Shkruan: Jusuf Jusufi – Arben Taravari kryetar i Aleancës për Shqiptarët, profesor universitar, me të drejtë kërkon autonomi të plotë për Universitetin e Tetovës e të mos ndërhyjë politika në këtë institucion. Pas një minute, harron dhe kërkon nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut, të caktojë një rektor të përkohshëm, nga Ministri aktual – kuadër i BDI-së, parti kjo e sulmuar gjithnjë nga Arbeni…
“Vetëm ta them një fjalë” -thotë populli, po çka nëse s’kam thënë asgjë. Nga ajo që u informova nga mediat si qytetar, Universiteti zgjodhi Rektor Prof. Dr. Jusuf Zejnelin me 260 vota nga 302 anëtarët e profesoratit. Arbenit e Bilallit nuk u mjaftoi kjo, ata parapëlqejnë të jetë zgjedhur një tjetër me 14 vota (Prof. Dr. Bashkim Ziberi), me 1 votë (Prof. Dr. Myqereme Rusi), apo me 0 vota (Prof. Dr. Dervish Alimi). Për cilin është shprehur vullneti plebishitar i profesorëve; – për të parin, apo për tre tjerët dhe këto jashtë (lexo: parti politike), që pandehin se demokratike do të ishte të zgjidhet ndonjë anonimus, e jo dikush që gëzon autoritet dhe mbështetje masovike… Edhe një sqarim, fjala “i kapur”, që shpesh e përdorni edhe pse nuk e dini kuptimin, është gjermane #kapern, që nënkupton rrëmbim, të marrësh diçka nga duart e dikujt… Pyetja ime është: Nga kush është rrëmbyer Universiteti? Përgjigjja infantile e pamenduar mirë e Arbenit dhe Bilallit do të ishte: – E kanë rrëmbyer nga populli (absurde), ose më keq nga shteti (si pronar de jure, e jo de facto). Unë do të shtoja: Kush është populli në këtë rast, te 260-a apo 14, 1 apo te 0 (zeroja)?! Edhe ish-kryetari i juaj z. Sela, më kujtohet kur në një pyetje të gazetarit, para disa vitesh, se kush është lideri i shqiptarëve, u përgjigj në mënyrë katapultive: Unë jam… pas meje tre vende ngelin zbrazët, e mandej vjen Ali Ahmeti! Pse z. Taravari nuk bëhesh korrekt dhe të pranosh, sa vende ka zbrazët ndërmjet rektorit të zgjedhur dhe konkurrentit të dytë? Edhe pse edhe ata që të tre duhen respektuar! Mos u bëni qesharak. Lëreni institucionin le ta udhëheqin profesorët që kanë shumicën mbas vetes, sesa ata pa përkrahje.
Nëse nuk je në gjendje të krijosh miq dhe ithtarë, nuk e meriton të bëhesh i pari – është një maksimë e huaj! Me këto gjepura, i detyroni ujqërit t’ju hyjnë në torrishtë (e huazuar)… Ju tani i a bëni një argat dreqit? Po që se do të ishte ashtu, si e thoni ju (e unë dyshoj në të), se juve ju vlejka shumë principi demokratik, atëherë besoni se më së miri, këtë do ta bëjë vetë stafi akademik. Vetëm ata e posedojnë të drejtën ligjore, vetëm ata bëjnë përmbysje të ndonjë diktature, që ata në këtë rast nuk e shohin, e ju të dy, e paskeni vërejtur nga jashtë. Mos ndoshta pritni (që unë nuk besoj) se VMRO, Levica dhe partia e Trajanovit shto edhe tjera, me ndërhyrje dhe me “simpatinë” që e kanë për këtë tempull, do t’u kishin kryer punë. Mblidheni fuqinë dhe Rektorit të ri shprehni urime dhe punë të mbarë. Sot ishte dëshmia e gëzimit të madh për ne shqiptarët, e urrejtjes së palës tjetër, kur në Absolventiadën 2022/23, aq bukur defiluan kuadrot e ardhshëm, bijat e bijtë që i dalin zot vatanit. Ata do na shërbejnë neve në të gjitha sferat e jetës.
