• FILLIMI
  • IMPRESUM
  • KONTAKTI
E diel, 11 Maj 2025
Tradita | Shoqatë për kulturë dhe art

SHOQATA PËR KULTURË DHE ART “TRADITA”

  • FILLIMI
  • AKTUALE
    • ARSIM
    • KULTURË
    • OPINIONE
    • SPEKTËR
    • COVID-19
  • HISTORIKU
  • MANIFESTIME KULTURORE
  • VEPRIMTARIA SHKENCORE
  • BOTIMET E SHOQATËS
  • ÇMIMI KOMBËTAR “ALI VISHKO”
  • TRADITA PLUS
No Result
View All Result
Tradita | Shoqatë për kulturë dhe art
No Result
View All Result
Home Bota

Çmime dhe çmimet e çmimeve…

Në botën e madhe oqeanike të letërsisë ka njerëz që duan çmime letrare, ka njerëz që nuk duan çmime letrare, ka edhe njerëz që bëjnë sikur nuk duan çmime letrare. Grupi i refuzuesve dhe i kinse-refuzuesve, pra grupi i mohuesve, është më i madh sesa i të tjerëve.

11/05/2021
| Bota, Kulturë

Loer Kume – Bota është e bukur dhe e mbushur me diversitete. Letërsia është një oqean plot me specie të ndryshme që gjuajnë dhe gjuhen, hanë dhe hahen, por përgjithësisht, në thelb, notojnë e krijojnë udhë e rryma, prodhojnë specie të reja në bazë të evolucionit personal. Në këtë oqean, herë pas here, ndodhin ngjarje me ngacmim të jashtëm, tokësor, që quhen çmime letrare.

Dhe në botën e madhe oqeanike të letërsisë ka njerëz që duan çmime letrare, ka njerëz që nuk duan çmime letrare, ka edhe njerëz që bëjnë sikur nuk duan çmime letrare. Grupi i refuzuesve dhe i kinse-refuzuesve, pra grupi i mohuesve, është më i madh sesa i të tjerëve. Është kurioze të gërmosh nëpër hamendje, se pse ka njerëz që duan dhe nuk duan çmime, në rastin tonë konkret – letrare.
Refuzuesit e vërtetë, dhe këta janë dy llojesh, janë refuzues bindjesh, si Sartre, i cili refuzoi Çmimin Nobel, si praktikë e esenciales së tij, ekzistencializmit. Në qendër të ekzistencializmit Sartrian është ideja se ne nuk kemi përkatësi, por vetëm raporte, dhe çmimet ishin njëfarësoj përkatësie që dëmtonin lirinë. Dhe të them të drejtën, kjo mund të jetë diçka e vërtetë. Sepse çmimi, njëfarësoj, të konturon dhe detyron.
Kemi dhe refuzuesin e vërtetë të padashur, të pavullnetshmin, të detyruar nga shkaqet dhe rrethanat. Si Solzhenicin, të cilin e detyroi rrethana politike sovietike të mos shkonte ta tërhiqte në ceremoni dhe të “bënte sikur nuk e donte”.
Përgjithësisht, në grupin e refuzuesve hyjnë edhe njerëz, autorë, me bindjen e tyre të plotë se çmimet letrare janë të rreme në thelb, duke qenë se disa autorë subjektivë mblidhen për të gjykuar subjektivisht materiale letrare. Ndërkohë që letërsia nuk është e nuk mund të jetë subjekt gare, sepse është krijim individual. Njoh plot syresh, e nuk mund të them që nuk kanë njëfarë të drejte, sidoqoftë unë personalisht nuk rreshtohem te këta autorë. Dhe as në autorët kinse-refuzues. Të deklarosh që nuk beson në çmime letrare, që nuk i pranon ato, që nuk i njeh, dhe pastaj tinëzisht të jargavitesh pas tyre, ah, ky është mashtrim. Dhe të mashtrosh, është garantori kryesor i një letërsie të lirë e të grisur.
Unë nuk besoj në gjëra të rreme. Ndaj, hyj në autorët që i vlerësojnë çmimet letrare dhe i pëlqej ato. Çmimet letrare janë një mekanizëm shumë i mirë evidentimi, spikatje, nxjerrje në arenën e madhe të publikut të letërsisë.

Por, ka gjithmonë dy probleme shumë delikate në çmimet letrare dhe i kam njohur nga afër, duke u bërë diseksion çmimeve; herë si pjesëmarrës dhe si fitues, dhe herë si anëtar jurie. Problemi i parë i përket autorëve dashamirës ndaj çmimeve, dhe është të shkruajnë qëllimisht për t’u pëlqyer dhe për të qenë politikisht korrektë e të lëmuar që të rrëshqasin sa më mirë në çmim. Këtu, sapo shkelëm në terrenin e minuar të së rremes. Nëse ti do te jesh i pëlqyer, adoleshenca ende nuk ka dalë nga thellësia jote dhe komandon me mekanizma xheli flokësh, pasqyrën e universit që është letërsia. Është përgjegjësi e madhe. Dhe gafë e madhe. Kjo gafë ushqen lumin e turbullt të “politikisht korrektes”, dhe ushqen në masën përkatëse, me aq sa mundet, dëmtimin që po i bëhet botës sonë sot nga ky fenomen i korrektesës.
Problemi dy, është i jurive, kur përmes mekanizmash të rrezikshëm nuk janë ushtarë të bindur të kritereve letrare, nuk janë dishepuj të letërsisë, të estetikes, mesazhit, esenciales, fjalës, por bëhen dishepuj të “politikisht korrektes” në rastin më të thjeshtë e mendjengushtë, ose të kulisave të bankës së favoreve, në rastin më të ngarkuar e të dëmtuar.
Pasi kalojmë këto dy probleme, të vjetra sa bota (por kjo nuk i shmang nga përgjegjësia, çdo herë që ngjan sikur të jetë hera e parë), vijmë te kuptimi i çmimeve.

