• FILLIMI
  • IMPRESUM
  • KONTAKTI
E diel, 11 Maj 2025
Tradita | Shoqatë për kulturë dhe art

SHOQATA PËR KULTURË DHE ART “TRADITA”

  • FILLIMI
  • AKTUALE
    • ARSIM
    • KULTURË
    • OPINIONE
    • SPEKTËR
    • COVID-19
  • HISTORIKU
  • MANIFESTIME KULTURORE
  • VEPRIMTARIA SHKENCORE
  • BOTIMET E SHOQATËS
  • ÇMIMI KOMBËTAR “ALI VISHKO”
  • TRADITA PLUS
No Result
View All Result
Tradita | Shoqatë për kulturë dhe art
No Result
View All Result
Home Kulturë

Në Tetovë u mbajt Edicioni VIII i manifestimit kulturor “Lidhja na bashkon”

Manifestimin “Lidhja na bashkon” e shpalli të hapur kryetari i Shoqatës për kulturë dhe art “Tradita” z. Selam Sulejmani. Sipas tij, organizimi i një veprimtarie kulturore – artistike synon të kontribuojë në afirmimin kulturor të një shoqërie, në kultivimin e vlerave dhe në përmbushjen e qëllimit kryesor të artit që aspiron t’i japë formë jetës sonë dhe se mbi këto premisa është ideuar edhe manifestimi kulturor “Lidhja na bashkon”, i cili në edicionet e tij e ka shënuar njërën prej ngjarjeve më me rëndësi të historiografisë sonë - përvjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.

10/06/2021
| Kulturë, Manifestime kulturore

Shoqata për kulturë dhe art “Tradita”  më 10 qershor 2021, në Qendrën për kulturë në Tetovë, organizoi Edicionin VIII të manifestimit kulturor “Lidhja na bashkon”.  Në kuadër të këtij manifestimi u shënua 143-vjetori i Lidhjes së Prizrenit, u përkujtuan masakrat në Tivar dhe Dubrovnik, të kryera ndaj shqiptarëve para 76 vjetëve,  si dhe u nda Çmimit kombëtar “Ali Vishko” për vitin 2021.

Manifestimin “Lidhja na bashkon” e shpalli të hapur kryetari i Shoqatës për kulturë dhe art “Tradita” z. Selam Sulejmani. Sipas tij, organizimi i një veprimtarie kulturore – artistike synon të kontribuojë në afirmimin kulturor të një shoqërie, në kultivimin e vlerave dhe në përmbushjen e qëllimit kryesor të artit që aspiron t’i japë formë jetës sonë dhe se mbi këto premisa është ideuar edhe manifestimi kulturor “Lidhja na bashkon”, i cili në edicionet e tij e ka shënuar njërën prej ngjarjeve më me rëndësi të historiografisë sonë – përvjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. “Në realizimin e programit të këtij manifestimi ndër vite kanë kontribuar studiues të njohur të kulturës shqiptare, ekspertë të arsimit dhe njohës të mirëfilltë të proceseve historike. Bashkëpunimi i shoqatës “Tradita” me emrat më përfaqësues të inteligjencies sonë ka rezultuar tejet i suksesshëm në veprimtarinë botuese, në hulumtimet shkencore dhe në përkujtimin e ngjarjeve dhe të personaliteteve nga arsimi, kultura dhe arti. Ne besojmë se “Lidhja na bashkon” tashmë e ka ndërtuar identitetin e saj dhe këtë e ka arritur falë punës e  përkushtimit të dhjetëra bashkëpunëtorëve nga vendi ynë, nga Republika e Kosovës, nga Kosova Lindore dhe nga Republika e Shqipërisë, të cilët kanë dhënë më të mirën e tyre për këtë veprimtari që e zhvillojmë për 8 vjet me radhë, duke mos e harruar publikun e gjerë që nuk na ka munguar asnjëherë në manifestimet letrare, në konferencat shkencore dhe në tryezat e ndryshme debative” – tha Selam Sulejmani.

