Anëtari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, shkrimtari i shquar Ismail Kadare dekorohet me çmimin më të lartë që jep Franca, “Oficer i Madh i Legjionit të Nderit”. Ky titull, që u akordohet figurave të shquara nga sfera të ndryshme krijuese, që prej vitit 1802, iu dha akad. Ismail Kadare nga presidenti francez Emanuel Macron, në ceremoninë speciale që u zhvillua në Pallatin e Brigadave.
Në një ceremoni festive mes personalitetesh, presidenti Macron vlerësoi figurën e akad. Ismail Kadare duke iu drejtuar:
I dashur Ismail Kadare, ‘të jetosh është të luftosh’, thoshte Seneka. Thënien e tij ju e keni shndërruar në ‘të shkruash do të thotë të luftosh’. Ju u rritët në një xhevahir arkitekture, qyteti i Gjirokastrës, në një shtëpi të madhe plot dhoma bosh, që ju e popullonit me ëndrrat tuaja.
Në vend që t’i këndonit optimizmit sovjetik, ju lejoni të depërtojë melankolia e jetës, mjegulla dhe rrebeshet e saj. Një vend që jetonte para jush, para se ju të jetonit atje. I këndonit me vargje bukurisë së një qyteti që nuk e kishit shkelur kurrë. Ju ishit bërë për të jetuar në Paris. Ju nuk sillnit shishe vere, ju sillnit libra, libra, libra dhe shumë të tjera që ua dhuronit miqve shqiptarë si shishe me liri.
Si për të provuar që miqësitë letrare nuk janë vetëm miqësi letre, botuesi juaj Claude Durand organizoi bashkë me ju arratisjen e famshme të vitit 1990, që nga ana juaj ishte e disata goditje e fortë në murin e diktaturës dhe nga kjo goditje shpërtheu pak më shumë liri për Shqipërinë.
Në Tiranë ikja juaj solli protestat e para të studentëve që prej më shumë se 40 vjetësh. Ju kontribuat në zgjimin e madh të popujve që ngritën perden e hekurt.
Për këtë rol, si poet i Ballkanit, rapsod i Europës, lajmëtar i lirisë, për këtë lidhje drithëruese që ju mishëroni kaq çmueshëm mes Shqipërisë dhe Francës, kam nderin sot t’ju ngre në gradën e Oficerit të Lartë, në Urdhrin e Legjionit të Nderit.
“Legjioni i Nderit” është dekorata më e lartë që jepet në Francë. Ajo është krijuar nga Napoleon Bonaparti në maj të vitit 1802 dhe për herë të parë është dhënë në 15 qershor të vitit 1804. Medalja jepet për trimëri në veprimet ushtarake, por edhe në rastet e civilëve, kur puna e tyre rrit reputacionin e Francës përmes studimeve, arteve, shkencave, politikës etj.