• FILLIMI
  • IMPRESUM
  • KONTAKTI
E mërkurë, 3 Dhjetor 2025
Tradita | Shoqatë për kulturë dhe art

SHOQATA PËR KULTURË DHE ART “TRADITA”

  • FILLIMI
  • AKTUALE
    • ARSIM
    • KULTURË
    • OPINIONE
    • SPEKTËR
    • COVID-19
  • HISTORIKU
  • MANIFESTIME KULTURORE
  • VEPRIMTARIA SHKENCORE
  • BOTIMET E SHOQATËS
  • ÇMIMI KOMBËTAR “ALI VISHKO”
  • TRADITA PLUS
No Result
View All Result
Tradita | Shoqatë për kulturë dhe art
No Result
View All Result
Home Kulturë

Mid’hat Frashëri dhe Kongresi i Manastirit

Sipas procesverbaleve te punimeve të Kongresit nga 14 deri 22 nëntor 1908 të botuara në gazeten “Lirija”: “Në fund duel kryesonjësi, z.Mid’hat Frashëri, i cili diftoj , se mbas kaq të mbledhunave qi pat pleqësia, çështja e abe-tit muer funt në nji mënyrë qi do të mbesin jo veç të gjithë të kënaqun e për kët shkak u zgjodhën dy abe-të e të dy do të përdoren prej shqyptarëvet; njeni asht i Stambollit  e tjetri  nji abet thjesht latin, por qi i bazohet atij të Stambollit”.

14/11/2025
| Kulturë, Rajon

Uran Butka – Mid’hat Frashëri, i biri i Abdyl Frashërit, udhëhëqësit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit,  jetoi dhe veproi në katër periudha të rëndësishme të historisë së kombit tonë, në atë të Rilindjes, Pavarësisë, Luftës së Dytë Botërore dhe të Pasluftës, duke qenë edhe protagonist, edhe kronikan i tyre.

Intelektual i dorës së parë, rilindës  i shquar, botues i gazetës “Lirija”(1908) dhe i revistës kulturore “Diturija” (1909), kryetar i Kongresit të Manastirit për alfabetin e gjuhës shqipe (1908), nismëtar dhe ideator Kongresit arsimor të Elbasanit (1909), veprimtar dhe firmëtar i shpalljes së Pavarësisë dhe ministër në qeverinë e Ismail Qemalit (1912),  ministër në qeverinë e Princ Ëidit (1914), kryetar i delegacionit shqiptar në Konferencën e Paqes në Paris dhe kryetar i delegacionit në Lidhjen e Kombeve (1920-1922), ministër Fuqiplotë i Shqipërisë në Greqi (1923-1925), librar, themelues i bibliotekës” Lumo Skendo” në Stamboll (1897) dhe i librarisë “Lumo Skendo” në Tiranë (1925-1939), kryetar i organizatës “Balli Kombëtar (1939-1944), kryetar  delegacionit të BK ne konferencën kombëtare te Mukjes për një Shqipëri të lirë, demokratike dhe etnike, antifashist i orëve të para dhe antikomunist, themelues i Komitetit “Shqipëria e Lirë” në Francë dhe me seli në SHBA, 1949.

Veprat kryesore te Midhat Frasherit në fushën e historisë kombëtare, diplomacisë, albanologjisë, letërsisë, eseistikës, filozofisë, publicistikës, politikës, kritikës, bibliografisë, përkthimeve, përshkrimeve te udhëtimit, letërkëmbimit, veprimtarisë librore, kujtimeve etj. janë përfshirë te “Vepra të zgjedhura të Mid’hat Frasherit”,”. Një kolanë e çmuar e veprës së tij të jashtëzakonshme për nga vlerat, dobitë dhe aktualiteti për çdo kohë. Do te përmend vetëm dy momente, që lidhen me Shkupin. Ai ndërmori dy udhetime nëpër gjithë hapësirën shqiptare. I pari nga Selaniku në vitin 1909-1910, ku u ndal edhe në Shkup, ku vuri në dukje më keqardhje se, ndonëse shumica dërmuese e banorëve ishin shqiptarë, nuk kishte asnjë shkolle shqipe…I dyti, një udhëtim i gjatë nga Stambolli në Vlorë më 29 shtator 1912.