Sipas meje, një shkrimtar kur shkruan duhet të dijë kujt t’i drejtohet. Cilës audience i flet me letërsinë e tij. Sa më e madhe bota, aq më mirë. Dhe kur shkrimtari, në mekanizmat e tij i drejtohet botës mbarë, atyre që ishin dhe atyre që do jenë, atëherë gjithçka është në rregull. Letërsia do të jetë e vërtetë. Çmimet letrare, në këtë rast,  zbehen dhe sfumohen para letërsisë së madhe. Ndaj Nobel, duke e marrë për shembull si Çmimin më të madh letrar dhe më kontroversin, rri pakëz i inklinuar e kokëulur përballë Borgues, Kafka, Joyce, Proust, Tolstoy, Chekhov, Twain, Dostoyevski. Sepse letërsia ka fituar mbi Çmimin dhe këta emra janë më të mëdhenj se çdo çmim. Ashtu si akordimet e çmimeve të caktuara nuk janë garantorë të cilësisë së letërsisë, ka plot nobelistë që për mua janë të palexueshëm dhe të lodhshëm e nuk i përkasin as letërsisë mesatare.

Atëherë, çfarë është gjithë kjo tollovi e çmimeve letrare? Pse ekzistojnë? Pse duhen? A bëhesh pjesë e estabilishmentit, duke marrë çmime? A bëhesh hipokrit duke pranuar çmime, duke hyrë në garë, duke dashur të tillë?
Kur kthehen në qëllim në vetvete, PO. Je krejtësisht politikan. Por sidoqoftë, në botën e madhe, mbushur me informacione, ngarkesa, rrëmujë kaotike numrash, shifrash, parash e arritjesh teknologjike, çmimet letrare janë ceremonia që tërheq vëmendjen. Janë All eyez on me të 2Pac, janë Oh Baby Im a Rockstar e Rihanna, janë vëmendja ceremoniale ndaj letërsisë, dalja nga shishet e zbrazura, dhomat me tym duhani, lokalet e vogla plot me të thëna e të pathëna, aventurat e errëta, zhurmat e fshehta, janë outing i shkrimtarit nga shpella, drejt publikut. Ndaj çmimet letrare janë të këqija, po, por nuk janë dhe aq të këqija.
Sidoqoftë, letërsia është një oqean i gjerë e i pamatë, e çmimet letrare janë thjesht porte, herë të mëdha, herë të vogla, por asnjëherë të përhershme, e gjithmonë transitore. Thelbi i letërsisë është uji, rryma, rrjedhja, dhe stuhia. Gazeta Liberale


Publikimi i mëparshëm

Dixhitalizimi hap një botë të mundësive, por nuk e kompenson auditorin

Publikimi i radhës

Gjuha shqipe në universitetin “Ca Foscari Venecia” të Italisë

Publikimi i radhës

Gjuha shqipe në universitetin “Ca Foscari Venecia” të Italisë

JuSm
KoBo
Emetimi

10. 6. 2023 | Në Tetovë u mbajt Edicioni X i manifestimit kulturor “Lidhja na bashkon”

10. 6. 2023 | Në Tetovë u mbajt Edicioni X i manifestimit kulturor “Lidhja na bashkon”

00:02:59

EDICIONI IX I MANIFESTIMIT KULTUROR ''LIDHJA NA BASHKON"

00:03:31

Promovohet revista për letërsi, art dhe kulturë “Metafora”

00:04:02

EDICIONI VIII I MANIFESTIMIT KULTUROR “LIDHJA NA BASHKON”

00:03:00

Shoqata “Tradita” e organizoi Edicionin V të manifestimit letrar ndërkombëtar “Shtigje poetike”

00:01:29

Shoqata “Tradita” e organizoi Edicionin VII të manifestimit kulturor “Lidhja na bashkon”

00:02:38

MANIFESTIMI LETRAR ''SHTIGJE POETIKE'' – EDICIONI II

00:01:13

ORË LETRARE PËR 80 VJETORIN E ISMAIL KADARESË

00:02:49

KONFERENCË SHKENCORE KUSHTUAR PROF. DR. ALI VISHKOS

00:04:25

Tradita.org – është portal i Shoqatës për kulturë dhe art “Tradita”. Funksionon si platformë multimediale dhe angazhohet për  promovimin e arsimit, shkencës, kulturës dhe artit.

Tradita.org – është edhe adresë e debatit të lirë, e zërit kritik dhe e ballafaqimit të mendimeve dhe të ideve përparimtare.


  • FILLIMI
  • IMPRESUM
  • KONTAKTI

2012-2024 © Shoqata për kulturë dhe art “Tradita” / Powered by Optimus Solutions / Privacy Policy.

Mos kopjoni tekst!
No Result
View All Result
  • FILLIMI
  • AKTUALE
    • ARSIM
    • KULTURË
    • OPINIONE
    • SPEKTËR
    • COVID-19
  • HISTORIKU
  • MANIFESTIME KULTURORE
  • VEPRIMTARIA SHKENCORE
  • BOTIMET E SHOQATËS
  • ÇMIMI KOMBËTAR “ALI VISHKO”
  • TRADITA PLUS

2012-2024 © Shoqata për kulturë dhe art “Tradita” / Powered by Optimus Solutions / Privacy Policy.