• FILLIMI
  • IMPRESUM
  • KONTAKTI
E mërkurë, 3 Dhjetor 2025
Tradita | Shoqatë për kulturë dhe art

SHOQATA PËR KULTURË DHE ART “TRADITA”

  • FILLIMI
  • AKTUALE
    • ARSIM
    • KULTURË
    • OPINIONE
    • SPEKTËR
    • COVID-19
  • HISTORIKU
  • MANIFESTIME KULTURORE
  • VEPRIMTARIA SHKENCORE
  • BOTIMET E SHOQATËS
  • ÇMIMI KOMBËTAR “ALI VISHKO”
  • TRADITA PLUS
No Result
View All Result
Tradita | Shoqatë për kulturë dhe art
No Result
View All Result
Home Kulturë

Përvoja dhe reflektimet nga Theatre Showcase 2025

Kosova & Maqedonia e Veriut – Theater Showcase 2025. Plagët e luftës, konfliktet politike dhe pasojat e tyre njerëzore e historike.

27/11/2025
| Kulturë, Tradita plus

Florida Kastrati *

Për të tetin vit radhazi, Qendra Multimedia mblodhi një komunitet dashamirësish të teatrit, artistësh dhe profesionistësh të kulturës për edicionin vjetor të Kosovo Theatre Showcase — një ngjarje kulturore që feston teatrin bashkëkohor, nxit bashkëpunimin rajonal dhe lidh skenën teatrore të Kosovës e të Ballkanit me botën.

Edicioni i sivjetshëm u organizua në bashkëpunim me teatrot nga Maqedonia e Veriut, duke prezantuar vepra nga të dyja vendet që eksploruan temat e luftës, kujtesës, konflikteve politike e etnike, si dhe ndikimin e tyre te njerëzit dhe historia.

Në vitin 2025, showcase-i mirëpriti mbi 80 mysafirë ndërkombëtarë, përfshirë kuratorë festivalesh, kritikë teatri, gazetarë, shkrimtarë, regjisorë dhe entuziastë të teatrit nga mbarë bota.

Përveç një programi të pasur teatror, ngjarja ofroi një sërë mundësish për rrjetëzim dhe zhvillim profesional, si diskutime panelesh, punëtori për dramaturgji, performanca artistike dhe International Theatre Market, ku pjesëmarrësit prezantuan projektet e tyre dhe shkëmbyen ide mbi praktikat bashkëkohore artistike.

Një nga pikat kulmore të programit ishte Playwrights Workshop, i udhëhequr nga dramaturgu i njohur britanik Mark Ravenhill, i cili u ofroi rreth 14 dramaturgëve të rinj nga Ballkani mundësinë të zhvillonin vepra të reja dhe t’i prezantonin ato në një lexim publik të inskenuar.

Showcase-i prezantoi prodhime teatrore vendore nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut, si dhe premierën e një bashkëpunimi ndërkontinental: Under the Shade of a Tree I Sat and Wept — një partneritet i rrallë artistik mes Qendrës Multimedia (Prishtinë, Kosovë) dhe The Market Theatre (Johanesburg, Afrikë e Jugut), i krijuar në bashkëpunim me disa partnerë evropianë.

Programi përfshiu gjithashtu një performancë–ligjëratë dhe një vizitë kulturore në Shtëpinë-Muze të Nënës Ferdonije Qerkezi, e cila ende i ka të zhdukur tre anëtarë të familjes së ngushtë që nga lufta e viteve 1998/1999 — një rikujtim prekës për temat qendrore të këtij edicioni mbi pasojat e luftës, kujtesën dhe qëndrueshmërinë njerëzore.

Edicioni i vitit 2025 u hap në Prizren, i pasuar nga shfaqje në Gjakovë dhe Prishtinë, përpara se të përmbyllej në Shkup

Këtë vit, edicioni shërbeu si një përvojë e veçantë dhe domethënëse për mysafirët ndërkombëtarë, duke u ofruar atyre mundësinë të angazhohen me shfaqje dhe aktivitete që reflektuan mbi të shkuarën e Kosovës — veçanërisht mbi gjurmët e luftës te njerëzit, qytetet dhe mjediset shoqërore.

