pa vetëdije, fillon të rënkojë. Rënkimi është një shenjë që u jep mundësi hienave që ta vazhdojnë lojën e tyre. Sa vazhdon kjo lojë, i burgosuri nuk e di se edhe ujin që ia hedhin për së dyti, nuk i ndihmon më. Hienat janë e vetmja gjallesë në botë që gjahun e hanë për së gjalli, nuk janë si krijesat tjera, si luanët, tigrat, leopardët të cilët pasi e kapin gjahun, e presin derisa i del shpirti, pastaj e hanë. I burgosuri vjen në vete. Por, ai nuk di sa kohë ka qenë pa ndjenja, ai mund ta dijë kohën kur ka shkuar te gjykatësi hetues. Tanimë nuk di asgjë. Sheh se hienat nuk janë më aty, por trishton të lëvizë nga pozicioni në të cilin ndodhet, nga dhimbja, por edhe nga ambienti i pistë që është krijuar nga gjaku dhe uji i përdorur për ta sjellë në vete. Ndoshta ndonjë pjesë e dalë edhe nga trupi i tij. Fillon të mendojë se çka ka ndodhur me të, pse ia bëjnë gjithë këtë? I kujtohen hienat dhe thotë me vete: A thua këto gjallesa kur bëjnë lutje për t’u pranuar në punë, në lutje shkruajnë: “Më pranoni mua se nuk gjeni më kriminel se unë, më gjakpirës se unë, më pranoni pra”!
Pas një kohe e ndjen kërcitjen e derës. Ashtu i strukur dhe i trishtuar mendon se çka do të ndodhë me të. Do ta vazhdojnë avazin, apo do ta çojnë në qeli. Avazi vazhdon në një formë tjetër. Policët hyjnë duke bërtitur: Çou nënën e nacionalistit! Ku e ke Shqipërinë? Thirre Enver Hoxhën të të ndihmojë. Nuk mund të të ndihmojë askush, do të të zhdukim. I burgosuri nuk ka fuqi të çohet, e godasin me shqelma, por më kot, pasi nuk i ka mbetur fije fuqie. Atëherë dy hiena e rrokin për krahësh dhe duke e hequr zvarrë e çojnë në qeli. Në qeli, i burgosuri politik takon ndonjë të burgosur tjetër. Ndodh që pas një kohe ta sjellin ndonjë të burgosur nga ndonjë dhomë tjetër, të akuzuar për ndonjë vepër kriminale si: vjedhje, mashtrim apo vrasje. Mund të mos jetë i burgosur, por ndonjë inspektor i kamufluar nën petkun e krimit dhe të burgut. Ky i burgosur ,,human,, fillon të mëshirohet, duke i sharrë policët: Çka të paskan bërë, të poshtrit, idiotët. Kur e sheh se fillon ta marrësh pak veten, atëherë e fillon detyrën sipas skenarit të përgatitur nga organet. Fillon të të pyesë: Pse të kanë burgosur, pse të paskan munduar kaq shumë, a je i vetëm apo ke edhe shokë tjerë, e shumë e shumë pyetje të tjera? Nëse i burgosuri ka njohuri për skenarë të tillë, përgjigjet shkurt, apo nuk përgjigjet fare. Njeriu “human” informatat e marra nga i burgosuri politik, përmes rrjetit që ia kanë krijuar, ia përcjell gjykatësit hetues, i cili e përpilon programin për vijimin e procesit. Pas kësaj, gjykatësi hetues jep urdhër, policët të marrin dhe të dërgojnë para tij. Nëse ndonjë fjalë e përcjellë nga njeriu ,,human,, është me interes për ta, gjykatësi hetues do të rrotullohet me orë të tëra rreth asaj fjale, duke të bërë pyetje të shumta, mos vallë do të nxjerrë diçka që u hyn në punë atyre.
Çka ju intereson atyre, çka dëshirojnë të dinë për të burgosurin dhe nga i burgosuri? Nga i burgosuri politik dëshirojnë të dinë për veprat e kryera, të dinë a është autor i përmbajtjeve të afisheve dhe të parullave, apo është vetëm shpërndarës dhe shkrues i tyre, apo është edhe autor i përmbajtjes së tyre edhe shpërndarës i tyre. Dëshirojnë t’i dinë bisedat që i ka zhvilluar me njerëz të tjerë, ku i ka shprehur ndjenjat e tij nacionaliste dhe ndjenjat për liri. Ndërsa përmes personave “human” dëshirojnë ta zbulojnë gjendjen e tij shpirtërore, të zbulojnë çka fsheh në shpirt dhe çfarë karakteri ka, është i luhatur apo jo. Pasi njeriu “human” t’i ketë dërguar informatat e marra, i burgosuri thirret nga gjykatësi hetues. Pas përfundimit të bisedës me hetuesin, të burgosurin e kthejnë përsëri në qeli dhe pas një kohe të shkurtër e tërheqin njeriun “human” të cilin nuk e sheh më. Vendin e tij do ta zërë një person tjetër me përgatitje tjetër fare. Paraqitet si njeri i burgosur pa fije faji. Burgosja i është përgatitur, pasi dikur dhe diku paska thënë do shprehje nacionaliste. Mundohet të tregojë për shprehjet nacionaliste që i ka thënë, duke shikuar rreth e rrotull, mos vallë po na dëgjon kush. Flet me zë të ulët saqë mezi e dëgjon. Tjetrin e sjellin nga ndonjë qeli tjetër dhe flet me krenari se ka qenë në një qeli me një patriot. Tregon se atë e mundonin shumë, e mundonin edhe shokët e qelisë dhe se ky e paska rrahur njërin prej tyre dhe për këtë shkak e kanë nxjerrë prej asaj qelie. I përmend emrat e shokëve, të Rafiut, të Gafurit, të Rushitit etj, dhe këta emra ia paska treguar shoku me të cilin ka qenë në një qeli. Përpiqet të tregojë për ndonjë vepër të kryer, ku kanë marrë pjesë më shumë persona, etj. Ndaj përgatitjes së ndonjë skenari ndaj të burgosurit politik, ky “humanist” del krah të burgosurit, i sulmon policët ngase sillen në mënyrë çnjerëzore dhe i ofendon ata. E gjithë