• FILLIMI
  • IMPRESUM
  • KONTAKTI
E mërkurë, 3 Dhjetor 2025
Tradita | Shoqatë për kulturë dhe art

SHOQATA PËR KULTURË DHE ART “TRADITA”

  • FILLIMI
  • AKTUALE
    • ARSIM
    • KULTURË
    • OPINIONE
    • SPEKTËR
    • COVID-19
  • HISTORIKU
  • MANIFESTIME KULTURORE
  • VEPRIMTARIA SHKENCORE
  • BOTIMET E SHOQATËS
  • ÇMIMI KOMBËTAR “ALI VISHKO”
  • TRADITA PLUS
No Result
View All Result
Tradita | Shoqatë për kulturë dhe art
No Result
View All Result
Home Kulturë

Asdreni – poeti i shquar që skaliti vargjet e Himnit tonë Kombëtar

Autori i tekstit të Himnit tonë Kombëtar, që mbetet Kryekënga e flamurit kuq e zi, simbol i shenjtë krenarie dhe identiteti kombëtar, i cili, vazhdon që të frymëzojë fuqishëm në çdo kohë, kudo ku ka shqiptarë.

19/11/2025
| Kulturë, Tradita plus

Prof. Dr. Ymer Çiraku – Asdreni (1872-1947) mbetet një ndër personalitetet e shquara në panteonin e letrave shqipe.. Portretin e tij si poet dhe si një ndër veteranët e dalluar të kauzës kombëtare, do ta përjetësonte plot nderim në vargje Lasgush Poradeci, kur do të shkruante për të:
Burr` i urtë-e i veçuar…
Pate shkruar e punuar
Kombin për t`a kombësuar,
Shqipen për t`a shqipëzuar.
Qysh me botimin e librit të parë “Rreze dielli” (1904), Faik Konica, i njohur si mjaft i kursyer në vlerësime, do të shkruante te revista që drejtonte “Albania” (1897-1909), se gjuha e Asdrenit është e qëruar, e kulluar dhe se ky libër i parë i tij, prezantohet plot me vlerë letrare dhe është nga të paktët libra, që meritojnë të jenë në libratore (librari) të çdo shqiptari e të huaji.
Vlerësime pati edhe nga E. Çabej, te teksti i historisë së letërsisë shqipe, të cilin, ai e hartoi për shkollat e mesme të kohës (1936), ku e veçonte Asdrenin si poetin lirik – që rron në artin dhe për artin e tij. Vedat Kokona, si një nga autorët e botimit të njohur dy vëllimësh “Shkrimtarët shqiptarë” [1940] (hartuar nën drejtimin e E. Koliqit), vepër kjo në formatin e një historie akademike të letërsisë shqipe, theksonte dhe çmonte, sidomos te libri më i fundit “Psallme murgu” (1931), se poeti krijon këtu një raport të ri me botën dhe, me tendencë, heroin e vet lirik e koncepton si një pikë uji mes oqeanit, ku ai endet si duke kërkuar që të zgjidhë misterin e shpirtit dhe të frymës – nëpër shtjellat e travajeve egzistenciale.
Edhe Mitrush Kuteli, te një shkrim i tij te “Revista letrare” (1944), arrin që të vrejë një rrymë të re që kjo vepër sjell në poezinë shqipe: pikërisht modelin poetik meditativ, refleksiv. Nën një petk të jashtëm religjioz, në fakt, këtu përthyhen rrethanat dhe gjendjet e vështira të njeriut – në raportet e tij vetmitare e vazhdimisht ballafaquese e përsiatëse. Pra, kemi pjekurinë e poetit, nën ndikimin edhe të lëvizjeve letrare moderne, që qarkullonin aso kohe në letërsinë rumune, të cilën, ai e njihte mjaft mirë. Një frymë e dukshme estetizante, prirjet për nga simbolizmi, të ashtuquajturat kujdesjet e “tepruara” për formën, qëndisjet stilistike, këto dukuri e prirje të reja, paradoksalisht u kritikuan viteve të kohës soc-realiste, të ashtuquajtura si ndikime të dëmshme formaliste e dekadente. Por që në fakt, ato dëshmonin orientimin e tij krijues tashmë më të stabilizuar e më të pjekur, ndaj artit të vërtetë. Fryma dhe dekori stilistik i poezisë së Asdrenit, mbartin kështu kapërximin e suksesshëm estetik dhe tematik – nga traditat rilindase, drejt prirjeve moderne në poezinë shqipe.
Pra, ai është krijuesi përherë kërkues, që sillte një vlerë të shtuar me artin e vet poetik, krahas atij të mëparshmit. Por duhet theksuar se vlera e një personaliteti si Asdreni, do të mbetej në nivelet e larta të nderimit prej brezave, sikur edhe vetëm të njerit prej këtyre tre kontributeve të tjera të tij, krahas kontributit të shquar në letërsi. Dhe më konkretisht, këto kontribute janë:
