Me rastin e 50 vjetorit të Kongresit të Drejtshkrimit, Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës dhe Akademia e Shkencave e Shqipërisë organizuan
konferencën shkencore me temë “Shqipja standarde sot”. Punimet e konferencës u zhvilluan në Akademinë e Kosovës.
Dekani i Fakultetit Filologjik, prof. dr. Berton Sulejmani, lexoi kumtesën me titull “Gjuha shqipe në Maqedoninë e Veriut sot” (shqipja standarde dhe statusi i pabarabartë i shqipes me maqedonishten). Profesor Sulejmani, krahas kornizës ligjore të gjuhës shqipe në RMV dhe arritjeve dhe problemeve rreth zotërimit të shqipes standarde që nga viti 1972 e deri më sot, tregoi edhe qëndrimin e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut rreth njësimit të gjuhës shqipe, përkatësisht standardizimit të saj. Deri në ditët e sotme, shqipja standarde, nuk është kontestuar as nga qarqet intelektuale e as nga masat e gjera të popullit shqiptar. Ky qëndrim nuk ka të bëjë me atë se e përvetësojnë pa vështirësi dhe se e zbatojnë ashtu siç duhet, madje as nuk e idealizojnë, por ky qëndrim gjysmëshekullor mbështetet në rrethanat në të cilat kanë jetuar dhe jetojnë shqiptarët në RMV dhe të vetëdijshëm për rolin e tij të madh gjuhësor e jashtëgjuhësor. Shqiptarët, edhe pse kanë dy shtete në Ballkanin Perëndimor, nuk duhet të kenë dhe të krijojnë as dy letërsi e as dy gjuhë, por një gjuhë, gjuhën shqipe të njësuar, theksoi prof. dr. Berton Sulejmani në fund të kumtesës.