Në vijim, në fjalën e tij drejtuar të pranishmëve ai shtoi se takimet e tilla janë më shumë sesa veprimtari kulturore. Për më tepër, janë arena të vetëdijesimit dhe të ndërgjegjësimit për të kaluarën tonë plot dhimbje e sakrifica që nuk guxojmë ta harrojmë. “Sot bashkërisht do ta përkujtojmë masakrën e Tivarit dhe të Dubrovnikut, të kryera ndaj shqiptarëve para 76 vjetëve, masakra këto të kryera nga shteti komunist jugosllav. Sipas historianëve tanë, në dimrin e ftohtë të vitit 1945, të ashtuquajturit “çlirimtarë” jugosllavë  u  vërsulën në  trojet shqiptare për t’i pushtuar ato. Dhe për ta bërë më të lehtë pushtimin e tyre, njësitë vendore partizane, si çetat, batalionet e brigadat ishin dërguar në frontet e luftës jashtë vendit, kudo nëpër Jugosllavi, gjoja për t’i plotësuar njësitë partizane të Ushtrisë Nacional Çlirimtare Jugosllave. Pos kësaj, regjimi i ri jugosllav kishte mobilizuar dhunshëm dhjetëra e mijëra shqiptarë të tjerë për t’i dërguar në frontet e luftës në Dalmaci, në Srem e kudo nëpër Jugosllavi. Por, në vend se t’i dërgonin në frontet e luftës, në muajt mars – prill 1945, shovinistët serbë kryen vrasje monstruoze  dhe masakra të tmerrshme mbi ushtarët përkatësisht – rekrutët e paarmatosur shqiptarë” – theksoi mes tjerash kryetari i Shoqatës për kulturë dhe art “Tradita”, z. Selam Sulejmani.

Referatin qendror për masakrën mizore të Tivarit dhe për helmimet në uzinat e barutit në Dubrovnik ndaj shqiptarëve, e lexoi profesori i gjuhës dhe letërsisë shqipe Profesor Xhelal Zejneli.

Ai tha se masakra e Tivarit ka ndodhur në Tivar më 24-27 mars, përkatësisht më 1 prill të vitit 1945 në Tivar në Mal të Zi. “Në shënjestër kanë qenë rekrutët e kombësisë shqiptare nga Kosova. Vrasja është kryer me armë zjarri. Sipas vlerësimeve zyrtare jugosllave, në masakrën e Tivarit janë vranë 400 deri 450 vetë, ndërsa sipas vlerësimit të historianëve shqiptarë, bëhet fjalë për 2000 deri 4000 të vrarë. Ka të dhëna sipas të cilave numri i të vrarëve është mbi 4300. Vrasja është kryer me pushkatime masive apo me pogrom. Me fjalë të tjera, kemi të bëjmë me  një sulm të organizuar ndaj të rinjve shqiptarë të paarmatosur. Krimi është kryer nga Armata Jugosllave, nga Brigada X malazeze, nga Divizioni i 46 serb dhe nga civilët serbë e malazezë në Tivar. Numri i kryerësve të krimit nuk dihet saktë, por duhet të kenë qenë me qindra.  Masakër e Tivarit është quajtur vrasja masive e një numri të madh të shqiptarëve të Kosovës në Tivar, e kryer nga njësitë e Brigadës X malazeze të Ushtrisë Nacionalçlirimtare të Jugosllavisë (UNÇJ) në pranverë të viti 1945, d.m.th. në prag të mbarimit të Luftës së Dytë Botërore. Viktima kanë qenë kryesisht shqiptarët e Kosovës të cilit i kishte rekrutuar UNÇJ-ja, për t’i shfrytëzuar në luftën kundër forcave gjermane dhe forcave të tjera të boshtit të cilat në atë kohë kanë qenë duke u tërhequr nga Ballkani. Prej Prizreni, shqiptarët janë shoqëruar për në Tivar, në tre grupe të ndryshme. Pothuajse të gjithë pjesëtarët e grupit të dytë, të cilët nëpër Shqipëri kanë mbërritur në Tivar, janë vrarë prej rojeve malazezë” theksoi Prof. Xhelal Zejneli.