Bashkëpunim Ndërkontinental: Nën Hijen e një Peme u Ula dhe Qava

(Under the Shade of a Tree I Sat and Wept)

Ky produksion i përbashkët mes The Market Theatre (Afrika e Jugut) dhe Qendra Multimedia (Kosovë) qëndron si një dialog i fuqishëm ndërkontinental mbi pajtimin, kujtesën dhe të vërtetën. Drama dokumentare bazohet në hulumtime të gjera të kryera në të dy vendet, duke u fokusuar në Lëvizjen e Pajtimit të Gjaqeve në Kosovë dhe në Komisionin e së Vërtetës dhe Pajtimit në Afrikën e Jugut.

Njëri prej aktorëve shqipton një fjali goditëse: “Të gjithë kemi dështuar — përdorëm dhunën për të marrë atë që deshëm.” Ky pohim i përfshin të gjithë, duke na kujtuar gjurmët e thella që lëmë tek njëri-tjetri. Drama shqyrton mënyrën se si ndjenjat e rënda të turpit dhe fajit mbeten të pranishme edhe te ata që kanë falur — duke zbuluar punën e brendshme, të vështirë, që kërkon falja e vërtetë dhe jo ajo performative.

Një moment tjetër i fuqishëm i shfaqjes është ai kur një artiste pikturash, duke qëndruar para Komisionit të së Vërtetës dhe Pajtimit të Afrikës së Jugut, pranon se ka shkatërruar më shumë se 800 piktura të saj, sepse — siç thotë — “ato portretizonin vetëm njerëz të bardhë dhe nuk kishin asnjë gjurmë të aparteidit apo padrejtësive që po ndodhnin rreth meje.” Me këtë akt, ajo përballet me heshtjen, verbërinë dhe bashkëfajësinë e saj në mosdëgjimin e vuajtjeve të bashkëqytetarëve të saj.

Në një moment tjetër, një aktor afrikan reflekton — duke e parafrazuar:
“Mendoja se të bardhët po luftonin me të zinjtë, por nuk e dija se, në anën tjetër të botës, të bardhët po luftonin me të bardhët.”
Ky vëzhgim nxjerr në pah universalitetin e dhunës, paragjykimit dhe kontradiktës njerëzore, duke shkuar përtej Afrikës së Jugut dhe Kosovës, për të reflektuar mbi vendet në mbarë botën që kanë përjetuar konflikte dhe luftë vitet e fundit. Ai na shtyn të pyesim: Si nis dhuna? Dhe si mund ta ndalim?
Një punë e mrekullueshme nga regjisorja Blerta Neziraj, e cila i lejoi publikut ta përjetonte veprën me një intensitet të jashtëzakonshëm.

Së fundi, drama shtroi një pyetje të guximshme dhe të dhimbshme për shumë njerëz që e kanë përjetuar luftën drejtpërdrejt:
A janë kosovarët gati të pajtohen me serbët?
Duke marrë parasysh marrëdhëniet ende të brishta mes dy vendeve — veçanërisht për shkak të mungesës së bashkëpunimit dhe qasjes propaganduese të qeverisë së Serbisë, të formësuar nga historia dhe politika — drama sugjeron se pajtimi mbetet një aspiratë e vështirë, por tejet e domosdoshme.

Vizita Kulturore në Shtëpinë-Muze të Nënës Ferdonije Qerkezi

Më 27 mars 1999, teksa shtëpitë e civilëve në Gjakovë digjeshin nën sulmet e ushtrisë serbe, ushtarë hynë edhe në shtëpinë e Nënës Ferdonije. Ata morën katër djemtë e saj dhe burrin — dhe ajo nuk i pa më kurre pas asaj nate. Familjarët e nënës Ferdonije ishin civilë/njerëz të thjeshtë që zotëronin një qebaptore të vogël, ku i shërbenin çdo gjakovari pa dallim, siç kujton ajo.

