• FILLIMI
  • IMPRESUM
  • KONTAKTI
E diel, 7 Dhjetor 2025
Tradita | Shoqatë për kulturë dhe art

SHOQATA PËR KULTURË DHE ART “TRADITA”

  • FILLIMI
  • AKTUALE
    • ARSIM
    • KULTURË
    • OPINIONE
    • SPEKTËR
    • COVID-19
  • HISTORIKU
  • MANIFESTIME KULTURORE
  • VEPRIMTARIA SHKENCORE
  • BOTIMET E SHOQATËS
  • ÇMIMI KOMBËTAR “ALI VISHKO”
  • TRADITA PLUS
No Result
View All Result
Tradita | Shoqatë për kulturë dhe art
No Result
View All Result
Home Arsim

Orientimi ynë sot e përgjithmonë do të jetë rruga e Fadil Sulejmanit, e lapsit dhe e fletores, e paqes dhe e diturisë

ÇMIMI KOMBËTAR “FADIL SULEJMANI” 2024. Një kronologji dekadëshe…

18/03/2024
| Arsim, Rajon

𝐏𝐫𝐨𝐟. 𝐃𝐫. 𝐕𝐮𝐥𝐥𝐧𝐞𝐭 𝐀𝐦𝐞𝐭𝐢 – Ky shkrim, më shumë se një rezyme ndodhish, mbi të gjitha e tregon një sinkronizim të misionit dhe të vizionit tonë.

Kjo shumësi ngjarjesh në vijim, tregon rrugën e idealit se nga jemi nisur dhe ku kemi arritur, prandaj nuk është e rastësishme kjo ndërthurje, duke filluar nga e drejta e mohuar për arsimim e deri në ditën kur kënga shqipe këndohet lirshëm, kurse proceseve shtetërore u prijnë prijës shqiptarë.

Kjo retrospektivë ma kujton revolucionin kopernikan. Nuk bëhet fjalë veç për vlera simbolike, por mbi të gjitha për një rrugë të mundimshme, për një kalvar të gjatë dhe një interval shushatës të mohimit të të drejtave themelore, kurse kjo sakrificë brezash e amplifikon edhe më shumë vlerën e këtij çmimi, i cili në kandarin e jetës ndoshta do të ngelet si një prej ndodhive më të mëdha të shënuara në kujtesën time, shkronjat e së cilës do zmadhohen për aq kohë sa do të kalojnë vitet.

Duket si paradoksale që me kalimin e viteve dobësohet shikimi, por kthjellohet kujtesa…

Gjithmonë kam besuar se Universiteti nuk është EMËR, por FOLJE (veprim). Në bazë të këtij parimi jetësor kam vepruar kaherë. Prandaj, pas ndarjes së titullit Doctor Honoris Causa, në vitin 2012; pas themelimit të muzeut në Poroj në të njëjtin vit; pas konferencës shkencore dhe revistës kushtuar figurës së pashembullt të Prof. Dr. Fadil Sulejmanit më 2014; pas emërtimit të Universitetit të Tetovës me emrin e themeluesit dhe Rektorit historik “Fadil Sulejmani” dhe ngritjes së shtatores në vitin 2019; pas botimit të Monografisë në vitin 2021, ku u sheshuan njëherë e përgjithmonë të vërtetat historike, mendoja se ajo e cila do ta kurorëzonte gjithë këtë mozaik ishte themelimi i Fondacionit dhe Çmimit Kombëtar “Fadil Sulejmani”, prandaj, në vitin e kthesave historike, me përkrahjen e pareshtur të Senatit të Universitetit të Tetovës, i kaluam dy vendime të rëndësishme: themelimin e Fondacionit dhe Çmimin Kombëtar që u jepet për herë të parë figurave me merita të jashtëzakonshme kombëtare dhe mbi të gjitha njerëzve që më shumë së kushdo tjetër, përmes veprimtarive të tyre, e mbajtën gjallë vetëdijen kombëtare.