 Sa i përket tragjedisë së shqiptarëve në Dubrovnik, Prof. Xhelal Zejneli theksoi se shqiptarët për këtë tragjedi dinë fare pak ngase arkivat ushtarakë të sllavo-maqedonasve dhe të serbëve në Beograd, për studiuesit shqiptarë kanë qenë dhe mbeten të mbyllura.

“Shaip Sulejmani i Debreshtit të Gostivarit në librin e vet “Helmimi i shqiptarëve në Dubrovnik më 1945, skenar i përgatitur apo fatkeqësi rasti”, të botuar në vitin 2007, përpos disa burimeve arkivore, sjell edhe dëshmitë e atyre që e kanë përjetuar dhe e kanë mbijetuar dramën tragjike të sipërthënë. Shqiptarët, të cilësuar si të dyshimtë, si ballistë dhe si antijugosllavë, janë mobilizuar forcërisht nga formacionet ushtarake partizane sllavo-maqedonase dhe serbe, me qëllim që të dërgohen në veri të Jugosllavisë, në Kroaci dhe në Slloveni. Ata do të zbarkonin në Trieste dhe do t’u bashkoheshin partizanëve jugosllavë, në luftën kundër ushtarëve gjermanë që ishin në tërheqje e sipër. Shqiptarët janë mobilizuar prej qyteteve dhe rrethinave, domethënë nga Dibra, nga Kërçova, nga Gostivari, nga Tetova, nga Shkupi, nga Kumanova etj. Shqiptarët ishin të çarmatosur, një pjesë të rrugës e përshkuan në këmbë, më pas i hipën nëpër trena për të mbërritur në vendarritjen e fundit. Për në Srem dhe në veri të Jugosllavisë u mobilizuan edhe shqiptarë nga Tetova dhe rrethina, nga fshatra të malësisë. Për golgotën e Dubrovnikut kanë lënë dëshmi edhe burra nga fshati Vejcë si dhe nga vise të tjera. Në rrugën pa kthim të Tivarit, përkatësisht të Dubrovnikut, ka fundi i vitit 1944, nga qytetet e sipërthëna dhe rrethinat janë dërguar disa grupe shqiptarësh të mobilizuar me dhunë dhe të shoqëruar nga ushtarë serbë dhe nga Brigada XV maqedonase e Divizionit 48”, potencoi mes tjerash Prof. Xhelal Zejneli.

Pas përfundimit të referatit qendror kushtuar masakrës së Tivarit dhe të Dubrovnikut, u nda Çmimi kombëtar “Ali Vishko” që tanimë vite me radhë, në çdo përvjetor të Lidhjes së Prizrenit, Shoqata për kulturë dhe art “Tradita” ua ndan personaliteteve për vepër jetësore, për kontribut të shquar dhe për arritjet me rëndësi të veçantë në lëmin e historisë dhe të kulturës shqiptare.

Referatin për ndarjen e Çmimit “Ali Vishko” për vitin 2021 Mr. Satki Ismailit e lexoi kryetari i komisionit përkatës, Prof. Dr. Lulzim Mehmedi.