“Në Shkup, shkruan Midhati, kudo atmosferë lufte. përpara rrezikut serb, shqiptarët i kërkojnë armë qeverisë. Në shkup formohet komisioni për mbrojtjen Kombëtare. Mid’hati shikon një ndryshim të dukshëm në krahasim me vitin 1909, kur ka qenë në shkup për herë të parë. “Shumë prej djelmoshave kanë një program vërtet kombëtar, punojnë me vullnet dhe me çape të sigurt”.

Atje Mid’hat Frashëri u takua me shumë atdhetarë e veprimtarë të çështjes kombëtare. Ndërmjet tyre edhe me Shefqet Shkupin, Bedri Pejanin, Rexhep Mitrovicën dhe Salih Gjukën, që bashkërisht morën pjesë në Kuvendin e Shkupit (14 tetor 1912), që vendosi për mbledhjen e një kuvendi të përgjithshëm për shpalljen e pavarësisë. Pas përfundimit të Kuvendit, ata bënë në një udhëtim në shqipërinë Verilindore për të përhapur platformën e kongresit si edhe për të marrë përfaqësimin për në kuvendin e pavarësisë.( Të Pejës dhe Gjakovës, mandej të Plavës e Gucisë dhe Elbasanit)

Kongresi i Manastirit dhe Mid’hat Frashëri

Kongresi i Manastirit është një pikë kulmore në historinë dhe kulturën e kombit shqiptar. Atë e kërkonte koha dhe e realizuan figurat më të shquara në gjithë hapësirën shqiptare.

Nëpërmes faqeve të gazetës “Lirija” 1908 dhe revistës ‘Diturija” 1909, Mid’hat Frashëri bëhet flamurtar dhe zëdhënës i lirisë dhe i të drejtave njerëzore e kombëtare të shqiptarëve.

Mid’hati u zgjodh atë kohë, (korrik 1908) kryetar i shoqërisë së shqiptarëve të Selanikut, shoqëri e cila hapi një klub dhe një shkollë shqipe. Klube dhe shkolla shqipe u çelën në Elbasan, Vlorë, Filat, Manastir, Shkup, Kolonjë, Korçë , Gjirokastër etj. “Motet 1908-1909 ishin për në një periodë formimi. Dy vjet ishin mjaft për të prurë një zgjim në zemrat e punët dhe për të kanalizuar qëllimet” – shkruante M. Frashëri.

Zhvillimi i shpejtë i lëvizjes kombëtare dhe kulturore, shtroi nevojën e ngutshme për njësimin e alfabetit, të një gjuhe letrare të përbashkët dhe  qendërsimin e gjithë veprimtarive arsimore e kulturore. Në nëntor të vitit  1908, me nismën e klubit kulturor “Bashkimi” të Manastirit të kryesuar nga Fehmi bej Zavalani u mblodh, Kongresi Kombëtar i Manastirit, ku morën pjesë 50 delegatë, nga të cilët 32 me të drejtë vote, përfaqsues të shquar nga klube e shoqëri të ndryshme patriotike e kulturore, brenda e jashtë vendit. Kryesia e kongresit u zgjodh me votim të fsheftë. Kryetar u zgjodh Mid’hat Frashëri, delegat i Selanikut dhe Janinës, atëhere 28 vjeç. Madje në mungesë. Nuk kishte mbritur ende në Manastir. E pritën në stacionin hekurudhor dhe atje e uruan. Nënkryetar u zgjodh  Gjergj Qirjazi, një nga figurat më aktive të kongresit.

Tubimi historik i Manastirit nuk ishte thjesht një kongres për alfabetin e gjuhës sone, por një kuvend kombëtar për çështjet më të rëndësishme të kombit. Ishte mbledhja e parë kombëtare pas Lidhjes së Prizrenit. Në seancat e hapura që shpesh merrnin karakterin e manifestimeve të zjarrta patriotike dhe në mbledhjet e veçuara apo të fshehta, u përpunua platforma e lëvizjes sonë kombëtare dhe u formuluan kërkesat politike, ekonomike dhe kulturore, natyrisht të karakterit autonomist që shtonte koha. Në to kërkohej që të njiheshin zyrtarisht nga qeveria turke kombësia shqiptare, madje kjo të shënohej nëpër letërnjoftimet e gjithë shqiptarëve; të njihej përdorimi i gjuhës shqipe; të hapeshin shkolla shqipe në të katër vilajetet dhe shkollat shtetërore turke  apo fetare të ktheheshin në shkolla shqipe. Parashikohej edhe ngritja e një universiteti, një muzeu arkeologjik etj. Shtroheshin, gjithashtu kërkesa për më shumë të drejta e kompetenca administrative për shqiptarët si edhe kërkesa me karakter ekonomik, që shkonin gjer në projekte ambicioze si ngritjen e ekonomive bujqësore model, tharrje kënetash, ndërtim hekurudhash, shfrytëzim i pasurive minerale  e të tjera.