kjo bëhet me qëllim që i burgosuri të krijojë besim tek ai dhe t’i tregojë ndonjë fshehtësi. Një thënie e popullit thotë: “Një gotë merr mendjen, por zbraz zemrën”. Nëse i burgosuri politik krijon një bindje të mirë për njeriun “human” dhe i tregon ndonjë fshehtësi, ky besim dhe kjo bindje bëhet gota që ta merr mendjen dhe ta zbrazë zemrën. I tregon diçka atij dhe kjo bëhet tragjike për të dhe për shokët e tij. Të burgosurin politik, njerëzit ,,human,, do ta ndjekin tërë jetën, si në qeli ashtu edhe në jetën jashtë qelisë. Është një fazë e procesit ku nuk kursehet asgjë nga ana e policisë, që nga sharjet dhe ofendimet mbi baza nacionale deri te lëndimet trupore e shpirtërore. Ti je një shqiptar bukëshkalë, çka kërkon ti, ku ka në botë ndonjë pakicë kombëtare që i ka të gjitha të drejtat, siç i keni ju? Po ti përgjigjesh, e di çka të pret. Po të heshtësh, e të mos përgjigjesh, përgjigjet vetë polici: “Hesht, domethënë nuk pajtohesh me këto që të themi ne, e nënën sh….” Te hetuesi gjen një atmosferë më të zymtë, nuk e di si do të zhvillohet situata, fillon të mendosh, mos ke gabuar dhe ke lëshuar ndonjë fjalë para ndonjërit nga ,,humanët,, që t’i sjellshin pandërprerë në qeli. Hetuesi fillon me pyetjet e rëndomta: Me datën kaq e kaq, ku ke qenë? I burgosuri i shkretë nuk e di se çfarë dite e çfarë date është sot, e ku më të dijë për të kaluarën. Hetuesi fillon me taktikën e mashtrimit: Shoku yt ka pranuar se në atë datë keni qenë bashkë dhe keni shpërndarë afishe në Tetovë. Shoku mundë të ketë pranuar, por unë nuk kam qenë – ia kthen i burgosuri politik. Ti do të bësh një lojë me ne, por ne jemi të durueshëm dhe kemi kohë të presim derisa ti të kujtohesh – vazhdon ai. Pas disa orë presioni psikik, ke qenë nuk kam qenë, fillon loja e vërtetë. Me një lëvizje koke, vijnë policët, të marrin dhe të çojnë në dhomën e torturave. Nëse u ka mbetur ndonjë metodë pa përdorur, e zbatojnë edhe atë. Në fund e përdorin metodën e gjumit. Të lidhur për ndonjë përforcuesi, të burgosurin me ditë dhe net të tëra, nuk e lënë të flejë. Pas ca ditësh dhe netësh pa gjumë, truri e humb kontrollin mbi organet e trupit dhe në këtë moment të burgosurit i bëhen një seri pyetjesh të cilat ai as që i kupton dhe në atë gjendje kllapie ai vetëm i përsërit pyetjet që i bëhen nga ana e inspektorëve dhe policëve. Këto përsëritje të pyetjeve me pavetëdije, policët i marrin si argumente dhe i përcjellin te gjykatësi hetues, si argumente të cilat i burgosuri politik i ka pranuar me gojë të vet. Pas përfundimit të kësaj loje, të burgosurin e dërgojnë në qeli që të pushojë. Pas një kohe, të burgosurin e çojnë para hetuesit, i cili i përsërit të njëjtat pyetje. I burgosuri pas pushimit është freskuar pak dhe vetëdija ka filluar t’i stabilizohet. I mohon të gjitha. Pasi i burgosuri i mohon të gjitha, hetuesi i kërcënohet duke i thënë: T’i lëmë këto lojëra, ti mbrëmë i ke pranuar të gjitha.
Pas përfundimit të kësaj maskarade që zgjat me ditë e javë, për të qenë më spektakulare dhe më e besueshme, e sjellin një mbrojtës. Mbrojtësi është pjesë e mekanizmit hetues, edhe pse paraqitet si i paanshëm dhe do ta mbrojë të burgosurin nga ndonjë padrejtësi që ka mundur të ndodhë gjatë hetuesisë. Loja me mbrojtësin vazhdon me ditë e me javë të tëra. Gjykatësi hetues herë të thërret në prezencë të mbrojtësit, e herë në mungesë të tij. Kur është prezent mbrojtësi, gjykatësi hetues paraqitet në mënyrë më të butë, me sjellje më njerëzore dhe më civilizuese. Edhe kjo bëhet me prapavijë nga ana e organeve të drejtësisë. Nëse i burgosuri ankohet për ndonjë lloj dhune të kryer nga ana e policisë, apo nga ana e hetuesit, mbrojtësi del si dëshmitar dhe e mohon atë, duke thënë se kjo që e thotë i burgosuri është e pavërtetë, pasi unë kam qenë rregullisht prezent gjatë marrjes në pyetje. Duke qenë se të gjithë ne vinim nga familje me ekonomi të dobët, nuk kishim mundësi që të marrim ndonjë mbrojtës i cili sado pak do të kishte një qëndrim autonom. Atëherë organet e drejtësisë i caktonin mbrojtësit vetë dhe neve na i prezantonin si mbrojtës tanë. Në një rast hetuesi më pyeti: Cili do të jetë mbrojtësi yt? I thash: Nuk kam mbrojtës dhe nuk më duhet. Si nuk të duhet, me një vepër kaq të rëndë? – vazhdoi ai. Nuk më duhet se nuk jam fajtor – ia ktheva unë. Hetuesi ma tregoi rastin e një mbrojtësi me emrin Mexhit, të cilin e kishte angazhuar babai im. Mexhiti posa e sheh lëndën, i ngre duart përpjetë dhe ashtu me duart përpjetë, niset drejt daljes, duke thënë: Unë nuk mund ta mbroj këtë, nuk mund – dhe ikën. Hetuesi këtë rast donte ta shfrytëzojë për të më bërë presion, duke mbjellë frikë dhe rrjedhimisht do ta pranoj fajin. Por unë i thash se mbrojtësi ka pasur të drejtë ngase nuk ka çka të mbrojë, unë nuk jam fajtor. Hetuesi me një nervozizëm të shtuar, ma ktheu: Do ta shohim.