 “Satki Ismaili është i lindur më 7 maj të vitit 1961 në Tetovë, ku edhe ka kryer shkollën fillore dhe të mesme, ndërsa në Shkup ka kryer Shkollën e lartë pedagogjike, drejtimi Matematikë-Fizikë. Pastaj ka kryer edhe Fakultetin e Informatikës në USHT, ndërsa Master studimet për shkencat kompjuterike i ka kryer në UEJL. Satki Ismaili, ka 36 vjet përvojë pune në arsimin fillor, nga të cilat 6 vjet ka kryer funksionin e drejtorit në SHF.”Kirili dhe Metodi”-Tetovë, si dhe 6 vjet ka punuar si part-time profesor i matematikës në Kolegjin Woodrow Wilson. Satkiu është një mësimdhënës inovativ i cili ka marrë pjesë në shumë konferenca ndërkombëtare si prezantues, ndër të cilat në Microsoft showcase classroom, Microsoft industry week, ICT in education;  5th Innovations conference si dhe pjesëmarrës në Partners in learning network and experience global collaboration, USAID Leadership Conference, etj. Në vitin 2011 ka përfaqësuar me sukses Maqedoninë në INNOVATIVE EDUCATION FORUM në Berlin. Satki Ismaili është trajnues dhe master trajnues i mbi 300 seminareve të ndryshme, trajnues dhe mentor i programit “21st Century Schools”, krijues i shumë video udhëzuesve, video orëve mësimore si dhe i shumë materialeve të tjera digjitale. Autor, koautor, recensent dhe përkthyes i shumë librave, i doracakëve, i udhëzuesve, i punimeve shkencore dhe i materialeve të tjera arsimore si dhe mësimdhënës në TV-klasa në kohën e pandemisë. Është anëtar i grupeve të ndryshme pune në MASH dhe në BZHA. Është fitues i një numri të madh të çmimesh, lëvdatash, mirënjohjesh dhe certifikatash, ndër të cilat Çmimi i parë në “Movie Festival” për përmbajtje digjitale arsimore. Është fitues i çmimit “mësimdhënës i dalluar”. Ka marrë mirënjohje nga MASH-i, mirënjohje nga Ambasada e SHBA-së në RMV, mirënjohje nga USAID-i, nga UNICEF-i dhe nga British Council, ndërsa në vitin 2012, Sektori për Arsim i Microsoftit në web faqen Daily edventures – global heroes in education, e prezantoi Satki Ismailin si “Hero i arsimit në nivel global” – e përmbylli referatin Prof. Dr. Lulzim Mehmedi.

Çmimin kombëtar “Ali Vishko”, laureatit të sivjetmë z. Satki Ismailit ia dorëzoi kryetari i Shoqatës “Tradita” z. Selam Sulejmani. Ai tha se në përputhje me statutin e Shoqatës “Tradita”, ky çmim ndahet në çdo përvjetor të Lidhjes së Prizrenit, përkatësisht në çdo edicion të manifestimit kulturor “Lidhja na bashkon”. Ky çmim akordohet për vepër jetësore, për kontribut të shquar dhe për arritje me rëndësi të veçantë në lëmin e arsimit, shkencës dhe kulturës shqiptare. Të njëjtin deri tani e kanë marrë: Prof. Dr. Avzi Mustafa (2015),  Prof. Dr. Remzi Nesimi (2016),  Prof. Dr. Tahir Zajazi (2017), Prof. Dr. Reshat Nexhipi (2018), Xhemaledin Salihu (2019) dhe  Prof. Dr. Nebi Dervishi në vitin 2020. Sivjet, pas shpalljes së konkursit dhe pas shqyrtimit të propozimeve të arritura, komisioni përkatës i kryesuar nga Prof. Dr. Lulzim Mehmedi, vendosi që Çmimi kombëtar “Ali Vishko”, për vitin 2021, t’i ndahet arsimtarit të njohur nga Tetova, Mr. Satki Ismailit të cilin dëshiroj ta përgëzoj dhe t’i uroj suksese në vazhdimësi”- u shpreh me këtë rast z. Selam Sulejmani.

