Dekani i Fakultetit Filologjik të Universitetit të Tetovës Prof. Dr. Berton Sulejmani mori pjesë në Konferencën Shkencore Ndërkombëtare me temë “Kongresi i Manastirit në përvjetorin e tij të 115-të”. Konferenca u organizua më 23 nëntor 2023 nga Fakulteti i Historisë dhe i Filologjisë i Universitetit të Tiranës ndërsa dekani Prof. Dr. Berton Sulejmani para studiuesve pjesëmarrës në këtë konferencë prezantoi kumtesën e tij me temë “Kongresi i Manastirit në këndvështrimin e Petro Janurës”.
Në fillim të fjalës së tij, ai u shpreh se rruga historike e alfabetit të gjuhës shqipe ka qenë e gjatë dhe shumë e rëndë dhe fillon në shekullin XVI dhe mbaron në fillim të shekullit XX, kur në Manastir, Kongresi i Alfabetit, pranoi vendimin e alfabetit të sotëm të shqipes. “Gjithë kjo histori dhe fat i vështirë i zhvillimit të alfabetit të gjuhës shqipe, krahas shumë studimeve të studiuesve tanë dhe të huaj, edhe Petro Janura, nga prizmi i këtij fati të vështirë e zhvillon këtë temë. Petro Janura është themelues i Katedrës së Albanologjisë në Shkup, e cila është pjesë e Fakultetit Filologjik “Bllazhe Koneski” të Universitetit “Shën Cirili dhe Metodi”. Me rastin e 60-vjetorit të Kongresit të Manastirit, prof. Petro Janura botoi librin “Nga historia e alfabetit të gjuhës shqipe” (1969) në Shkup me ndihmën e “Entit për botime – NIP” të “Nova Maqedonisë”. Në këtë kumtesë, me rastin e 115-vjetorit të Kongresit të Manastirit, do të trajtojmë këndvrojtimin e Prof. Janurës për këtë ngjarje nga më të rëndësishmet e kombit tonë” – theksoi Prof. Dr. Berton Sulejmani.
Ai mes tjerash tha se me rëndësi të veçantë në këtë libër të Janurës është se ai me kujdes shkon pas historisë në lidhje më këtë çështje, ku thekson se rruga e zhvillimit të kulturës shqipe dhe e alfabetit të shqipes është e pandashme prej vetë historisë së popullit. “Këtu shihet se pesë shekujt të sundimit turk i japin rëndësi të posaçme luftës për zhvillimin e alfabetit të shqipes. Pushteti turk, për ta mbrojtur pjesën islame të shqiptarëve, e përkrahu alfabetin turko-arab. Grekët përkrahën alfabetin grek në vend të shqipes, kurse kleri katolik e përforconte alfabetin latin. U përdor edhe alfabeti cirilik për të shkruar shqipen. Për këto shkaqe, çështja e alfabetit të gjuhës shqipe, s’mund të zgjidhej. Atë e zgjidhi Kongresi i Manastirit (1908). Dr. Petro Janura, i vë në dritë dhe i sqaron historikisht. Larmia e shkrimit të shqipes me alfabete të ndryshme, që i imponoi edhe çasti politik i kohës, mori pjesë në krijimin e botëkuptimeve të ndryshme rreth problemeve komplekse të jetës. mund të themi se u krijua një dezekuilibër politik, shoqëror, kulturor, arsimor, letrar dhe fetar, që, të gjitha në një vend, synuan drejt derutimit (hutimit, trullosjes) të shqiptarit përpara problemeve të sekuritetit (sigurisë) kombëtar-e. Këtë e kërkonin sundimet e ndryshme politike dhe konfiguracioni politik-shoqëror-moral i kohës e sidomos i kohës së sundimit osman. Si efekt u potencua faktori fe, i cili bëri përçarje ndër shqiptarët duke i imponuar shqipes alfabetin grek dhe arab në vend të atij latin tradicional. Këto alfabete vunë në rrezik edhe unitetin kombëtar të shqiptarit e sidomos bastarduan gjuhën shqipe që përditë ngarkohej me fjalë të huaja të kota. U krijua një tollovi, shkruan dr. P. Janura, që nisi të zhduket prej vitit 1878 dhe mori fund, de jure, më 1908.” – theksoi mes tjerash dekani i Fakultetit Filologjik të Universitetit të Tetovës Prof. Dr. Berton Sulejmani.
Në përmbyllje të fjalës së tij Prof. Dr. Berton Sulejmani solli edhe vlerësimin që Petro Janura ka bërë në librin e tij me titull “Nga historia e alfabetit të gjuhës shqipe” të botuar në Shkup në vitin 1969, i cili thotë se alfabetin e sotëm që e përgatitën shekujt me anën e njerëzve dashamirë të shkrimit e të kulturës shqipe, zyrtarisht e stilizoi në formë definitive dhe e vuri në zbatim data 1908, që u ratifikua prej datës 1912, edhe pse në këto data nuk u dha asnjë urdhër, por etika e ndërgjegjes së ndershme kombëtare, që i pruri këto data, u bë urdhër për t’u pranuar përgjithnjë ky alfabet.