Së pari, ai është autori i tekstit të Himnit tonë Kombëtar, që mbetet Kryekënga e flamurit kuq e zi, simbol i shenjtë krenarie dhe identiteti kombëtar, i cili, vazhdon që të frymëzojë fuqishëm në çdo kohë, kudo ku ka shqiptarë. Asdreni pati frymëzimin e bekuar, që ta skaliste në çastin e duhur dhe për momentin e duhur. Ishte pikërisht ky himn, që e çeli siparin e vet, mu në agimin e shtetit shqiptar (1912), në çastin historik të shpalljes së Pavarësisë dhe që vazhdoi të mbetej një simbol i pakonkurueshëm i shprehjes së vetëdijes kombëtare.
Së dyti, Asdreni luajti një rol parësor në koloninë shqiptare të Rumanisë, ku për shumë vite, ishte edhe drejtuesi i saj. Ajo shoqatë (koloni) emigrantësh shqiptarë, ishte një kudhër e palestër edukimi kombëtar, ku u përgatitën një radhë patriotësh e veprimtarësh të shquar, nga ata që do të merrnin përsipër misione të vyera atdhetarizmi dhe do të ishin protagonistët aktivë të lëvizjeve kryengritëse çlirimtare, pastaj të ngritjes së shtetit të ri shqiptar, të arsimit e mbarë kultures sonë kombëtare.
Së treti, Asdreni do të ishte miku i afërt, udhëheqësi shpirtëror dhe mecenati i yllit në ngjitje, lirikut të shquar Lasgush Poradecit. Ka një marrëdhënie vëllazërie poetësh mes të dyve, ku përkujdesja e Asdrenit, pothuaj 30 vjet më i madh, shfaq jo vetëm dimensionin e lartë njerëzor, por edhe intuitën e pagabueshme se te Lasgushi, qysh në rininë e tij të hershme do të dallonte pritshmërinë dhe lajmin e Poetit të madh, që po i vinte Shqipërisë.
Mes tyre, Asdrenit e Lasgushit, duhet kujtuar se ka edhe një letërkëmbim të dendur, sigurisht me mjaft interes për lexuesit e studiuesit, për të njohur e për të kuptuar një mori ngjarjesh e rrethanash, nëpër të cilat endej jeta dhe aktiviteti i tyre letrar dhe përtej letrar.
Me këtë rast, po veçojmë një letër të Lasgushit, student aso kohe, të nisur nga Graci më 13 shkurt 1926 për Asdrenin, i cili jetonte në Bukuresht. Në mënyrë të veçantë, poeti i ri gjen rastin që t`i kujtojë mikut e sivëllait të tij shpirtëror plot mirënjohje, për gjithëshka që ai kishte bërë, pa u kursyer e pa kushte për të. Dhe i kërkon me mirësjellje:
” …a më jep leje tani të të kujtoj disa gjëra përmbi gjendjen teme? A do që të ndiesh një kënaqje të lehtë në fundin e zemrës, duke dëgjuar nga zëri i të tjerëve muzikën e bukur të veprës sate të shkruar mirëbërëse?”
“Le t`i marrim me radhë”, i kujton Lasgushi dhe i rendit: më rekomandove në shtëpi shqiptarësh për të dhënë mësime private, që të siguroja disa fitime; më ndive (ndihmove) shumë herë me hua personale; bëre të mundur që të më jepet nga arka e Kolonisë së Bukureshtit një ndihmë e përmuajshme prej 500 lei për më tepër se një mot; rrëfeve aktivitet që të emërohem sekretar i Komitetit të Shoqërisë; më dhe një odë ku të fle; më jepje të redaktoja prokura (të cilat mund t`i bëje dhe ti vet), që unë të nxirrja ndonjë dyçkë në favorin e barkut tim të bërë plloç nga sëmundja dhe e pangrëna. Dhe i rikujton se me këto përkujdesje ndaj një studenti të ri e të varfër “…ma ke ngritur (pra, ngjallur) shpirtin e zi dhe m`i ke ndërtuar (pra, shëruar) kockat e trupit tim të tretur nga skamja”. Dhe shton më tej se: “ndihmat e tua të panumurta morale dhe materiale, reprezantonin me të vërtetë vlerën e një harmonije, gjer atëhere të padëgjuar për veshin tim”.
Pra, jo vetëm përmes poezisë plot nivel që i dha lexuesit po se po, por edhe vetëm përmes njerit prej këtyre tre kontributeve të tij: si autor i Himnit Kombëtar, si kryetar për shumë vite i Kolonisë famëmadhe të shqiptarëve të Rumanisë, si mik i afërt dhe ndihmues pa kushte i një talenti të madh si Lasgushi, do të mjaftonte që Asdreni të mbetej një emër i ndritur. Por ja që ai, në fakt, i zotëroi me sukses tërë këto dimensione të vyera të talentit të tij të spikatur poetik dhe të aktivitetit të paepur patriotik dhe shfaqjes së vyrtuteve të larta njerëzore.
Siç e vlerësonte Lasgushi, te personaliteti i Asdrenit përmblidhet një manifestim kombëtar, prandaj edhe nuk do të harrohet dot asnjëherë. “Sepse Vjershëtori, sikundër shkruante ai për të, nuk rron jetën e vdekur të vet, po jetën e pavdekur të Kombit të vet”.
Dhe Asdreni, vazhdon që ta ketë privilegjin e mbajtjes gjallë në kujtesën e popullit të vet, të cilit, iu përkushtua si rrallë kush – me gjithëçka. Gazeta Dielli