Sot, në atë që njihet si “Shtëpia e Durimit”, Nëna Ferdonije ende nuk e di ku ndodhen eshtrat e burrit dhe dy djemve të tjerë; emrat e tyre mbeten në listën e të zhdukurve të luftës. Rrëfimi i saj prekës trondit këdo që e dëgjon, ndërsa ajo përshkruan dhimbjen e pafund që ka bartur për më shumë se dy dekada.

Në dëshminë e saj ajo thotë: “S’kam më lot as pështymë. Të gjitha janë tharë.”
Pas këtyre fjalëve, njëri prej artistëve të teatrit, i pranishëm atë ditë, u shpreh:
“Për herë të parë në jetën time, e kuptoj qartë dallimin mes dramës dhe tragjedisë. Në dramë njerëzit qajnë; në tragjedi nuk ka më lot.”

Me këto fjalë bëhet e prekshme thellësia e vuajtjes së Nënës Ferdonije — dhe qëndresa e saj e jashtëzakonshme. Ajo, pasi e ka rrëfyer historinë e saj qindra herë, vendosi ta shndërrojë shtëpinë në muze. Dhoma e djemve të martuar mbetet e paprekur: rrobat, sendet personale dhe mirënjohjet e vlerësime shkollore ruhen të njejta si në ditën kur okupatori serb i mori prej saj.

Nëna Ferdonije është një simbol i fuqishëm i rezistencës, durimit dhe kujtesës. Ajo vazhdon të jetojë dhe të dëshmojë, në mënyrë që historia e saj të mos harrohet kurrë — dhe që ajo të mos përsëritet për askënd tjetër.

Një prej shfaqjeve të prezantuara në Showcase që trajtonte temën e të zhdukurve ishte “Do It or Die”. Shfaqja merr si pikënisje historinë e Ukshin Hotit, një prej intelektualëve më të shquar të kohës së tij dhe një i burgosur politik në burgjet jugosllave dhe serbe. Ai vazhdon të figurojë zyrtarisht mes rreth 5,000 personave të zhdukur gjatë luftës. Shfaqja u dha më 29 tetor, në një qendër të vërtetë paraburgimi — një zgjedhje e mprehtë regjisoriale që e thelloi fuqimisht temën e saj dhe e bëri përvojën edhe më tronditëse për publikun.

Të Verbërit (The Blind)

Ajo që ka arritur regjisori Qendrim Rijani me këtë shfaqje, për mua, dukej si një zbulim i ri — diçka që nuk e kisha parë apo dëgjuar më parë në teatër, të paktën jo në mënyrën se si ai e ka konceptuar dhe realizuar.

Më pëlqeu jashtëzakonisht mesazhi që mora nga kjo shfaqje: kontrasti i pastër midis dëshpërimit dhe kënaqësisë. Sa e vështirë është të kuptosh se cila mbizotëron, apo çfarë e shkakton tjetrën, kur sheh fytyrat dhe veprimet e atyre aktorëve të shkëlqyer?

Përdorimi i këngëve plot gëzim, të vendosura pranë këngëve të dhimbshme, krijon një kontrast të fuqishëm që e ndihmon publikun të perceptojë thelbin e dëshpërimit dhe, në anën tjetër, harmoninë — duke treguar se sa lehtë mund t’i krijojmë njëri-tjetrit atmosfera kaq të ndryshme e kontradiktore.

Regjisori përdori gjithashtu një version të regjistruar të ezanit në sfondin e një skene ku dy të dashuruarit bashkohen, duke krijuar një atmosferë të ngrohtë, intime dhe universale njëkohësisht.

Tema e identitetit, e cila trajtohet në shfaqje, është po aq e rëndësishme sa edhe e trajtuar me shumë mençuri. Maqedonas, shqiptarë, turq, grekë, serbë, boshnjakë, romë — të gjithë jemi njerëz. A ka vërtet rëndësi kush ka qenë i pari në një vend, kush është “më i mirë” racialisht apo historikisht, apo kush “meriton” të rrijë e të marrë të mirat e një vendi — sikur të mos jetonim të gjithë nën të njëjtin qiell?

