Prof. Xhelal Zejneli – Kandidaturën për t’u bërë anëtare e AP të KE-së Kosova e ka paraqitur para dy vjetëve. Kërkesa u pranua në seancën e mbajtur në prill të viti 2023.
* * *
Më 16 prill të vitit 2024, rreth orës 20, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës në Strasburg, me 131 vota “për”, i dha dritë të gjelbër anëtarësimit të Kosovës në këtë organizatë. Të pranishëm në votim ishin 171 anëtarë të AP të KE-së.
Para se të shkohej në votim, delegatët i hodhën poshtë amendamentet e delegacionit serb me të cilat kërkohej që vendimi për pranimin e Kosovës të shtyhej, ndërsa formimi i asociacionit të komunave me shumicë serbe të jetë kusht për anëtarësimin e Kosovës.
Kundër anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës votuan 29 vetë të vendeve të poshtëshënuara:
Tetë përfaqësues të Spanjës votuan kundër raportit të raportueses Dora Bakojani (Dora Bakoyannis, 1954- ) e cila rekomandoi dritë të gjelbër për Kosovën.
Kundër Kosovës ishin: katër përfaqësues nga Hungaria, dy përfaqësues nga Qiproja, një greke dhe një gjerman. Kundër Kosovës votuan edhe dy përfaqësues nga Franca dhe një italian.
Kundër anëtarësimit të Kosovës ishin edhe shtatë anëtarët e delegacionit të Serbisë, Maja Vukiqeviq nga Mali i Zi si dhe Snjezhana Novakoviq dhe Branisllav Borenoviq nga Bosnja dhe Hercegovina. Një përfaqësues tjetër i Malit të Zi votoi në favor të Kosovës.
Me fjalë të tjera, me 131 vota “për” dhe me 29 vota “kundër”, Këshilli i Evropës mori vendim për miratimin e raportit të Dora Bakojanit për pranimin e Kosovës në organizatën e sipërthënë.
Të përmbajtur ishin 11 delegatë: një malazias, gjashtë italianë, tre të Moldavisë dhe një gjerman.
Përkundër faktit se Athina nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, katër përfaqësues të Greqisë, midis të cilëve edhe Dora Bakojani, votuan për pranimin e Kosovës.
Rumunët nuk erdhën në votim, me përjashtim të delegatit Julian Bullai, i cili e mbështeti Kosovën. Nuk votuan as aremenët. Të dy shtetet – Rumania dhe Armenia – nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.
Rekomandimin për pranimin e Kosovës, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës do t’ia dërgojë Komitetit të Ministrave të Punëve të Jashtme, i cili e merr vendimin përfundimtar, pikërisht me shumicën prej dy të tretave të ministrave apo të ambasadorëve që i përfaqësojnë dhe që janë të pranishëm në çastin e votimit.
Mbledhja e Komitetit të Ministrave që ka 46 anëtarë duhet të mbahet në Strasburg, prej datës 16 deri më 17 maj të vitit në vazhdim.
* * *
Shefja e delegacionit serb në AP të KE-së Bilana Pantiq Pila lëvdon disa “kolegë” nga Italia dhe nga Hungaria të cilët nëpërmjet amendamenteve paskan manifestuar qëndrim ndryshe nga ai i shumicës.
Delegatja e Partisë Demokratike Popullore Maja Vukiqeviq, e cila njëherazi është edhe shefe e delegacionit të Malit të Zi, deklaroi gjatë debatit se ajo nuk do ta mbështesë pranimin e Kosovës në AP të KE-së, edhe pse, siç tha, në delegacionin malazez do të ketë edhe vota për pranimin e Kosovës.
Kundër pranimit të Kosovës u prononcua edhe Branisllav Borenoviqi nga Bosnja dhe Hercegovina.
Deputeti i grupit të liberalëve dhe demokratëve në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës Iulian Bulai vlerësoi se Kosova është e gatshme për t’u anëtarësuar në KE.
Aleksej Gonçarenko nga Ukraina vlerësoi se Kosova meriton të pranohet në Asamblenë Parlamentare të KE-së, duke shtuar se “bota e lirë duhet të bashkohet”.
Për pranimin e Kosovës në AP të KE-së u angazhua edhe Alen Milon nga Franca.
* * *
Në Asamblenë Parlamentare të KE-së folën gjithsej 59 përfaqësues shtetesh Prej tyre, gjashtë serbë. Anëtarë të delegacionit të Kosovës në AP të KE-së janë deputetët: Enis Kervan, Arben Gashi dhe Saranda Bogujevci. Katër përfaqësues të Shqipëria ishin: Blerina Gjylameti, Lulzim Basha, Klotilda Bushka, Etilda Gjonaj. Një prej përfaqësuesve të delegacionit të Maqedonisë së Veriut ishte deputetja Arta Bilalli Zendeli.
Paraprakisht, në emër të grupeve politike folën Iulian Bulai nga Rumania, Aleksis Cipras (Alexis Tsipras) nga Greqia, Frank Shvabe (Frank Schwabe) nga Gjermania, Ingjerd Schie Schou nga Norvegjia dhe Zolt Nemeth nga Hungaria.
Gjatë ditës, Komiteti për Çështje Politike dhe Demokraci i Këshillit të Evropës, i hodhi poshtë të gjitha amendamentet e propozuara nga delegacioni serb si dhe nga disa deputetë italianë, përfshi edhe amendamentin e një deputeti hungarez që kusht për anëtarësimin e Kosovës në KE të jetë themelimi i asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Më 15 prill 2024, në Komitetin për Çështje Ligjore dhe për të Drejta të Njeriut pranë Këshillit të Evropës u votua njëzëri pro aplikimit të Kosovës për anëtarësim. Pas një dite, d.m.th. më 16.04.2024, Asambleja Parlamentare e mori në shqyrtim raportin që rekomandonte anëtarësimin e saj.
Hapa drejt anëtarësimit në Këshillin e Evropës Kosova bëri më 27 mars të vitit në vazhdim. Me këtë rast, Serbia dhe dy vende të tjera votuan kundër. Megjithëkëtë, Komiteti për Politikë dhe Demokraci i KE-së e miratoi raportin për Kosovën të raportueses Dora Bakojani (Dora Bakoyannis), e cila vlerësoi se ajo i ka plotësuar kushtet për t’u bërë anëtare e Këshillit të Evropës.
* * *
Pas miratimit të propozimit nga Asambleja Parlamentare e KE-së për pranimin e Kosovës, u prononcua edhe zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë Ivica Daçiq, duke thënë: “Sot është një ditë turpi në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës”.
Shënim: Dora Bakojani (Theodora “Dora” Bakoynnis, mbiemri i vajzërisë Mitsotakis) ka lindur më 6 maj 1954. Është më e madhja prej katër fëmijëve të ish-kryeministrit Konstantin Micotakis (Konstantinos Mitsotakis, 1918-2017). Dora është shkolluar në Athinë, në Paris dhe në Universitetin e Munihut. Flet anglisht, frëngjisht dhe gjermanisht. Ka qenë kryebashkiake e Athinës dhe ministre e Punëve të Jashtme.