• FILLIMI
  • IMPRESUM
  • KONTAKTI
E mërkurë, 3 Dhjetor 2025
Tradita | Shoqatë për kulturë dhe art

SHOQATA PËR KULTURË DHE ART “TRADITA”

  • FILLIMI
  • AKTUALE
    • ARSIM
    • KULTURË
    • OPINIONE
    • SPEKTËR
    • COVID-19
  • HISTORIKU
  • MANIFESTIME KULTURORE
  • VEPRIMTARIA SHKENCORE
  • BOTIMET E SHOQATËS
  • ÇMIMI KOMBËTAR “ALI VISHKO”
  • TRADITA PLUS
No Result
View All Result
Tradita | Shoqatë për kulturë dhe art
No Result
View All Result
Home Kulturë

Pas Nolit, Ilir Ikonomi premton biografi të re për Zogun, Mehmet Shehun dhe Rugovën

Duke shpresuar që vëllimi i tretë për Nolin të jetë i përfunduar në panairin e ardhshëm, Ilir Ikonomi thotë se ende nuk e ka mbyllur me biografitë. Pranon se ka ende ka gjëra që nuk janë thënë si duhet për figurat që drejtuan Shqipërinë, ato që udhëhoqën çështjen kombëtare, apo emra të tjerë që lanë gjurmë, për mirë apo për keq, në histori.

18/11/2025
| Kulturë, Tradita plus

I njohur më së shumti si gazetar i “Zërit të Amerikës”, prej 2011-ës emrit të Ilir Ikonomit i është shtuar një dimension i ri, ai i studiuesit dhe biografit. Gjatë këtyre viteve ai ka sjellë një sërë botimesh mbi jetën dhe veprimtarinë e figurave të njohura shqiptare që jetuan në gjysmën e parë te shekullit XX. Faik Konica, ish-ambasadori i Shqipërisë në Uashington, ishte i përzgjedhuri i parë i Ikonomit, që përmes dokumenteve, dëshmive, letërkëmbimeve të pazbuluara më parë solli një anë të re dhe të panjohur të njeriut kontrovers.

“Faik Konica, jeta në Uashington”, botuar nga Onufri në 2011 dhe ribotuar nga shtëpia botuese UET Press në 2017, hedh dritë mbi marrëdhëniet komplekse të Konicës me Zogun, marrëdhëniet e tij me qeverinë e SHBA, miqësinë dhe polemikat me Nolin, komunikimet me italianët gjatë luftës, polemikat me Kostë Çekrezin si dhe i jep lexuesit një vështrim të rrallë mbi jetën personale të Konicës në Uashington.

“Pavarësia, udhëtimi i paharrueshëm i Ismail Qemalit”, ishte libri i dytë i Ikonomit, botuar në 2012 nën logon e UET Press, duke nisur kështu një bashkëpunim të gjatë dhe të frytshëm me këtë shtëpi botuese. Në këtë libër, autori flet me hollësi për udhëtimin e paharruar të Ismail Qemalit nga Stambolli në Vlorë, përmes fakteve të nxjerra nga qëmtimi i mijëra dokumenteve historike, kërkimit të arkivave, shfletimit të qindra librave dhe gazetave të huaja të kohës.

Dy vite më pas, Ikonomi botoi librin “Pushtimi”, ku ai paraqiti pushtimin e Shqipërisë dhe qëndrimin e Ahmet Zogut, përmes dëshmive të ministrit të SHBA në Tiranë, Hugh Gladney Grant dhe raporteve që ai i dërgonte sekretarit të Shtetit, Cordell Hull. Nën syrin dhe mprehtësinë e diplomatit amerikan tregohen momentet e pushtimit të Shqipërisë nga Italia fashiste, pa lënë jashtë rrëfimeve figurën dhe personalitetin e Ahmet Zogut, mbretit të vetëshpallur, jetës që ai bënte, marrëdhënien që kishte me Kontin Ciano, shpresat që kishte nga vendi fqinj dhe në fund dorëzimin dhe largimin nga vendi.

“Natyrisht, ka mundësi edhe që ai të ketë qenë qysh në fillim një kumarxhi i guximshëm që i kuptonte kartat e veta dhe që luante një lojë të dëshpëruar për gjëra që i donte me çdo kusht, para dhe më shumë para, për të qëndruar në pushtet si “Mbret i shqiptarëve”’, shkruante Grant.