Sipas rregullave të drejtësisë jugosllave, një i arrestuar nuk mund të dënohet pa prezencën e mbrojtësit gjatë seancës gjyqësore. Atëherë organet e drejtësisë caktojnë mbrojtës dhe shpenzimet e tij i mbulon shteti. Kështu që mua ma caktuan një mbrojtës maqedonas të quajtur Ilija Markov. Kupola e drejtësisë jugosllave ishte kjo: Gjykatësi hetues – maqedonas, përcjellësit e tij – maqedonas, zbatuesit e urdhrave – maqedonas, mbrojtësi – maqedonas. Hajde drejtësi, hajde. Mbrojtësi të cilin ma patën caktuar, një ditë më thirri në bisedë. Gjatë bisedës i ndërroi disa lëkura. Herë paraqitej si njeri që me të vërtet do të angazhohet për një mbrojtje të drejtë e dinjitoze, herë këmbëngulte të mësojë për veprat që nuk i kemi pranuar, duke insistuar që t’i pranojmë dhe se po t’i pranojmë, dënimi do të jetë më i ulët. Për këtë mbrojtës kishte kuptuar edhe babai im dhe shkon ta takojë. Me atë rast mbrojtësi i drejtohet babait: M’i jep treqind (300) marka gjermane dhe unë për tre muaj Elmazin do ta liroj nga burgu. Baba nuk i ka pasur treqind marka, se po t’i kishte pasur do t’ia kishte dhënë sakaq. Këtë problem babai ia tregon mikut Osman Fetahu, i cili të nesërmen i merr 3000 marka dhe së bashku me babanë shkojnë te mbrojtësi. Miku i drejtohet mbrojtësit: Ti i ke kërkuar këtij miku 300 marka dhe për tre muaj ta lirosh Elmazin. Ja tre mijë (3000) marka dhe jo për tre muaj, por për gjashtë muaj liroje. Ti nuk mund ta lirosh Elmazin, se jeni në anë të kundërta. Ti për ta ndihmuar, duhet të jesh në anën e tij, prandaj nuk mund ta mbrosh dhe mos i mashtro këta fukarenj. Kur nisen të dalin nga zyra e tij, mbrojtësi i thotë babait: Edhe njëherë mos më sjell kësi njerëz. E mora këtë shembull sa për të vërtetuar se edhe masat e gjera të popullit e kanë ditur se ministria jugosllave e drejtësisë dhe mekanizmat e saj në tërësi, janë jo vetëm të korruptuara, por edhe antishqiptare. Ky institucion i lartë shtetëror, duke u thirrur në kodin e së drejtës dhe të moralit, ishte i padrejtë dhe amoral. Prandaj ne e kishim një bindje të pathyer se ky sistem do të shembet. Për gjithë aparatin shtetëror jugosllav dhe për këtë institucion, shqiptarët nuk duhet të ekzistojnë, prandaj i përdorin të gjitha mjetet e dhunës me qëllim që të mbjellin frikë dhe nga frika të shpërngulen ap të asimilohen. Për fat të mirë tonin dhe për fat të keq tyren, shqiptarët ekzistojnë, frymojnë e gjallërojnë. Ekzistenca e shqiptarëve, për organet shtetërore jugosllave dhe për këtë ministri janë halë në sy dhe ua bën jetën ferr dhe do të përfundojnë në ferr. Nazizmi i pushtetit jugosllav nuk shprehej vetëm ndaj të burgosurve politikë shqiptarë, por ndaj popullit shqiptar në tërësi. Këtë nazizëm, po ta shprehnin vetëm ndaj të burgosurve politikë, do të mundoheshim ta arsyetojmë. Por ne kemi kërkuar shkatërrimin e rregullimit federativ, si rregullim shtetëror i cili në mënyrë të padrejtë i ka marrë dhe i mban nën sundim pjesë të tëra të tokave shqiptare. Kemi kërkuar dhe kërkojmë çlirimin e tyre dhe bashkimin me mëmën Shqipëri. Kemi kërkuar lirinë e shprehjes dhe arsimim në gjuhën shqipe. Kemi kërkuar punësim dhe të drejta të cilat në tërësi na janë mohuar. Por, ky nazizëm sllav shfaqet hapur edhe ndaj anëtarëve të familjes, pa marrë parasysh a është plak, grua apo fëmijë.