Publikimi i mëparshëm

Artur Zheji – një zë i rëndësishëm i medias, i mendimit dhe i lobimit për çështjen shqiptare

Publikimi i radhës

Shoqërisë i duhet mendim kritik dhe jo opinion destruktiv  

Publikimi i radhës
PROFESOR XHELAL ZEJNELI

Shoqërisë i duhet mendim kritik dhe jo opinion destruktiv  

JuSm
CT
Argjendi
Emetimi

10. 6. 2023 | Në Tetovë u mbajt Edicioni X i manifestimit kulturor “Lidhja na bashkon”

10. 6. 2023 | Në Tetovë u mbajt Edicioni X i manifestimit kulturor “Lidhja na bashkon”

00:02:59

EDICIONI IX I MANIFESTIMIT KULTUROR ''LIDHJA NA BASHKON"

00:03:31

Promovohet revista për letërsi, art dhe kulturë “Metafora”

00:04:02

EDICIONI VIII I MANIFESTIMIT KULTUROR “LIDHJA NA BASHKON”

00:03:00

Shoqata “Tradita” e organizoi Edicionin V të manifestimit letrar ndërkombëtar “Shtigje poetike”

00:01:29

ORË LETRARE PËR 80 VJETORIN E ISMAIL KADARESË

00:02:49

KONFERENCË SHKENCORE KUSHTUAR PROF. DR. ALI VISHKOS

00:04:25

Tradita.org – është portal i Shoqatës për kulturë dhe art “Tradita”. Funksionon si platformë multimediale dhe angazhohet për  promovimin e arsimit, shkencës, kulturës dhe artit.

Tradita.org – është edhe adresë e debatit të lirë, e zërit kritik dhe e ballafaqimit të mendimeve dhe të ideve përparimtare.


  • FILLIMI
  • IMPRESUM
  • KONTAKTI

2012-2024 © Shoqata për kulturë dhe art “Tradita” / Powered by Optimus Solutions / Privacy Policy.

Mos kopjoni tekst!
No Result
View All Result
  • FILLIMI
  • AKTUALE
    • ARSIM
    • KULTURË
    • OPINIONE
    • SPEKTËR
    • COVID-19
  • HISTORIKU
  • MANIFESTIME KULTURORE
  • VEPRIMTARIA SHKENCORE
  • BOTIMET E SHOQATËS
  • ÇMIMI KOMBËTAR “ALI VISHKO”
  • TRADITA PLUS

2012-2024 © Shoqata për kulturë dhe art “Tradita” / Powered by Optimus Solutions / Privacy Policy.