Më 2014, Ikonomi goditi sërish me sjelljen e biografisë për Esat Pashë Toptanin, njeriut të trajtuar gjatë në histori, parë më së shumti nën lentet negative dhe nën damkën e tradhtarit. Në librin e tij, “Esat Pashë Toptani: njeriu, lufta, pushteti”, Ikonomi e sjell përmes dokumenteve dhe të dhënave të kohës zbuluar në arkivat e Evropës as si hero dhe as si tradhtar, por si njeriun ambicioz që dëshironte të arrinte synimet e tij.

“Më së fundi një libër i vërtetë historie. Nga ata më të mirët. Që gjatë leximit të jep ndjesinë se po e sheh me sytë e tu qiellin nën të cilin po luftohet, po dëgjon zërat e protagonistëve, gjëmimin e topave, urdhërat e komandantëve, thirrjet e luftëtarëve, krrokamën e korbave mbi kufomat, po nuhat erën e barutit dhe aromën e pyllit aty pranë”, do të shkruante gazetari Edison Ypi në 2016, pas leximit të librit.

Pas një shkëputjeje disa vjeçare, Ikonomi do t’i vijë sërish lexuesit në një formë të re, me një tjetër figurë komplekse, i njohur përmes thënieve dhe kundërthënieve, por asnjëherë përmes fakteve dhe dokumenteve. Në 2023, autori nisi sagën e botimeve për jetën e Fan Nolit, duke e treguar atë përmes tre vëllimeve. Vëllimi i parë “Apostulli”, trajton jetën e Nolit pas largimit nga Evropa në Amerikë, punët e para, regjistrimin në Harvard, mbështetjen që gjeti nga Vatra dhe më tej përfshirjen e tij në çështjen shqiptare.

“Në këtë vëllim të parë të jetëshkrimit, lexuesi do të ketë rast ta njohë Nolin me pasionet, ambiciet, egon, rrëmbimin, oratorinë, inatet dhe cilësitë e tjera që kanë ose nuk kanë vdekatarët e kësaj bote”, shkruan autori, ndërsa parathënia është shkruar nga historiani i njohur, Bernd Fischer.

“Rebeli” ishte vëllimi i dytë, botuar një vit më pas po nga UET Press, ku autori rrëfen vitet e qëndrimit të Nolit në Shqipëri, nga momenti i zbritjes në Durrës deri në largimin përfundimtar dhe heqjen dorë nga përpjekja për të marrë drejtimin e qeverisë dhe vendit.

Ikonomi po punon aktualisht për të sjellë botimin e tretë dhe të fundit për Fan Nolin, për të cilin thotë se i mori më shumë kohë sa kishte menduar, jo vetëm sepse janë më shumë vite jetë, por edhe për shkak të dokumenteve dhe materialeve të shumta që ka arritur të zbulojë.

Në Panairin e 28-të të Librit Ikonomi ishte në stendën e UET Press, ku priti si gjithmonë lexuesit e tij, për të dhënë autografe e për të shkëmbyer biseda rreth figurave që ai trajton, stilit të të shkruarit dhe këndit në të cilat i paraqet figurat historike, të cilat e bëjnë të dallueshëm, skrupuloz, e mbi të gjitha i kanë dhënë sukses.

Edhe pse nuk erdhi me botim të ri, UET Press ribotoi vëllimin e parë të Nolit “Apostulli”,  duke e sjellë me foto dhe format ndryshe të kopertinës.

“Vëllimi i parë i biografisë për Fan Nolin, APOSTULLI, ishte zhdukur prej kohe nga tregu dhe UET Press pati mirësinë ta ribotojë me një ballinë të re. Është në panairin e librit në Tiranë, bashkë me librat e tjerë: Faik Konica, Pavarësia, Esat pashë Toptani, Pushtimi dhe Rebeli”, shkruan autori për ndjekësit në rrjetet sociale.