Pas arrestimit, anëtarët e familjes janë interesuar të kuptojnë dhe të dinë se ku gjendemi. Ky interesim ka zgjatur me muaj, pa marrë asnjë njoftim. Pritja mujore për të marrë ndonjë njoftim, nuk ka qenë pritje mujore por pritje shekullore. Populli shqiptar dhe familjet tona si pjesë e tij, kanë ditur për krimet e pushtetit jugosllav dhe për këtë arsye ata gjithmonë kanë qenë në ethet e frikës se çka u kanë bërë djemve. Nuk kanë qenë të njoftuar se janë të arrestuar dhe se gjenden në stacionin policor. Prindërit janë njoftuar nga dëshmitarët okularë, nga ata që i kanë parë arrestimet. Ky mosinformim nga ana e organeve, krijonte te prindërit dyshime të thella. Na i kanë zhdukur fëmijët, prandaj nuk na tregojnë. Kjo gjendje ankthi në familje krijonte një atmosferë të zymtë. Kryefamiljari, në çdo kohë dhe në çdo vend dëgjonte pyetje që kishin të bënin me fatin e të arrestuarit: A ka ndonjë zë për djalin? Kryefamiljarit, përpos brengave që kishte, këto pyetje ia shtonin edhe më tepër dhimbjen shpirtërore. Pse i kanë arrestuar, çfarë kanë bërë, ku i kanë çuar etj. Nga ana tjetër, për ta degraduar dhe zhvleftësuar veprimin patriotik të të burgosurve, organet e shtetit, përmes bashkëpunëtorëve nga radhët e popullit shqiptar, përhapnin dezinformata nga më të ulëtat, duke thënë se të arrestuarit janë vjedhës, janë njerëz të dështuar në mësime, janë të pandershëm etj. Edhe pse në mesin ku jetonim nuk njiheshim si njerëz të tillë, nga propaganda e ulët, në popull krijohej huti. Prindërit thuajse për çdo ditë janë ballafaquar me fjalë të tilla banale dhe çdo ditë e më tepër u shtohej dhimbja shpirtërore.
Pas përgatitjes së aktakuzave nga gjykata hetuese, kuptohet sipas dëshirës së tyre, i njoftojnë prindërit dhe u japin mundësinë që t’i vizitojnë të burgosurit. Nga ky moment, për familjet dhe për të burgosurit fillon një fazë tjetër vuajtjeje dhe trysnie. Për t’i vizituar të burgosurit, prindërit duhej të bënin një udhëtim të mundimshëm dhe të vështirë. Udhëtimi bëhej me autobus, të cilin duhej ta ndërronin dy apo tri herë. Gjatë udhëtimit, familjarët ndiqeshin nga persona të angazhuar nga organet. Këta ndjekës të pandërgjegjshëm, gjatë udhëtimit u bënin edhe provokime, por edhe i ofendonin. Para dyerve të burgut i linin të presin me orë të tëra, në kushte kohore të ndryshme, verës në të nxehtë e dimrit në të ftoftë. Gjendja ekonomike e dobët e bënte edhe më të vështirë këtë pritje. Verës nuk kishin mundësi të blejnë diçka për t’u freskuar, kurse dimrit pritshin duke u dridhur nga të ftohtit, pasi ishin me veshje të dobëta. Gjatë momentit të vizitës, kishte shumë raste kur ndonjërin prej anëtarëve të familjes nuk e lejonin të takonte të birin, herë babanë, herë nënën, herë ndonjë anëtar tjetër. Kjo ishte pjesë e planit të trysnisë, e presionit të vazhdueshëm që duhej bërë. Ky presion e kishte efektin e dyfishtë, si për prindërit ashtu edhe për të burgosurin. Mua nuk ma kanë lejuar nënën 18 muaj radhazi, edhe pse ajo vinte për çdo muaj nga Tetova deri në Idrizovë dhe qëndronte para dyerve të burgut. Babai, kur takoheshim, më thoshte: Edhe nëna është këtu, duke bërë me dorë në drejtim të derës, thua se unë e shoh, nuk e lejuan. E di babë, e di. A është mirë me shëndet? Do të vijë koha kur do ta lejojnë edhe nënën. I thuaj të mos mërzitet. Kur realizohej takimi, nga dera hyrëse e burgut deri te salla e takimit, anëtarët e familjes përcilleshin nga policët të cilët gjatë atij rrugëtimi i kërcënonin me ndërprerje të vizitës nëse flasin shqip. Nëse flisni shqip, ju largojmë menjëherë nga vizita, a morët vesh? Pos babait që e dinte një maqedonishte të dobët, asnjë anëtar tjetër i familjes nuk e dinte maqedonishten. Ato e kanë pyetur babanë se ç’thotë polici. Babai u thotë: Policët kërkojnë që të mos flisni shqip me djalin. Nëna i përgjigjet: Na shurdhofshin, ne nuk dimë maqedonisht, që do të thotë ne vazhdojmë shqip. Nga ana tjetër, edhe të burgosurin kur e marrin nga qelia për ta çuar në vizitë, jo vetëm që e kërcënojnë, por edhe e godasin, duke i thënë: Mos insisto të flasësh shqip se e di çka të pret. Nuk e kthej kokën për ta parë policin që e bënte kërcënimin, pasi nuk dija çfarë fytyre do të shihja, ngase ai nuk është njeri, është një bishë e papërcaktuar. Ta detyrosh fëmijën të flasë maqedonisht me prindërit që e kanë lindur, e kanë rritur dhe e kanë edukuar shqip është jo vetëm marrëzi, por edhe çmenduri. Çka do të mendojnë nëna, motra, vëllai kur të dëgjojnë se i biri i tyre nuk flet shqip, por një gjuhë të panjohur për ta?! Nëna do të çmendet: Unë e kam mësuar shqip, e ky flet diçka tjetër, ky qenka tjetërsuar. Do të më mallkojë. Te dera e dhomës së vizitës, më bëhet edhe njëherë vërejtje. Nuk e kthej kokën për ta parë policin, vetëm mendoj t’i shoh mirë anëtarët e familjes. Sapo hyjë në dhomë, i hidhem në qafë babait dhe e pyes: Si jeni, a jeni të gjithë mirë? Unë mirë jam, mos mërziteni. Më bëhet vërejtje. Biseda mbyllet me kaq, nuk flas më, nuk flet as babai, vetëm shikohemi në sy, thua se merremi vesh. Kjo heshtje u pengoi policëve që ishin prezent, saqë nuk duruan pa reaguar: Flisni, pse nuk flisni? Vazhdojmë të heshtim, thua se nuk i dëgjuam apo nuk i kuptuam çka thanë. Përsëri vërejtje: Flisni ose do ta ndërpresim takimin. Që të mos i jap hapësirë babait për të folur, i hidhem në qafë duke i thënë: Mos mërziteni, mirë jam. Përshëndetem edhe me motrën dhe dal nga dhoma.