Dikush përsëri si nihilist që është, do të thoshte se këto nuk janë aspak kuadro kualitativ. Unë ndaj mendimin me ata që thonë se, shumë pak ose hiq edhe ne nuk kemi qenë më të mirë, po ja që e dhamë kontributin sa mundëm. T’u lëmë edhe atyre kohë që ta dëshmojnë veten. Mos u ndeshni kot me këtë industri të rëndë, që prodhon kuadro, ngaqë automatikisht do ta vini veten në siklet, e do të pyeteni se ju çka prodhuat deri tani dhe sa populli, në emrin e të cilit ju thirreni, juve jua pa hajrin!? Ju keni të drejtën e gjithë botës, të përcillni punën e Rektorit, se a punon konform ligjit dhe Statutit. Kuptohet aq sa atij i jepet hapësirë veprimi. Po i ra piruni apo luga nga dora, mos e bëni se u prish bota. Gabimi matet, po qe i vogël edhe falet, e nëse kalon kufijtë logjik-ndëshkohet. Mos e baltosni dhe lëndoni këtë garë të fituar me plot transparencë. Nuk e ka lehtë nji njeri, të përmbushë kriteret e konkursit, të jetë ambicioz për marrjen e obligimit, të fitojë me vota të fshehta, e t’i ngjitet etiketa, se kinse ka fituar me ndihmën e dikujt. Thuaj direkt zotëriut “nuk je ai që kemi shpresuar unë dhe Bilalli”, e jo në stilin komik: Pse fitove ore, kush je ti që të përkrahën aq njerëz!!? Prof. Dr. Vullnet Ameti!! Ai u pengon shumë. Arsyen e di unë dhe ata që e njohin shumë herët këtë njeri. Ua ka prish hesapet, allësh-verishet që i bëtë me krejt institucionet, me zhvlerësimet dhe rrënimin e autoritetit të tyre. Te ai kjo nuk kalon. Ai Universitetin e ka vatan, e ka nder, moral, familje dhe ideal mbi idealet. Ai atë e kultivon, e ujit, e pastron, e ndërton dhe në fund edhe denjësisht e prezenton.
Vullnet Ameti askujt nuk ia ka mbyll derën. Po, se gabova! Ua mbylli reketarëve, banditëve po qofshin edhe me kollare, shitësve të diplomave, dhe atyre që këtë Universitet, me vite u munduan ta dislokojnë prej Tetove në Shkup. U tha “stop”, në mënyre civilizuese e për ata që nuk kuptuan, nxorri gjoksin dhe vuri në spikamë virtytet e të parëvë, se ndryshe nuk ia dilte. E dikush tash ndjehet keq, se nuk u lejoi të lëpijnë gishtat plot yndyrë dhe të mbushin xhepat. Tani po i kërcënoheni direkt me ndonjë listë të zezë eventuale. Edhe kjo nuk do ju kalojë… Një amerikanisti gjysmëshekullor, ky atribut që është dëshirë e juve dyve nuk i shkon. Emrin e ka të gdhendur në Universitetin prestigjioz të Çikagos, i shpallur Doctor Honoris Causa. Merruni ju zotëri me problemet për të cilat edhe fituat mandate. Keni ju ndryshimet kushtetuese, 20 përqindshin e atyre qe e flasin gjuhën, e shumë punë të tjera. Kur do e shohin stafi akademik rrezikun, se Universiteti shkon në drejtim të gabuar, menjëherë do të intervenojnë. Assesi nuk do e marrin parasysh alarmin tjuaj dhe të 14, 1 dhe zeros. “Mos i shtyni therrë këmbës së shnoshë”…
Dikush mezi pret ta fusë hundën në këtë vatër. Zaten kështu ndodhi edhe me Kosovën tonë, ku serbëve iu dha hapësirë dhe mundësi, të përzihen në punë të brendshme të një shteti sovran e te pavarur, dhe tani ata vështirë se do të mund lehtë t’i heqim qafës!