Mr. Sc. Shefat Ademi – Mërgimi, gjithmonë ka qenë vatra jonë e zjarrtë sepse çdoherë shqiptarin, e ka obliguar për një jetë më të mirë. Jo më kot, edhe patrioti, shkrimtari dhe realisti shqiptar, Mitrush Kuteli për atdheun thotë se ai mbetet “atdhe bile edhe kur të vret”. Eh, atdheu është buka dhe jeta jonë e përjetshme.
Mallin e atdheut askush nuk mund, ta ndjejë përpos mërgimtarit, që me mendje e zemër është në atdhe, e me trup në mërgim. Rilindasit, jetën e tyre e sakrifikuan jashtë truallit shqiptar, që njëherë e përgjithmonë pasardhësve të tjerë, dielli mos t’i ngroh në dhé të huaj.
Ja se çka shkruan rilindasi Filip Shiroka në poezinë “Shko dallëndyshe” për mallin që e digjte, çdoherë larg Shqipërisë:
A u kè thânë se zêmra e ime
N’ dhenë t’hueja keq u shkri,
Se s’ka gzim, as s’ka ngushllime
Se po digjet për Shqypni?!
Me zânë t’ând t’përvajshëm shqim,
A e kè qamun fatin t’im?.
Sa me gëzim ju presim, e sa me pikëllim ju përcjellim, sepse kushedi e nesërmja çka do të sjell. Vendi gëzohet, poashtu zogjët e malit, sepse e dinë se boshllëkun e këtij vendi, e zëvendësoni vetëm ju.
Dal të pi një kafe, kur shoh se ata që i dua dhe më duan nuk i shoh. Më thotë ai tjetri, se dje ka shkuar filani apo pardje, dhe ka mbërri shumë mirë. Eh jeta, dallgë që të përplasë aty ku se pret.
Inspirimi më vjen, nga një trishtim se vendi im çdo ditë e më shumë zbrazet nga të rijntë, që ia kanë mësyer mërgimit, por këtu qanë nëna që djalin e lindi e rriti e shkolloi, dhe në fund ia mori kurbeti.
Po e mbyll me kaq, sepse me të vërtetë shqiptari qenka më i fortë se guri, por edhe më i fort se kurbeti!