Por, një nga çështet kryesore te Kongresit të Manastirit, ishte  njësimi i alfabetit të gjuhës shqipe. Edhe konceptimi, edhe diskutimi, edhe trajtimi i kësaj çështjeje nevralgjike, u panë jo si një problem thjesht gjuhësor, por si një nevojë e kahershme kombëtare që kërkonte doemos zgjidhje.“T’i japim një mbarim kësaj të madheje nevojë për bashkim të të gjithë shqiptarëve me një ABE”. Kjo  ishte edhe diviza e kuvendit.

Përcaktimi i një alfabeti plotësisht latin dhe më i përshtatshëm për botimet në gjuhën shqipe, i një abeceje për të gjithë shqiptarët, ishte rezultat i një procesi të gjatë dhe të mundimshëm rilindës që nga Dhimitër Kamarda, Pashko Vasa, Faik Konica etj dhe që përfundoi me alfabetin e Manastirit.

Padyshim, të gjithë delegatët e në mënyrë të dukshme figurat e spikatura te çështjes sonë kombëtare e të kulturës shqiptare si Fehmi bej Zavalani, Gjergj Qiriazi, Shahin Kolonja, Gjergj Fishta, Ndre Mjeda, Luigj Gurakuqi, Bajo Topulli,Sotir Peci, Hilë Mosi, Nikollë Kacorri, Mati Logoreci, Simon Shuteriqi, Thoma Avrami, Grigor Cilka, Mihal Grameno, Dhimitër Buda, Sami Pojani, Hafëz Ibrahimi, Selahedin Prizreni, Refik Toptani etj.dhanë ndihmesën e tyre të shquar në formulimin e kërkesave kombëtare dhe njësimin e alfabetit të gjuhës shqipe, por, veçan, theksojmë kontributin e Mid’hat Frashërit, jo vetëm si kryetar i Kongresit, si ligjëruesi dhe formuluesi kryesor i problemeve kombëtare, por edhe si anëtar efektiv i Komisisë së ABE-së, kontribut që ishte mohuar apo denigruar nga historiografia komuniste, ashtu si edhe kontributi i madh i Fishtës.

Fakti që Gjergj Fishta ishte kryetar i Komisionit të Alfabetit, bëri që të kapërceheshin gjithë ndasitë regjionale dhe dallimet mes alfabeteve ekzistuese dhe të zgjidhej një abece gjithëkombëtare. Citojmë nga procesverbali i punimeve të Kongresit i mbajtur nga Parashqevi Qiriazi: “At Fishta  me atë fuqi të fjalës që është i dërguar prej shoqërisë “Bashkimi”, s’ka ardhur për të mbrojtuar atë abece, por për të gjetur një mënyrë që të bashkohemi të tërë”

Kongresi vendosi që në të ardhmen të kishte një alfabet të vetëm për të gjithë shqiptarët, ndërkohë që përkohësisht do të përdoreshin të dy alfabetet, ai i Stambollit, edhe ai kryesisht latin, por me disa shkronja cirilike për gërmat e dyzuara dhe ai me shkronja tërësisht latine, siç e kemi sot. Me përpjekjen e delegatëve e në mënyrë të veçantë me këmbënguljen e Ndre Mjedës, u arrit konsensusi historik. Në precesverbalin e Kongresit lexojmë: “Të nesërmen nadje, para se të fillonim mbledhjet e komisionit, Dom Ndreu vajti te Mid’hat Frashëri dhe i paraqiti këto dy alfabete. Zotnija, mbas nji diskutimi të shkurtër, mbeti i kënaqun dhe i tha që t’ia paraqitë ai vetë komisionit…”12)

Mjeda ia paraqiti të dy alternativat. Fishta shkoqiti se abc-ja e stambollit është e mirë e mbi baza latine, por ka vështirësi në të shtypurit e librave shqip jashtë vendit, ndaj duhej një abc thjesht latine. Më në fund u vendos që të përdoreshin për dy vjet të dy alfabetet e zgjedhur dhe do të mbetej ai që do t’i rezistonte kohës.