Sa kemi qenë në burgun hetues në Shuto Orizare, të gjitha takimet me prindërit kanë përfunduar në këtë mënyrë, edhe pse nuk kanë qenë shumë, tre apo katër. Nga policët që na përcillnin në takim ishte regjistruar çdo gjë në hollësi. Kishin raportuar te gjykatësi hetues se gjatë takimit këta nuk flasin ndër vete (i burgosuri me anëtarët e familjes) vetëm shikohen në sy dhe ashtu, thua se merren vesh me njëri-tjetrin, sikur me telepati. Ndaj prindërve bëhej edhe një provokim tjetër që me të drejtë e quanin shumë të ulët. Ushqimet që i sillnin për të burgosurin, policët i kontrollonin para syve të tyre duke u thënë: Të shohim çka keni sjellë për këta armiq të shtetit dhe i shkatërronin tërësisht. Për këtë sjellje jonjerëzore të policëve, prindërit reagonin, por më kot, nuk i dëgjonte kush, derisa u thamë që mos të sjellin më ushqime.
Për të burgosurin ishte bërë çdo gjë e qartë, je armik i shtetit dhe për ty nuk ekziston as dhimbje, as mëshirë. Ishim të vetëdijshëm se ky shtet është robërues dhe udhëhiqet nga xhelatë, nga antishqiptarë dhe nuk kërkonim mëshirë, por dita ditës e forconim bindjen se ky pushtet duhet hequr qafe sa më parë. Dikush mund të bëjë pyetje: A ka mundësi njeriu të mendojë për shkatërrimin e një pushteti, kur në çdo moment është në rrezik jeta e tij. Po, gjen mundësi kur njeriu krijon bindje në përcaktimin e vetvetes, jo vetëm për veten, por për të gjithë njerëzit e kombit që i takon. Ne nuk e kishim lidhur luftën për liri vetëm në ne, por te i gjithë populli. Ishim të vetëdijshëm se pushtimi dhe robëria tentojnë që njeriun e robëruar ta reduktojnë apo ta kthejnë në një instrument që flet, madje edhe më shumë, deri në asgjësim. Për këtë ishim të vetëdijshëm dhe e dinim mirë se shqiptarët nuk e pranojnë robërinë, ndaj për të qenë vetvetja do ta luftojnë robërinë. I burgosuri i gjendur para sfidës ose…ose, zgjedh rrugën e vetme të çlirimit dhe të bashkimit të tokave shqiptare në një shtet, pa marrë parasysh sakrificat që kërkohen prej tij. Ne ishim në situatën ose…ose, të jemi vetvetja duke e pranuar edhe më të keqen, ose të tjetërsohemi. Tjetërsimi ishte i papranuar për ne. Duke menduar se gjaku ujë nuk bëhet, pranuam flijimin. Vendosëm të heshtim, të mos flasim për atë çka kërkonin pushtetarët. E kuptuam se edhe heshtja i tmerronte dhe filluam ta përdorim si armë kundër qëndrimeve të tyre. Na heshtnim, kurse ata për çdo ditë bëheshin më agresivë, më të padurueshëm, ndaj haptas filluan ta shfaqin nacionalizmin e tyre naiv. Kjo na jepte forcë, saqë ndonjëherë edhe i provokonim me ndonjë fjalë. Në këto situata të papërshtatshme për të burgosurin, organet nuk heshtnin për të na degraduar a përçarë. Çdoherë që na merrnin në pyetje, i përdornin shprehjet: Shokët kanë pranuar të gjithë, ti më kot qëndron kokëfortë. Kot vuan për këto, prano dhe shpëto nga vuajtjet. Ata mund të pranojnë çka të duan, unë nuk kam qenë me ta. Ata thonë se edhe ti ke qenë. Atëherë unë kërkoj të ballafaqohem me ta. Do ta bëjmë edhe këtë – përgjigjeshin. Sa zgjati koha e hetimeve, ballafaqimi nuk ndodhi me asnjërin shok, as me Rafiun, as me Gafurin, as me Rushitin, as me Ajetin. Kjo më shtynte të mendoj që edhe ata nuk kanë pranuar gjë dhe se është pjesë e lojës së tyre. Nga ana tjetër, kisha një brengë pse nuk ndodh ballafaqimi. Mos vallë u kanë bërë ndonjë të keqe shokëve. Jo, nuk ka mundësi të ketë ndodhur diçka e tillë, se po t’u kishin bërë diçka të keqe atyre, të njëjtën gjë do të ma kishin bërë edhe mua – mendoja me vete.
Presioni vazhdonte me të njëjtin ritëm edhe ndaj anëtarëve të familjes, me qëllim që jetën e tyre të vështirë ta bëjnë edhe më të vështirë. Përmes bashkëpunëtorëve të cilët i përgatisnin, përhapnin lloj-lloj propagande, me qëllim që në mes anëtarëve të familjes, miqve dhe rrethit më të gjerë të krijojnë mosbesim dhe përçarje. I merrnin njerëzit e afërt të familjes, miqtë dhe shokët, i shantazhonin dhe i frikësonin. Metodë e cila, pas një kohe, arriti njëfarë suksesi. Familjet filluan ta ndjejnë izolimin. Në shtëpi nuk u shkonte kush në vizitë, përveç ndonjë i afërt që ishte më i vendosur. Në rrugë kur e takonin babanë, e kthenin drejtimin, ose bënin sikur nuk e shohin. Nuk i ndihmonte kush në punë, e as nuk u zgjatnin ndonjë ndihmë tjetër. Ky izolim zgjati sa kohë që na qëndruam në burg, por vazhdoi edhe pas saj, derisa u shkatërrua federate jugosllave, po edhe pas. Përmes presioneve, shantazheve dhe dhunës, si ndaj nesh, ashtu edhe ndaj familjeve, gjykatësi hetues e përpilon aktakuzën ndaj anëtarëve të organizatës “Kushtrimi i Lirisë”. Nga fundi i dhjetorit apo fillimi i janarit, ma prunë aktakuzën me numër 1076|72, e cila thotë: Sipas nenit 117, në lidhje me nenin 100 dhe 101, të akuzuarit Rafi Halili, Gafur Loku, Rushit Nesimi, Elmaz Ademi, Ajet Ademi dhe Nasuf Dauti, kanë kryer vepër armiqësore kundër popullit dhe shtetit, kanë vendosur flamuj shqiptarë në disa qytete të Maqedonisë, kanë shpërndarë afishe dhe kanë shkruar parulla me përmbajtje armiqësore. Veprimtaria e tyre armiqësore e ka dëmtuar rëndë dhe e ka cenuar rendin kushtetues, duke kërkuar që pjesë të territoreve të Jugosllavisë, të shkëputen dhe t’i bashkëngjiten Shqipërisë. Paraqitja e tyre nga pozitat e nacionalizmit, irredentizmit dhe separatizmit shqiptar paraqet vepër penale për të cilën do të përgjigjen para ligjit të RSFJ-së.