Duke shpresuar që vëllimi i tretë për Nolin të jetë i përfunduar vitin e ardhshëm dhe pjesë e Panairit të 29 të Librit, Ikonomi thotë se ende nuk e ka mbyllur me biografitë. Sipas tij, ka ende ka gjëra që nuk janë thënë si duhet për figurat që drejtuan Shqipërinë, ato që udhëhoqën çështjen kombëtare, apo emra të tjerë që lanë gjurmë, për mirë apo për keq, në histori. Ai synon të shkruajë një biografi të plotë për Ahmet Zogun dhe jo vetëm për kohën kur ishte mbret, siç del nga libri i parë. Tashmë, autori ka identifikuar disa arkiva, me materiale të pazbuluara më herët, për ta sjellë nën dritën e fakteve të reja. Mehmet Shehu, një tjetër figurë e pa trajtuar me të gjitha dritëhijet dhe e sjellë kryesisht përmes dëshmive të shkruara në sistemin komunist, mund të jetë i radhës që do të kalojë nën “verifikimin” dhe penën e Ikonomit. Po ashtu, shtëpia botuese UET Press i ka kërkuar t’i dedikojë një biografi presidentit të parë të Kosovës, intelektualit dhe politikanit Ibrahim Rugova, i cili kurrsesi nuk mund të vijë i vërtetë, përveçse nën optikën dhe metodologjinë e Iliri Ikonomit.

Edhe pse do të duhet kohë për të parë dhe lexuar këto vepra të reja, nuk ka asnjë dyshim se ato do të kenë rrugëtimin e tyre të suksesit, si vepra serioze, të paanshme, që e tregojnë historinë siç ka ndodhur dhe personazhet siç kanë qenë, me të cilësitë dhe të metat që karakterizon natyrën njerëzore.

Nga Luiza Pinderi / Liberale.al

 


Publikimi i mëparshëm

Raportet e Ismail Qemalit me Austro-Hungarinë gjatë nëntorit 1912

Publikimi i radhës

Gjuha shqipe dhe alfabeti shqip, shprehje e identitetit të shqiptarëve dhe kërkesave për unitetin kombëtar

Publikimi i radhës

Gjuha shqipe dhe alfabeti shqip, shprehje e identitetit të shqiptarëve dhe kërkesave për unitetin kombëtar

JuSm
CT
Argjendi
Emetimi

10. 6. 2023 | Në Tetovë u mbajt Edicioni X i manifestimit kulturor “Lidhja na bashkon”

10. 6. 2023 | Në Tetovë u mbajt Edicioni X i manifestimit kulturor “Lidhja na bashkon”

00:02:59

EDICIONI IX I MANIFESTIMIT KULTUROR ''LIDHJA NA BASHKON"

00:03:31

Promovohet revista për letërsi, art dhe kulturë “Metafora”

00:04:02

EDICIONI VIII I MANIFESTIMIT KULTUROR “LIDHJA NA BASHKON”

00:03:00

Shoqata “Tradita” e organizoi Edicionin V të manifestimit letrar ndërkombëtar “Shtigje poetike”

00:01:29

ORË LETRARE PËR 80 VJETORIN E ISMAIL KADARESË

00:02:49

KONFERENCË SHKENCORE KUSHTUAR PROF. DR. ALI VISHKOS

00:04:25

Tradita.org – është portal i Shoqatës për kulturë dhe art “Tradita”. Funksionon si platformë multimediale dhe angazhohet për  promovimin e arsimit, shkencës, kulturës dhe artit.

Tradita.org – është edhe adresë e debatit të lirë, e zërit kritik dhe e ballafaqimit të mendimeve dhe të ideve përparimtare.


  • FILLIMI
  • IMPRESUM
  • KONTAKTI

2012-2024 © Shoqata për kulturë dhe art “Tradita” / Powered by Optimus Solutions / Privacy Policy.

Mos kopjoni tekst!
No Result
View All Result
  • FILLIMI
  • AKTUALE
    • ARSIM
    • KULTURË
    • OPINIONE
    • SPEKTËR
    • COVID-19
  • HISTORIKU
  • MANIFESTIME KULTURORE
  • VEPRIMTARIA SHKENCORE
  • BOTIMET E SHOQATËS
  • ÇMIMI KOMBËTAR “ALI VISHKO”
  • TRADITA PLUS

2012-2024 © Shoqata për kulturë dhe art “Tradita” / Powered by Optimus Solutions / Privacy Policy.