Sipas procesverbaleve te punimeve të Kongresit nga 14 deri 22 nëntor 1908 të botuara në gazeten “Lirija”: “Në fund duel kryesonjësi, z.Mid’hat Frashëri, i cili diftoj se, mbas kaq të mbledhunave qi pat pleqësia, çështja e abe-tit muer funt në nji mënyrë qi do të mbesin jo veç të gjithë të kënaqun e për kët shkak u zgjodhën dy abe-të e të dy do të përdoren prej shqyptarëvet; njeni asht i Stambollit  e tjetri  nji abet thjesht latin, por qi i bazohet atij të Stambollit”

Ndërkohë Luigj Gurakuqi, delegat i shqiptarëve të Italisë dhe Shkodrës zbuloi dërrasën ku ishte shkruar alfabeti i njësuar tërësisht latin.

Albanologu i madh dr. Holger Pedersen e përshëndet këtë zgjidhje: “Këtej e tutje do të jenë dy alfabete paralele dhe kjo ndryshon fort pakë nga një alfabet i vetëm. Ky është një përparim shumë i madh , për të cilin duhet uruar populli shqiptar”

Në analizën “Ç’fituam nga Kongresi i Manastirit” Mid’hat Frashëri konkludon:

1.U fitua bindja se shqiptarët kanë arritur një shkallë të tillë ndërgjegjsimi kombëtar që të mblidhen , të mendohen  dhe të vendosin  për çështje me aq rëndësi.

2. U arrit qëllimi i Kongresit për njësimin e abc-ve. “Tani, pra, themi se abc-ja u njësua, tani do të mbledhim gjithë fuqinë për të shkruar dhe për të përhapur gjuhën, pa humbur kohë në zihje e në grinda të abc-së. Tani gjithë dëshira jonë do të jetë për të sjellë në dritë vepra të nevojshme, vepra për të përhapur mësimin dhe për të lulëzuar gjuhën, libra shkollore, diturake dhe literare”

3 Njësimi i abc-ve është pemë e parë e kongresit.  Po ka edhe një pemë tjatrë që është akoma më e madhe  e më e bukur dhe kjo është bashkimi i shqiptarëve. “ Ish, pra, një ngjarje e re për ne kjo mbledhje ku pamë shqiptarë të ardhur nga veriu e nga jugu, nga lindja e nga perëndimi, ku pamë krah për krah gegë e toskë, të krishterë e muslimanë, hoxhë dhe priftër. Qoftë ky themël i një bashkimi të përjetshëm të shqiptarëve”-nënvizon Mid’hat Frashëri.

4. Mbledhja e Manastirit i tregoi botës qënien dhe ekzistencën e një kombi shqiptar. “Ky kongres, shkruan Mid’hat Frashëri, kjo shenjë e parë që dhamë në qytetari, na e shtoi nderë para syve tanë  dhe përpara botës , që kujtonte  se s’jemi të zotë  për asnjë vepër qytetarie…Këtë hap të parë për të njësuar alfabetin duhet ta pasojmë me akte të tjerë qytetarie, për t’u bërë vërtet një populli kulturuar dhe një komb i civilizuar…

Mid’hat Frashëri, në atë kohë, shpresën e ekzistencës, të shpëtimitdhe të mbrothësimit  të Shqipërisë e të kombit shikon tek qytetaria, që vjen nga dituria,  puna dhe kamja.. “Po e shohim se tani fuqi e njeriut s’është më vetëm te fuqia e grushtit, si në kohë të shkuara, po te qytetaria.. Armët e sotme  s’janë sëpata dhe kopaçeja, po qytetaria, puna, dituritë, begatija”

Themelin e diturisë, të qytetarisë dhe të kombësisë , sipas Mid’hat frashërit e përbën gjuha shqipe. “Lufta për gjuhën, është një formë tjetër e luftës për të rrojtur”

Gjithë përpjekja e tij në këtë kohë u bë:  mësimi e dituria nëpërmjet gjuhës shqipe për ringjalljen shpirtërore dhe puna e paprerë për ringjalljen ekonomike në Shqipëri. “Dyfekët, thikat dhe jataganët thyejini! Ato armë tani bëjini pluar, bëjini çekanë, se tani do rrojtur me djersë të ballit si njerës që na ka bërë Zoti.”- shkruante ai në gazetën “Lirija”, korrik 1908.