Kjo akuzë më njoftonte për dënimin që më pret, gjë e cila nuk më shqetësoi shumë, pasi nga një pushtet që të robëron nuk priten gjëra të mira, por dënime, likuidime, frikë, përçarje, shantazhe dhe çdo gjë tjetër të keqe, prandaj edhe nuk u brengosa shumë. Kjo aktakuzë më njoftoi edhe për diçka shumë të rëndësishme për mua dhe që më gëzoi shumë. Më njoftoi se shokët me të cilët kisha vepruar janë mirë, janë gjallë. Nuk dija se në çfarë gjendje janë, por kryesorja janë gjallë. Isha i vetëdijshëm se çka kanë përjetuar. E kanë përjetuar atë çka kam përjetuar edhe unë dhe kjo nuk është pa pasoja fizike e psikike. Por, ajo që është me rëndësi, është fakti se janë gjallë. Dikush mund të shtrojë pyetjen dhe të shpreh dyshimin se si është e mundur që për tre apo katër muaj sa keni qëndruar në hetuesi, mos të keni ditur për njëri- tjetrin!?
Jam munduar, sipas aftësive që kam, që në mënyrë sa më të thjeshtë ta përshkruaj gjendjen në të cilën ishim, sjelljet e pushtetit si ndaj nesh, ashtu edhe ndaj anëtarëve të familjes. I kam përshkruar takimet me anëtarët e familjes, etj. Në një gjendje të tillë, ishte e pamundur të kuptosh diçka reale. Erdhi edhe dita e seancës gjyqësore. Duhet të përgatitesh për gjykim – më tha me cinizëm polici, duke ma zgjatur një shkresë ku ishte shënuar: 3 janar 1973. Nuk kisha çka të përgatitem pasi isha i vetëdijshëm se akuza është përgatitur sipas dëshirës së tyre dhe si e tillë nuk mund të ketë gjë të mirë. Është përgatitur nga njerëz me ndjenja të sëmura nga nacionalizmi sllav dhe me një sëmundje shpirtërore antishqiptare. Atë ditë e prisja me padurim, pasi atë ditë do të takohesha me shokët, do të takoheshim në ferrin e quajtur gjykatë. Me 3 janar 1973, hynë dy policë në qeli dhe me arrogancë më thirrën. Duke m’i vënë prangat dhe duke më mbajtur për krahësh, më nxorën nga qelia dhe më çuan drejt daljes ku priste furgoni. Ishte një furgon pa dritare. Më futën aty duke i lënë edhe dy policë si roje. Pas pak, i sollën Rushitin, Ajetin dhe Nasufin. Na rregulluan në formën: një polic një i burgosur, në mënyrë që të mos kemi mundësi komunikimi ndër vete. Shokët ishin të sfilitur, të tretur nga torturat, të zverdhur nga mungesa e dritës në qeli. M’u dhimbsën shumë kur i pashë në atë gjendje, por edhe ata më kishin parë mua sitë tillë. Furgoni u nis por pa Rafiun dhe Gafurin. Kjo na trembi dhe i lëshuam një shikim njëri-tjetrit në shenjë brengosje. Mbërritëm diku, nuk e dinim ku. E kuptova vetëm atëherë kur në ballë të godinës lexova Gjykata e Qarkut Shkup.