Universiteti i Tetovës laureoi me Çmimin Kombëtar “Fadil Sulejmani” kryeministrin e parë shqiptar në Republikën e Maqedonisë së Veriut z. Talat Xhaferi dhe doajenin e këngës shqipe, artistin e popullit z. Ilir Shaqiri.

Vlen të theksohet se për lauretatët e Çmimit kombëtar vlerësime përmes video-mesazheve përcollën edhe Akademik Prof. Dr. Arsim Bajrami nga Republika e Kosovës dhe Gjenerali Kudusi Lama nga Republika e Shqipërisë të cilët përmes gamës dhe përvojës së tyre ngritën lartë lavdinë për Universitetin e Tetovës si promotor i ndryshimeve historike.

Të dy laureatët kanë luajtur role vendimtare në suazat historike dhe nuk është e rastësishme ndarja për herë të parë për ata e Çmimit Kombëtar “Fadil Sulejmani”, nëpërmjet të cilit synojmë ta ruajmë kujtimin e përhershëm për Rektorin historik dhe t’i nderojmë personalitetet me kontribute të çmuara.

Kjo ishte dëshira, privilegji dhe preokupimi im i kahershëm intelektual nëse do të arrija që ta realizoja katërçipërisht idenë e këtij çmimi, duke filluar nga hedhja e idesë në letër, skicimi, motivimi, korniza ligjore, mjeshtëria e artistike dhe zgjedhja e figurave, nëpërmjet së cilave çmimi do ta merrte kuptimin që e ka sot.

Jam i vetëdijshëm se çdo kryevepër është kritikuar hapur, kurse dëshirat vanitoze të kritikuesve shpesh qëndrojnë pa spirancë e pa lidhje logjike dhe janë të mbështjella me qëndrime aspak argumentuese. Nuk ishin të paktë ata që i dredhonin kësaj ngjarjeje.

Kontestimi i kryeveprave shpesh apriori e çon njeriun në një rrugë pa rrugëdalje. Ata që nuk bëjnë asgjë për ta ndryshuar këtë vend as nuk kanë të drejtë morale të gjykojnë, sidomos me hipoteza të pa goditura dhe anakronike.

Padyshim, ky nuk është një mesazh idiomatik, por rrëfen për një rrugë që e shpreh vektorin e qartë të orientimit tonë dhe që sot e përgjithmonë do të jetë rruga e Fadil Sulejmanit, e lapsit dhe e fletores, e paqes dhe e diturisë.

Fadil Sulejmani përveç se është busulla jonë orientuese, vektori ynë i orientimit, spiranca jonë morale dhe kujtesa jonë e gjallë, njëherësh është edhe udhërrëfyes për çdo veprimtar, prandaj ky çmim, përveç simbolikës së veçantë, tregon që zgjedhja e një kryeministri shqiptar në këtë shtet e rrënon edhe një tabu të paarsyeshme.

Ky është shkaku që Senati i Universitetit të Tetovës e përzgjodhi pikërisht z. Talat Xhaferi që t’ia jepte këtë çmim për angazhimin ushtarak, shoqëror dhe politik; për pasionin dhe dashurinë e tij në ndërtimin e paqes së përhershme në vendin tonë; për avancimin e të drejtave themelore për të gjitha bashkësitë në Republikën e Maqedonisë së Veriut; për kontributin e çmuar për arsimin, shkencën, kulturën shqiptare dhe për mbështetjen e pareshtur dhënë Universitetit të Tetovës.

