Sot, më 17 nëntor, shënohet një datë me rëndësi të veçantë për studentët në mbarë botën. Kjo datë përkujton ngjarjet e 17 nëntorit 1939, kur forcat naziste ndërhynë në Universitetin e Pragës pas demonstratave studentore kundër pushtimit të Çekosllovakisë. Nëntë udhëheqës të protestave u ekzekutuan pa gjyq, ndërsa mbi 1.200 studentë u dërguan në kampet e përqendrimit. Universitetet u mbyllën dhe u shndërruan në kazerma ushtarake. Për shkak të kësaj ngjarjeje tragjike, 17 nëntori është shpallur “Dita Ndërkombëtare e Studentëve”.
Të njëjtin fat sikurse studentët e Universitetit të Pragës e kanë përjetuar edhe studentët e Universitetit të Prishtinës dhe Universitetit të Tetovës nën regjimet e mëparshme, kur dëboheshin nga objektet ku zhvilloheshin ligjëratat dhe burgoseshin për shkak se kërkonin të drejtën themelore për arsimim në gjuhën shqipe.
Sot, në këtë ditë simbolike, universitetet tona kanë avancuar ndjeshëm në shumë drejtime, ndërsa sistemet e atëhershme represive kanë mbetur vetëm në arkivat e historisë si regjime ndër më totalitare dhe më antidemokratike.