Secilin prej nesh e morën nga dy policë dhe ashtu të prangosur na futën në godinë. Na futën në një dhomë dhe na mbajtën tërë ditën aty. Edhe pse ajo ditë kishte qenë e caktuar që të merren në pyetje vetëm Rafiu e Gafuri, ata na çuan edhe neve. Edhe kjo ishte pjesë e lojës së tyre të maltretimit. Në gjykatë atë ditë kishin ardhur edhe anëtarët e familjes dhe ndonjë mik, por neve nuk na lanë të shihemi me ta, e jo më të ndërrojmë ndonjë fjalë. Të nesërmen, në të njëjtën mënyrë na çuan në gjykatë, na futën në sallën ku do të zhvillohej seanca. Aty u pamë me Rafiun dhe Gafurin. Rafiu ishte në gjendje të rëndë shëndetësore, e kishin torturuar aq shumë saqë nuk mund të qëndronte në këmbë dhe me sa munda të kuptoj, atë e kishin sjellë nga spitali apo nga shtëpia. Atë e mbanin për krahësh anëtarët e familjes, jo policët. Gafuri ishte në një gjendje më të qëndrueshme. Ishte një moment, i përfshirë nga dy lloj emocionesh, ai i kënaqësisë dhe ai i dhimbjes. I kënaqësisë ishte, ngase u sigurova se të gjithë shokët ishin gjallë, kurse ai i dhimbjes krijohej, kur i shihja shokët ashtu të lodhur, të sfilitur dhe të dëmtuar fizikisht. Gjendja e tillë e të burgosurve, e krijuar nga torturat e kryera nga policia, gjykatësit nuk i pengoi ta vazhdonte seancën. Trupi gjykues përbëhej prej:
- Milladin Stojanov, Kryetar i këshillit
- Milladin Martinovski, gjykatës i rregullt
Porotnikët:
- Pançe Ivanvski
- Nasta Naumovski
- Rade Stojanoviq
- Bllaga Spasova, daktilografe
Salla e gjykatës u mbush nga anëtarët e familjeve, miqtë dhe ndonjë shok. Atmosfera ishte e zymtë, pasi anëtarët e familjes na shihnin të sfilitur, të lodhur, me ngjyrë të ndryshuar të lëkurës, si pasojë e mungesës së dritës në qeli. Që anëtarët e familjes të mos ndjeheshin keq nga ajo që shihnin, ne silleshim sikur nuk na intereson se çka ka ndodhur, ktheheshim nga ata, dhe me shenja dhe mimikë u thoshim: Mos u mërzitni se jemi mirë. Kjo sjellje e jona, e irritoi gjykatësin nga cili pasoi kërcënimi se do të marrë masa. Nuk ishim të njoftuar sesi është zhvilluar gjykimi ditën e parë ndaj Rafiut dhe Gafurit, çka i kanë pyetur dhe çka kanë thënë. E dinim se gjykata është sllave dhe nuk pritet diçka e mirë prej saj. Me mjetet dhe metodat që i kishin në dispozicion, mundoheshin që me çdo kusht veprën ta kualifikojnë si armiqësore, të kryer nga një organizatë e rrezikshme irredentiste që ka dashur me forcë të shkëput pjesë të tokave nga Jugosllavia e t’a bashkëngjit Shqipërisë. Për mbajtjen e këtij gjykimi, si argumente i kishin afishet e shpërndara nëpër qytetet e Maqedonisë perëndimore, kryesisht të banuara me shqiptarë, parullat me përmbajtje nacionale dhe armët e marra nga kabineti i gjimnazit të Tetovës. Sipas rregullave të organizimit, anëtarët e një celule nuk i njohin anëtarët e celulave të tjera. Një gjë e tillë ka funksionuar, si në parim, ashtu edhe në praktikë. Pavarësisht nga torturat e përdorura nga organet shtetërore, në gjykim ishim vetëm pesë anëtarë të Organizatës. Të tjerët nuk u zbuluan. Insistimi i gjykatës që me çdo kusht ta kualifikojë si një organizatë të mirëfilltë dhe të rrezikshme, nuk ia doli. Së pari, gjykatësi e mori në pyetje Rushitin i cili mohoi çdo kontakt me Rafiun dhe Gafurin, kurse për armët tha ashtu siç ishim marrë vesh që më parë: I kemi marrë për t’i shitur, pasi na mungonin mjetet për studime. Për Nasufin tha: E kemi marrë me forcë, pasi ai nuk ishte dakord për një gjë të tillë. Pas Rushitit, në pyetje më morën mua. Gjykatësi më pyeti: A e njeh Rafiun? U përgjigja: E kam parë diku në Prishtinë, ndryshe jo. A keni biseduar? Ndoshta po, por nuk më kujtohet. Nga ana tjetër, nga vendi ku ishte ulur Rafiu, u dëgjua zëri: Nuk është e vërtetë se kemi biseduar. Unë i rrudha supet në shenjë pohimi se Rafiu mund të ketë të drejtë dhe se nuk e di. Thash se e kam parë diku pasi isha i njoftuar se Rafiun e kishin arrestuar në banesën tonë. Ke pranuar se armët i keni marrë për ta vrarë Sreçko Janevskin? Këtë e mohova në mënyrë të prerë, duke e përshkruar rastin ashtu siç kishte ndodhur me të vërtetë, kohë më parë në hetuesi. Atë ditë, në pyetje më morën dy persona: gjykatësi hetues dhe një tjetër person të cilin edhe sot nuk e njoh. Kur gjykatësi hetues tha se armët i keni marrë për ta vrarë Sreçkon, me vendosmëri i thash se nuk është e vërtetë, duke shtuar se armët i morëm për t’i shitur, ngase nuk kishim para për të shkuar në Prishtinë, ku studionim. Reagoi personi i panjohur për mua dhe tha: Ky gënjen, ky nuk e thotë të vërtetën. Shkruaj se thotë: Armët i kemi marrë për ta vrarë Sreçkon. Gjykatësi e ktheu fletën që e kishte përpara. Nga ana tjetër sikur lexoi diçka dhe e mbylli këtë temë. Për Nasufin e thash të njëjtën që e tha edhe Rushiti. E morën në pyetje edhe Ajetin. Ai e kishte pranuar shpërndarjen e afisheve në kombinatin e tekstilit në Tetovë, të cilat i kishte marrë nga Rafiu. Gjykata u mundua të nxjerrë argumente të cilat do ta lidhnin shpërndarjen e afisheve me marrjen e armëve. Këtë e mohuam kategorikisht, duke thënë se nuk njihemi me Rafiun dhe Gafurin. U munduan ta shfrytëzojnë afërsinë e Ajetit me Rushitin. Edhe ky argument u hodh poshtë, duke u thënë se sekrete ka në ndërmjet gruas dhe burrit, e jo më në mes të njohurve. Natën e marrjes së armëve keni qenë pesë vetë, kemi dëshmitar që u ka parë. Këta nuk i njohim, duke bërë me dorë nga Rafiu dhe Gafuri. Është mirë ta sillni atë dëshmitar që ta vërtetojë këtu. Armët i kemi marrë unë, Rushiti dhe Nasufi. Pyetjes së gjykatësit se cili ishte iniciatori i marrjes së armëve? Unë thash se unë, ndërsa Rushiti ndërhyri: Jo, atë ide e dhashë unë. Nga ky qëndrim yni, gjykata e kualifikoi lëndën dy llojesh: Shpërndarje të afisheve, varje të flamujve shqiptarë, shkrim parullash me përmbajtje armiqësore – nga Rafi Halili, Gafur Loku dhe Ajet Ademi dhe marrje armësh me qëllim shitjeje – nga Rushit Nesimi, Elmaz Ademi dhe Nasuf Dauti.