Ndërkaq z. Ilir Shaqiri, një personalitet i shquar i kulturës dhe i artit shqiptar, Senati i Universitetit të Tetovës ia çmoi angazhimin artistik, kultivimin dhe përkushtimin ndaj muzikës, artit dhe kulturës shqiptare; kontributin e veçantë në realizimin e aspiratave kombëtare; përjetësimin e veprave të heronjve tanë nëpërmjet artit; frymëzimin e brezave dhe mbështetjen e pareshtur dhënë Universitetit të Tetovës sidomos përmes këngës për themelet e Universitetit të Tetovës edhe njëherë doajeni i këngës shqipe e rikonfirmoi idealin e gjithë baballarëve shqiptarë që thoshin: “Fara e lirisë mbillet në libra” andaj si kurrë më parë këto vargje epike do të qëndrojnë në kujtesën tonë kolektive.

“Nuk rron zogu i shqipes pa dije e pa shkollë

Nuk durojnë dy krenat me i prek kush me dorë

Do t’i mësojmë Naimin edhe fëmijës n’djep

Do ta bëjmë Tetovën Universitet”.

TA RUAJMË KUJTESËN, TA MBAJMË GJALLË HISTORINË, TË MOS LEJOJMË QË TË ATAKOHET DHE DEVIJOHET MISIONI DHE HISTORIA, TA VLERËSOJMË TË PËRBASHKËTËN DHE TË KULTIVOJMË NJË VETËDIJE MË EGALITARE…

Fare në fund, falenderoj të gjithë antarët e Senatit të Universitetit të Tetovës për vizionin dhe stoicizmin e pashembullt edhe njëherë ata unanimisht e konfirmuan idealin që na udhëheq se: “Ne e duam lapsin dhe fletoren, nuk duam dhunë”.


Publikimi i mëparshëm

Në Fakultetin e Arteve të UT-së u realizua masterklas nga ilustratori dhe disenjatori italian Luka Boskardini

Publikimi i radhës

Është turp që sot ka më shumë analfabetizëm sesa 100 vjet më parë

Publikimi i radhës

Është turp që sot ka më shumë analfabetizëm sesa 100 vjet më parë

JuSm
CT
Argjendi
Emetimi

10. 6. 2023 | Në Tetovë u mbajt Edicioni X i manifestimit kulturor “Lidhja na bashkon”

10. 6. 2023 | Në Tetovë u mbajt Edicioni X i manifestimit kulturor “Lidhja na bashkon”

00:02:59

EDICIONI IX I MANIFESTIMIT KULTUROR ''LIDHJA NA BASHKON"

00:03:31

Promovohet revista për letërsi, art dhe kulturë “Metafora”

00:04:02

EDICIONI VIII I MANIFESTIMIT KULTUROR “LIDHJA NA BASHKON”

00:03:00

Shoqata “Tradita” e organizoi Edicionin V të manifestimit letrar ndërkombëtar “Shtigje poetike”

00:01:29

ORË LETRARE PËR 80 VJETORIN E ISMAIL KADARESË

00:02:49

KONFERENCË SHKENCORE KUSHTUAR PROF. DR. ALI VISHKOS

00:04:25

Tradita.org – është portal i Shoqatës për kulturë dhe art “Tradita”. Funksionon si platformë multimediale dhe angazhohet për  promovimin e arsimit, shkencës, kulturës dhe artit.

Tradita.org – është edhe adresë e debatit të lirë, e zërit kritik dhe e ballafaqimit të mendimeve dhe të ideve përparimtare.


  • FILLIMI
  • IMPRESUM
  • KONTAKTI

2012-2024 © Shoqata për kulturë dhe art “Tradita” / Powered by Optimus Solutions / Privacy Policy.

Mos kopjoni tekst!
No Result
View All Result
  • FILLIMI
  • AKTUALE
    • ARSIM
    • KULTURË
    • OPINIONE
    • SPEKTËR
    • COVID-19
  • HISTORIKU
  • MANIFESTIME KULTURORE
  • VEPRIMTARIA SHKENCORE
  • BOTIMET E SHOQATËS
  • ÇMIMI KOMBËTAR “ALI VISHKO”
  • TRADITA PLUS

2012-2024 © Shoqata për kulturë dhe art “Tradita” / Powered by Optimus Solutions / Privacy Policy.