Sot bëhen 10 vite pa ikonën e muzikës shqiptare, Vaçe Zela. Këngëtarja e mirënjohur ndërroi jetë më 6 Shkurt 2014, në moshën 75-vjeçare.
Zemra e Vaçe Zelës u ndal në shtëpinë e saj në Basel të Zvicrës, aty ku jetonte prej kohësh, ndërsa ndodhej në gjendje jo të mirë shëndetësore.
Sot në 10-vjetorin e vdekjes së saj, e bija, Irma Rodiqi, kujton nënën e saj të ndjerë, duke i dedikuar disa fjalë zemre:
“Falemnderit zotit që të pata! Ti ishe dashuria e jetës sime dhe do të jesh deri në frymën e fundit drita e shpirtit tim. Pa ty bota është më e varfër Mam”, shkruan Irma Rodiqi në një status në rrjetet sociale.
Artistja e njohur prej vitesh zotëroi skenën shqiptare, duke u kthyer në një admirim për publikun shqiptar dhe jo vetëm.
Mbretëresha e këngës, u përjetësua në bronz në qytetin e saj të lindjes në 20 Janar 2020. Busti i këngëtares u vendos në qendër të qytetit në kuadër të ceremonive për 100-vjetorin e Kongresit të Lushnjes.
E derdhur në bronz, në një bust dy metra të lartë, figura e saj qëndron e ulur këmbë mbi këmbë dhe me kitarën në dorë, punuar me aq mjeshtëri nga skulptori Arben Bajo, e ku shfaq një nga momentet më të bukura të këngëtares, momenti kur ajo me kitarë këndonte ”Moj e bukura Arbëri”.
Atë kohë qytetarët e Lushnjës, u shprehën se e prisnin prej vitesh që “Vaçen ta kishin aty mes tyre”, ku çdo ditë të mund ta përshëndesnin dhe çmalleshin me figurën e saj. Liberale.al