Nga Abaz Hado, kurator i ekspozitës*
Kur patëm bisedat e para me Henrin, me thënë të drejtën isha pak skeptik. Megjithëse jam marrë me artin, pata pikëpyetjen nëse i kemi aq vepra arti. Gjatë rrugës, ne zbulonim gjëra fantastike dhe personalisht jam ndjerë shumë i emocionuar kur na vinin vepra, na vinin informacion, na vinin gjëra të ndryshme. Kur arritëm në një numër shumë të madh, mendova që të bëj një analizë e të krahasoj se çfarë vendi zë Kadareja në pikturën shqiptare. Mund ta them, jo me 100% siguri, por Kadareja është figura e dytë pas Skënderbeut që i kushtohen vepra arti nga piktorë, artistë të ndryshëm apo personalitete të artit.
E dyta që mund t’iu them është se Kadareja, me gjithë ato piktura që kemi parë, jo vetëm të portretit por edhe për veprën e tij, është një nga shkrimtarët e vetëm në botë, ndoshta i pari në botë që i kanë kushtuar vepra arti, jo vetëm nga vendi i tij, por edhe nga vende të tjera të botës.
Ka ilustrime, ka filma, por po flasim drejtpërdrejt për artin pamor. Ne kemi këtu dy veprat, të parën dhe të fundit. Është portreti i bërë nga Vilson Kilica, i cili sapo kishte ardhur nga studimet dhe portreti tjetër nga Arif Lushi, i bërë drejtpërdrejt në Elbasan. Kjo e Kilicës dhe profesor Ksenofon Dilos janë bërë në të njëjtën kohë. Kadareja shkonte në dhomën e tyre dhe pas bisedës par artin, ata i kërkuan portrete. Prof. Kilica e ka bërë me vaj, ndërsa Ksenofon Dilo e ka bërë me pastel, ku duket se është nën influencën e artit modern.
Profesor Vilsoni ka pasur një seri të pikturave të tilla në atë periudhë. Ka bërë Kristaq Ramën dhe disa personalitete të tjera. Është një nga portretet që tregon periudhën e parë të stilit të tij në pikturë.
Ka edhe piktorë të tjerë që kemi kënaqësinë t’i kemi këtu, por edhe karikaturistë si prof. Bujar Kapexhiun. Ka edhe të tjerë dhe ne jemi në kërkim. Prandaj e kemi shtyrë pak, pasi duam të nxjerrim në pah këtë projekt fantastik të UET dhe Çilit, i cili di të inkurajojë, të ngacmojë dhe të fusë në sistem të gjithë njerëzit që kanë mundësi të bëjnë diçka të mirë për këtë vend.
Do të vazhdojmë botimin tjetër përmes punimeve që i janë kushtuar veprës së Kadaresë dhe mos harrojmë se ne patëm shumë struktura. Patëm relieve, portrete për Kadarenë dhe madje mund të them se e kalon edhe Enver Hoxhën për veprat që i janë kushtuar. Mund të duket e çuditshme, por veprat për të janë bërë me dashuri, për mitin real dhe jo atë politik. Kultin e tij e ndërtoi përmes artit, krijimtarisë, shkrimit, romaneve, sukseseve të ndryshme që arriti në kohë duke u bërë një nga më të mëdhenjtë në botë.
Artistët, kolegët e tij piktorë panë te Kadareja modele se si mundet të kapërcehet ai rrethim e ajo mbyllje e tmerrshme. Ai ishte simbol dhe mit i suksesit. Zyrtarisht, portretin e Kadaresë e ka bërë vetëm Myrteza Fushekati dhe ajo pikturë u la në heshtje. Nuk u shkrua shumë sepse ishte periudha kur Kadareja kishte shumë ndikim prandaj ai e quajti “Jehona”.
Kadareja ishte frymëzues për artistët, por ata shihnin te ai mundësinë dhe sfidën që ai i bënte regjimit, me qetësinë, urtësinë, heshtjen, me romanet, si një artist që kishte kaluar përmasat reale.
Kam kujtimet e mia si student në Lice. E shihnim me një zarf të madh, me ato bocat nga botimet jashtë vendit, me pardesynë, në heshtje dhe i vetmuar. Nëse do ta shohim tashmë në një kohë tjetër, Kadare frymëzoi artistët që janë emrat më të shquar të pikturës shqiptare. Zef Shoshi e ka bërë kur ishin në hekurudhë në Lushnjë. Dhimitër Shuteriqi e Andon Kuqali e kanë bërë kur ishte në takime e mbledhje.
Ky projekt është shumë i vlefshëm, siç është edhe vijimësia e tij. Do jetë një projekt disavjeçar, e këtë e bëjnë universitetet më të mira në botë që kanë lidhje me artin e komunitetin. Edhe ne kemi nisur kontaktet me shumë artistë e besoj se është shumë efikase të bëjmë gjëra të tilla, në një universitet që ka autoritet absolut në opinionin publik.
Falënderoj gjithë artistët me të cilët kemi bashkëpunuar. Ndjehem shumë krenar që arritëm të bëjmë një projekt i cili është shumë domethënës e besoj do të ketë impakt në publik kur ta botojmë albumin. Jemi të hapur nëse ka dikush informacione dhe jemi në kërkim të pikturës së Skënder Kamberit për Kadarenë për ta përfshirë në album.
Ne me këtë projekt prekëm edhe botën e rinisë, artistët e rinj dhe kemi këtu studentët tanë që kanë bërë Kadarenë, duke e ndërthurur me teknologjinë. Kemi prekur atë ndjesi që njerëzit e kanë mbajtur Kadarenë në shpirt dhe gjetëm mënyrën se si ta bëjmë të dukshëm. Liberale.al