Por Kongresi i Manastirit nuk ishte thjesht një tubim gjuhësor, por një kuvend kombëtar. Aty u diskutua dhe u  miratua një program i gjerë kombëtar prej 18 pikash, për veprimtari politike, arsimore dhe kulturore, siç ishin vendimmarrjet për njohjen zyrtare të kombësisë e të gjuhës shqipë, hapjen e shkollave dhe e klubeve shqiptare në të gjithë vendin, nxjerrjen e gazetave të reja e botimin e librave shqip për shkollat, drejtimin dhe zhvillimin unik të arsimit etj

“Mbledhja e Manastirit, sikundër na rrëfeu neve fuqinë tonë, ashtu edhe botës i tregoi qënien dhe rrojtjen e një kombi shqiptar…Ky kongres, kjo shënj’e parë që dhamë për qytetari, na shtoi nder përpara syvet tanë dhe përpara syvet të botës Le të tregohemi, pra, gjithnjë të zotë që ta mbajmë dhe ta shtojmë këtë nder.” – shkruante Mid’hat Frashëri.

 


Publikimi i mëparshëm

SHBA shpall Javën e Antikomunizmit

Publikimi i radhës

Prof. Dr. Berton Sulejmani nderohet me titullin “Mik i Labërisë” në Takimin Kombëtar “Gjuha shqipe – identiteti ynë”

Publikimi i radhës

Prof. Dr. Berton Sulejmani nderohet me titullin “Mik i Labërisë” në Takimin Kombëtar “Gjuha shqipe – identiteti ynë”

JuSm
CT
Argjendi
Emetimi

10. 6. 2023 | Në Tetovë u mbajt Edicioni X i manifestimit kulturor “Lidhja na bashkon”

10. 6. 2023 | Në Tetovë u mbajt Edicioni X i manifestimit kulturor “Lidhja na bashkon”

00:02:59

EDICIONI IX I MANIFESTIMIT KULTUROR ''LIDHJA NA BASHKON"

00:03:31

Promovohet revista për letërsi, art dhe kulturë “Metafora”

00:04:02

EDICIONI VIII I MANIFESTIMIT KULTUROR “LIDHJA NA BASHKON”

00:03:00

Shoqata “Tradita” e organizoi Edicionin V të manifestimit letrar ndërkombëtar “Shtigje poetike”

00:01:29

ORË LETRARE PËR 80 VJETORIN E ISMAIL KADARESË

00:02:49

KONFERENCË SHKENCORE KUSHTUAR PROF. DR. ALI VISHKOS

00:04:25

Tradita.org – është portal i Shoqatës për kulturë dhe art “Tradita”. Funksionon si platformë multimediale dhe angazhohet për  promovimin e arsimit, shkencës, kulturës dhe artit.

Tradita.org – është edhe adresë e debatit të lirë, e zërit kritik dhe e ballafaqimit të mendimeve dhe të ideve përparimtare.


  • FILLIMI
  • IMPRESUM
  • KONTAKTI

2012-2024 © Shoqata për kulturë dhe art “Tradita” / Powered by Optimus Solutions / Privacy Policy.

Mos kopjoni tekst!
No Result
View All Result
  • FILLIMI
  • AKTUALE
    • ARSIM
    • KULTURË
    • OPINIONE
    • SPEKTËR
    • COVID-19
  • HISTORIKU
  • MANIFESTIME KULTURORE
  • VEPRIMTARIA SHKENCORE
  • BOTIMET E SHOQATËS
  • ÇMIMI KOMBËTAR “ALI VISHKO”
  • TRADITA PLUS

2012-2024 © Shoqata për kulturë dhe art “Tradita” / Powered by Optimus Solutions / Privacy Policy.