Në 143-vjetorin e Lidhjes së Prizrenit,  shoqata  TRADITA, për kontributin e veçantë në zhvillimin e kulturës, në kultivimin e traditave atdhetare,  të gjuhës, të historisë, si dhe  përkushtimin për arritjen e aspiratave kombëtare, u ndau mirënjohje Prof. Hafet Sherifit (pas ndarjes nga jeta), Prof. Rizvan Sulejmanit (pas ndarjes nga jeta), librarisë “Rilindja” – Tetovë, Prof. Xhelal Zejnelit dhe valltarit të njohur Cenë Berishës.

Më pas manifestimi “Lidhja na Bashkon” vijoi me orën letrare, në kuadër të së cilës u lexuan poezi nga poetë dhe shkrimtarët të njohur, profesorët tanë të letërsisë, si: Ejup Ajdini, Bujar Plloshtani, Flutura Mihalica dhe Liber Emini.

Edicioni i tetë me radhë i  manifestimit kulturor “Lidhja na bashkon” u përmbyll me programin artistik ku performuan artistët: Doriana Selmani, Nuhi Musa, Arben Rexha, Teuta Emini, Olti dhe Oreli Esati dhe Sumeja Emini ndërkaq fotografitë i realizoi fotografi Dritan Abdiji.

Edicioni VIII me radhë u mbështet nga Ministria e Kulturës e Republikës së Maqedonisë së Veriut.


Publikimi i mëparshëm

Ideja se gjenerata e ardhshme ndryshon nga ato që erdhën më parë – nuk është e re

Publikimi i radhës

Puna nga shtëpia – simbol i ri statusi?

Publikimi i radhës
Henrik Bohme

Puna nga shtëpia – simbol i ri statusi?

JuSm
KoBo
Emetimi

10. 6. 2023 | Në Tetovë u mbajt Edicioni X i manifestimit kulturor “Lidhja na bashkon”

10. 6. 2023 | Në Tetovë u mbajt Edicioni X i manifestimit kulturor “Lidhja na bashkon”

00:02:59

EDICIONI IX I MANIFESTIMIT KULTUROR ''LIDHJA NA BASHKON"

00:03:31

Promovohet revista për letërsi, art dhe kulturë “Metafora”

00:04:02

EDICIONI VIII I MANIFESTIMIT KULTUROR “LIDHJA NA BASHKON”

00:03:00

Shoqata “Tradita” e organizoi Edicionin V të manifestimit letrar ndërkombëtar “Shtigje poetike”

00:01:29

Shoqata “Tradita” e organizoi Edicionin VII të manifestimit kulturor “Lidhja na bashkon”

00:02:38

MANIFESTIMI LETRAR ''SHTIGJE POETIKE'' – EDICIONI II

00:01:13

ORË LETRARE PËR 80 VJETORIN E ISMAIL KADARESË

00:02:49

KONFERENCË SHKENCORE KUSHTUAR PROF. DR. ALI VISHKOS

00:04:25

Tradita.org – është portal i Shoqatës për kulturë dhe art “Tradita”. Funksionon si platformë multimediale dhe angazhohet për  promovimin e arsimit, shkencës, kulturës dhe artit.

Tradita.org – është edhe adresë e debatit të lirë, e zërit kritik dhe e ballafaqimit të mendimeve dhe të ideve përparimtare.


  • FILLIMI
  • IMPRESUM
  • KONTAKTI

2012-2024 © Shoqata për kulturë dhe art “Tradita” / Powered by Optimus Solutions / Privacy Policy.

Mos kopjoni tekst!
No Result
View All Result
  • FILLIMI
  • AKTUALE
    • ARSIM
    • KULTURË
    • OPINIONE
    • SPEKTËR
    • COVID-19
  • HISTORIKU
  • MANIFESTIME KULTURORE
  • VEPRIMTARIA SHKENCORE
  • BOTIMET E SHOQATËS
  • ÇMIMI KOMBËTAR “ALI VISHKO”
  • TRADITA PLUS

2012-2024 © Shoqata për kulturë dhe art “Tradita” / Powered by Optimus Solutions / Privacy Policy.