Prof. Dr. Vullnet Ameti – Në cilësinë e Prorektorit për Shkencë, pata kënaqësinë dhe privilegjin të hap zyrtarisht Kongresin Ndërkombëtar të Shkencave Humane, Shoqërore dhe Arteve, një ngjarje që kurorëzoi përpjekjen e Universitetit të Tetovës për të qenë jo vetëm një qendër akademike, por edhe një laborator idesh, vizionesh dhe transformimesh të mëdha shoqërore.
Gjatë dy ditëve të kongresit, u prezantuan 265 punime shkencore nga mbi 450 autorë e bashkëautorë, në 25 seanca paralele dhe 4 seanca plenare, që prekën gjithë spektrin e dijes, pesë konferenca ndërkombëtare trajtuan tema nga gjuhët dhe letërsitë e Ballkanit e të botës, deri te sfidat e integrimit evropian, rezistenca gjeoekonomike, çështjet sociokulturore dhe riformësimi i arsimit në epokën digjitale.
Ky kongres dëshmoi fuqinë e bashkimit të disiplinave dhe ndërveprimit mes mendimit shkencor dhe realitetit shoqëror. Në një kohë kur shoqëria po përjetonte ndryshime të paprecedenta për shkak të inteligjencës artificiale, migrimeve dhe transformimeve teknologjike, universitetet treguan se mund të jenë hapësira reflektimi moral, laboratorë të kuptimit dhe katalizatorë të ndryshimit.
Si folëse kryesore kishim nderin të kishim znj. Majlinda Bregu ish-Sekretare e Përgjithshme e Këshillit për bashkëpunim rajonal (RCC), e cila theksoi rëndësinë e arsimit, dijes dhe bashkëpunimit rajonal si instrumente për paqe dhe stabilitet afatgjatë.
Ajo nënvizoi se universitetet duhet të jenë hapësira ku idetë sfidojnë status quo-në dhe ku të rinjtë mësojnë të ndërtojnë të ardhmen vetë.
Në kuadër të kongresit, Fakulteti i Pedagogjisë organizoi punëtorinë “Nga klasa tradicionale te klasa virtuale – krijimi dhe përdorimi i syzeve të realitetit”, ndërsa Fakulteti Filozofik, në bashkëpunim me Institute for War Crimes in Bosnia – Case of Srebrenica, zhvilloi punëtorinë “Thirty years since Srebrenica (1995-2025): Memory, Responsibility and Lessons for the Future”.
Gjithashtu, u promovuan revista shkencore të rëndësishme që pasuruan diskursin akademik dhe avancimin e dijes: ECONOMIC VISION, FILOLOGJIA, EDUCATION, JUSTICIA dhe PHILOSOPHICA.
Ky Kongres nuk ishte vetëm një ngjarje akademike; ai ishte një thirrje për reflektim mbi përgjegjësinë intelektuale dhe morale, mbi mënyrën se si dijet, arti dhe shkenca mund të transformojnë shoqërinë dhe të krijojnë një të ardhme më të mirë.
Siç tha Hannah Arendt: “Çdo njeri është përgjegjës jo vetëm për veprimet e veta, por edhe për botën që i lë pas.”
Me këtë frymë, Kongresi Ndërkombëtar i Shkencave Humane, Shoqërore dhe Arteve zhvilloi diskutime të frytshme dhe forcoi bashkëpunimin ndëruniversitar dhe rajonal.



