Prof. Dr. Vullnet Ameti – 28 Nëntori na bashkon. Na mbledh si dritë që shtrihet mbi breza, si kujtim që nuk venitet, si flamur që nuk u drodh kurrë dhe si amanet që nuk u tret as në stuhitë më të zeza të motit.
Është ditë që vjen si fillim, kthehet si rrënjë dhe qëndron si premtim. Brezat ndryshojnë, por ndjenja mbetet e njëjtë: thellë në çdo zemër rreh përgjegjësia e vjetër, ajo që na mban të lidhur me historinë dhe me veten.
Rruga e këtij Nëntori nis shumë përpara vitit 1912. Ajo hap krahët në Krujën e shekullit XV, ku Gjergj Kastrioti u ngrit mbi kalë si shenjë drite që çan mjegullat e kohës. Me një emër që ndriçonte si dielli dhe një tjetër që shndriste si hëna, ai u bë, siç do ta thoshte Kadareja, njeriu që:
“Çka mangut linte ditën Gjergji,
Plotësonte natën Skënderbeu.”
Me emblemën e brirëve të lashtë mbi krye, sikur të ishte i parathënë që ndërmjet atyre dy harkëve do të përplaste dy perandori e do t’u jepte shekujve një drejtim të ri.
Ai hyri në histori me njëzet e katër beteja dhe po aq vdekje të mundura, duke u bërë flakë e përhershme e qëndresës shqiptare. Kishte shumëçka të jashtëzakonshme — lavdi, fitore, madhështi — por siç shprehet poeti, në thelb mbajti vetëm një gjë të shenjtë:
“Gjithçka të shumtë ai e pati,
Të vetme kish veç Shqipërinë.”
Në këtë frymë nisi Nëntori i parë ai që na mësoi se liria nuk vjen nga qielli, por nga kraharori i një populli që nuk pranon të gjunjëzohet. Flamuri që ai ngriti në 1443 ishte vulosje e një identiteti që nuk do të zhdukej më.
Shekujt rrotullohen dhe historia sjell Nëntorin e dytë, atë të Ismail Qemalit, plakut të bardhë që mbërriti në Vlorë me hap të ngadalshëm, por me vendim të hekurt.
Filmi “Nëntori i Dytë” na e ringjalli këtë çast me aq shumë ndjenjë, saqë për shumë prej nesh viti 1912 jeton falë atyre pamjeve: një burrë i qetë, i urtë në fjalë, por i pathyeshëm në bindje; një delegacion që e dinte se çdo orë mund të ishte e fundit; një flamur që priste të shpalosej dhjetëra vjet pas ngritjes së tij të parë në Krujë.
Aty, nën qiellin e Vlorës, u bë rilindja e një kombi. Flamuri u ngrit për të dytën herë mbi shekuj dhe Shqipëria mori frymë si shtet.
Nuk pati madhështi të jashtme, nuk pati ushtri të blinduar – pati vullnet, simbol dhe nder. Historia flet se Akti i Pavarësisë u humb, por nuk u humb akti i zemrës. Ajo mbeti e gravuar tek ne e si duket koha po e thellon çdo vijë të saj.
Kështu, rrjedhimisht, historia na çon te Nëntori i tretë, ai që nuk u shkrua me penë, por me gjak. Adem Jashari, i lindur pikërisht më 28 Nëntor, u bë mishërimi i flamurit që ngriti Skënderbeu dhe Ismail Qemali.
Shumë herë është thënë se ai nuk vdiq, por u kthye në përjetësi – dhe kjo nuk është metaforë, është realitet historik. Prekazi u bë altari i një kombi dhe ai mbeti aty, si përmendore që na rikujton se liria e Kosovës nuk është mrekulli e rastësisë, por çmimi i një sakrifice titanike.
I gjithë ky itinerar – nga Kruja në Vlorë, nga Prekazi në Prishtinë – duket si pendul hyjnor që lëkundet gjithmonë te data e shenjtë e shqiptarisë: 28 Nëntori. Rruga vazhdon. Ajo zbret në fushat e Kosovës, ku kultura dhe shkolla u kthyen në mburoja të popullit; ngjitet në Tetovë, ku më 17 dhjetor 1994 profesor Fadil Sulejmani ngriti Universitetin e Tetovës me fjalët që sot janë gur themeli:
“Ne duam lapsin dhe fletoren, nuk duam dhunë.”
Aty, midis mjegullës së mohimit dhe rrezikut të përditshëm, shqiptarët ngritën tempullin e dijes, duke përmbyllur një kapitull tjetër të qëndresës kombëtare.
Pastaj vjen 17 Shkurti i Kosovës – jo si një datë e rastësishme, por si vazhdimësi e natyrshme e asaj rruge që nisi me brirët e Skënderbeut, u shpalos me flamurin e Vlorës dhe u pagëzua me Prekazin. Kosova shpalli Pavarësinë dhe historia u mbyll në një unazë të plotë: drita e vonuar, por e pashmangshme.
E gjithë kjo na mëson një të vërtetë të vetme dhe të pashlyeshme: Kombi ynë nuk është mbajtur gjallë nga ata që kërkuan ngrohtësi, por nga ata që u dogjën për të.
Dhe kështu, 28 Nëntori mbetet vula jonë e pavdekshme: trinia e shenjtë e qëndresës, e lindjes dhe rilindjes sonë kombëtare.
Nga brirët e Skënderbeut te peneli i Ismail Qemalit, nga pushka e Adem Jasharit te lapsi i Tetovës dhe shpallja e Pavarësisë së Kosovës, historia jonë shkruhet vetëm kur jemi zgjuar, krenarë dhe të bashkuar.
Sepse, siç na paralajmëroi i pari i Pavarësisë atëbotë ku fjala e tij mbetet thikë drite mbi ndërgjegjen tonë:
“Gjumi, thoshte nëna ime, i rrit fëmijët. Veç këtë s’mund ta thuash për popujt. Një popull që fle, vdes.” – Ismail Qemali
Gëzuar Ditën e Pavarësisë!