Njohja e së shkuarës dhe mënyra se si e kuptojmë atë tregon sa thellë jemi të lidhur me njëri-tjetrin. Emigrimi dhe vështirësitë që sjell ai tregojnë se sa kombe janë formuar përmes dhunës dhe dëbimit — si njerëzit shpesh janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre jo nga zgjedhja, por nga imponimi i dhunës.

Edhe sot shohim sfida të ngjashme në botën reale, ku pavarësisht buxheteve të ulëta dhe mungesës së burimeve financiare, teatri vazhdon të reflektojë realitete shoqërore të prekshme.
Paragjykimet racore e etnike, por edhe bullizmi mes turqve, shqiptarëve dhe maqedonasve, shërbejnë si paralajmërim se çfarë ndodh kur ndasitë marrin fuqi. Një vend i ndarë, një popull i ndarë — mund të çojë në një botë të ndarë.

A na çon vërtet një identitet i “pastër” drejt unitetit? Pse të mos marrim diçka të mirë nga njëri-tjetri dhe të pasurojmë veten? Pse duhet të fiksohemi te ajo që nuk është “ne”, duke ushqyer dhunë brenda nesh? Njeriu nuk është krijuar për një gjë të tillë.

Më pëlqeu shumë edhe interpretimi i Slagjana Vujosevik — ajo e ngrohu atmosferën e Kurshumli Han në natën e fundit të tetorit.

Skenat ishin të balancuara në mënyrë të përkryer, dhe kjo shfaqje më dha ndjesinë e një tërësie të plotë. Ishte një përvojë e jashtëzakonshme — një nga ato shfaqje që të mbeten në kujtesë dhe që të zbulojnë veten pak nga pak, ditë pas dite, duke të dhënë gjithmonë diçka për të menduar. Sepse kur një shfaqje prek sferën e shpirtit, ajo mbetet me ty përgjithmonë.

Shfaqje të Tjera

Në mesin e shfaqjeve të prezantuara, festivali solli edhe Hunger, një dramë me katër aktorë që eksploron lakminë dhe urinë — si në dimensionin emocional, ashtu edhe në atë fizik.
Inhuman, shfaqja hapëse e showcase-it, u prezantua në Prizren me një kast prej tre aktorësh. Ajo përballet drejtpërdrejt me realitetet e tmerrshme të luftës dhe konfliktit të armatosur, duke portretizuar fatet individuale dhe kolektive të atyre që mbeten të izoluar.

The Curious Incident of the Dog in the Night-Time sjell një “dramë brenda dramës”, e cila ndjek Christopher John Francis Boone — një 15-vjeçar me talent të jashtëzakonshëm në matematikë dhe i diagnostikuar në spektin autik — teksa ai nis një udhëtim për të zbardhur një mister.

The Border rrëfen historinë e një familjeje që rrezikon gjithçka për një të ardhme të pasigurt. E ndërthurur me tregime të tjera të bazuara në përvojat e migrantëve të vërtetë, shfaqja lëviz mes perspektivave të policisë kufitare, kontrabandistëve, medias dhe vetë migrantëve, duke zbërthyer kompleksitetin e udhëtimeve migratore.

The Son sjell në skenë dhimbjet e padukshme të familjeve moderne — krizën e adoleshencës, sfidat e prindërimit dhe boshllëkun emocional që shpesh fshihet pas heshtjes.

Ndërkaq, PRISHTINA: The Premeditated Killing of a Dream trajton çështjen e ndërtimeve ilegale dhe vrasjen e arkitektit Rexhep Luci, drejtor i planifikimit hapësinor në Prishtinë, i cili u vra më 11 shtator 2000, vetëm një vit pas përfundimit të luftës.

Showcase-i përfshiu gjithashtu tre panele diskutimi:
“So You Want to Be a Playwright?”,
“Theatre in North Macedonia: Where Are We? Where Do We Want to Go?”, dhe
“Whose Stories Count? Theatre Beyond Propaganda.”

