Don Lush GJERGJ – “Kush beson dhe dashuron, gjithmonë jeton” thotë Shën Nëna jonë Tereze.
I dashuri Sylë, Ti ke besuar gjithmonë në Zotin, në Popullin Shqiptar, në vlera dhe në virtyte, në të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen, në histori dhe në ardhmëri, amshimin e lumtur.
Të dielën papritmas ndërroi jetë meteorologu ynë i famshëm, Dr. Sylë Tahirsylaj, duke lënë pas vete një shembull dhe dëshmi të begatshme të jetës, familjes, profesionistit të motit, njeriut i cili ka lënë mbresa dhe përshtypje, përjetime të paharrueshme jo vetëm në familje dhe në rreth të ngushtë, por edhe më gjerë, në shoqëri, në popullin tonë shqiptar.
Dr. Sylë Tahirsylaj- n e kam takuar për herë të parë gjatë viteve të tetëdhjeta, në autobus në udhëtim për Tiranë – Shqipëri. Atëherë më tregoi se i vazhdon studimet pasuniversitare të meterologjisë në Universitetin e Tiranës. Prej këtij takimi nuk jemi ndarë më kurrë, dhe kudo e kurdo jemi takuar si shokë, miq, edhe më shumë vëllezër, me kuptim me pak fjalë, shpesh edhe pa asnjë fjalë, por gjithmonë të vëllazëruar dhe të bashkuar..
I thashë: Sylë i dashur, ke zgjedhur një lëmi tejet të vështirë dhe të rrezikshme, pasi që kushtet “meterologjike” për ne Shqiptarët, ishin dikur dhe janë edhe sot shpesh të këqija dhe me shumë rreziqe.
Të kuptoj, më tha, por mos harro që edhe për ne ka Zot, edhe ne jemi Popull, bile shumë i lashtë, me traditë kulturë ilire, arbërore dhe shqiptare, prandaj do të ketë eshë një ardhmëri më të mirë!
Shtërngata, rrebeshi, shiu i rrezikshëm erdhi sidomos gjatë viteve 1981 – 1989, 1990 – 1999…, dhe vazhdon pothuaj gjithnjë…
Nata e errët ndriçohet nga hëna, kur shihen edhe shumë yjë, duke lehtësuar errësirën. Kështu është edhe dhembja, jeta, ndarja e përkohshme prej njëri-tjetri.
Filozofi Kartezie pati thënë: Cogito, ergo sum, mendoj, pra jam. Ne shqiptarët ndoshta kësaj duhet të themi pak ndryshe: Mendoj, pra, jam, mbi të gjitha dashuroj, pra, jam, pasi që çdo njeri, mbi të gjitha çdo shqiptar apo shqiptare, është dhe duhet të jetë për ne pa asnjë dallim dhe përjashtim, vëllai apo motra jonë.
Në këto shtylla jemi mbështetur historikisht dhe aktualisht, dhe mu për këtë edhe kemi ekzistuar, duke u përballur me batica dhe zbatica shumëshekullore dhe aktuale.
I dashuri mik, shok, vëlla Tahir, gëzoje amshimin e lumtur me Zotin dhe me të parët tanë!
E dashura familje, në pikëllim, për ndarjen e përkohshme nga Tairi ynë, por edhe në ngushëllim, për jetën dhe veprim e tij të madhe, për shembullin e tij të mirë, për mendime, fjalë dhe vepra që nuk do të harrohen kurrë.
Zoti të shpërbleftë me amshimin e lumtur, ndërsa ne, familja jote, Populli ynë, gjithnjë të kujtoftë dhe kurrë mos të harroftë!
Prishtinë, 18 qershor 2024 (Mbledhja përkujtimore në Grand).