Në përfundim, fjala e prokurorit publik: Është një grup i rrezikshëm armiqësor. Nga materialet që i posedojmë si: afishet, pamfletet, parullat, të cilat nuk do t’i lexojmë se janë shumë të zeza, përmes të cilave i bëjnë thirrje popullit shqiptar që të ngrihet si një grusht i vetëm dhe ta përmbysë rregullimin shtetëror jugosllav dhe me dhunë të shkëpusin pjesë të territoreve të Jugosllavisë dhe t’ia bashkëngjisin Shqipërisë. I bëjnë thirrje klasës punëtore që të organizohet dhe përmes grevave, protestave e demonstrative ta rrëzojnë pushtetin e mikroborgjezëve dhe të burokratëve jugosllav. Udhëheqësit e lartë shtetërorë jugosllavë etiketohen me epitete ofenduese, etj. Për këtë grup të rrezikshëm armiqësor, kërkoj dënim maksimal, deri në eliminim.
Mbrojtësit e Rafiut dhe të Gafurit reaguan, duke thënë se janë të rinj dhe se kanë gabuar, kurse mbrojtësi im dhe i Ajetit, nuk reagoi fare.
Më datë 19 janar të vitit 1973, na morën nga qelia dhe me furgonin që ishte bërë i njohur për ne, na çuan në gjykatë. Në fytyrat e policëve që na përcillnin, vërehej një kënaqësi dhe me cinizëm na thoshin: Do të shohim sa do të kërcejnë te ju. Aludonin nga sa vite do të na dënojnë. Atë ditë jepej dënimi nga ana e gjykatës. Seanca nuk zgjati shumë pasi gjykata i kishte përgatitur dënimet qysh më parë dhe vetëm i lexoi.
- Rafi Halili, dënohet me shtatë vjet burg të rëndë
- Gafur Loku, dënohet me pesë vjet burg të rëndë
- Rushit Nesimi, dënohet me pesë vjet burg të rëndë
- Elmaz Ademi, dënohet me katër vjet burg të rëndë
- Ajet Ademi, dënohet me dy vjet e gjashtë muaj burg të rëndë
- Nasuf Dauti, lirohet nga akuza dhe lihet i lirë
Pas shqiptimit të dënimeve nga ana e gjykatësit, mbrojtësit kërkuan që të mbrohemi në liri. Kjo nuk u mor parasysh nga gjykata. Reagoi prokurori publik duke u kërcënuar se do të ankohet tek organet më të larta të drejtësisë për dënimet e ulëta ndaj anëtarëve të një organizate kaq të rrezikshme. Momenti i shqiptimit të dënimeve ishte brengosës dhe i dhimbshëm. Brengosës për shkak se bëhej fjalë për vite të tëra burgu. Jemi familje me ekonomi të dobët. Tash anëtarët e familjeve tona do të ballafaqohen, jo vetëm me udhëtimet e vështira, por edhe me shpenzime materiale, mjete të cilat u mungojnë për jetën e përditshme të tyre. Tash duhet të mendojnë që të ndajnë diçka edhe për ne, të vinë në vizitë dhe të na çojnë ndonjë lek në burg. I dhimbshëm se edhe Rafi Halilin, pavarësisht nga gjendja e tij shëndetësore, e caktuan ta çojnë në qeli. Rafiun, për dy krahësh, e mbanin anëtarët e familjes. Në momentin kur na detyruan të hipim në furgon, e rrokën për krahësh Gafuri dhe Rushiti. Ky moment na shokoi të gjithëve dhe na shpërthyen lotët. Njëri nga policët me cinizëm tha: Tash qani. Ndërsa unë ia ktheva: Nuk i qajmë për dënimet. Qajmë se nuk keni ndjenja njerëzore. Ku e çoni këtë shok në këtë gjendje?! Kjo tregon se jeni të pashpirt. Nuk priti t’i përfundoj fjalët dhe ndërhyri: Mos fol…! dhe më shtyri me forcë në furgon.
Te burgu hetues në Shuto Orizare na zbritën nga furgoni dhe secilin prej nesh na çuan në qelinë ku ishim më herët, kurse Rafiun nuk e dimë ku e vendosën. Derisa qëndruam në burgun hetues, sa zgjati pas dënimit, nuk dinim gjë për Rafiun, si është me shëndetin, kush interesohet për të, a është në qeli apo në spital? Polici i cili më përcolli për në qeli, me cinizëm më pyeti: Sa kërcyen te ti? Katër ditë – iu përgjigja. Mos rrej, më tha me ton kërcënues, katër vite. Për mua janë katër ditë dhe këto do t’i mbaj me një këmbë. Ku ke studiuar? – ishte pyetja e radhës? Në Prishtinë – iu përgjigja. Pse, Prishtina është më afër se Shkupi? Ia ktheva: Për mua është më afër, nga Sharri drejt e në Prishtinë, mandej atje studioj shqip dhe flas shqip. Doli nga kontrolli, nuk më goditi po më shtyri aq fortë gati që të rrëzohem. Kohën që qëndruam aty nuk ndodhi diçka e veçantë, kaloi duke pritur ditën kur do të na çojnë në Idrizovë për ta vuajtur dënimin.
Fatin e këtyre të rinjve e kanë përjetuar mijëra e mijëra pjesëtarë të popullit tonë. Jo që bënë ndonjë faj, jo që bënë ndonjë mëkat. Vetëm se e kërkonin atë që ishte e tyre, atë që ua kishin marrë padrejtësisht – tokën dhe lirinë. I vetmi faj i tyre ishte: tokën dhe lirinë i kërkonin shqip. U maltretuan, u torturuan, u persekutuan, u dëbuan, u vranë dhe u prenë vetëm pse nuk hiqnin dorë nga vetvetja, nga identiteti. Jam shqiptar dhe tillë mbetem.