Përveç tyre, u prezantua edhe një performancë-ligjëratë e titulluar Black Notebook Confessions nga Robert Alagjozovski.

Ngjarja u përmbyll me një lexim të inskenuar në temën “Many Identities? Kill Some of Them!”, me pjesëmarrjen e Mark Ravenhill. Gjatë këtij sesioni, dramaturgët e rinj patën mundësi të paraqisnin fragmente nga veprat që kishin zhvilluar gjatë punëtorisë gjashtëditore me dramaturgun e njohur britanez.

E kuruar nga Qendra Multimedia dhe e realizuar në bashkëpunim me një sërë teatrosh dhe organizatash teatrore, programi ofroi një eksplorim të thellë artistik dhe kulturor mbi kujtesën, qëndrueshmërinë dhe rindërtimin.

Gjatë pesë ditëve, Kosovo Theatre Showcase 2025 edhe një herë u dëshmua si një platformë e fuqishme për krijuesit e teatrit — duke nxitur lidhje të reja, bashkëpunime dhe shkëmbime kreative që vazhdojnë të formësojnë të ardhmen e teatrit në rajon dhe përtej tij.

*Autorja (Florida Kastrati), është kritike teatri, shkruese e rrëfimeve dhe shkrimeve kreative (https://seestage.org/author/florida-kastrati/, https://thetheatretimes.com/author/f.kastrati/


Publikimi i mëparshëm

Udhëzues për vendime të mençura

Publikimi i radhës

Festivali i 64-të i Këngës në RTSH – atmosferë me emocione nëpërmjet tingujve të muzikës

Publikimi i radhës

Festivali i 64-të i Këngës në RTSH - atmosferë me emocione nëpërmjet tingujve të muzikës

JuSm
CT
Argjendi
Emetimi

10. 6. 2023 | Në Tetovë u mbajt Edicioni X i manifestimit kulturor “Lidhja na bashkon”

10. 6. 2023 | Në Tetovë u mbajt Edicioni X i manifestimit kulturor “Lidhja na bashkon”

00:02:59

EDICIONI IX I MANIFESTIMIT KULTUROR ''LIDHJA NA BASHKON"

00:03:31

Promovohet revista për letërsi, art dhe kulturë “Metafora”

00:04:02

EDICIONI VIII I MANIFESTIMIT KULTUROR “LIDHJA NA BASHKON”

00:03:00

Shoqata “Tradita” e organizoi Edicionin V të manifestimit letrar ndërkombëtar “Shtigje poetike”

00:01:29

ORË LETRARE PËR 80 VJETORIN E ISMAIL KADARESË

00:02:49

KONFERENCË SHKENCORE KUSHTUAR PROF. DR. ALI VISHKOS

00:04:25

Tradita.org – është portal i Shoqatës për kulturë dhe art “Tradita”. Funksionon si platformë multimediale dhe angazhohet për  promovimin e arsimit, shkencës, kulturës dhe artit.

Tradita.org – është edhe adresë e debatit të lirë, e zërit kritik dhe e ballafaqimit të mendimeve dhe të ideve përparimtare.


  • FILLIMI
  • IMPRESUM
  • KONTAKTI

2012-2024 © Shoqata për kulturë dhe art “Tradita” / Powered by Optimus Solutions / Privacy Policy.

Mos kopjoni tekst!
No Result
View All Result
  • FILLIMI
  • AKTUALE
    • ARSIM
    • KULTURË
    • OPINIONE
    • SPEKTËR
    • COVID-19
  • HISTORIKU
  • MANIFESTIME KULTURORE
  • VEPRIMTARIA SHKENCORE
  • BOTIMET E SHOQATËS
  • ÇMIMI KOMBËTAR “ALI VISHKO”
  • TRADITA PLUS

2012-2024 © Shoqata për kulturë dhe art “Tradita” / Powered by Optimus Solutions / Privacy Policy.